ÇAJUPI SHPON E QESH

pirro loli

pirro loli

ÇAJUPI  SHPON E QESH …

                                                                                NGA   PIRRO lOLI

   Andon Zako Çajupi, që balta e mëmëdheut i dukej më e ëmbël se mjalta, me siguri kishte parasysh në radhë të parë baltën e paktë të Sheperit e Zagories. Kjo baltë e shtrenjtë i futi në zemër dashurinë për atdheun e robëruar. Kjo baltë e shtrenjtë iu bë jastëk nën kokë për ta mbajtur përjetësisht të lidhur me Atdheun. Kjo baltë i futi në gjak këngën për t’u kënduar bukurisë e dashurisë, halleve e brengave, njerëzisë e perëndisë. Kjo baltë e shtrenjtë i dha mençurinë e filozofinë, por i dha edhe humorin e njerëzve të zgjuar të Zagories.

Prandaj ky poet me temperament të veçantë, ashtu siç di të japë kushtrimin për liri, di të qeshë e të sfidojë pseudo-patriotët, ashtu siç di të qajë me pikëllimin e zemrës për plagët dhe vdekjen, ”Vajet”,  di të qeshë me tërë forcën e shpirtit për dramat e çapkënllëqet e dashurisë e të pleqërisë;  ashtu siç di të buçasë e të gëlçojë bashkë me erën e të rënkojë për punët e rënda të grave qafave të Zagories, di të qeshë e të ironizojë mëkatin e Evës e veset e Tanës, di të mohojë e të shpojë me armët majëmprehta të ironisë e të sarkazmës edhe , Zotin edhe  dreqin.

E qeshura e  Çajupit aq e shëndetshme, shpërndarë  si kripa e gjallës, në tërë veprën, por trojet e dashura të tij janë  ato politike, fetare dhe, etiko-morale.

Humori  çajupian buron nga fjala, nga kontrasti, nga situata, nga mënyra e portretizimit të personazheve etj.

Ai  u tall që herët me punët e perëndisë. Me një nënqeshje të tillë ai numëron se ka bërë këtë e atë, pyje, zogj e kuaj, armë dhe derrë. Pastaj me një pyetje befasuese shpreh edhe dufin , qesëndis dhe kundër perëndisë “Kur bëre derr’ e arinë, ç’deshe që bëre Turqinë“.

Portreti i Sulltanit, bëhet në formë monologu. Flet vetë Sulltani për bëmat e tij (krimet) dhe vetes i hedh epitetet gjakatar, zemërderr. Ai kënaqet se është: “Egërsirsë si ariu/me fytyrë si njeriu”. Duke shprehur në shumë vargje sadizmin e Sulltanit: “Vrava, preva, shkatërrova/ botën me gjak e mbulova” ose “Jam i zoti rroj me pallë/ s’dua të shoh njeri të gjallë“. Ky sulltan gjakatar kur flet për Shqipërinë sikur i ul puplat: “Nuk di se ç’ kam i ziu/ Nga frika gjaku më ngrihu/… Kam frikë nga Skënderbeu/ mos dalë prapë nga dheu”.

Me mjeshtëri prej demokrati, te poezia “Misiri”,   Çajupi ngrihet e merr anën e fukarait. Asgjë nuk i pëlqeu poetit në këtë qytet oriental. Si pa dashje i numëron disa nga “bukuritë”: “Kuaj të mirë e të lëvduar/ gomerë shumë e dëgjuat/ I zymtë, i bezdisshëm për Çajupin ky qytet: Behari furrë,  dimri si vera/ bashkë kullosin dhentë me derra..  

E kështu duket sikur përshkruan thjesht pamjen e qytetit, por kunjin e hidhur e ngul më poshtë: “Këtu ka princër e pashallarë/ bejlerë më tepër se gomarë“. Po gjene ç’ka, gomarët i ka të dëgjuar.

