MARINARI I HUAJ

YMER ÇELA

Që kur isha e vogël babai më merrte në anijen e tij, në muajt e verës, sidomos, dhe dashuria ime për detin u ngulit shumë në tërë qenien time aq sa nuk e kuptoja veten pa vajtur me babanë nëpër dete. Këtë gjë e kuptova rreth moshës 14 vjeçare.
Por, mbaj mend se për herë të parë në anije kam qenë në moshën 4 vjeçare, ku bashkë me nënën bëmë disa udhëtime nëpër detin Mesdhe; këtë gjë pohon nëna ime.
Në anije të gjithë më thërrisnin në emër dhe dalëngadalë edhe unë fillova t`ua mësoja emrat marinarëve dhe sidomos marinarët e vjetër u bënë si miq të mi të ngushtë.
Sa herë që unë shkoja në anije isha e mirë pritur dhe gjeja një ngrohtësi më të madhe se ç`e kisha në bankat e shkollës me shokët dhe shoqet e mia.
Anija “E kaltër” (kështu ishte emri i saj) qe vërtet një mrekulli. Ajo ishte gjigante, me disa kate dhe me tre ashensorë brënda. Ishte anije pasagjerësh, të cilët udhëtonin një javë a më shumë si turistë nëpër vende të ndryshme, sidomos në ato që lageshin nga deti Mesdhe, por edhe në ishujt e oqeanin Atlantik. Kishte dy pishina brenda, kinema, kazino, sallë e koncertesh dhe ambiente të tjera të mrekullueshme për argëtimin e pasagjerëve. Të gjitha katet e saj ishin të shtruara me tapetë të bukur dhe me motive të shumëngjyrshme.
Unë tani e dija se nuk mund të rrija asnjë verë pa vajtur në anijen e babait. Nga një herë shkoja atje edhe pa nënën, kur ajo nuk mund të shkëputej nga puna e saj.
Babai, si kapiten që ishte, kishte një kabinë të madhe, të cilën e përdorte edhe si zyrë; dhe më tej ishte një derë që të çonte në dhomën e gjumit të tij, që kishte shumë komoditete, me banjë e dush brënda saj.
Me pak fjalë… e gjithë anija ishte shumë komode. Kulla e komandimit ishte tepër moderne, me dy radarë në anët e saj dhe gjithçka në të ishte e fjalës së fundit të shkencës. Radarët mund të gjenin dhe një copë dru mbi ujë kur ky ishte rreth 20 km larg anijes apo edhe më shumë.
Po, deti… ah, deti…, aq i bukur është, aq romantikë ka në të, por aq shumë e ndryshon pamjen e tij kur zemërohet sa edhe marinarët e vjetër tremben nga ai.
Njeriu jo pak gjëra i harron nga jeta vet, por ato ngjarje që kanë mbresa shumë të thella nuk harrohen, qofshin këto të bukura ose të shëmtuara. Edhe unë kështu…, mund të harroj shumë ngjarje e ndodhi nga jeta ime, po datën e 4 nëntorit të vitit 1994, kurrë nuk do ta harroj. Unë e di sekretin… përse ajo është e paharrueshme.
Atëhere unë isha 14 vjeç. Shkolla jonë iu nënshtrua rikonstruksionit për arsye se ministria e shëndetësisë ia ndaloi asaj mësimdhënien; dhe 10 ditë ne nxënësve na dhanë pushim, gjë të cilën do ta zëvëndësonim në një sezon tjetër.
10 ditë pushim… e ku të shkoja tjetër unë? Vetëm në anije! Pata fat sepse anija “E kaltër” ishte në port, edhe ajo vetë sapo kishte mbaruar rikonstruksionin, të cilin e bënte çdo vit. Kështu që më takonte të bëja 10 ditë udhëtim. Në këtë kohë rastisi që edhe nëna u gjend me pushime, ngaqë banka ku ajo punonte i kishte rreth pesëmbëdhjetë ditë borxh, që ajo duhej t`i merrte deri në fund të vitit.
