HËNA E POETIT DALAN LUZAJ, MË NË FUND, QESH ME TË MADHE

Gjeke Marinaj

Gjeke Marinaj

HËNA E POETIT DALAN LUZAJ, MË NË FUND, QESH ME TË MADHE

Gjekë Marinaj

Me këtë univers të vërtetë poetik, për mendimin tim,autori vendos me autoritet kufijtë midis poetëve të vërtetë edhe atyre amatorë.Interpersonal në tematikë dhe i fuqishëm artistikisht, zëri i shpirtit të poetit Vlonjat krijon
një vorbull të re letrare, duke e shkëput realitetin shqiptar me të gjitha mrekullitë dhe çoroditë që ka, për ta rivendosur atë në një podium nga ku mund të shihet dhe analizohet me më objektivitet. Edhe kur poeti ka veten si zëdhënës i mesazhit që poezia tenton të përcjellë, shtresat e dyta dhe të treta të mendimit, përbëjnë një pikturë realiste në akord me natyrën e shqetësimit që ai përjeton në çastet kur shkruan. Kjo është një arritje, sepse për çdo poet është e rëndësishme që idetë dhe kujtimet personale të ndërlidhen në mënyrë natyrale me imazhet e jetës së përgjithshme.
Ndërlidhja në fjalë e ka prejardhjen tek dashuria e poetit për njeriun, natyrën, Atdheun. Ndjeshmëria dhe ështrimi bashkëkohor që gjejmë aty, sugjerojnë se në qendër të këtyre poezive kemi të bëjmë me një poet që është i gatshëm ta hapë veten plotësisht para botës, jetës tekanjoze dhe padrejtësive të saj. Ai i drejtohet njerëzimit me të njëjtin efektivitet, herë drejtpërdrejtë herë me një gjuhë figurative. Ja poezia e titulluar “Qentë”, ku alegoria
amplifikon instinktin e qenve të këqij brenda disa “njerëzve”:
“… Ata lehin ditë e natë.
Herë pas gardhit herë pas ferre,
Kur vështrojnë një yll të artë,
Kur presin kockën pas çdo dere” (nga poezia “Qentë” faqe 11).
“Dhe hëna kurrë nuk qeshte”, libër me poezi nga Dalan Luzaj
Siç shihet, në këtë poezi kuptimi i dytë zhvendoset mbi të parin: qentë lehin jo për të frikuar apo për të tërhequr vëmendjen e njerëzve, por sepse ata vetë kanë frikë pikërisht nga vëmendja mikroskopike ndër të cilën gjenden. Por kjo nuk e mënjanon kuptimin e parë – qentë mbeten qenë, jo vetëm kur lehin me xhelozi kundra një “Ylli të artë”, por edhe kur qajnë në vetvete për pamundësinë e tyre për të qenë të tillë. Përdorimi i metaforave dhe krahasimeve të këtilla në poezinë e Luzajt është i suksesshëm, sepse ato luajnë më tepër rol funksional se sa dekorativ në lirikat e tij. Ato e ndjekin qëllimin e poezisë dhe arrijnë të bëhen pjesë ndihmuese në hapjen e dyerve
të koherencës për lexuesin. Le të ndalemi tek një poezi me një fizionomi të përafërt me poezinë e mësipërme nga ana e aplikimit të elementëve letrare, këtë herë duke e parë poetin të flasë nga një pikë tjetër vështrimi:
“Nga larg (mes mjegullës) vështroj një dritë
Si krijesë mbështjellë me membranë
Kur rrezja e diellit e çukit
Tingëllon shkëlqimi si këmbanë” (Nga poezia “Nga Larg”, faqe 14)
Ja pra se si Luzaj e kapë konceptin filozofik të jetës dhe shpresës për ta implementuar atë në një imazh që është më shumë një mirazh se sa një realitet – diçka që dëgjohet më shumë se sa shihet në paradoksin që vepron. Kjo ide është efektive sidomos kur kemi parasysh se metaforat dekorative do të mbeteshin retorike po të mos i vendoste ato në një funksion shtesë: ai nuk mundohet ta bindë lexuesin me efekte teknike, por me përmbajtjen e poezisë që krijon.
