E VEJA E KASALAMOS

E VEJA E KASALAMOS

e veja e Kasalamos

e veja e Kasalamos

E . G . ÇIPULINA

Kamioni i rëndë, sapo iu afrua kryqëzimit, frenoi duke çfryrë. Shoferi hodhi sytë nga djaloshi pranë tij i cili midis gjunjëve mbante një çantë udhëtimi.
‘Këtu do marr rrugën për në Vallidollid. Do që të vazhdosh më tej ?’
Gasperi , për të parë më mirë shenjat e kryqëzimit fshiu me mëngën e këmishës xhamin e lagur. Zgjodhi atë që të çonte në drejtim të luginës e cila ishte akoma e përmbytur në mjegullën e mëngjesit. Kasalamo 3 km. Ai s’kishte dëgjuar kurrë për Kasalamon , por ky ishte më afër nga të tjerët .
‘Këtu do të zbres.’
Ndërsa kamioni ndaloi plotësisht, Gasperi kapi plaçkat dhe u var poshtë kabinës së kamionit të lartë. Për një çast e mbajti derën hapur e cila dridhej nga gulçimat e motorit diezel.
‘Epo, atëherë, shumë faleminderit !’
Shoferi zbardhi dhëmbët . ‘Paç fat, Andaluzian!’
Gasperi tundi dorën, përplasi derën dhe bëri mënjanë për t’ju shmangur shtëllungës së gazrave ndërsa kamioni filloi të lëvizte. Kur hodhi sytë për ta parë përsëri, ai pothuajse ishte zhdukur në mes të mjergullës. Tani gjithëçka ra në qetësi por veshët i ushtonin akoma nga zhurma e motorrit. Kishte qënë një udhëtim i gjatë. Pasi pshurri mbrapa një kaçubeje, mbërtheu mirë çantën në shpinë dhe mori rrugën për në Kasalamo. Ajri therës ja zhduku përgjumjen që i varej ende mbi sy. Drita e diellit zvarritej ngadalë nëpër mugëtirë, në fillim duke u nderur mbi shtyllat e elektrikut, pastaj mbi drurët verdhacuk e mbi fermat e vetmuara .Një kamionçinë e vjetër rrokullisej përgjatë rrugës. Pasagjerët i hodhën atij vështrime kurioze. Mjergulla po ngrihej lartë ngadalë. Tani ai mund të shikonte përiferitë e përthyera të Kasalamos, një tjetër qytet i vogël e i zymtë i mesetës që dremiste në harresë. Ato të gjitha ngjanin si copra lagjesh të vjetra qyteti të ngulura andej këndej.
Tani Kasalamoja po zgjohej. Punëtorët futeshin njeri pas tjetrit në fabrikën e vogël. Një tingull i dëshpëruar vinte nga kambanorja e kishës sikur dikush t’i binte një kove llamarine. Në ajër shpërndahej aroma e kafes. Ai vuri re një klub dhe hyri brenda. Ishte plot me burra të cilët dukeshin si pjesë e dekorit të tij. Në banak pyeti në se u duhej ndonjë punëtor. Bufetieri, një burrë i shëndosh, i hodhi një shikim me bisht të syrit .
‘Nuk jeni prej këndej ,apo jo ?’
‘Jo.’
‘Shetitës i lirë?’ Burri nënqeshi midis mjekrrs së tij të dyfishtë ‘Si arixhinjtë, eh ?
Gasperi bëri të pamundurën të dukej edhe ai i qeshur. ‘Ndonjë vend pune qoftë edhe për pakë kohë? Kamarier, pjatalarës – ç’të jetë.’
Bufetieri tundi kokën. ‘Më vjen keq.’ Ai shënoi porosinë në banak e shkoi të shihte punët e tij, duke e lënë Gasparin të gjerbte me zhurmë kafen e nxehtë. Pas një minute ai u kthye duke fërkuar mendueshëm hundën .
‘Duket sikur m’u kujtua se kam parë një lajmërim në një dritare dyqani kur po zbrisja poshtë. Aha, po , ashtu është . Është një bodega (qilar vere) pikërisht tek Sheshi i Bashkisë.’
‘Epo, faleminderit.’
Atij nuk iu desh shumë të gjente sheshin kryesor e që këndej shquajti bodegën.Lajmërimi ishte akoma në dritare . Kërkojmë një ndihmës. Ishte pikërisht ajo që i përshtatej atij , një punë jo shumë e veçantë. Para se sytë mund t’i mësoheshin me errësirën brenda dyanit, një fytyrë si lëkurë, me flokë të të qethura shkurt, u duk se u materializua në hijet mbrapa banakut. Ai ishte një burrë plak, xhaketa e zezë e të cilit shkrihej në sfondin e vozave të nxira dhe veshjes me dërrasa të murit. Po mbllaçiste diçka ashtu siç bëjnë ata që kanë pakë dhëmbë .
