GJYSHJA IME

SOKOL JAKOVA

Unë nënën e babait, gjyshen time të shtrenjtë, e kam dashur së tepërmi, se më ka rritur për plot vite. Ajo ishte një grua e gjatë dhe e shëndetshme dhe vishej me rroba karakteristike shkodrane. I dinte të gjitha: edhe të ishte zonjë shtëpie, edhe ta mbarështronte atë, edhe të fitonte sashurinë e respektin e të tjerëve, edhe t’i dëgjohej fjala për çdo gjë, edhe të gatuante për mrekulli.. Veçanërisht ëmbëlsirat i qante, sa kur i haje lëpije edhe gishtërinjtë.
Mbaj mend, kam qenë nja dhjetë vjeç kur me rastin e një feste ajo na gatoi një ëmbëlsirë të mrekullueshme, që nuk e kishte gatuar ndonjëherë më parë. Kësaj ëmbëlsire që ishte e ngopur me sheqer shkodranët i thoshin: “tespixhe”.
Ëmbëlsirën, përpara se t’i hidhte sherbetin, gjyshja e poqi në furrë në një tavë të madhe e të rrumbullakët. Pastaj e nxori, i hodhi ç’kishte për t’i hedhur dhe, ngaqë e dinte se unë isha llupës i madh dhe i pëlqeja shumë ëmbëlsirat, se ç’gjeti një vend të fshehtë në shtëpi, si vrimë miu, që ta vinte për të mos e gjetur unë. Nuk e pashë se ku e futi, prandaj si maçoku që rri kurdoherë në përgjim, nisa të kontrolloja ngado, fshehurazi asaj, për një kohë të gjatë.
Kontrollo e kontrollo, por nuk po gjeja gjë. Në shtëpi ishte vetëm gjyshja dhe unë, sepse prindërit dhe motrat kishin dalë të bënin pazarin e të blinin gjithçka që do të na nevojitej për t’i gatuar me rastin e festës së nesërme.
Kontrollo e kontrollo, përsëri s’po gjeja gjë. “Hë sa e mençur dhe finoke e kam këtë gjyshen! – thosha me vete, – Kushedi ku i ka vajtur mendja ta fusë tavën e tespexhes”.
Nga kuzhina dëgjoheshin zhurma të lehta.. Me sa duket gjyshja po bënte punët e shtëpisë, po lante enët, po fshinte apo po rregullonte minderet. Unë vazhdoja kontrollin, po deri atëherë nuk kisha rënë në gjurmë të tavës. Më vinte të pëlcisja prej inatit, pastaj më kishte hipur një uri që ç’t’ju them dhe më lëshonte goja lëng tek kujtoja ëmbëlsirën e gjyshes.
Befas më erdhi ndër mend se vetëm në një vend nuk pata kontrolluar ende. Ngjitur me njërën prej dhomave të shtëpisë dikur kishte qenë një banjo e vjetër stërgjatëshe, me një vaskë të madhe e të lënë pas dore. Ngaqë atë banjë s’e kishim meremetuar, se kishim edhe një tjetër të re që e përdornim, e patëm kthyer në një si punë magazine, ku kishim futur disa dollapë, plaçka të vjetra dhe plot rrangullina të tjera. Pra tek ajo vrimë e shtëpisë nuk kisha kontrolluar ende. Më thoshte mendja se po nuk e pati fshehur aty gjyshja tavën e tespixhes, nuk kishte ku ta fshihte tjetër.
Dhe vërtet pandehma ime doli. Si rrëmova për pak kohë në atë kthinë stërgjatëshe, më në fund, oh, më në fund, ma pikasën sytë tavën e tespixhes sipër një dollapi të vjetër. Që të mos shihej dhe për të mos i rënë pluhuri, gjyshja na e pati mbuluar tavën me gazetë.
Gati sa s’u hodha përpjetë prej kënaqësisë dhe gëzimit. E zbrita me kujdes tespixhen nga dollapi dhe e vendosa tavën mbi një tryezë. Fshehurazi gjyshes vajta në kuzhinë e mora një lugë e një pirun. Pastaj erdha përsëri tek tryeza, ia hoqa gazetën tavës e herë me lugë e herë me pirun iu futa vendshe ëmbëlsirës që lëre ç’pyet. Haja si i babëzitur dhe i kapërdija copat e tespixhes, që gjyshja i pati prerë në formë rombesh, pa i përtypur mirë. Aq shumë po më pëlqente ajo djall ëmbëlsire. Nuk e mora vesh fare se sa shpejt m’u fry barku si kacek. Eh, ç’nuk bën syri i madh dhe makutëria në të ngrënë! Kjo punë zgjati derisa tava e tespixhes u përgjysmua. Atëherë e ndjeva se nuk mund të haja dot më.
E mbulova tavën me gazetë dhe e vura përsëri në vendin ku e kisha gjetur. Pastaj avullova jashtë.
Pas nja dy orësh, kur patën ardhur nga pazari prindërit dhe motrat, nisa të ndieja një dhimbje të tmerrshme barku që s’e pata provuar kurrë. Më vinte të dilja jashtë, prandaj nxitova te nevojtorja në fund të oborrit të shtëpisë. Atje, veç sturrës nga poshtë, më plasi një e vjellë që ma këputi trupin krejt dhe gati sa nuk rashë në gropë të halesë. Atëherë nisa të thërrisja: “Olele, barku, olele!”
Mungesën dhe thirrjen time e ndjeu e para nëna, që erdhi me vrap te nevojtorja. Kur më pa ashtu të leqendisur, të zhyer ashtu me të vjella e me të pëgëra dhe të zverdhur e të bërë limua në fytyrë, thirri:
– Si qenke bërë kështu, more Loli! Çfarë ke?
– Olele, barku, olele, barku! – vazhdoja të thërrisja unë.
– Çfarë ke ngrënë, more llupës i pangopur? – më pyeti prapë ime më, por
unë vetëm thërrisja, ngaqë nuk doja t’i rrëfeja të vërtetën. Erdhën tek unë të shqetsuar e të tronditur edhe babai e motrat. Ndërsa gjyshja në shtëpi nuk pati dëgjuar gjë ende.
Nëna më shpuri te çezma e oborrit ku më lau e më pastroi mirë e mirë. Pastaj, ashtu gjysmë të këputur, të gjithë më kapën për krahësh dhe më futën brenda në shtëpi. Më shtrinë në shtrat që të qetësohesha, ndërsa nëna më përgatiti një limonadë me sodë dhe ma dha ta pija që të më lehtësonte sadopak stomakun.
Të fshehtën e ngjarjes së pazakontë e zbuloi gjyshja ime kur gjeti tavën e tespixhes të përgjysmuar.
– Po Loli paska ngrënë tespizhen, moj nuse, – I tha ajo nënës. – As gjysmën nuk paska lënë!
Qysh nga ajo ditë e deri tani unë nuk kam futur më ëmbëlsirë në gojë. Kaq shumë më ka velur aso kohe ajo tespixhja e gjyshes sime të mirë!

“FotjonArt”, 18 mars 2009

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
Read previous post:
Sokol Jakova
DJALI QË NUMËRONTE YJET

SOKOL JAKOVA - përrrallë - Na ishte ç’na ishte… Një herë e një kohë na jetonte në një qytet të...

Close