Një peshë të së njëjtës madhësi mbajnë edhe hiperbolat letrare që gjejmë të aplikuara te “Dhe hëna kurrë nuk qeshte”. I shohim të jepen herë si gjysma e subjektit e herë si gjysma e imazhit të poezisë. Ato janë konceptuese, janë elementë të shpalosura dhe të rikrijuara në atë formë sa që funksionojnë natyrshëm jo vetëm si ide abstrakte por edhe si pjesë plotësuese e së dukshmes. Ja një Shembull:
“Kanina e tërë nën kala Shushica hedhur përpjetë Një degëz me yje që ra Vlorën e bëri qytet” (nga poezia “Uji i Ftohtë”, 26)
Sado që aftësia e poetit për të hyrë tek mendjet e lexuesve me një freski kaq të dukshme autoriale hedh një dritë të re mbi motivet e natyrës, dashurisë, problemeve sociale, atdhedashurisë etj., epiqendra e poezisë së Luzajt mbetet nderi. Madje edhe nderin Luzaj e trajton në një këndvështrim të veçantë në poezinë e tij. Ndryshe nga grekët e
vjetër ku ekonomia e nderit ishte një komoditet rreth të cilit rrotullohej e gjithë kultura greke, Luzaj e trajton nderin si një detyrë humane. Ky vizion mund të shihet më së miri në një nga poezitë më të bukura dhe më njerëzore të krijimtarisë së deritanishme të tij, titulluar “Fëmijëve”. Ngaqë poezia është e ndërthurur si një zinxhir i vërtetë poetik, dhe se shkëputja e një strofe (siç ndodh zakonisht) nuk do e përfaqësonte denjësisht poezinë
në fjalë, vetëm po komentoj rreth saj.Poezia “Fëmijëve” ka diçka të përbashkët me poezinë e Agollit “Kur të jesh mërzitur shumë”, por është më obliguese, sidomos në marrëdhënie me fëmijët e tij. Helika e tij filozofike për vdekjen sillet rreth të njëjtës strukturë ideore me poezinë e titulluar “Këngë” të Christina Rossetti-t, por është më e butë, më miqësore dhe duket e shkruar me më shumë qetësi shpirtërore…
Le të mos largohemi nga koncepti i nderit as nga ndryshimi konceptual i poezisë së Luzajt me Grekët e vjetër. Poeti ynë nuk beson plotësisht në idenë e thjeshtëzuar se nderi nuk mund të krijohet apo shkatërrohet. Ai është skeptik edhe ndaj idesë se, nderi ose është i dhënë ose i grabitur nga dikush tjetër. Luzaj beson se nderi është si frymëmarrja, pa të cilin njeriu më parë nxihet në fytyrë, pastaj vdes.
Në poezinë “Fëmijëve” gjejmë të aplikuar pikërisht atë logos që i krijon atij mundësinë e apelimit te arsyeja apo logjika. Ai e bën këtë me besim te lexuesi, duke menduar se ai e vlerëson arsyen dhe logjikën e tij, jo vetëm duke u bazuar te përvoja e tyre, por edhe tek eksperienca e poetit që u drejtohet atyre. Në bazë të këtij nocioni mund të themi se poezitë e Luzajt kanë kaluar në kategorinë legjendë, të paktën si përfaqësuese të tonit emocional të jetës që jetojmë dhe të veçantisë së pazëvendësueshme të mënyrës së interpretimit. Poezia e tij merr jetë aty ku pjesa poetike dhe ajo antipatike e realitetit bashkëkohor ndërthuren, aty ku e mira dhe e keqja orvaten të pushtojnë njëra-tjetrën. Për këtë pikë të mendimit, le t`i referohemi poezisë “Kthim në Atdhe”, midis vargjeve të së
cilës mbizotëron realiteti nostalgjik dhe fataliteti i implikuar në prejardhjen e tij:
“Barka shtynte hënën nëpër det
Deti shtynte barkën për tek ti,
E pafund bëhet udha kur më pret
Gjysma tjetër që mungon në gji” (faqe 48).
