KTHIMI I TË BURGOSURIT

KTHIMI I TË BURGOSURIT
NGA SANDRA WOOLLY
Rreth e qark ishte errësirë. Ai qëndroi për një çast sa t’i mësoheshin sytë. Muret ishin të zymta e me lagështi. Vështroi bojën e zbërdhyltë të derës, duke u munduar fortë të gëlltiste pështymën që i ishte mbledhur në fyt. Gishtat i dridheshin lehtë ndërsa po kërkonte si i mpirë për çelsin në xhepat e pantallonave –pantallona që ishin grisur e ronitur si i zoti i tyre.
Para se të fuste çelsin në bravë ndaloi pak, kishte frikë në hynte në shtëpi. Ajo nuk do të ishte aty. Kështu i pati thënë kur i vajti atje herën e fundit. Por edhe atëhere para lirimit të tij i kishte thënë saktësisht po të njëjtën gjë.
U përkul përkundrejtë derës prej dërrase dhe mbajti vesh. Kishte frikë nga qetësia– e kishte provuar atje për shumë kohë.
Çelësi u rrotullua lehtë në bravë dhe dera u hap disa pëllëmbë. Brenda ishte terr. Me një lëvizje të lehtë sikur ta ruante të mos e lëndonte, preku çelsin e dritës dhe shkëlqimi i papritur i theri sytë. S’kishte asgjë për të parë – as piktura as mobilje as edhe Maiza.
Eci nëpër dhomë sikur të priste dikë që të kërcente befas a ta mbështillte me dashuri në krahët e saj të ngrohtë, si herën e fundit – krahët e dashur e të ngrohtë të Maizës. Por po shihte ëndërr.
Mbrapa në korridor ndodhej një stol i vjetër kuzhine, i mbështetur në mur, i harruar dhe i braktisur. U ul duke iu marrë këmbët dhe hodhi sytë përqark.
Përse nuk e kishte besuar ajo? E kishte menduar mirë çdo fjalë kur i kishte thënë se kjo do të ishte hera e fundit. O zot! Po bënte dy vjet që i përtypte në mëndje – apo jo?
Kishte kthyer kokën nga ai dhe e kishte vështruar me sy të lënduar. Me ata sy ku ishte gdhendur meraku dhe shqetësimi.
Iu kujtuan të qarta fjalët e saj. ‘Përse duhet të të besoj ty , Tom? Të gjitha këto m’i ke thënë edhe më parë . Sa mendon ti se duhet të të pres? Do më pëlqente që si shkëmbim të kisha më shumë siguri, por më shumë se kjo – do të doja të kisha një burrë.’
Mbi një tavolinë të vogël katrore që i ndante ata të dy , ai i kishte shtrënguar duartë, fortë. I ishte lutur.
Asaj filluan t’i rridhnin lotët çurk mbi faqe. Rrëbeu çantën dhe u largua prej tij.
Tomi u nis pas saj, por njeri nga rojet e bëri zap. ‘’ajde ,Tom,’ e urdhëroi ai . ‘S’ka kuptim të humbasësh faljet. Ajo do të pres. Është grua e mirë –me sa mu duk. Ti e shikon djalosh , ka gra dhe gra…..’
Por ajo kishte të drejtë. Të gjitha këto ja kishte thënë edhe më parë. E përse duhet ta besonte tani.
Kësaj here e kishin futur dy vjet brënda dhe për dy vjet gjërat ndryshojnë. Edhe njerëzit ndryshojnë.
Gërrmoi në xhep për cigare. Paketa ishte bosh. E shtypi midis dy duarve dhe e pa të binte në dysheme.
‘Do një cigare, zotni? Tomi hovi përpjetë. Një çunak me fytyrën tërë baltë po e vështronte me kureshtje që nga dera. ‘Pse, ke ndonjë?’ e pyeti Tomi. Djali nxorri nga xhaketa një paketë të zhubrosur dhe i ofroi një. Tomi e mori si i etur.
‘Paske qënë këtu brënda, apo jo? Djalë i pacipë ….’
Para se të mendonte për ndonjë përgjigje djali u zhduk me ngut: ‘Prit këtu një minut- do t’ju tregoj diçka.’
Tomi u kthye mbrapa dhe po sorollatej në atë që dikur kishte qënë dhoma e ndenjtjes. Pa letrën e murit të zverdhur ku dalloheshin shenjat e njohura të zbukurimeve që dikur kishin qënë të tijat – të tijat dhe të Maizës.