‘Epo?’
‘Ka ndonjë punë ?’
Plaku u gëlltit , pastaj përplasi buzët ndërsa shikonte me dyshim Gasperin . “Për këtë duhet të takosh pronaren.’tha ai vrazhdë .
‘Ku mund t’a gjej?’
Plaku picërroi sytë tek një orë mbi mur . ‘Dakord, lërë sendet e tua aty dhe eja këndej.’
Gasperi lëshoi çantën përdhe dhe u zhyt poshtë banakut. Ai e ndoqi plakun nëpër një kalim të errët që kutërbonte erë dërasash të kalbura nga vera. Kur mbritën në fund të një palë shkallëve plaku tregoi një derë që ishte në krye të tyre.
‘Ja , atje lartë, dhe dëgjo, trokit para se të hysh.’
Dukej se mbi dyqanin ishte ndërtuar një kat tjetër. Gasperi u ngjit dhe trokiti. Dëgjoi një zë të mbytur, hapi derën dhe e gjeti vehten në një zyrë të vogël të mbushur me dosje, letra dhe rrangullina. Një grua, ulur pranë tavolinës në mes të dhomës, e vështroi mbi rrethin e syzeve të saj .
‘Po?’
‘Kam ardhur për ndonjë punë.’
‘Oh!’
Ai kishte pritur të gjente aty ndonjë burrë, dhe nga vështrimi plot mendim në fytyrën e saj, ai kuptoi se ajo me sa dukej priste dikë më të vjetër. Fytyrë dashamirëse, e ëmbël, mendoi ai. Ndoshta nga mesi i të dyzetave.
Ajo tha plot shpresë : ‘Nuk mendoj se mund ta ngisni dot një motoçikletë.’
‘Posi, kam edhe një leje .’
‘Mirë.Ti e kupton, kemi probleme me furnizimin, me grumbullimin e vozave bosh, etj.’ Heshti .‘Aty kemi një kamionçinë trecikël por po bën kohë që nuk përdoret. Ka nevojë që t’i kushtosh pak vëmendje.’
Gasperi mblodhi supat . ‘Kam punuar ca kohë si llamarinist, sa për t’u engledisur, por nuk mund t’ju jap fjalën .’
‘Bëj më të mirën që të mundesh. Kur mund të fillosh ?’
‘Në çdo kohë.’
‘Nesër, atëhere. Ne e hapim më nëntë.’ Pasi e falnderoi gruan dhe u kthye për të ikur, ajo shtoi : ‘Prit! Nuk the gjë për pagën.’
Gasperi u mendua për një sekondë , pastaj tha si me përtesë : ‘Sa të më jepni ju .’
Ajo tundi kokën, buzëqeshi..
‘Çfarë je ti, student?’
‘Deri kohët e fundit .’
‘Nga Andaluzia, pa dyshim?’
Ai vuri buzën në gaz . Sa herë hap gojën kur vij në këto anë, më bëjnë të njëtën pyetje
Ajo qeshi . ‘Ç’kërkon kaq larg nga shtëpia? Apo bëni turne nëpër Spanjë me motoçikletë?’
‘Po. Veçse mbeta trok dhe m’u desh ta shisja motoçikletën .’
Ajo i hdhi një vështrim të dyshimtë. ‘Shpresoj se nuk keni rënë në ndonjë hall të madh .’
‘Oh , jo .Just taking a deep breath before I get caught up in the machinery
‘ E kuptoj . Atëhere, eja nesër në mëngjes. Për rrogën mos u bëj merak . Unë do të paguaj mirë.’
Gasperi doli për të gjetur ndonjë dhomë me çmim të lirë . Në se ai do të jetonte me kursime për një muaj a më shumë do të mund të vinte mënjanë diçka që t’i shërbente për një kohë më të gjatë kur të endej i papunë. Mëngjesin tjetër u çua herët dhe shkoi në punë në orën fiks. Plaku, dukej që po e priste dhe pa fjalë e çoi tek një oborr ku mbanin kamionçinën e shpërndarjes. Gasperi nuk u mundua shumë me të dhe ja doli ta ndizte. Punëdhënësja e tij, e cila kishte zbritur poshtë për të parë se si po i ecte , dukej shumë e kënaqur . ‘Ofiçina do na kishte marrë goxha para për asgjë .’
