KULMAK

ShKËLQIM ÇELA

Nuk është vetëm afërsia me një vend të shenjtë, varrin e Abas Aliut në çukë të Tomorit, që e bën Kulmakun të ruajë një vel mistik për udhëtarin që vjen aty nga rrëmujat urbane. Nga llangosjet e Tiranes, Durrësit a Beratit. Nga pluhuri i Lushnjës a i Fierit, të cilët për më tepër nuk kanë edhe ujë për të qenë. Ndonëse nuk e kam parë kurrë peligrinazhin e famshëm bektashi në Gusht, kam dëgjuar aq shumë per të, sa më duket se e kam para syve atë shpalosje madhështore të mishrave të pjekur (kurbanët), lëkurët që i dhurohen teqesë së Kulmakut dhe varganin e besimtarëve që i ngjiten shpatit të shenjtë.
Por unë Kulmakun e kam dashur shumë edhe pa pelegrinazh fare, në kohën kur ky i fundit ishte herezi dhe kur vargjet e Naimit “Ëngjëll që m’u qase pranë…”, shqiptarisht të stamposur në shpirtin tim, ishin të lidhur më tepër me atë pamje madhështore të Tomorit nga Kulmaku, se sa me fushën e Qerbelasë, emri i të cilës filloi të shfaqet shpesh si Karbala në lajmet e CNN-it apo FOX-it. Kjo ishte për mua një denaimizim i shpifur në fqinjërinë e vet bezdisëse me historitë ala Irak, të cilat tash sa vjet na futen me përdhunë nëpër shtëpitë tona bashkë me ajrin eterik dhe alergjitë e rrugës.
***
Ajri t’i rreh ndryshe mushkritë në Kulmak dhe shkëmbinjtë sikur sapo u ftohën e u ngurtësuan prej magmës; bari është më i gjelbër dhe uji më kristal. Koha ka ndaluar atje ndoshta qysh se hyrjes jugore për në lëndinën e bekuar iu vu emri karakoll. Emrat e vjetër janë majà që mpiksin kohën; ushtarë turq mund të dalin nga ish-pikvrojtimi ushtarak, nga karakolli, duke shkundur myshk të murrmë nga supet. Ato pamje alpine s’mund t’i lidhësh me gjëra të kota e të rëndomta. Jo, aty dëgjon për shpella ku fshatarët venë kosin në shakuj që të kullojë e të bëhet salcë. Shpellat e errëta gjithë fshehtësi, ku krahas lëngut të shakujve kullon edhe lëngu i shekujve. Amvisat sot lëkurët e shakujve i zëvendësojnë me napa dhe shpellat e ftohta dhe të errëta, ku varen shandanë stalaktitesh, me kutiçkat ftohëse, të bardha, me zbehtësi neoni, drejtvizore e sterile, me emra markash si llastime. Edhe koha në këto kutiçka matet ndryshe, me javë të pasterizuara, me data skadimesh. Jo si atje sipër, ku shekujt janë ende në fermentim. Ku gryka pusesh shkojnë nën dhè e të nxjerrin larg. Legjenda rurale thotë që një vrasës preu një kokë dhe e hodhi në një pus të atillë natyror dhe koka u shfaq diku në Bogovë. Edhe ndërtimet bashkëkohore sikur janë prekur nga virusi i të pazakontës: vila-tunel të ish udhëheqjes komuniste që do drejtonte vendin prej aty në rast lufte. Termi “kryeqytet në rast lufte” përmendej gjithnjë me një zjarmi të brendshme nga vendasit, të cilët ndiheshin të respektuar ngaqë burrat e shtetit u kishin dhënë të atillë besim sa t’i kishin fqinjë në rast agresioni amerikan, rus, grek, jugosllav, anglez, Allahu na ruajt – zviceran, dhe gjithë koalicionet e tyre të mundshme e traktatet ekzistuese. Një varr i dhunuar shenjtori, teqe, bejte dhe histori të vjetra me tespie qelibari, baballarë, myhypë e dervishë – këto bien si pluhur kozmik mbi vendpamjen, si një psherëtimë që del nga grykat shkëmbore, ja Abas Ali… Dhe natyrisht, sa për ta bërë mistikën tokësore, nuk mungojnë kaçakë me mjekër, nga ata që dilnin firarë dhe s’i zinte dot dovleti, se fshiheshin këtyre ckërkave, me shpresën që s’do kapeshin për 25 vjet, kohë që turku i falte e u jepte gradën kapedan. Fama e një komiti të tillë me emrin Shasho Gjergjova, që u vra tradhë­tisht prej mikut të vet firar pas 24 vjet e gjysëm arrati, pra gjashtë muaj para se t’i kurorëzohej “ëndërra amerikane” e firarllëkut, s’është shuar as sot.