   Pretendimet e çupës që e vret lart për të gjetur burrë të sojm, parodizohen te poezia “Çupa”. Për këtë çupë nuk gjendej një burrë i përshtatshëm, njeri i shëmtuar, një i shkurtër, një i gjatë, një i trashë e një i thatë, deri sa çupa mbeti batall fare: “Se u plak e u shëmtua/kur erdhi në këtë shkallë/ deshi s’deshi u martua/ me një plak të ve të çalë“. Mesazhi aq i qartë mbart mençurinë zagorite :”Kush zgjedh, përmbledh”.

Një nga poezitë më humoristike të poetit nuk di pse s’ është përmbledhur në veprën e zgjedhur, është poezia “Obobo”. Nëpër dasma e muhabete këndohet si këngë kjo poezi e Çajupit. Që në fillim na jepet një situatë komike: “Obobo e ububu, mikija nër ment u vu/ në shtëpi të saj më shpu/ se nënën se kish këtu”. Tre personazhe të vizatuara me profile të qarta në pak vargje, vajza që ka thirrë të vluarin e saj, djali viktimë dhe objekt humori.  Më e lezetshme plaka që bën sikur nuk kupton: “Bijë ç’është ky këtu?- Moj nëno mos thirr kështu- ia kthen e bija– i varfër dhe i vjen u/ Dhe kërkon kulaç të gru./ Thotë nënia i jap u/ Dhe vate mori një dru.  Përfytyroni situatën: Ikë ajo e ikë u/ më zu këmba në një hu. Më së fundi plaka e mbërthen prej veshi dhe i dha atë që meritonte . “Edhe nga veshi më zu/ dhe më dha kulaç të gru”. Kështu mbeti kulaçi i gru proverbial në humor e në moral.

Vjersha “I krishteri dhe çifuti” ndërtuar me dialog, ndoshta që bërthama e poemës madhore “Baba Musa lakuriq”. Me replika të shpejta ironizohet dogma mbi ekzistencën e Krijuesit. Me fakte çifuti rrëzon këtë ngrehinë shekullore duke i hequr gurët e themelit. Ja dialogu: Krishti është perëndia. Çifuti ia kthe: E polli zonja Maria. Me frymën e shënjtëruar/ Me Josifin qe martua… Eshtë djali i perëndisë.. I biri i zonjës Marisë.

E pasi shkatërron me logjikën e tij, i krishteri do të na bindë se perëndia bëri këtë e atë. Po çifuti ia pret: “O kaur o kokë thatë/ besonje që s’e patë.. “Se ata që e kishin parë- shpon ironia e poetit– s’e besuan pa e varë…

Kjo poezi është prologu i poemës madhore “Baba Musa lakuriq”. Çajupi me  seriozitet nis të shpjegojë prejardhjen e gjithësisë, të cilën e krijoi Zoti në 5 ditë. Ditën e gjashtë krijoi nga balta, njerëzinë (Adamin). “Zoti ndënji u mendua, se puna si vinte mbarë/ se pa bërë dhe një grua”. Këtë e bëri nga brinja e Adamit. “Që atë ditë e që atë natë, nga një brinjë më pak kemi/ se na i morën gratë/ prandaj grave pas u vemi… nënqesh- Çajupi.

Këtu nis ironia e Çajupit për dogmën fetare. Kjo ironi do vazhdojë deri në fund. Ironia do të shpërthejë nga menteshat dyert e padrejtësisë së perëndisë e të njeriut, do të ndriçojë plagët dhe njollat e do të na japë të vërtetat lakuriq për të qeshur e tallur me to.

