Konica, shpirti i bashkimit, dhe “Vatra”

FaikKonica

FaikKonica

Anton Çefa

Konica, shpirti i bashkimit, dhe “Vatra” 

“Për shpiritën e VATRËS jam responsible unë”

Faik Konica          .

Në kujtimet për Nolin, në një seminar të “Vatrës” kushtuar 100-vjetorit të lindjes së tij, në v. 1982, vatrani i nderuar veteran, Peter R. Prifti – pati kumtuar që në Kuvendin e “Vatrës” të vitit 1958, kryetari e atëhershëm i saj, Kristo Thanasi, i pati thënë për Nolin, që ishte atë kohë kryetar nderi i “Vatrës” dhe e kish zakon të bënte një vizitë ceremoniale gjatë punimeve të Kuvendit për t’u përshëndetur me delegatët: ‘Ai është fuqia prapa ‘Vatrës”. “Kristua deshi të më jepte të kuptoja – vijon z. Prifti – se ndonëse ai vetë ish kryetar i “Vatrës”, baza e organizatës dhe burimi i vertëtë i fuqisë së saj ish Fan S. Noli”.

          Po “Vatra” pati fatin të kishte edhe një tjetër “fuqi prapa saj” dhe ky qe po aq i madh e po aq i vlershëm për të sa Noli. Dhe siç e pati kuptuar atë çast më mirë z. Prifti “influencën e madhe të Nolit brenda ‘Vatrës’ si dhe midis Shqiptarëve kudo në Amerikë”, e kuptojmë edhe ne sot pa mëdyshje “influencën e madhe të Konicës brenda ‘Vatrës’ si dhe midis Shqiptarëve kudo në Amerikë”.

          Që ditën që vuri këmbë për herë të parë në këtë kontinent aq të dobishëm për kombin tone, në vitin 1909, dhe mori përsipër “Diellin”, si organ të shoqërisë “Besa-Besën”; më pas, në vitin 1912, kur ai së bashku me Nolin dhe burra të tjerë atdhetarë të nderuar si Kristo Floqi, Marko Adams, Paskal Aleksi, Llambi Chikozi, Kristo Kirka, Elia Tromara, Kosta Vasil, Naum Çere, Kosta Kotta, themeloi Federatën Panshqiptare Vatra – organizata që bashkoi shqiptarët e Amerikës nën qëllimin e shenjtë të çështjes kombëtare; dhe më vonë, nga viti 1913, kur ai u bë Sekretar i Përgjithshëm i saj dhe, dhe në vitet 1921-1926, kur ai e drejtoi përsëri, duke vënë në shërbim të saj dhe të atdheut, idealin, vullnetin, ineteligjencën, kulturën, aftësitë organizative, dhe deri ditën që vdiq, ai qe gjithnjë fuqia brenda dhe prapa “Vatrës”.

Gjithsesi, nuk duhet harruar se atdhetarët që përmenda dhe të tjerë si G. Konda Gjoleka, Efthim Natsi, Ilo Zografi, Vani Çekani, Thoma Nassi dhe shumë të tjerë, veprimtarinë e të cilëve madhështia marramendëse e syverbuese e Konicës dhe Nolit e ka errësuar, duke i lënë pak ose aspak të njohur për ne, qenë piedestali mbi të cilin u ngritën përmendoret e dy vigajve: Nolit e Konicës.

          Distanca e largët kohore – 130 vjet nga lindja dhe 64 vjet nga vdekja – na jep mundësinë ta shohim më qartë shpirtin e tij, të përsiasim më thellë për dhuntitë me të cilat qe pajisur ai dhe virtytet e idealet që ai u përpoq t’i kultivonte në vetëdijen e bashkatdhetarëve të tij emigrantë. Ajo na jep mundësinë ta kuptojmë më mirë dhe të reflektohemi në “shpiritën” që ai kultivoi tek mërgimtarët tanë të fillimit të shekullit që kaluam, për t’i shndërruar ata në vatranë- përgjegjësi që ai ia vuri vetes dhe e sendërtoi shkëlqyeshëm.