Në fakt ligji njerëzor sikur nuk ekziston në Kulmak. Ka vetëm ligj natyre. Darvinizëm. Sot mendoj që atje me shpinte pikërisht një ndjesi e tille. Isha i mërzitur sa më s’ka nga realiteti mashtrueso-delirant i parrullave të gjithëgjendëshme, që do të ta kujtonin se s’bën se në ç’pikë të hallit jetoje, edhe kur mendja, sipas mekanizmave të vet mbrojtës, kërkonte përmes harresës të vetpastrohej nga helmi. Isha i dokëndisur sa më s’ka nga fytyrat vazhdimisht solemne të agjitatorëve të komiteteve gjithfarësh, të partisë, të rinisë, të frontit, të gruas. Isha i kastiguar nga vërejtja e përhershme e shefes së kuadrit që unë duhej të lidhesha më shumë me masat, qysh pas refuzimit nga ana ime të pjesëmarjes në një mbrëmje tematiko-dëfrimi me punëtorët. E kisha një shkak për refuzimin që s’ja thoshja groteskes Sherifè, me politikë kuadri në duar, veshë, supe, zë, xhaketën burrërore veshur “për raste”, në kordat zanore të së cilës, gjithëdija e marrë në shkollën e partisë përftonte timbrin didaktik, për mbledhje dhe plenum në si bemol maxhor, vetmohimin pothuaj prekës, ah, do mundohemi me ju, t’ua pastromë lakrat, do lodhemi, por do t’ia dalim mbanë, s’ka kala që s’e marrin komunistët, lidhja me masat, me punëtorët, djersa e ballit e ndershme… Femrat punëtore, kur unë u kaloja pranë, thoshin me zë të ulët aq sa ta dë­gjoja: “si mafishe osht, llakum, a të hongsha e të kullu­fitsha të gjithin, inshAllah!” me një epsh të paturp dhe agresiv, dhëmbët vampirës të të cilit i ndjeja pothuaj fizikisht mbi lëkurë. Hallit si t’ia bëjmë, Shefe Sherifè, do lidhje me masat, une s’kam me se….
I cingërisur nga të gjitha këto, unë sajoja shërbime pune dhe ikja me qejf në Kulmak, ku kishte vetëm “natura viva” dhe njerëz jo-komitetorë, interesantë në vetminë e tyre mes vendpamjes së virgjër. “Lark, lark, nga qyteti, nga brengat, thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti”. Ishte pikërisht vendi që e mendoja krejt të pandikuar nga sistemet shoqërore te qytezës socialiste. Edhe Zotat ishin më pranë teje atje, në këmbë të Olimpit shqiptar, Dodonës klasike, Baba Tomorit.