Bukuria sensualiste e Evës që “Me vrap nga dora iku/ dhe u fsheh prapa te fiku”. E bën Adamin t’i bjerë pas si një dhuratë nga Zoti. Dhe shfryn Çajupi me ironinë e tij: “Që atë ditë që u bashkuan/ burri me gruan e parë/ njerëzit përmbi dhe u shtuan/ Se Eva mbeti me barrë…”

Epo mirë u bë si u bë me çifutin e parë por Çajupi nuk mjaftohet me kaq: Eva zuri dashuri me djallë. Adami kur një mëngjes u zgjua me rrëmbim e duke qarë nga një ëndërr që kish parë/ Evën nuk e gjeti pranë kish vajt e flij me shejtanë“. Kjo shkelja u bë shkaku i parë i degjenerimit të botës. Dhe perëndia sikur hiqet mënjanë, kur i kërkon llogari Evës: Nuk të erdhi turp moj shtregë/ Të bënesh grua e ligë/ Dhe: Pse nuk ike kur të poqi/ Nuk të mjaftonte i shoqi?..etj. Lexuesit kurrsesi nuk i vete në mendje legjenda e dogma por kujton çdo skenë të jetës njerëzore.

Ironia e Çajupit ka dy shigjeta: njëra godet lart, te fronet e perëndisë, tjetra në tokë, midis njerëzve, djallin si simbol të së keqes shoqërore (hipokrizinë, mashtrimin, pabesinë) tipike për shoqërinë e kohës e më tej. I revoltuar nga padrejtësitë e kohës, Çajupi del edhe në përfundime të gabuara kur shëmtinë, pabesinë e shikon te thelbi i njeriut siç dihet, kjo pikëpamje ka determinuar në shumë rryma e ka refleksionet e saj edhe sot. Kur e braktisi dhe djalli Eva u mbyll në një shpellë dhe lindi dy fëmijë, shkurt përfundon Çajupi “Gjithë pra nga djalli jemi/ Se djall stërgjyshin e kemi”. Histori që poetizon Çajupi na kujton kompleksin e Edipit, filozofinë epikuriane, frojoliste etj., por Çajupit nuk i interesojnë aq këto, se sa vetë jeta, dukuritë e saj, problemet, morali i shoqërisë, lufta, liria, nderi (për të cilën thekson se e kanë virtyt shqiptarët). Baba Musa e shpartallon dogmën përbrenda saj dhe me faktet dhe shtesat Çajupi dha probleme të mprehta aktuale. Me një këndvështrim materialist sytë e poetit shohin gjithçka. Ai shprehet me alegori e nën tekste e gjithmonë merr në dorë hostenin e shpon ku të mund mbi pabarazinë, amoralitetin, varfërinë. Ai me balsamin e shpirtit të tij prej demokrati e iluministi, kërkon të shërojë plagë të tilla si kurbeti, vëllavrasjen, mjerimin e gruas. Ai qesh e tallet; ironik i hidhur e sarkastik i rreptë, nëpërmjet kontrastit dhe ballafaqimit me jetën, zbulon hipokrizinë midis asaj që predikohet dhe asaj që bëhet.

Pa dyshim aftësitë e Çajupit në fushën e humorit, dalin në komeditë e tij “14 vjet dhëndër”, e “Pas vdekjes”. Në këto komedi gjejmë interesat e gjëra të autorit për problemet shoqërore, objektin e qartë që vë në lojë situatat e shumta komike gjithmonë me një realizëm të thekshëm. Lexuesi qesh me Tanën dhe e qorton atë. Theksojmë se replikat midis Tanës e Vangjelit janë tipike zagorite. Për shembull: T. Me Gjinin mbeti kjo derë.. V. – Qasu të bëjmë të tjerë/ të pjellç pa mbushur moti… T- Me fjalë je shumë i zoti.

Paraqitja graduale e problemit kryesor, martesës, aftësitë skenike të Çajupi, skena në mulli, me siguri më të moshuarve zagoritë u kujton ato grindje sidomos midis grave, pasojë e varfërisë dhe e meskinitetit. Vini re batutat e shpejta, të shkurtra midis zonjës Kote, e Tanës, të thëna në inat e sipër.

