13 TETORI-DITA E POETËVE

Nase Jani

Nase Jani

13 TETORI-DITA E POETËVE

NASE JANI

Kushtuar Poetëve

Millosh Gjergj Nikolla dhe Dritëro Agolli

Siç mund të quhet tetori Muaj Poetik, për nder të qiriut të pafikur të Naimit të Madh, data 13- të e çdo tetori mund të quhet Dita e Poetëve. Kjo ditë na ka sjellë dy nga poetët më të mëdhenj të kombit Millosh Gjergj Nikollën-MIGJENI-n dhe Dritëro Agollin. Shpesh, koha bën përqasje e bashkime që i kërkon e i vlerëson historia. Më 13 tetor 1911, u lind në Shkodër Millosh Nikolla dhe, kur Migjeni, pas mësimit në Pukë, nën anti-rritmin e kollës së mushkërive, hidhte në letër“Poemën e Mjerimit”, më 13 tetor 1931 u lind në Devoll, Dritero Agolli… Të dy poetët, nuk i bashkoi vetëm data 13-të, por i bashkoi Poezia, krijimtaria e tyre, që i ka rrënjët tek dhimbja e njeriut dhe është shkruar për njeriun…
Poeti i shekujve të rinj…
Në këtë mes-tetori të shekullit të ri, Migjeni 27 vjeçar, mbush 95-të vjet. Ai mbeti i ri edhe kur u vjetëruan shekujt. Migjeni u lind poet në fillimin e shekullit të XX, poet i një lloi tjetër, siç e pagëzoi Kadareja dhe i hap portat e shekujve pa u vjetëruar, pa ecur me shkop, gjithëmonë i ri e i vrrullshëm, duke lenë, kohën prapa…
Portreti i poetit është Fjala. Dhe fjala e Migjenit u bë poezi e prozë-poetike me të vërtetën e jetës së malësisë brenda… Fjala e Migjenit, nuk veshi kostum të gatshëm poetik e nuk brodhi vitrinave të kohës për ta kërkuar. Ajo nuk pranoi të vishte as petkat e zbukuruara të fesë e ta shihte të vërtetën nga frëngjitë e kishave apo të xhamive e as nga frëngjitë e kullave të kanunit.
Migjeni krijoi qiellin e vet poetik me hapësira lirie. Qielli poetik i Migjenit i shpëtoi epidemisë së kohës. Ai nuk morri pjesë në lojën e pasqyrave, që i hidhnin dritë mashtruese njëra-tjetrës dhe pretendonin se bënin artin e madh.
Edhe kur “Vargjet e lira” iu çensuruan nga regjimi i kohës, ai ndjehej i lire në shpirt. Si mund të belbëzonte poezia e Migjenit?! Ajo vetëm këndonte:
“Na të birtë e shekullit të ri,
që plakun e lame në “shejtninë” e tij,
e çuem grushtin për me luftue
ndër lufta të reja
dhe me fitue…”.

…………………
Na të birtë e shekullit të ri,
me hovin tone e të ndezun peshë,
ndër luftëra të reja kemi me u ndeshë
dhe për fitore kemi me ra fli”.
Poeti i tokës dhe i njeriut
Ftoi njeriun që të bëhej njeri.
Ftoi të shndershmin që të bëhej i ndershëm.

Ftoi të ardhmen që të ishte e sotmja,
Ftoi të djeshmen që të mos harrohej.
Ftoi shqiptarët në domethënien e të qenit shqiptar.
U kujtoi shqiptarëve se
Shqipëria e ka emrin Shqipëri.
U kujtoi shqiptarëve se
kanë një Festë Flamuri e një Festë Gjaku të patradhëtuar…
U kujtoi shqiptarëve se
shqiptarët nuk janë vetëm barbarë, por edhe modernë…

Dritëro Agolli,
poet i tokës dhe i Njeriut,
mbeti shqiptar e Nder i Kombit,
kur shumë shqiptarë nxitojnë të çshqiptarizohen…

Dritëro Agolli,
mbeti si mali i Tomorrit, që pret borë,
shkrin borë e gjithëshekujt mbetet Tomorr…