Këtu poeti realizon diçka jo të lehtë – ai rizbulon natyrën e Atdheut të tij, pastaj e rikrijon atë sipas arkitekturës që ajo i ka krijuar në zemër gjatë mungesës.Për ta kuptuar më mirë Luzajn si poet, mendoj se është e domosdoshme që lexuesi të ndalet edhe te ethos-i i tij poetik. Sepse ai komunikon me lexuesin jo vetëm për të ndërtuar marrëdhënie kuptimore të ndërsjella, por edhe për ta bindur atë për të vepruar… Ai është i ndërgjegjshëm se; çdo ide i ka kundërshtarët e vet. Kështu ai përdor reputacionin e vet si një njeri (e tani si poet) i rritur midis shtresave më të shtypura të popullit shqiptar. Ai gjithashtu vë në lëvizje njohuritë e lexuesit rreth jetës së tij familjare – si djali i një profesori e filozofi disident, pa lënë mënjanë as kredibilitetin e tij si njeri i ndershëm ndaj shoqërisë dhe Atdheut gjatë gjithë jetës.Pra ethos-i i tij poetik është shpresa se lexuesi do e pranojë pozicionin e tij si një poet që
ka të drejtën dhe detyrën njerëzore për t`ua tërhequr vëmendjen drejt problemeve që ai trajton në vargjet e tij. Pasojnë katër vargje të këtij lloji:
“Kur bie nata si ombrellë
Te ju në fshat o pleq të gjorë
Mbyllni derën si kështjellë
Besnik veç qenin në oborr” (nga poezia “Fshati i Braktisur”, faqe 7).
Ndonëse nuk mbetet fare sekret risku që Luzaj ndërmerr duke e vënë punën e tij krijuese në tehun më të mprehtë të së vërtetës, mendoj se ky risk ia vlen, sepse poezitë e tij paraqiten si një triumf disadimensional, si një provë e kapacitetit të artit të poezisë për t`i dhënë kohës një balancë më të qëndrueshme me aspektin imagjinues të saj.
Ky vendim autorial nga ana e Luzajt, ndodh për arsyen e thjeshtë se në çdo hap poeti kërkon që sakrifica njerëzore duhet të jetë më pak e ashpër, më abstrakte dhe më kërkuese ndaj kompleksitetit moral e natyral, në mënyrë që marrëdhëniet midis simbolikës dhe domethënies të jenë njëherësh edhe marrëdhëniet në mes të sakrificës se largët me asaj të afërt njerëzore. Në çdo hap ai dëshiron që sakrifica të jetë më shumë e vullnetshme e më pak obliguese – më shumë këmbëngulëse në marrjen e vendimeve dhe tentativave dhe më pak bindje e dëgjueshmëri para dikujt. Thënë me dy fjalë, një nga temat e rëndësishme të librit “Dhe hëna kurrë nuk ishte”sugjeron se, emergjenca e vetëdijes vjen me emergjencën për një gjuhë më të lartë morale. Ky sugjerim është efektiv sepse shtrihet përtej nivelit personal. Pasi të kesh lexuar librin, nuk është fare e vështirë të kuptohet se shpesh Luzaj i jep një rol shtesë gjuhës interpersonale në poezi, duke e përdorur atë në funksion të botës së tij dhe parametrave intelektualë me të cilët ai dëshiron ta pasqyrojë atë. Duke e bërë këtë, ai ve në lëvizje një ide të vërtetë konstruktive, duke e riformuar gjuhën që ajo ta reflektojë më mirë eksperiencën dhemotivet që e shtyjnë poetin drejt fletës së bardhë me moralin e lartë që ai kërkon ndaj vetes dhe të tjerëve.
“Dhe hëna kurrë nuk qeshte” është një evidencë e gjallë se; Luzaj nuk është i interesuar të japi ndihmesën e tij letrare vetëm në pikat që trajtuam më lart. Ai flet me natyrën aq lirshëm dhe me aq konsiderate e delikatesë poetike sa të mahnit. Në këtë aspekt mund ta identifikojmë ose të paktën ta konsiderojmë si një studiues të denjë të mësuesve të lashtë të poezisë. Mbi të gjitha Orfeu, Solomoni e Viasa – poeti i mahabharatës, të gjithë i
dinin gjuhët e kafshëve, zogjve, pemëve dhe gurëve. Ata jo vetëm që i kuptonin, por edhe flisnin në mënyrën e tyre me natyrën që i rrethonte. Ja si ecin vargjet e Luzajt në gjurmët e tyre:
“Mes stërkalash u ul lehtë mbi shkëmb
Pulëbardha qiejt mban e shpalos,