Gasperi ja mori dorën shpejtë punës së përditëshme, shpërndante porositë, mblidhte vozat bosh. Vuri re se në krye të faturave shkruhej E veja e Juan Martino Serranos . Herëpashere ndihmonte në dyqan, mbushte shishet me verë, lëvizte voza , u shërbente klientëve. Plaku, të cilin e quanin Sebastian, rrinte i papërkulshëm, i sertë e dyshues duke e bërë të qartë së përgjegjësi ishte ai .
Gasperi u shmangej zënkave. Për aq sa deri tani askush nuk e kishte fyer, ai nuk u kushtonte vëmendje thashethemeve të njerzëve të tjerë .Gruaja , së cilës Sebastiani i thoshte Vejusha, e kalonte pjesën më të shumtë të kohës lartë tek zyra në krye të shkallëve, por zbriste poshtë rregullisht për të biseduar apo për të dhënë porositë e nevojshme. Një ditë kur Sebastiani ndodhej në bodrum ajo e pyeti :
‘Si ja kalon me plakun ?’
Gasperi mblodhi supat. ‘Kam mendimin se nuk më duron dot.’
Ajo tundi kokën . ‘Mos u prek shumë nga fjalët e tij . Ai po plaket . Që ta dish ti, ai po bën këtu qëkurse ishte djalë i ri.’
Sebastiani i dukej atij si një qen besnik. Ai flinte në një kthinë mbrapa dyqanit, dhe për humorin e tij të keq, ai kujdesej për interesat e Vejushës sikur ato të ishin edhe të tijat. Një pasdite ai u ngjit lart tek Gasperi dhe i tha vrazhdë:
‘Vejusha do që të flasë me ty .’
Gasperi e gjeti atë në zyrë duke gërrmuar në një pirg letrash mbi tavolinë. Dukej pakë e nervozuar .
‘Do të dëshiroja ,’ tha ajo ‘të më ndihmoje me këto.’
‘Po të mundem, patjetër’
‘Oh, për ty nuk është problem. Por kjo ndodh se unë nuk ja them shumë nga arithmetika. Deri tani, asnjerit nuk i ka pëlqyer të mbingarkohet, në se ti do të kontrolloje të gjitha këto fatura …..’ Ajo u ngrit dhe ja bëri me dorë të ulej në karrige. ‘Listat e çmimeve janë atje .’ Në kohën që ai u ul dhe filloi të kërkojë nëpër letra për të provuar aftësitë e tij , ajo shtoi : ‘Në shtëpi kam një vizitor që po më pret , kështu që më duhet t’ju lë vetëm. Ndërkohë shih çfarë të mundesh .’ Ajo doli nga një derë e prapme e zyrës dhe ai u ngul në punë .Rreth një orë më vonë ai dëgjoi çelsin e derës pas tij , dhe zërin e saj.
‘Hë, si po ecën ?’
‘Deri tani mirë .’
‘Kjo mund të lehtësoj.’ Ajo vendosi mbi tavolinë një filxhan kafe .
‘Qënka shumë e mirë.’
Ajo rrëzoi ca dosje nga karrigja në dysheme dhe u ul duke psherëtirë. Njerëzit nuk kanë pse bëjnë gjëra që duken kaq të pa sjellëshme
‘Mos duhet t’ju kërkoj falje ?’
‘Oh, nuk e pata për ty. Po mendoja për Don Evaristin ..’ Shikimi i zbrazët në fytyrën e tij e bëri gruan të vërë buzën në gaz. ‘Më vjen keq.E kisha me vizitorin tim .’
‘E mora vesh.’
‘Vjen pa çarë kokën fare çdo të martë e të premte . Kjo është qesharake .’
‘Është ndonjë i afërmi juaj?’
‘Një shok i burrit tim të ndjerë. Më duket se i shkon mendja për t’më ardhur rrotull.’
‘Epo …. nuk të tha gjë ?’
‘Jo kushedi se çfarë.’ Ajo nënqeshi në mënyrë komike. ‘ Ai rri ulur atje i veshur gjithë me të zeza si një sipërmarrës varrimi. Oh, bën komente mbi motin, sigurisht, pyet edhe për shëndetin tim, qahet për sëmundjet e tij, pastaj saktësisht në orën e caktuar më jep dorën dhe largohet – e gjitha kjo është si një skenë komedie .’
‘Dhe i ke pranuar?’
Ajo mblodhi supet. ‘Nuk më pëlqen ta ofendoj. Ai ka qëllime të mira. Unë i jap një filxhan çaji dhe i rri larg .’