Kote- Moj sterrë, moj natë. Tana- Moj gojëlopatë- e vazhdon- moj byth’ e kusisë, tmerr i njerëzisë/ Na porratopaç, kur kërkon të shaç/ tutje moj zagare/ tutje moj mundare/Ikë moj bisht dredhur/ O moj brashnjë e hedhur etj. E na kujton kjo skenë mullirin, grindjet për radhën e ujit për një ledh e për një pemë. E syri i mprehtë i Çajupit shikon, qorton, qesh e tallet, zbulon karakteret e grave gojëlëshuara e llafazane që s’e kanë për gjë të heqin gurin e fundit e të zihen nga leshtë e kokës.

Skema e dasmës, gdhendur nga një dorë mjeshtërore, na kujton çdo dasmë në Zagorie. Ceremonia e kësaj dasme pa dyshim ka vlera autentike zakonore, por mendoj se pasqyruar nga një “dollibash” si Çajupi, në kontekstin e dhënë, është një parodi e shkëlqyer e martesës. Dasmë e ç’dasmë! Me dollira, këngë e qyfyre, shakatë që i gjejmë edhe sot. Po kë martojmë? Gjinin 14 vjeç. Ja parodia… “Kënga e rakia derdhet lumë“, por edhe Çajupi shpon me ironinë e tij, majtas e djathtas deri në zemërim. Madhore më duket skena V kur dhëndri mbetet vetëm me nusen. Ka kjo skenë situatën tepër komike kur Gjini do të lozë i thërret nuses herë motër e herë nënë. Nga ana tjetër dramën e nuses : Ç’motër më ke mua, o lumë o përrua, ti më more grua. E kur dhëndër ziu i thotë: “Hajde të flemë se më mori gjumi”. Nusja ia pret: ”Fli të martë lumi”. Dhe vërtet, lumi i mori e i shporri këto martesa, martesa u thënçin se kishin shpeshherë drama të rënda psikologjike, familjare e sociale, me divorce, xhelozi e trauma që i nxinin jetën çiftit të ri.

E qeshura e Çajupit është e fuqishme, e shëndetshme, popullore. Ironia dhe sarkazma janë armët e preferuara të tij. Ai qesh, tallet, shpon, godet e shkatërron. Kryesisht humori i tij qëndron në batutën dhe situatën dhe te komedia “Pas vdekjes” në komizmin e karakterit (sidomos Adhamudhit) mbërthyer në kontrastin diametral midis fjalës dhe veprës, formës dhe thelbit. Zeneli aq popullor na kujton zagoritin e mençur por edhe lolot e Shekspirit. Sa të padenjë janë halldupët që rrethojnë Zenelët!… E zeza Shqipëri, por priti nga Adhamudhët …

Çajupi përdor me mjeshtëri gjuhën e pastër popullore, koloritin e saj, veçanërisht frazeologjinë zagorite sa shpeshherë, ashtu siç e merr në popull, si një gur qosheje që s’ka nevojë për çekiç, e vë në murin e tij: Pika që s’u bie/ të ka marrë koka erë/ të palltë varri/ t’i mbash qirinë/ u gëdhi kopaçe/ u hante koka për brirë/ të vret me naze/ kërkon kulaç të gru, apo epitetet: kokëthatë, gojëlopatë, burrëziu etj…

Ja kështu ky patriot i kulluar që me realizëm tragjik, ngriti në art dramat e njeriut shqiptar, që në jetën familjare jeta e goditi aq rendë duke i marrë gruan dhe të vetmin djalë në lulen e rinisë, nga pozitat e intelektualit tendencioz, me veprën e tij u bë zëdhënës i karakterit dhe mençurisë  zagorite

Që shpon e qesh …

Pirololi1945@gmail.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
More in andon, cajupi, loli, pirro, qesh, shpon
A.Z. Cajupi
VAJE

  A. Z. ÇAJUPI VAJE I Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë, Lotët që kam derdhur s’më janë...

Close