* * *
Ngaqë veja shpesh në Kulmak, me kohë kisha zënë shoqëri me vendasit. Njerin prej tyre, Rrethimin, e kisha njohur në shkollë në Tiranë. Konviktor Rrethimi. Domethënë njeri që në fjalorin e përditshëm përdorte fjalën “latë”. Lata mencash lakro-pazi-spinaqore. Megjithë emrin avdall, ai u bë interesant qyshse një polic konviktesh e kishte kapur përjashta me të dashurën konviktore pas orarit të lejuar. I mbante polici të dy shtrënguar dhe po ecte rrugës krenar që i mbërtheu zogjtë në faj, çëfësht! Por ajo vajza, pasi bëri ca shenja e sinjale me shoqet, të cilat po i vështronin nga dritaret e konviktit dhe i hapën ndërkaq nga brenda portën Skee të ndërtesës Nr. 3, gjuajti një çast dhe rrufeshëm i shpëtoi nga panxha policit. U fut vrikthi në konvikt, nën duartrokitjet e brohorimat triumfuese të femrave konviktore me pizhama. Bravooooo! Polici u xhindos, sepse gjithë vlera e çëfështit ishte te dyshja heteroseksuale, te dashuria që ata po bënin prapa pemëve, kriminalisht pas orës së lejuar nga rektorati për dalje jashtë. Një i vetëm mund të thoshte edhe se po bënte shurrën, dhe bërja përjashta e shurrës apo dhe më tej, në Shqipëri kurrë s’ka ngritur aq peshë sa dashuriçkat studentore. Polici me një shkop i binte studentit “në vënt të lik”, dhe i hakërrehej: “e shkërdheve, e shkërdheve”? Rrethimi u bë i famshëm se pavarësisht goditjeve, vetëm qeshte, nuk fliste dhe sfidonte hapur. Kurrë s’u mor vesh a s’i dhembte vërtet, apo ishte thjesht përndezje nervore.
Sidoqoftë, nga ai episod, Rrethimi u fut në kategorinë e interesantëve. U habita kur e pashë për herë të parë në Kulmak. “Ky shoku vjen nga ministria”, gënjeu ai si pa të keq fare. Unë kujtova se ishte keqkuptim dhe doja ta korrigjoja, por shikimi mesazhsjellës e kumtlënës i Rrethimit më ndaloi. Arsyeja ishte e thjeshtë fare. Një të ministrisë i piqej një mish në hell tak-fak, me motivin që delja “theu këmbën”, kurse një studjuesi nga një institut kërkimor si puna ime as që ja varte njeri torbën dhe do t’i duhej ta kalonte me dhallë. Aty përqendrohej komploti, zgjuarsia, fantazia…. kush ishte “i zoti” hante, “i zinte gjë dhëmbi”. Mbase dhe barinjve nuk u mbushej mendja nga “syfeti” im që isha mall ministrie, por bënin sikur e hanin dhe ata, sipas parimit “rroftë sebepi” për të lëpirë ndonjë kockë. Ishin barinj tjetërlloj, që nuk ushqeheshin me mish; dhe jo se s’donin. Se s’kishte. “Ballin ma mban lart/ sytë e zes përdhe/ hallit si t’ja bëjmë/ hanko Selime/ ti kërkon fustan/ unë s’kam me se”. S’kam me se! S’kam se kë! S’kam! Mjerim i pamendueshëm i karnivorisë së lavdishme shekullore shqiptare. Mua sidoqoftë m’u lezetua kjo puna e ministrisë, sepse ata mishrat në hell apo mishrat “në bidon” ishin si jo të kësaj bote. Sëkëlldia nga tërheqja me përdhunë në “kulturën e komplotit dhe të të hedhurit” për një copë mish (Xh. Londoni sikur kish shkruar diçka me këtë titull, mbi një boksier që humbi ndeshjen nga mungesa e mishit), kompensohej nga cilësitë kulinare. Të mëkatosh në këmbë të Tomorit është dyfish njerëzore. Aq më tepër që flitej për një mall me mungesë uluritëse. Mungesa t’i bën edhe më të dëshirueshme gjërat. Për më tepër, lezetuar nga kripa dhe trëndelina e kullotës. Nga shafraja e Kulmakut. Meze të përbrendëshmesh. Kukurrec. Kakërdhi. Shqipëri e Jugut. Kaba. Iso. “Ktheje me funt”! Zjarr dëllinje që farfurin në muzg.