Gasperi qeshi. Humori i saj i këndshëm ishte ngjitës. Në qetësinë që pasoi, ai për herë të parë e gjeti vehten duke e vështruar atë si grua prej mishi e prej gjaku. Pavarësisht nga e folura e saj me edukatë, tek ajo kishte diçka fshatarake, shëndeti i tepërt, trupi i fortë e i rrumbullakosur….nga mënyra e beftë se si ajo u çua, ai e kuptoi se vështrimi i tij ishte endur ca si gjatë mbi të .
‘Mirë,’ tha ajo, ‘Për sot mjaft punove. Mund ta mbarosh nesër .’
Sidoqoftë ditën tjetër ai mbaroi, por tashmë ajo, atë që e quante ndihmë për kontrollin e faturave e bëri pjesë të punës së tij të çdo pasditeje. Ndërsa i dukej se aty mezi kishte punë të mjaftueshme qoftë edhe për një person, ai filloi të vriste mendjen në se marrëveshja nuk ishte thjeshtë një pretekst për t’a patur atë aty rrotull. Ajo jetonte krejtësiht e vetme në këtë apartament dhe përveç vizitave të trishtueshme të Don Evaristit, nuk dukej se bënte ndonjë jetë shoqërore kushedi se çfarë. Ishte më së e natyrshme që ajo ta mirëpriste rastin për të biseduar me të dhe dukej se i pëlqente mjaftë shoqëria e tij. Por mendimi që të bënte dashuri me atë grua e shqetësonte. Shpesh ajo rrezatonte ngrohtësi dhe gjallëri të atillë sa që atë e eksitonin, e pas këtij çasti hendeku i viteve që ndante ata të dy dukej se zgjerohej duke e bërë atë të paarritshme prej tij. Gjersa e kuptoi se kjo në mendjen e tij nuk ishte gjë tjetër veçse një paragjykim ngurrues i përzjerë me një ndjenjë faji të vagullt inçesti, respekt për moshën dhe frikën se mos bëhej qesharak.
Ai e donte atë; dhe ditën që flaku tej ngurrimin dhe arriti ta kapte, dukej sikur ajo gjatë gjithë kësaj kohe kishte pritur vetëm atë. Nuk pati ndrojtje, nuk pati as më të voglën shenjë mëdyshje. Sikur të kishin qënë dashnorë prej kohësh.
Më vonë, ndërsa rrinte shtrirë i vetmuar në krevatin e tij si rrangullimë atje ku banonte, ai rijetoi atë energji të papritur të pasionit të saj, duke vrarë mendjen se si ai pat qënë kaq i verbër e ngurrues . Por kur ditën tjetër po ikte për në punë , në kokë filluan t’i vërtiten mendime të trazuara. Solli ndërmend se asnjeri prej tyre nuk kishte marrë masa paraprake dhe mendoi se edhe ajo e dinte se çfaë ishte duke bërë. Po sikur ajo të mbetej me barrë. Ai kishte dëgjuar historira të tilla për gra që ishin në vjeshtën e jetës së tyre dashurore .
Gjatë mëngjezit ai nuk e pa. Mbasdite si zakonisht ngjiti shkallët, por ndërkohë u ndje përsëri i pasigurtë dhe dyshues për atë çfarë e priste. Në fillim u çudit kur vuri re se ajo u soll njëlloj sikur midis tyre të mos kishte ndodhur asgjë. Pastaj mendoi se ndoshta ajo ishte penduar për pamaturinë e saj, ose thjesht , nuk po fliste ngaqë ishte e sikletosur. Eci si me përtim, ndeshi në shtirjen e saj sikur ata të dy të ishin ende në vazhdën e marëdhënieve të tyre të lirshme të mëparshme, nuk ja lejoi vehtes të thoshte ndonjë fjalë të pavend dhe shmangu çdo xhest apo hamendje që mund ta fyente atë – gratë mendohej të ishin krijesa shumë të koklavitura. Rutina e punës së tij vazhdoi e pandryshuar. Ditët kalonin të qeta. Sidoqoftë, gjatë gjithë kohës ai ishte i vetdijshëm për tendosjen që po ngrihej midis tyre. Kur ajo vinte, ai ishte duke e pritur. Në një farë mënyrë ajo dukej më pak e sigurt, më shumë e merakosur se sa joshëse.
‘Më thuaj ndershmërisht ,’ i tha ajo, ‘më do akoma ?’
Gasperi nuk kishte nevojë të shtirej. Intervali i pasigurisë kishte zgjuar dëshirat e tij. Fakti që ajo ishte më e madhe se ai nuk e zbehte aspak imazhin e saj .
