ERË TRENDELINE

Lasgush Poradeci

Lasgush Poradeci

 

Lasgush Poradeci

ERË TRENDELINE

 

Sesí m’ju lëndon dashurija!

Sesí m’ju lëndon pa pushim!

O lotët e syve të mija!

O klithmëz e tingëllit t’im!

 

Ju shoqe të kohës mitare…

Mikesha… motriçka… pa faj!

Ju humbtë në mjegull përfare,

Dh’u solla ndër mënd e po qaj!

 

As flak’ e shkëndijës q’u shua,

As syri që nxihet e plas,

Nuk lanë-o ju vasha për mua

Vuratat e errëta pas:

 

Haj! flutur’ e zezë me duar

Një flutur secila prej jush,

Më la në gishtrinj dyke shkuar

Pluhurin që ndrin posi prush…

 

Sot çela pëllëmbën e dorës

Q’u çiku gazmore dikur –

Si pah verbimtar i dëborës

Së-rish po më ndrin një pluhúr…

 

Përse nuk m’u shojte përherë,

Të hesht të pushoj për kurdo,

Ti mall që nër to pate lerë

Dh’u rite dh’u ndrite nër to!

 

Ju shoh përtej mjegullës s’uaj

E shpirtin prej jush e kam plot,

Pa s’mund si t’a them, si t’a shuaj

Ah! këngën e mbushur me lot.

 

Së koti-u larguat mënjanë,

Më vajttë më kot aqe larg,

Kur sumbullat lot që më ranë

Si ruázat i shkova në varg…

 

Dh’i ndrita me syrin e fshehur…

Dh’i vela me zërin mitar…

Dh’i skuqa me buzën e dehur…

Me shpuzën e flogut si ar…

 

Oji! trendelin’ e venitur

Ju fail gjith erën e saj… –

Pse rreh me kaq hov të çuditur,

Haj! zemëra ime ti haj?…

 

Ju lule q’u leu parëvera,

Dh’u çika me gas një mëngjes!…

Së largu prej jush më ra era,

E desha prej mallit të vdes!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
Read previous post:
Ndre Mjeda
ZOGA

  NDRE MJEDA (1866 – 1937) ZOGA IV E kandshme asht hana kur del me zana, e n’tokë me dritë...

Close