* * *
Mishi në bidon ishte një triumf i teknikës mbi traditën, i presionit të avullit mekanik njutonian mbi nxehtësinë graduale të zjarrit prometejan, i aluminit të bidonit mbi drurin e hellit. Legjenda rurale thotë se dikur, një çoban diku kishte parë a dëgjuar mbi kusitë me presion, që e tresnin mishin fare, e ndanin nga kocka dhe e mbanin çdo gjë brenda, i bënin dejet fërtele, s’u humbiste asgjë kot në zjarr, asnjë pikë dhjamë e dyll që me hellin pikonte mbi prush. Dhe mendja e popullit është gjeniale; nevoja e çon shoqërinë më përpara se dhjetë universitete dhe njëqind gjimnaze. Çobani novator nga kusia e presionit kaloi në bidonat e alumintë të qumështit që frëngu i kish bërë tamam sa për të futur një dele, dash apo qengj pirës, si t’m’i doje. Harroi vetëm një detajth, që ajo kusia e presionit kishte një vrimë të vockël që e nxirrte avullin e presionin e tepërt me tertip. Kurrë mos u shfokuso nga vrima! Nga tertipi. Mos e humb mendjen! Se e di se ç’ndodhi? Delja më për së mbari u ther, u rop, u bë gati me erëza e ku di unë ç’të tjera nasihate, u fut në bidon, kapakun e bidonit e mbyllën mirë me aletet që frëngu i kish bërë të mos derdhej pikë qumështi, dhe direkt e në zjarr për shtatë palë qejfe. Koha e hellit kish perënduar. E mundimit disa orësh duke e dredhur e spërdredhur. Dhe që, kur larg qoftë e meazallah, qëllonte helli i shkurtër, rrezik piqeshe ti e mishi s’piqej për qamet. Helli nuk duhet i shkurtër, ngordhalaq. Helli duhet të të tundë e shkundë mirë, të të mbërthejë e rrotullojë mbi zjarr, të të nxehë sa tym të dalë nga hundët e nga sytë, ta bëjë punën mirë, të përcellojë, por të mos digjet. Edhe kjo kërkon fokus. Mishi i ka të ngatërruara punët. Këna­qësitë e mishit nuk janë aq të thjeshta sa duken. Bidoni mbi zjarr u tejnxeh, presioni nga brenda u bë i pa­mbajt­shëm, dhe luftën titanike midis zjarrit dhe aluminit e fitoi i pari, pasi bidoni plasi si bombë nga presioni, kapa­kët e aletet e frëngut s’i bënë dot ballë zjarrit të shqopës shqiptare, dhe mishi u zhduk pa nam e nishan përposh’ në lëndinë. Vetëm era e mirë që mbeti pas dëftente për mrekullinë e humbur. Mish bidoni. U desh të kalonin shumë aksidente të tillë, dhe që përvojat të përcilleshin gojë me gojë, deri sa të vinte momenti i lumnueshëm që kapakut t’i hapej një vrimëz dhe mishi i bidonit të fitonte status të ngjashëm si ai i hellit.
* * *
Shumë e kemi analizuar të keqen e komunizmit që kaluam. Me filozofi, me politikë, me ekonomi, me esera, me blogje. Por kudo, pak është rrahur prishja që i bëri komuniz­mi raportit të shenjtë që ne kishim me mishin. Balancat mishngrënëse të prishura në ekosistemin pellazgo-baritor. Komunistët duhet ta kishin ditur që me mishin s’duhet ta krruajë njeri. Etnosi ynë është thellësisht karnivor. Nuk i thuhet një populli të tillë hani bar. Është si t’i thuash bandillit bëhu murg. Kur vajzat e reja po i shpon elbi!