Pa masë stuhia detin çon në këmbë,
Ngritur tërbimthi anëdetin fundos” (nga poezia “pulëbardha”, faqe 51).
Nëpërmes skenave tronditëse, imazheve që hapen si arkivole gjysmë të kalbura nëndherat e së kaluarës dhe regjistrimeve të halleve të popullit shqiptar nën pushtimin e “bishave të kuqe”, Luzaj sjell për lexuesin një panoramë të pa tjetërsuar të pathos- it të sotëm shqiptar. Mënyra se si poeti futet direkt tek emocionet e lexuesit të kujton Antigonën kur i drejtohej Korusit në skenën e katërt: “M’i hidhni sytë, miq dhe, ma qani hallin, / po kthehem mbrapa tek tehu i natës t`i them / lamtumirë diellit që nuk do të ngrohë më për mua”. Pra kemi në dorë një poet që i besojmë. Ai nuk na del përpara si një viktimë e se kaluarës së hidhur, por si një njeri i lindur për të hyrë në botën e dhembjes njerëzore me detyrën e interpretimit të ngjyrave të saj të sakta. Si studiues i realitetit që është, Dalan Luzaj, e percepton botën materiale me një intensitet të lartë reagimi ndaj impulseve, tentativave,
domethënies dhe ndërlidhjeve përtej anës sipërfaqësore të gjërave. Elokuenca autoriale që gjejmë në tabanin e poezisë së Luzajt, i jep lexuesit një mundësi tjetër për ta ndjekur udhëtimin e poetit duke gjetur hapësirën e vet artistike. Vetëm në katër rreshtat që vijojnë, poeti arrin të aplikojë në poezinë e tij nuanca nga shkollat e realizmit, impresionizmit dhe të surealizmit njëherësh. Është fjala për poezinë me titull “Katerina”, në të cilën poeti ve në përdorim konseitet metafizike për t`i dhënë një jetë të dytë bukurisë së subjektit të tij:
“Katerinë e bukur trupskalitur Dorëlëshuar Zoti veç me ty Pleqtë e prillit shtratit sapo ngritur Bëjnë kryqin mos të të hanë me sy.” (strofa e pare, faqe 23).
Luzaj, në gjurmët e poetëve të mëdhenj John Donne, George Herbert dhe Edward Taylor gjen mënyrën e tij të poetizimit, duke përdorur fjalë që shumicës së poetëve as që do u shkonin ndër mend. Ai aktivizon fjalën trupskalitur si esencë bukurie apo dorëlëshuar si komprometim i Zotit me krijesën e tij. Kjo poezi tregon se poeti është në gjendje t`i vendosë në shërbim të poezisë së tij edhe mësimet që ka nxjerrë nga studimi i Petrarkës
dhe poetëve të tjerë që ai i çmon.
Të bashkosh brenda një poezie, apo një ëndrre erotike (nëse mund ta quaj kështu) elegancën e gjuhës së re me pjekurinë e metodave të vjetra shprehëse, dëshirën për ta shijuar të bukurën me ballafaqimin me të pamundurën për ta bërë pjesë të vetes atë, pa sakrifikuar as rimën as ritmin e brendshëm, as elementët e tjera akustike të poezisë, jo vetëm që nuk është e lehtë, por për shumë poetë një realizim i tillë është pothuajse i pamundur.
Libri “Dhe hëna kurrë nuk qeshte” ka një numër të konsiderueshëm poezish që të mahnitin me vlerat poetike që kanë në vetvete. Poezitë e Luzajt janë ndër ato poezi brilante të letërsisë së sotme shqipe, me të cilat brezat e ardhshëm do të kenë mundësi të na identifikojnë dhe t’i japin brezit tonë një emër, siç u kemi dhënë edhe ne brezave më të ndritur të krijuesve që nga e kaluara e largët deri tek ajo e afërt.

“FotjonArt”, 14 Nentor 2006

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
Read previous post:
Gjithë pushtetin miqve, kundër Letërsisë

Eneida Bozhani Me çfarë e masin veten autorët shqiptarë, me shijet e miqve? Miqtë nuk janë publik, thotë Kafka. Është...

Close