Kur shkova atje ditën e parë, marinarët më përshëndesnin. Kishte edhe marinarë të rinj, që kur merrnin vesh se kush isha unë më thërrisnin edhe në emër. Një nga këta marinarë, që e kisha parë një herë në verë, më vështroi në një mënyrë të qeshur dhe sikur më dha një mirëseardhje të heshtur, po shumë të sinqertë. Më vonë do merrja vesh se atë marinar, vetë babai kishte këmbëngulur që ta merrnin në punë pasi në zyrat e kompanisë nuk e pranonin, sepse ai ishte i huaj dhe nuk kishte dokumentat përkatëse. Babai qe bërë garant për të duke firmosur e duke mbajtur çdo lloj përgjegjësie në lidhje me të huajin.
Por, një gjë më bënte përshtypje…, ai nuk ishte i vetmi marinar i huaj dhe përse vetëm për të, të ishin kaq probleme burokratike në lidhje me ato copa shkresash? Kur pyeta, më dhanë përgjigjen se vendi i tij nuk kishte kontratë me kompaninë, përgjigje kjo që nuk më kënaqi aspak dhe m`u duk shumë qesharake. Po nuk kisha arsye të pyesja më tepër, sepse babai gjithmonë dinte se ç`bënte dhe kombësinë nuk ia mora vesh kurrë.
Si 14 vjeçare që isha, mendjen e kisha te balerinat e anijes, që kryesisht ishin angleze ose ruse, sepse një mendje më thoshte që vitin tjetër të hyja në një shkollë baleti. Shpesh herë rrija edhe pranë orkestrantëve, të cilët ishin italianë, po ashtu edhe klounin e anijes nuk e harroja ngaqë më bënte për të qeshur me atë hundën e kuqe; ai ishte nga Kanadaja. Në lidhje me komunikimin, ai kryhej në anglisht me të gjithë.
Kur dilja te parmakët e jashtëm, gjatë udhëtimit, nuk më mungonte kurrë vështrimi i atij marinarit të heshtur, i cili e kishte kujdesin në një mënyrë që unë të mos ta kuptoja. Ai bënte sikur shikonte punën e tij, po, në të vërtetë, reflekset i mbante për herë nga unë. Këtë gjë e vërtetova një pasdite kur mbi parmakët e jashtëm u vara pak më shumë se ç`duhej dhe ai pa e lëvizur kokën fare më vështronte me cep të syrit, i gatshëm që të hidhej edhe në det po të ndodhte ndonjë gjë me mua. Pas kësaj hyra brenda dhe me të shpejtë hapa një perde te dritarja më e afërt pranë derës dhe e vështroja fshehurazi. Ai pasi pa që unë nuk isha më jashtë, vazhdoi punën i qetë, gjë e cila më bëri të qesh me mirënjohje.
Në portin e Gjenovës, anija jonë do të merrte rreth një mijë pasagjerë-turistë, me të cilët do të shëtisnim nëpër Mesdhe dhe Atlantik.
Ndalesën e parë e bëmë në ishullin spanjoll Ibiza dhe pas tij shkuam në Palma de Majorka; më pas kaluam Gjibraltarin dhe hymë në Atlantik, ku do të shkonim në jug për në Tenerif, Las Palmas dhe Lanxarote. Këta ishuj të mrekullueshëm nuk ishte hera e parë që i vizitoja, po nuk kënaqesha kurrë së vajturi atje.
Në kthim ndaluam në Tangeri të Marokut dhe me pas në Barcelonë.
Edhe kësaj here u kënaqa shumë, isha pak si e përkedhelur në anije sepse kapiteni një bijë kishte.
Në koncertet që jepeshin në anije më lindi ideja që edhe unë të këndoja para publikut, po për këtë isha kujtuar vonë, sepse nuk dija asnjë këngë, aq më tepër kur këngët duhej të ishin në gjuhën e pasagjerëve që kryesisht qenë gjermanë, francezë, italianë, anglezë etj. Po do të kisha kohë që ta përmbushja edhe këtë dëshirë.
Sekretet e detit janë si thellësia e tij dhe tani unë nuk e shikoja më detin si më parë vetëm nga ana romantike, pasi udhëtimet e shumta më kishin bërë më miqësor me të. Nuk them se e shikoja me sy marinari, po, në krahasim me shoqet e moshës sime, besoj se e shikoja ndryshe. Bisedat që dëgjoja ndërmjet marinarëve dhe nënkapitenëve të anijes vërtet që linin diçka tek unë. Jo vetëm kaq, po tani unë dija dhe se çfarë kompetencash kishte kapiteni, p.sh. disa herë i kisha dëgjuar teksa thonin se në det fjala e kapitenit nuk bëhet dysh, apo vetëm kapiteni e vendos, ose a ka dhënë urdhër kapiteni etj. etj. Pra, edhe në atë moshë e kuptoja se babai kishte një përgjegjësi të madhe në lidhje me anijen dhe pasagjerët.