Pasqyra, ora e bronxtë që nuk punonte kurrë më shumë se një gjysëm dite . Tjegulla e ciflosur aty tek oxhaku- sa herë e kishte pasur ndërmend ta ndërronte. Papritmas dëgjoi një zë pas vehtes. Vizitori i tij ishte kthyer.
‘Për një çast mendova se do ja kishe mbathur.’ Djali mori pamjen e tij të kruspullosur dhe vazhdoi bisedën e mëparshme sikur të mos ishte ndërprerë asnjëherë.
‘Si është atje brenda?’ Tomi ndjeu se u nxi nga këto fjalë. ‘Si t’u duk?’
‘Kisha arësyet e mia.’ Tomi i tundi gishtin çunakut. ‘Hm, epo mbase edhe mund të kisha arësye të rrija urtë. Si thua ?’
Djali anoi kokën në njërin krahë dhe e pa vëngër. “S’ma ha mendja – mendo që po pi nga cigaret e mia.
Tomi për herë të parë kësaj jave qeshi.’Epo , mirë atëhere – Mendoj se për hir të cigares e meriton një përgjigje. Me bërrylat mbi gjunjë dhe kokën midis duarve , djali u përqëndrua.
Tomi u mendua për një minut , pastaj tha : ‘Ndjehesh i vetmuar. Burgu është vendi më i vetmuar në botë – dhe kjo është ajo që të vret më shumë.
‘Dreqin –qënka e tmerrshme.’ Djali dukej shumë i trishtuar dhe u zhyt në mendime. Tomi e ndërpreu tregimin. ‘Pse të intereson kaq shumë kjo temë – ke ndonjë hall?’
Djali s’ja vuri veshin dhe vazhdonte të vështronte tej në hapësirë. Tomi e pyeti: ‘Sidoqoftë, përse do të dish kaq shumë për mua. ?’
Djali u çua në këmbë. ‘Epo, ju jeni Tomi Xharvis, apo jo. Keni banuar këtu, apo nuk është kështu?’
‘Ashtu është, nga i di ti?’
‘Unë jetoj aty lartë , mbi rrugë , dhe ty të futën në burg në të njëjtën ditë që futën edhe baban tim.’ Tomi do të kishte dashur të mos e njihte njeri fare – por ja që u ishte përgjigjur disa pyetjeve.
‘Baba im hëngri edhe dy vjet të tjera,’ vazhdoi djali. Pastaj nxorri një fotografi të zhubrosur dhe ja zgjati Tomit . ‘Është e tija – e babait tim.’ Tomi mendoi se kishte qënë me shumë fat .
‘Çfarë bëri që e futën në burg?’
‘Vodhi një kamion.’
Tomi ngrysi vetullat. ‘Dënimi duket pak i ashpër për vjedhjen e kamionit.’
Djali ngiti sytë drejtë tij dhe buzëqeshi. ‘Ehu – ishte roje banke atëhere dhe kishte një rrogë të përmuajshme, apo jo?’
Tomi i ktheu buzëqeshjen. ‘E kuptoj.’
Djali e mori fotografine dhe e futi me kujdes në xhep. Tomit nuk iu durua të mos e pyeste. ‘Ku është nëna jote?’
‘Iku. U zhduk me pronarin e Kalit të Bardhë. Not one to hang about, my mum.’ ( Nëna ime s’ ja kishte ngenë të vërdallisej kot )
‘Po tani kush kujdeset për ty?’
‘Gjyshja. Ajo ndenjti me mua. Rrimë të dy bashkë – presim.’
‘Për çfarë?’
‘Për baban, të kthehet në shtëpi.’ Sytë e djalit papritur u rrëmbushën.. ‘Ajo më tregon për të gjatë gjithë kohës. Më tregon gjëra kur ai ishte i vogël, fëmijë si unë.’ Djali i uli sytë.
‘Ai ishte me të vërtetë burrë i mirë.’
Tomit iu kujtua roja i burgut. ‘Ka gra dhe gra…..Ajo do të presë – do ta shohësh. Grua të mirë si ajo s’kam parë ndonjëherë.’
Ai i hodhi djalit dorën në shpatulla. ‘Ke ndonjë mendim se ku mund të fle sonte.?’
‘Ou, se për pak harrova! Gruaja jote më dërgoi këtej të prisja për ty.Ajo banon tek shtëpia nr. 56, matanë kthesës. Këtë ngrehinën këtu do ta shëmbin nesër.’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.