          “Shpirita” që ai shpirtësoi tek vatranët dhe për të cilën ai ndjehej “responsible” është shumëdimensionale, por tri janë përmasat më rëndësore e më të shquara: ajo e bashkimit, e qytetërimit dhe e demokracisë.

Fillimisht, atij iu desh të frymëzonte “shpiritën” e bashkimit në emër të një ideali, idealit të shenjtë kombëtar, por ideali mungonte, sepse mungonte vetëdija kombëtare. Një pjesë jo e vogël e mërgimtarëve shqiptarë të fillimit të shekullit nuk kishin as konceptin e atdheut, sepse edhe atdheu mungonte; për më tepër, emigrantët tanë të asaj kohe nuk e dinin se ishin shqiptarë. Siç shkruan R. Xh. Gurrazezi në “Historinë e Federatës Vatra”: “Një shumicë Shqiptarësh asi kohe nuk e kishin kuptuar mirë se ç’ishin dhe e quajin veten ‘Grekë’ dhe Turq”. Ata ishin vërtet lëndë njerëzore me plot virtyte të fisme, por e papërpunuar në relacion me vetëdijen kombëtare. U deshën Sotir Peci, Fan Noli, Konica dhe pak të tjerë që numëroheshin me gishtat e dorës, numri i të cilëve erdhi duke u rritur, që t’i jepnin kësaj lënde shpirtin e nacionalizmit, si një farë e hedhur në një tokë të plleshme – se vërtet ndërgjegjja shqiptare është një tokë e tillë, humus jetëdhënës.

          Mërgimtarët shqiptarë të fillimit të shekullit ushqenin një dashuri të madhe, vetëflijuese për fshatin ku kishin lindur, pak a shumë edhe për krahinën e tyre- kështu shpjegohet numri i madh i shoqërive që kishin krijuar, – por ata ishin të huaj ndaj konceptit të atdheut. Konica e dinte mirë këtë dhe e luftonte. Në një nga polemikat e veta, në “Albania”, ai e pati vënë mirë në dukje këtë shkallë të ulët qytetërie: “Për punë të kombit, – pati shkruar ai – mahallën t’uaj e shkoni më parë se atdhenë. Dashurit’ e katundit zënë në zemër t’uaj dashurien e atdheut. Një kobure e zbrazur në Pazar t’uaj ju duket më me rëndësië se rreziku ku ndodhet Shqipëria…”

Shekujt e robërisë e kishin errësuar vetëdijen kombëtare. Përballë psikologjisë primitive të fshatit dhe të krahinës, Konica me shokë përpajnuan shpirtin e etnosit shqiptar, të atdheut, dhe në këtë hulli, shpirtin e bashkimit.

Konica kishte predikuar në “Albania”, sa qe në Evropë, për vite me radhë, nevojën e bashkimit të popullit tonë dhe, po ashtu, kishte luftuar me penë kundër përçarjes. Ja se ç’ shkruante për këtë çështje në faqet e “Albania-s”:

          “Që të vejë edhe kombi ynë përpara, në udhët e bashkimit e të dashurisë, do-me-thënë në udhë të qytetërisë, është nevoja të kuptojmë mirë një gjë: ftohtësitë, hidhërimet, armiqësitë, që mundin të na largoin njërin prej tjatërit, duhet të pushojnë, të harrohen, të shuhen, – po sa është fjala për kombësinë. As një njeri, në pastë ca mënt, nukë munt të thotë se s’kam dreqtë të kem armiq; po kur bie fjala për Shqipërinë, duhet të jem…i dobët nga mëmëdhedashuria, në mos harrofsha armikun për të vënë re vetëm mëmëdhetarin”.