Lidhja e dashurise ecte me ritëm të pazakontë. Larg ndjenjës së të qënit i hutuar nga uljet dhe ngritjet e humorit, Gasperi e kuptoi se kështu ishte më mirë për të. Tashmë ai kishte zbuluar se ajo ishte shumë praktike por edhe mendjehollë; ndoshta ajo frikësohej se ai nuk do t’i rezistonte dot lojës së dashnorit edhe për shumë kohë. Por tani, megjithëse çdo gjë ecte shtruar -shtruar, atë diçka e ngacmonte – seç kishte një ndjenjë të përzjerë brenda tij . Jo se e shihte vehten si një hamshor – ajo asnjëherë nuk e kishte fyer duke i ofruar para apo peshqeshe. Ishte më shumë një ndjenjë që sa vinte e forcohej, i dukej se po e trajtonin si një send, a si një kafshë të dhëmsur shtëpiake që e zonja e shtëpisë e mban në krahë , e ul dhe e ngre sipas trillit të vet. Në sjelljen e saj nuk dallohej asgjë, as dhe një grimë përkrahje që të sugjeronte se i tillë ishte në fakt pozicioni i saj. Ajo ende bisedonte me të po aq lirshëm siç kishte bërë qysh në fillim. Dhe, sidoqoftë në një farë mase, ishte faji i tij që e kishte lënë nisiativën në dorë të saj. Por ajo ndjenja brenda tij ishte këmbëngulëse. Gjëja që e çudiste më shumë ishte se ajo asnjëherë nuk i kishte treguar emrin e saj , të cilin ai e dinte se ishte Karolina, ngaqë kishte parë nënshkimin e saj në faturat e dyqanit. Ai nuk do ta kishte besuar kurrrë se do të ishte e mundur që për dy njerëz të cilët kalojnë kaq shumë kohë së bashku të shmangnin përdorimin e emrit, veçanërisht kur kjo pjesë kohe kalohej në krevat. Por më vonë kur binin në dyshek atij i krijohej përshtypja se ajo nuk e kishte mendjen fare tek ai, se ajo vështronte përtej tij, tek diçka tutje, larg. Sigurisht ai e kuptoi se po u dredhonte pikërisht atyre gjërave që në të njëjtën kohë e bënin këtë lidhje më pak të koklavitur . Për të ishte pak si shumë të shpresonte që ta kishte bukën të lyer me gjalp nga të dyja anët.
Ndërkaq gjatë kohës që kalonte në dyqan ai kishte vënë re një ndryshim të çuditshëm në qëndrimin e Sebastianit . Kohët e fundit ai dukej më pak i sertë, bile në vend që t’i jepte urdhëra të panevojshëm, siç bënte shpesh e të gjente gabime edhe atje ku nuk kishte, ai përpiqej ta ndihmonte. Gasperi nuk mund të mos e vriste mendjen në qoftë se plaku do ta merrte me mend se çfarë ndodhte atje lartë në krye të shkallëve dhe se kjo do të ishte një sjellje pa takt nga ana e tij për t’u miqësuar me dikë që e imagjinonte se do t’a shfrytëzonte këtë rast për të ushtruar autoritetin e tij mbi të. Çfarëdo të ishte arsyeja, ky ndryshim ishtë për të mirë. Ishte tepër e habitshme, sepse mirësjellja e Sebastianit nuk erdhi dhe aq lehtë. Gjersa një ditë e vërteta doli në shesh. Një mëngjes, në qilar, kur Gasperi po ngjitej në një shkallëz për në depon ku ruanin verën, këmba e fundit e saj u thye. Për fat të mirë ai arriti të rrëshqiste poshtë, pa pësuar gjë përveç një gërvishtje të vogël. Por Sebastiani bëri njërën për t’a ndihmuar duke i fshirë edhe pluhurat nga rrobat.
‘Për pak u vrave .’ përsëriste ai . ‘Kjo dreq shkalle është e kalbur krejt.’ Dhe këmbënguli ta çonte tek një ndenjëse jashtë në oborr dhe atje i dha një gotëz konjak. Megjithëse ishte i zënë me të fërkuarin e shpatullës së shëmbur, Gasperi nuk mund të mos vinte re me çudi se sa i shqetësuar ishte plaku – ai tani po dridhej. Kur Sebastiani u largua për t’i shërbyer një klienti i cili po e thërriste që nga dyqani, Gasperit i lindi dyshimi dhe u kthye në qilar. Shkalla rrinte e shtrirë në dysheme, e këmbëza e thyer mbahej akoma në njërin krah.. Ai nuk gjeti shenja të kalbjes së drurit në anën e thyer të tij por vuri re se dikush mund ta kishte prerë me sharrë. I zëmëruar në kulm ai e shkuli fare këmbzën dhe u kthye në dyqan. Priti gjersa klienti u largua, pastaj ngadalë iu afrua Sebastianit .