Ne e dashurojmë mishin. Edhe në USA janë ustallarë për “beef”-in e famshëm, por dashuria e amerikanëve është më tepër teknike. Vini re se si thonë ata për gradën e pjekies së mishit, “medium rare” apo “medium well”, a thua se po flasin për ndonjë indeks ekonomik. Shqipot e duan mishin në mënyrë epiko-lirike, ju fërgëllon zemra, japin art, ritual, traditë, lashtësi. Ka diçka pothuaj erotike në atë dashuri. Një lab në kullotën e Shashicës në Vlorë më bëri të mendoj kështu tek po hante një kokë bagëtie. Në i pastë parë kokat e femrave me të njëjtin adhurim e përkushtim të tipit “jam yti” si shikonte atë kokë të pjekur, lum ato gra. Sytë i shkëlqenin. Puthja filloi nga pjesët e nofullave. U shndërrua në kafshim plot afsh. Pastaj gjuhët u ngjitën si me mastiç. Nuk i mjaftonte ajo gojë e mbyllur, e donte puthje-kafshimin më të plotë. I hapi nofullat e kokës së pjekur dhe futi kokën e vet gjithë epsh midis tyre. Nuk pa gjakun që i kullonte mbi faqe nga gërricja e thellë e dhëmbëve të kokës së pjekur. Ekstaza ishte aq e fortë, sa që labit edhe po t’i ishte prerë ndonjë vesh nuk do ndjente gjë. Van Gogh i dashurisë për mishin. A ka orgazmë ta realizojë këtë jerm? A ka Marilyn Monroe?
* * *
Kulmaku kishte flladin kristal të luleve dhe barit të njomë kur ne mbërritëm dhe kaluam karakollin. Mirë se të gjej, vend i bekuar! Grupi ynë e kishte marrë me makrella – fjalë alà Kulmak kjo, që i ka humbur origjina dhe që tregon ngenë, ngadalësinë dhe rahatin. Grupi me vendallinj ishte në formë. Këta njerëz nuk ngacmojnë, por xhugasin; nuk venë në lojë, por savisin. Kishim udhëtuar tre-katër orë në këmbë, kishim marrë dozën e duhur etimologjike pasi kaluam bri vendeve me toponime paraosmane, si “Varri i Janit” apo “Bregu i kishës”, shoqëruar me skatologjinë që mund të sjellin emra të tillë si “Vidhi i Shemes”, “Guri i Çyçkës” apo “Gropovëth”. Ishim gati për Kulmak. Na prisnin. Shprehja mikpritëse “po nga u hapën këto rrugë, more!” ishte si gjithnjë magjiplote. Bashkë me Rrethimin ishte edhe Sigurimi, për të cilin thoshin që ishte teleshmën (diçka midis avdallit të javashëm dhe “dedèsë”), megji­thëse ishte me shkollë të lartë: agronom Kamze. Buono per Kulmak.
Savitja e rradhës – Sigurimi sapo ishte martuar dhe e kishin bindur se çdo dhëndërr i ri duhet të hante për 15 ditë para dasmës 2 kg arra dhe mjaltë në ditë, për të qenë në formë atë ditën e bekuar, kur “do hynte sulltani në Stamboll”. S’ka dhëndërr që s’e bën këtë, i thanë. S’beson? Po ti qenke prapa bote, a dermbyllmë. S’e ke dëgjuar kurrë? Na mo, të marr në telefon Luftimin. O Luftim! Hë? Pa hajde një çikë o, se kam një llaf. Çuàr, o? Sigurimi s’ditka gjë për atë punën e mjaltit. Jo, mor, jo! Mor të betohem që s’di. Dale, mo, se erdha… A je në vete, o? Si mor s’di gjë ti? Po ti s’je nga Hëna, e! Ju po talleni më duket…. Kush tallet, o? Po ne për ty e kemi, mo lla, se për vete ne e hëngërrm mjaltin tonë me vakt… Apo do që nusja të të bënj një pordhë e të kthenj kurrizë? Por po s’besove mua, hajt të pyesim Lavdërimin. O Lëvdim…..