          Dhe në një rast tjetër: “Ke një armik? Bjer-i kokës, në të pëlqen t’i biesh! Po kur të të kuvendonjë, me qërim zëmbëre, përmbi punët e mëmëdheut, – sa të mbahet kuvëndi, s’je përveç Shqipëtar! Se, po të trazoim punët tona të veçanta me punët e përgjithshme të kombit, kurrë s’kemi për të bërë ndonjë punë të mirë për Shqipërin’ e zezë. T’i mëndojmë shpesh këto fjalë, se janë të vërteta, dhe s’i thom as unë as tjatër-kush, i thotë puna, i thonë shekujt, i thotë istoria: Kombet që s’dinë përveç grindje e zihje, si kombi jonë, janë kombe të humbur. Të mos humbasim!”

          Kështu shkroi në “Albania” për 12 vjet.Erdhi në Amerikë, i thirrur nga patriotët e shoqërisë “Besa-Besën”, për t’u hedhur në veprimin konkret: të realizojë “shpiritën” e bashkimit: që “të mos humbasim!”Erdhi në këtë kontinent për t’i vënë në jetë këshillat që u kishte dhënë shqiptarëve.Këtu filloi të bënte një propagandë këmbëngulëse për bashkimin e shoqatave, që kishin krijuar shqiptarët, në një organizatë të vetme.

Siç dihet nga një numër i madh shoqërish, vetëm katër prej tyre morën pjesë në formimin e Federatës – “Besa-Besën”, “Flamuri i Krujës”, “Shoqëria Kombëtare” dhe “Dallëndyshja”.Tek shoqatat e tjera, koncepti atdhe dhe nocioni kombësi, siç duket, ishin ende në një fazë embrionale; por formimi i degëve të “Vatrës” e ndryshoi përfundimisht këtë hartë përçarjeje. Në vend të shoqërive të dikurshme, përgjithësisht me bazë fshati, filluan të formohen degët federale. Për këtë punë, në mbledhjen e formimit të Federatës, më 28 prill të vitit 1912, u caktuan Konica me Floqin; por për këtë punuan pa u lodhur dhe me këmbëngulje edhe patriotë të tjerë të përkushtuar.Konica mori përsipër organizimin e degëve në Worcester, Lynn, Manchester, Central Falls dhe Southbridge.

E para degë e Federatës lulëzoi në Boston, në ditën e bukur pranverore të 12 majit të vitit 1912. Konica, në emër të Komisionit të Bashkimit, të përbërë nga Noli, Floqi, Paskal Aleksi dhe ai, “i shpjegoi mbledhjes hollësisht qëllimin e vertëtë të bashkimit, programin politik e kombëtar të Federatës si edhe rrugën e drejtë që duhej të merrte lëvizja kombëtare e shqiptarëve të Amerikës”. Mbas Degës së Bostonit, u ngritën me radhë, jo pa kapërcyer pengesa e vështirësi, degët e Federatës në të gjithë Amerikën. Dhe “Vatra” u bë një forcë e madhe.

          Edhe mbas themelimit të Federatës, Konica herë pas here bënte shetitje nëpër kolonitë shqiptare të shpërndara anë e kënd Amerikës, për t’u shpjeguar shqiptarëve gjendjen e Shqipërisë dhe të çështjes së saj kombëtare, për t’u folur për detyrat e emigrantëve ndaj atdheut dhe për rolin e “Vatrës” për këtë qëllim. Kështu, në një letër që i drejtoi Kolonelit Herbert, më 18 janar 1922, (diplomat e publicist anglez, mik i madh i Shqipërisë, i cilësuar si kampion i indipendencës shqiptare në Angli, president i “Shoqërisë Anglo-Shqiptare”), i shkruan: “Erdha në Boston dhe para disa ditësh, nga Maine dhe më duhet që nesër të filloi një shetitje për të dhënë leksione në New York dhe Pennsylvannia.”