‘Po kjo çfarë është, more bastard?’
Plaku e vështroi, dhe kur pa në dorën e Gasperit këmbzën e thyer, sytë iu mbushën me frikë. Bëri një hap mbrapa duke u mledhur si një kafshë që pret ta rrahin, goja i mbeti hapur si për të zbuluar të vetmin dhëmb të zverdhur.Gasperi papritmas u ndje i humbur. Hodhi copën e drunjtë në dysheme, dhe si furtunë u ngjit lartë shkallëve për tek zyra dhe pa trokitur hyri brenda .
‘Si është puna me atë njëri ? A mos është i çmendur ?’
Vejusha e cila ishte e ulur në tavollinë kapsiti sytë e çuditur në drejtim të tij .
Gasperi tundi krahët me zemërim . ‘Po ju them se ai është i luajtur mendsh .’
‘Qetësohu, qetësohu.’ Ajo u çua dhe e bindi të ulej në karrige.
‘Çfarë ka ndodhur ?’
Gasperi hezitoi. Më vonë do ta kuptonte se çfarë telashi të madh do të shkaktonte akuza e tij.
‘Si është puna ?’ i tha ajo . ‘Apo nuk dëshiron të ma thuash?’
Ai tundi kokën dhe për një çast heshti vetullngrysur. ‘Pse më urren deri në palcë ai? Çfarë i kam bërë?’
Ajo bëri një gjest qetësues. ‘Ai është një mjeran i varfër. Është rritur jetim .’
‘E duhet ta fal për…’
‘Për çfarë?
‘Oh, nejse, nuk prish punë.’
‘Atë gjithmonë e kanë shfrytëzuar, kanë abuzuar me të .’
‘ Por ti e trajton mjaftë mirë .’
‘Përpiqem të vë në vend diçka të kaluar. Burri im i fundit kishte karakter të ashpër.’
Gasperi mblodhi supet.
‘Nuk e kuptoj pse duhej të rrinte në se me të abuzohej.’
‘Pse, a mos një qen që e rrahin ikën për të kërkuar një zot më të mirë? Ndoshta ai i frikësohej botës së jashtëme më shumë se sa burrit tim.’
Gasperi vështroi nga ajo i menduar. Ajo po mundohej shumë ta bindte. A mos kishte frikë se mos ai e linte? I erdhi në mendje një pyetje tjetër dhe ja tha menjëherë me zë të lartë .
‘Ishe e lumtur me burrin tënd ?’
Ai kurrë nuk i kishte drejtuar asaj pyetje kaq personale. Ajo u duk që ngurroi. ‘Ai nuk kishte zemër të keqe . Vetëm se ishte i dëshpëruar.’
‘I dëshpëruar?’
‘Sepse unë nuk i dhashë fëmijë. ‘Ndaloi pak dhe shtoi me nxitim: ‘Tani, për Sebastianin, në se mendon se do të kesh përsëri probleme me të, mund të shkosh drejt e tek porosirat….’
‘Faleminderit, mbase s’do të jetë e nevojshme .’
Gasperi doli duke vendosur të mos ja lejonte vehtes të frikësohej nga ky plak dinak. Por tani gjendja po bëhej pothuajse qesharake. Në dyqan plaku e kqyrte me kujdes distancën ndaj tij dhe e ruante atë si një fajkua. Gasperi nga ana e tij megjithëse e kishte mendjen tërë kohën tek ai, hiqej sikur nuk e vinte re. Nuk shkëmbenin asnjë fjalë midis tyre. Sidoqofë puna ecte dhe ditën kalonin pa incidente. Prapëseprapë, Gasperi e kalonte më të shumtën e kohës në krye të shkallëve dhe interludet e dashurisë sa vinin e bëheshin më të nxehta. Ndonjëherë kur mendonte se ishte dhënë ca si shumë pas saj fillonte ta shikonte vehten nën një dritë disi qesharake. Ç’bënte ai këtu në këtë vend të braktisur edhe nga zoti i përzier me një grua të ve që ishte në gjysmën e moshës së saj dhe me një mjeran të çmendur i cili e urrente pa asnjë arësye të dukshme? Aventura ishte njëra anë por ai duhet të kishte menduar me kohë për të shpëtuar vehten. Tani po e shihte se nuk kishte as guximin për t’j a thënë asaj drjtë e në sy dhe as poshtërsinë për të ikur vjedhurazi pa shkëmbyer qoftë edhe fjalë.