Ai ishte drejtuesi!
Pikërisht pasditen e 4 nëntorit të vitit 1994 ne lamë pas brigjet e Barcelonës dhe po shkonim në drejtim të Gjenovës, ku do të linim pasagjerët në vendin nga ku i morëm.
Deti qe i bukur dhe me pak dallgë të lehta, po që për një gjigant si anija “E kaltër” ato lëvizje uji ishin të papërfillshme dhe nuk i shqetësonin pasagjerët.
Unë sillesha nga të doja nëpër ambientet e bukura dhe me plot dëshirë po prisja darkën që të shikoja një prestigjator të ri, që sapo kishte hyrë në anije në Barcelonë me një kontratë të re.
Në një çast kur që të tre, babai, nëna dhe unë ishim në kabinë, troket dera dhe pasi babai dha urdhër që të hynin, aty u shfaq ai marinari i heshtur që i ishte aq mirënjohës babait për besimin qe i kishte dhënë në kompani.
– Kapiten Veluda, – tha ai, – urdhëri juaj u zbatua.
– Faleminderit Agron, – tha babai, – kontrollo varkat numur 4 dhe 7.
– Siurdhëron zoti kapiten, – tha ai dhe u largua duke përkulur kokën dhe nga nëna dhe nga unë.
Agron, mendova me vete, e çfarë emri qenka ky? Ishte hera e parë që dëgjoja një emër të tillë, megjithëse emrat e marinarëve të huaj gjithmonë më dukeshin të çuditshëm.
Kur iku ai i thashë babait.
– Baba, përse nuk erdhi të raportonte vetë nostromi, por erdhi një marinar i thjeshtë?
Nuk e di pse ia bëra këtë pyetje tim eti, ndoshta që t`i tregoja se unë e dija shumë mirë rregulloren në anije, ku nostromi si përgjegjësi i marinarëve, sipas hierarkisë, duhej të kishte lidhje direkte me kapitenin dhe jo një marinar i thjeshtë. Veç kësaj, ndoshta kujdesi i fshehtë që ai tregoi për mua më shtyu të flisja për të, se mos ndoshta mësoja diçka të re nga babai për atë marinar, që na kishte atë emër të çuditshëm.
– Edhe atë e kam si nostromin, – tha babai.
Unë desha ta pyes se, ç`kombësi kishte ky marinar, po përsëri ra dera, ku u shfaq kapiteni i dytë, i cili, pasi na përshëndeti, i tha babait se kryekapiteni i kompanisë ishte në kullën e komandimit.
Aty mora vesh se në anije na ishte dhe kryekapiteni i kompanisë, i cili kishte hyrë në portin e Barcelonës, po nuk gjeta arsyen se çfar kërkonte ai në anije në një kohë që detyrën e kishte në zyrat e saj e jo në anije? Sidoqoftë nuk ishte punë për mua që të vrisja mendjen për këtë çështje.
Pas tri a katër orësh udhëtimi, anija “E kaltër” filloi disa lëkundje që vërtet nuk shqetësonin shumë, por edhe nuk ishin të papërfillshme. Ishte errur dhe nata në det duket si më e gjërë dhe e pafundme, apo, më saktë, kjo natë duket e madhe sa vetë deti. Dola jashtë dhe pashë horizontin ku asnjë dritë nuk dukej në të nga ndonjë anije tjetër.
Dritat në horizontin e një deti janë një kënaqësi shumë e madhe, pasi ato transmetojnë ndjenjën e sigurisë ndoshta edhe të miqësise, sepse të japin qetësinë e të mosndierit vetëm në hapësirën e madhe dhe të errët detare.
Të paktën unë këtë ndijesi kam patur, kur i shikoja së largu anijet e tjera natën. Një ndienjë gëzimi më përfshinte teksa i vështroja.
Ndërsa po kontrolloja horizontin, dëgjoj zërin e trashë të atij Agronit.