Vjet savitja kish qenë më e padëmshme. Sigurimi kishte përdorur një fjalë të madhe, dëgjuar në leksionet në Kamzë, dhe pikërisht shprehjen “konduktivitet hidrik”. Sa përçohet një sasi uji për një kohë të dhënë në tokë. Jo aq, po kaq. Jo është e mundur, jo s’është e mundur. Si ta provojmë? Po mirë, meqë ujë s’kemi këtu afër, unë po bëj shurrën dhe të shohmë sa thellë do shkonjë për një minutë. 5 cm, jo 10 cm… jo ti, jo unë… Shurra u bë, “minuti” kaloi dhe Sigurimi gërryente me gisht dheun e lagët që të gjente konduk­tivitetin e Kamzës… Por mua këto savitje më dukeshin lule sepse sapo vija nga Trebeshina, ku barinjtë e Tepelenës që qethnin bagëtinë, në tre fjalë, dy i kishin të ndyra dhe të thëna me zë të lartë, kurse të tretën e kishin të ndyrë me zë të ulët. Flokët e leshit të qethur të shpërndara andej këtej frymëzuan njerin prej tyre që thërriste në çdo dy minuta si i ndërkryer: “floqe, floqe, ulërin p… për loqe”! Barinjtë e Skraparit ishin më me terbiet.
Ngjarja që kalonte gojë më gojë këtë rradhë ishte me temë qytetëse, nga Çorrovoda. Kryetari i këshillit ishte kapur në “flagrancë” (sa më bënte përshtypje kjo fjalë e shqiptuar ashtu, natyrshëm, mes tërë atij deti fjalësh të vjetra e turke!) si klient i një shtëpize të vogël publike të fshehtë. Kënga s’mungoi të qarkullonte të nesërmen, natyrisht. Asnjëherë! Mund të besoje që dielli s’do lindte në mëngjes, por jo kënga. E krijuar nga samarxhiu, kovaçi, berberi, xherahu, fshatari Kalo, bujku Isuf, bariu Pertef, nga dikush që muzat e donin dhe i donte, ashtu fshehur, si gjithë dashuritë djegëse.
“Ne të dinim kryetar këshilli/ ti na dolle kryetar p…”.
* * *
Bidoni në zjarr po përgatiste mrekullinë. Një tjetër dele “kishte thyer këmbën”. Ne ishim ulur rreth një zjarri plot prush dhe po hanim si për nxemje të përbrendshme që i piqnim vetë. I vinim mbi thupra të ngulura në tokë, të cilat nga pesha e mëlçive, shpretkës a veshkave, përkuleshin aq sa duhej mbi zjarr. Shumica nuk kish durim dhe i hante gjysëm të pjekura dhe pa u ftohur fare, duke shtrembëruar fytyrën më keq se nga rakija që mbiu në zijafet në formën e një shisheje me etiketën “Vaj Luledielli”, mbyllur me një gozhutë të gjatë misri. Secili e hiqte nga e njëjta shishe.
– O Sigurim, a po e punon mirë tokën?
– Tokën e sat ëme!
– Bo, bo, bo… nuk thonë kot që dhëndërrit të ri mo i dil përpara.
– Sigurimi s’është i atilli. Ka namuz ky ore.
– E ç’namuz llafos, a derëzi. Nuset s’duan namuz. Nuset duan….. Po thuaj që Sigurimi s’e navas dot më duket….
– Do të gjejë si ajo punë e kurbetlliut që i nisi letër e shoqja:
“Te ara me dy çatallë,
Mbeti toka batall,
Ja hajde ta punoç vetë,
Ja do ta lëshonj me të tretë…”
– Asaj i them grua unë. Na pesë e ma del.
– Keq puna. Po ç’bëri ai kurbetlliu pastaj.