Shërbimet që i ka bërë “Vatra” atdheut, kombit dhe bashkësisë këtu janë të pakrahasueshme. Njohja zyrtare e “Vatrës” nga ana e autoriteteve amerikane pati një rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët e Amerikës dhe për gjithë kombin shqiptar. Deri në atë kohë, nuk njihej de jure nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kombësia shqiptare. Emigrantët shqiptarë konsideroheshin si turq. Shteti amerikan i Massachussets-it nëpërmjet firmës së Sekretarit të Përgjithshëm të Shtetit, Albert P. Langtry, legjitimoi kombësinë e emigrantëve shqiptarë. Dhe shqiptarët, më pas, nëpërmjet veprimtarisë së “Vatrës” u bënë faktor gjithnjë e më i rëndësishëm i çështjes shqiptare në diplomacinë dhe jetën politike e shoqërore e kulturore amerikane.

Nëpërmjet “Vatrës” ai dëshmoi se shqiptarët e duan atdheun dhe janë të pakursyer në shërbimet ndaj tij; ai tregoi se shqiptarët mund të kapërcejnë psikologjinë e tyre individualiste dhe natyrën e tyre përçarëse dhe të bashkohen për një qëllim fisnik në lëmin e punës atdhetare dhe se të bashkuar ata mund të bëjnë mrekullira në dobi të çështjes kombëtare: ato mrekullira që bënë vatranët në kohën e artë të kësaj organizate famëmadhe, në kohën e Konicës dhe Nolit.

Duke folur për bëmat e “Vatrës” në nr. e datës   7 korrik 1922, Konica shkruan: “Në ditët e errëta kur Shqipëria ish e shkelur nga ushtëri të huaja, kur Shteti ish përmbysur, dhe kur flitej   sheshit për copëtimin e vendit – VATRA, e këshilluar nga një pakicë patriotësh, e shtyrë nga atdhesia dhe dëshira e anëtarëve të saj, e inkurajuar nga zëri i tërë popullit Shqipëtar, e mori përsipër të veprojë në vënt të Shtetit të vdekur. Nuk kërkoj nderet as të drejtat e Shtetit, po mori përsipër vetëm detyrat dhe harxhet. Me shpenzime të VATRËS u-mbajtnë delegatë, u-dërguan misione, u-subsiduan agjencira, u-kablluan mijëra protestime, në një fjalë u-organizua mprojtja e Shqipërisë – dhe u organizua aqë mirë sa kryeministri i Greqisë z. Venizelos tha, në kohë të Konferencës së Paqes në Paris, se të vetëmin pengim serios që gjeti n’Epir Greqia, ish pengimi i vënë nga VATRA…”

Në asnjë prej ngjarjeve rëndësore të “Vatrës” nuk mungon dora dhe mendja e Konicës, shpirti dhe   energjia e tij, dashuria dhe vullneti i tij, prezenca e fuqisë nga brenda dhe pas shpine e saj: në gurët e themelimit, në hartimin e Kanunores, në miratimin e saj nga shteti i Massachussets-it, në Huan Kombëtare, në botimin e dërgimin në Shqipëri të librave për shkollat në atdhe, në përfaqësimet e tij nëpër kryeqytetet evropiane, në letrat, në deklaratat, protestat, artikujt, fjalimet, shkrimet letrare e publicistike dhe veprimtaritë e tjera të shumëllojshme, për t’i bërë të njohura para botës çështjen kombëtare shqiptare, të drejtat tona kombëtare, virtytet tona etnike, historinë, psikologjinë natyrën gjeografike, etj.

Na mbetet të mësojmë shumë nga veprimtaria e Konicës dhe të filtrohemi edhe më shumë në shpirtin e tij. Ai pati thënë se do të luftonte për të drejtat e shqiptarëve posi shqiponja unguibus et rostris (me sqep e me thonj). Dhe ashtu bëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
More in anton, cefa, faik, konica, shpirti
Nexhat Peshkepia
Poeti mistik Nexhat Peshkëpia

Anton Çefa Një zë i veçantë në letërsinë tonë Poeti mistik Nexhat Peshkëpia   Nexhat Peshkëpia lindi në Vlorë në...

Close