– Katerina…duhet të futeni brënda pasi deti po shton lëkundjet e anijes. Pas pak kapiteni do të japë urdhër që edhe pasagjerët të mos dalin jashtë, era po shtohet.
– Nga e dini ju që kapiteni do të japë këtë urdhër? – thashë unë.
Ai më pa si me hetim dhe foli përsëri.
– Sepse kjo është puna ime, anija dhe deti.
Unë qesha dhe bëra si më tha ai. Marinari iku me shumë nxitim andej për nga kiçi i anijes.
Vërtet që era po forcohej dhe anija i shtonte lëkundjet e saj, ato lëkundje që mund t`i bëjë vetëm një gjigant si anija “E kaltër”
Ajo lëvizte përpara jo me shpejtësinë e vet të zakonshme dhe nga babai unë e dija se ngadalësimi i shpejtësisë kryhej vetëm në det jo të qetë.
Në të vërtetë, edhe mua filloi të më vinte një turbullirë, e cila dukej sikur ishte e shpërndarë në të gjithë trupin. Për këtë arsye u nisa në kabinën e babait ku ishte edhe nëna dhe kërkova biskotat, që të pakësoja lëngjet e stomakut, të cilat në kësi rastesh janë armiku më i madh i njeriut. Pasi hëngra disa prej tyre, i thashë edhe nënës që të bënte si unë. Ajo më tha prerë: – nuk dua.
Më pas e pyeta: – Përse babai do të japë urdhër që askush të mos dalë jashtë anijes?
– Sepse më tha që do të kalojmë Gjirin e Lionit mes për mes, – tha ajo.
– Gjirin e Lionit !? – thashë me habi, – E ç’është ky gji?
– Eshtë pranë qytetit të Lionit të Francës? – më tha ajo.
– Po, e kam dëgjuar, – thashë, – e pastaj ?
– Nga ky qytet e ka marrë emrin dhe ai gji.
– E çfarë ka aty? – pyeta me habi.
– Po, ja, kur u nisëm nga Gjenova ne kaluam shumë pranë bregut, gati dy milje larg tij, kurse tani, që të arrijmë në orën e caktuar në Gjenovë, na duhet t’i biem mes më mes.
– Po pse, ku qenkemi vonuar?
– Anija në Barcelonë u vonua ndaj, duke llogaritur shpejtësinë e saj, nuk do të arrinim në orën e caktuar në Gjenovë, për të zbritur pasagjerët.
– Nënë, nuk po kuptoj, nuk është hera e parë që unë jam në anije dhe më duket se ne kemi kohë për të gjitha.
– Katerina, nuk e shikon se deti po egërsohet?
– Nuk është hera e parë nënë, – thashë unë, – edhe po shkuam pak me vonesë, kjo gjë nuk është e re me detin dhe nuk u prish punë pasagjerëve, pasi oraret janë gjithmonë të parashikuara për ata.
– Katerina, në anije është edhe kryekapiteni i kompanisë, dhe ai kërkon të shkojë sa më shpejt në Gjenovë për arsyet e tij.
– Nënë, unë tashmë e di që fjala e kapitenit është ligj në anije.
– Babai nuk do që t`ia prishë atij. Ka disa arsye që ai ka kohë që flet për çështjen e përzgjedhjeve të marinarëve të huaj, që babai ndërhyn për t`i marrë në anije. Në kompani kryekapiteni e ka akuzuar babanë për shkelje ligjore. E kuptove tani?
Nuk fola më. Sidoqoftë nuk arrija t’i kuptoja të gjitha ato që më tha nëna. Ç`lidhje kishin ato biseda me urdhrin që babai do të jepte pas pak që askush të mos dilte jashtë anijes?
Pas një ore anija filloi të lëkundej më shumë, gjë e cila u bë një shqetësim për të gjithë. Nëna më ndaloi të dilja jashtë. Babai hynte dhe dilte shpesh nga kabina, na shikonte ne dhe ikte si veri.
Anija filloi ulje-ngritje më të shpeshta dhe më të mëdha. Unë nganjëherë shikoja nga dritarja e rrumbullakët e kabinës dhe dalloja një det të furishëm, me dallgë të egra. Marinarët më kalonin me shpejtësi para syve sa nga e majta e sa nga e djathta. Në ecjen e tyre vëreja atë vështirësi që ka në një det të egërsuar dhe duke u mbajtur ku të mundnin ata shkonin për të kryer punët vetake. Shumica e tyre ishin indonezianë, djem të mirë e të edukuar.