– Eh, ja si emigrantët. Para hiç, llonxhë hiç.
– Si kolonjarët thuaj.
– A?
– “Të varfërit kolonjarë, vanë për p… dhe gjetën k…”
– S’e mora vesh unë këtë.
– Eh, sa ta marrç vesh ti këtë, e hëngërrn kolonjarët. He he he….
– Unë e dija që vanë për fiq e gjetën arrë.
– Mo na i përmend arrët tani. Sigurim, si shkoi ajo kura?
Zjarri kërciste shkëndia herë pas herë.
– Ore, ai gomari i Fitimit si shumë po i vardiset asaj zdërres (gomares) së Pajtimit.
– Oooo, jepi ore jepi….
– Zdërr-zdërr …. zdërr-zdërr ….
– I paska vajtur në çaçkë të kokës gomarit.
– O Fitim, po lere a derëzi gomarin të bëjë qejfin e tij.
– Jo, jo, se më lodhet gomari mua. Është kollaj të flaç me gjënë e tjetrit.
– Fitim, po mos u bëj dhe ti me gomar se gomari. Lere të bëjë qejfin e tij. Mendo si për veten tënde. Mo u bë shpirtkazëm.
– Shiko, për hatrin e këtij mikut nga Tirana, se s’ka parë si e bëjnë gomerët.
– Leri, leri, leri….
– Mirë, hajt, prishur mos qoftë. Për hatrin e këtij shokut të Ministrisë…
Aty unë pashë të pabesueshmen. Të ndaluarën e kategorisë dekadencë borgjezo revizioniste, në rubrikat me emra heretikë si peep show, striptease, animal porn. Voyerism. Çifti i gomerëve rrethuar nga burrat spektatorë, bëri ç’i thosh natyra. Reality Island. The running man. The Truman show. Shikuesit i merrnin të gjitha këto në atë pesëminutësh arti absurd, erotic blue, playboy, qejfi të ndaluar, përvjedhje ndaj ligjit e orientimeve të vyera të Partisë, gjithçka që mund të ofronte show business nga Hollivudi në Indi. Në atë bashkim të çartur gomerësh. Disidencë veshgjatësh të ndezur!
– Ore, shiko mos u digjet mishi, a ju vraftë qulli…..
– Se mo e bën llaf nga Tirana ç’pe në Kulmak, se na nxore bojën ore…
Unë natyrisht nuk e bëra llaf. Por nga skena që pashë, m’u përzie. Nuk e hëngra dot mishin e bidonit atë rradhë. Sidoqoftë, ma mblojtën në një copë gazete Zëri i Popullit.
– Mos e bëj kaq hall, ore…
– Hajt se të shkon shpejt. Të dhemburit e burrit, si të dhemburit e gjurit…
Tomori vështronte me qortim mbi Kulmak. Porn gomerësh për njerëz që s’kishin asnjë argëtim. Zdërre fatale…. Zhbërje totale….
Ndjeva keqardhje për ta, për veten time, për gjithçka tjetër… një keqardhje të hapët pa objekt. Ja kisha marrë doren atij lloj pikëllimi. Isha mpirë. S’dhimbte aq shumë. Po largohesha nga Kulmaku, të cilit m’u duk se sapo iu prish virgjëria. Dhe mori hiret e gruas.
Më prit herën tjetër Kulmak. Ndoshta do kthehem shpejt. Kjo është “ndoshta” më e sigurtë e jetës sime. Që jehon nëpër labirinthet e shpirtit. Më prit!
Është një dëshirë pa bërë premtim, është vuajtje pa patur halle, është sakrificë pa përbetim, është dashuri për shtojzavalle…..

“FotjonArt” , 6 tetor 2009

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
Read previous post:
Sa ngrohtë !

ANILA MEMA Sa ftohtë! Shumë ftohtë sot , shtrirë në shtrat bari, gur vë jastëk në kokë. Pranë frymës tënde...

Close