***
Djaloshi Dritëro, që nisi të shkruaj poezi, qysh në bankat e shkollës e i lexonte me shokët e rrethit letrar: Ismai Kadarenë, Agim Shehun, Gaqo Veshin e Hulusi Hakon, apo me mësuesin- poet, Vehbi Bala, u rrit e u lartua shpejt në udhën poetike. Krijimtaria e Agollit mori përmasa kombëtare e u bë pasuri e kombit shqiptar. Ashtu si Naimi, Mjeda e Migjeni, si Poradeci e Kadareja, Dritero Agolli vendosi raporte të drejta me Fjalën e shkruar dhe i dha emrin e tij krijimtarisë letrare. Qysh nga libri i pare poetik “Në rrugë dola”(1958) e deri tek libri më i ri I këtij viti, janë mbi dyzetë tituj-librash të të gjitha gjinive të letërsisë. Dritero Agolli ka shqipëruar Bërnsin e Bagrickin, Ricosin e Elyarin, Pushkinin, Esenin, Majakovsin e Shevshenkon, Ahmatovën e Bllokun e sa e sa poetë të tjerë, dhe vetë është përkthyer në dymbëdhjetë gjuhë të botës, që me “Shkëlqimi e rënia e shokut Zylo” e deri tek “Pelegrini i vonuar”…Është fitues i shumë çmimeve letrare brenda e jashtë vendit dhe i shumë ndereve qytetare, që nga Qytetar Nderi i Qarkut të Korçës e deri tek “Nderi i Kombit”… Dritero Agolli, liriku më i madh i gjallë,siç e ka vlerësuar akademiku Rexhep Qosja, ka njësuar, brenda vetes, token me njeriun. Këtu është dhe “çelësi i artë” i suksesit të tij. Njeriu dhe toka, apo toka dhe njeriu. Ritja e tokës dhe ritja e njeriut. Vrasja e njeriut dhe
vrasja e tokës. Jeta e tokës dhe jeta e njeriut… Ky binom-jete, sa i punuar e i dashuruar nga krijuesit, nëpër mijëvjeçarë, aq dhe i përbuzur e i harruar, u grimcërua në penën e Dritero Agollit dhe mori vlerat e vendit dhe vlerat e kohës, gjithmonë ndryshe e gjithmonë i veçantë… Shpirtin e Tokës dhe shpirtin e Njeriut kush e njeh më mire se Dritero Agolli?!
“ Mos vdis, se pas shirave arën e mbush bari,
Ka rënë në ullishte mizë e ullirit.
Hardhia duhet spërkatur shpejt me gurkali
Dhe, ende, s’ka dale nga plisi kërcelli i misrit.
………………………………………………
Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë,
Është turp kaq shpejt të rrish e të vdesësh.
Ne ëndërronin një vdekje pak më të mire:

Duke vdekur, fytyrat tona t’i shihnim në pikën e vesës”…
“ Dhe kur njeriu nuk ndjen as mall, as brengë, as dhimbje,
Nuk ndjen as gaz, as hidhërim, as shpresë,
Një gjë ju them, me ndershmëri e bindje:
Lëreni të vdesë!”

Në botën e qytetëruar, veç kalendarëve të ditëve njerëzore është edhe Kalendari i poetëve. Si tabela e Mendelejevit, që plotësohet me emra elementësh kimikë, Kalendari i Poetëve po plotësohet me datat 25 maj 1846, 27 dhjetor 1899, 27 mars 1866, 16 shtator 1825, 23 tetor 1871, 16 janar 1936, 13 tetor 1911-1931… me Ditët e Poetëve…
Athinë, tetor 2006
“FotjonArt”, 13 tetor 2006

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
More in 13, agolli, dita, dritero, jani, millosh, Nase, nikolla, poezise
Sokol Jakova
VEÇORI TË POEZISË POPULLORE EROTIKE

VEÇORI TË POEZISË POPULLORE EROTIKE SOKOL JAKOVA Krijimtaria e pasur e popullit tonë ka qenë dhe mbetet përherë majaja e...

Close