Ajo doli më mendjehollë se sa e kishte imagjinuar ai. Një pasdite, atje lartë në zyrë, ajo i tha krejtë papritur : ‘ Kohët e fundit ty diçka të shqetëson .’
Ai e vështroi me kujdes. ‘Çdo të thuash me këtë?’
‘Mos ke probleme përsëri më atë plakun ?’
‘Jo, ja dola mbanë.’
‘Atëhere duhet të ketë të bëjë me mua .’
‘Pse e thua këtë?’
‘Je bërë i heshtur.’ Ajo i shkoi më pranë, dhe qëndroi pikërisht mbrapa tij aty ku ai rrinte ulur në tavolinë‘. Mbase doni të shkoni andej nga keni ardhur, apo jo ?’
Ai u ndje shumë keq, iu trëmb ndonjë skene të papëlqyeshme. ‘Më vjen keq .’ tha ai i nemitur.
‘Çfarë ka këtu për të ardhur keq? Kjo është më se e natyrshme .’
E vështroi i pasigurtë. ‘Nuk jeni e fyer ?’
Ajo buzëqeshi . “Pastaj, çfarë më ke bërë ti mua?’
Ai mblodhi supet .’ Vetëm atë që do të bënin më e shumta e burrave .Ti je akoma një grua shumë tërheqëse.’
Ajo qeshi lehtë . ‘Një kompliment i bukur, por nuk është kjo çfarë doja të thoja.’
Ai pati një ndjesi të papritur se ajo po tallej me të . ‘E, ç’është kjo atëhere?’
‘Epo … vure në vend padrejtësinë e burrit tim, ti e kupton.’
Ai e kapi se çfarë donte të thoshte ajo, por qëllimisht ndenjti si i topitur . ‘Nuk të kuptoj.
Ajo u kthye mënjanë . ‘Më vjen keq. Nuk do të thoja asgjë më tepër.’
Gasperi u ngrit vringthi. ‘Por ti e the . Je me barrë , apo jo ?’
‘Po.’
‘Por … e kuptoj , nuk mundeshe më parë.’
‘Kjo ishte çfarë burrit tim i pëlqente të besonte . Ai nuk më la të vizitohesha tek ndonjë mjek. Në se do të zbulohej se faji do ishte i tij, kjo do t’ja shkatërronte përfundimisht krenarinë.’
Gasperi u rrëzua në karrige . ‘Çfarë do të bëj unë tani ?’
Ajo i vuri dorën në shpatull. ‘Saktësisht atë që kishe ndërmend . – mblidh plaçkat e shko. Jam unë ajo që do ta mbaj fëmijën .’
‘Shiko, unë nuk jam aq i panjerëzishëm. Ai do të jetë gjithashtu edhe fëmija im .’
‘E, çfarë do të bësh ti pastaj.’ tha ajo me ironi, ‘Do martohesh me mua ?’
Ai kafshoi buzën . ‘Nuk e di .’
‘Hajde, hajde! Djemtë e rinj e kanë pasë mbjellë tërshërën e tyre të egër qysh në kohët e lashta. Sa tragjike po e bën! Kam qejf që për këtë çështje ta mbaj gojën kyçur.’
Atë e çuditi qëndrimi i saj. ‘Ti flet sikur .. sikur do që unë të iki .’
‘Natyrisht . E ç’gjë tjetër mbetet këtu për ta bërë ti ?
Ai u mendua për një çast. ‘Më duket se nuk do të jetë fortë e këndëshme për ty.Ti e di si janë njerëzit në qytetet e vogla si ky .’
‘A mos beson se jam aq e pa mend? Apo ke ardhur të më ngulësh sytë thjesht si një copë mishi të ngrohtë?
‘Sigurisht jo.’
‘Shumë mirë, atëhere dëgjo. Kur isha me burrin tim, ne i kalonim pushimet tona në një vilë të thjeshtë, në jug, pranë detit. Ai është një vend i vogël shumë i këndshëm, dhe unë e kam akoma në pronësi .Do të shkoj e do të jetoj atje përgjithmonë.’
‘Me çfarë do të jetosh? E kam fjalën, çdo të bësh me biznesin?’
‘Do të marr goxha para prej tij. Kam një blerës që po më bezdis qëkurse më ka vdekur burri. Dhe sa për Sebastianin, e kam vënë si kusht të shitjes që ai ta mbajë plakun në punë – kështu që nuk do të jetë problem.’
Sebastiani! A mundet që ai te ketë pasur ndonje ide të vagët se mund të ndodhte diçka e tillë dhe se kjo do të binte në kurriz të tij? A mos pas shpirtligësisë së tij fshihej kjo logjikë? Papritur i erdhi një tjetër mendim. ‘Ti e ke bërë me kohë këtë plan,’tha ai. ‘Nuk ishte një rastësi , apo jo .’
Për një çast ajo nuk dha asnjë përgjigje . ‘Mendoj se nuk është fortë e lehtë për ty për ta kuptuar, por të kisha një fëmijë ka qënë gjithmonë ajo ç’kam dashur me të vërtetë nga jeta. E kam ndjerë tërë kohën deri në kockë se isha gatuar për të lindur e rritur fëmijë .Kjo erdhi pak si vonë, por nuk më prish punë, unë tani fillova të jetoj.’
Gasperi e kuptoi si në mjergull, por e gjitha çka mendoi të thoshte qe kjo: ‘Nuk ka ndonjë rrëzik, në moshën tënde ?’
‘Epo, ç’do ti? tha ajo me përbuzje . ‘Jetë pa asnjë rrëzik? Njëherë kemi për të vdekur.’ Ajo bëri nje xhest me dorë sikur fshiu diçka. ‘Jetë i thua ti kësaj?’
‘ Po në se ty të ndodh gjë? Kush do të kujdest për fëmijën. Unë duhet të mbaj lidhje me ty .’
‘Ti nuk ke për të bërë asgjë të kësaj natyre.Vetëm ik – kudo që të shkosh. Më shpejtë se sa të mendosh se e gjitha kjo të duket si diçka që dikur e ke parë në ëndërr.’
Ky argument e la pa gjumë për një kohë të gjatë, ndoshta nga që e dinte se donte të bënte ashtu siç e nxiste ajo dhe për këtë e përçmoi vehten .

Në mëngjes herët mjergulla ngrihej nga toka po ashtu si atë ditë kur ai erdhi këtu. Ndërkohë që priste në kryqëzimin e rrugës me shpresën se do të ndalonte ndonjë makinë hodhi sytë i menduar drejtë mbishkrimeve të shtyllës. Kasalamo 3 km. Tjetri poshtë tij tregonte drejtimin e kundërt. Urkuiles 5 km. Për t’ju shmangur një rruge më të gjatë ai zgjodhi atë për në Kasalamo, sepse atëhere kishte qënë shumë i lodhur – dhe kjo ishte e vetmja arësye. Dikush mund të shikonte dorën e fatit, paracaktimin apo kushedi çfarë tjetër që e çoi atë tek ajo, por ai ngulte këmbë në idenë fikse se egziston një forcë e errët me një qëllim të fshehtë e cila josh njeriun me çikërrima të tilla ashtu siç mund të bëjë një shofer kamioni, një bufetier miqësor, apo dhe një shenjë rruge e volitsme. Çfarë marrëzie e pa dëgjuar! Një bletë arrakate u ul mbi një lule të vetmuar, dhe kujtoi se gjeti botën. Apo fati e cakton me përpikmërinë më të madhe rrugën e çdo blete?

Një kamion i ngarkuar po buçiste duke iu afruar kryqëzimit. Shkonte për në drejtimin e duhur. Gasperi i bëri shenjë plot shpresë. Ai po ndalonte ngadalë. Ndërsa ngrinte plaçkat nga toka, vështrimi i tij u përhumb drejtë Kasalamos. Mjergulla ja fshihte pamjen, por brenda saj ndodhej ai qytet i vogël, i zymtë të cilin nuk do ta harronte kurrë. Si diçka që ke parë në ëndërr, i kishte thënë ajo. Sikur ky të ishte një ngushëllim. Ëndërrat të faniten më shpesh se realiteti. Dhe kjo ëndërr atij do ti kthehej përsëri e përsëri edhe atëhere kur nuk do ta priste, një ëndërr shastisëse rreth një gruaje që ai mezi e kuptoi dhe një fëmijë, fytyrën e të cilit ai nuk do ta shihte të qartë.

Përktheu Ruzhdi Totaj

FotjonArt”, 28 tetor 2010

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
More in cipulina, e veja, e veja e kasalamos, fotjonart, kasalamos, ruzhdi, ruzhdi totaj
Dhori Thanasi
DHËNDRI

DHORI THANASI Dhëndri Djaloshi i vogël, nga më të afërmit ose më i preferuari i dhëndrit dhe familjes së tij,...

Close