Pas njëfarë kohe, ndërsa shikoja nga dritarja, një dallgë e shkumëzuar arriti deri lart, saqë edhe dritaren time e lagu. Sa herë që kisha qenë në anije, kurrë nuk më kishte rënë rasti që uji i detit të vinte deri te dritarja e kabinës së babait, e cila ishte në katin më të lartë të atij gjiganti që babai drejtonte.
M`u kujtua biseda plot mangësi e nënës.
Pas pak vërtet që babai foli në radion e përgjithshme të anijes duke thënë se ndalohej rreptësisht dalja jashtë saj dhe të gjithë pasagjerët duhej të rrinin brënda.
Një urdhër të tillë im atë kurrë nuk e kishte dhënë, sa herë që unë kisha qenë në anije me të.
M’u kujtua fjala e marinarit të heshtur, atij Agronit. Nga e dinte ai? Nuk besoja që babai të kishte aq konfidencë me të sa t`i besonte edhe dijeninë për urdhrat që do të jepte më pas. Si marinar i stërvitur, ai duhej ta njihte mirë detin dhe në kursin që ne po ecnim, marinari Agron kishte parashikuar urdhrin e babait. Vetëm kjo ishte e vërteta!
Nga ana tjetër, biseda e nënës për Gjirin e Lionit më kishte lënë goxha enigma.
Nuk më jepeshin shumë sqarime sepse të gjithë më shikonin si të vogël, po pikërisht se isha e vogël unë i kërkoja me aq ngulm ato sqarime.
Deri tani kisha kuptuar vetëm marinarin.
Që pas derës së kabinës dëgjoja hapa të nxituara të njerëzve që hynin e dilnin në kullën e komandimit, sepse, siç dihet, gjithmonë kabina e kapitenit është pranë kullës së komandimit. Kapja gjysma bisedash, thirrje, biseda të shuara, zhurma të ndryshme, zëra që njihnin vetëm nxitimin.
Ndërsa isha e përqendruar të kuptoja më mirë se ç`po ndodhte, një dallgë e madhe na dha një goditje aq të fuqishme sa rashë poshtë nga karrigia ku isha ulur, kurse nëna ra përmbys gati dy metra larg meje. Për disa sekonda e pashe mirë ujin në dritaren e rrumbullakët që shkumëzonte aty me kërkesën për t`u futur brënda në kabinë.
U tmerrova! Nuk desha të qaja dhe kjo ndodhi ngaqë nuk ishte hera e parë që udhëtoja në anije.
– Je mirë ? – më tha nëna.
– Po, – thashë me zë të shuar. Ajo erdhi pranë meje dhe më shtrëngonte. Po nuk zgjati shumë, një tjetër dallgë u përsërit, ndoshta më e fortë; dhe anija u anua nga e majta.
Përsëri me nënën u zhvendosëm keqazi. Anija filloi të ulej e të ngrihej me ritme më të shpejta dhe deti na kishte shpallur luftë. Ai deti romantik, ai deti i bukur e në ngjyrë të kaltër, tani ishte bërë gjë tjetër, me një urrejtje dhe pamje që vërtet të kallte datën kur e shikoje.
I vetmi informacion që kisha, ishte dritarja e rrumbullakët, nga e cila shikoja duke u mbajtur fort. Nga largësia, aq sa arrinin dritat e anijes, shikoja dallgë gjigante e të zemëruara që luftonin edhe me njëra-tjetrën. Nuk vononin kurrë që të godisnin anijen nga çdo anë e saj.
Tmerrin më të madh e pata nga një dallgë stërgjigante, që një pallat të madh siç ishte anija “E kaltër” e mbuloi të tërën. Menjëherë instinkti më lajmëroi mbytjen tonë. Bashi i anijes u përkul aq shumë saqë unë me nënën u përmbysëm të dyja duke u rrokullisur andej nga fundi i kabinës. U vrava pak në gju. Nëna u ngrit menjëherë dhe nisi të më kontrollonte në një mënyrë të çoroditur. Vura re që ajo qe zverdhur e bërë si dyllë nga frika dhe nga turbullira që jep deti me luftën e tij. Atë e kishte zënë deti. Për herë të parë nënën e pashë aq të pafuqishme dhe nuk më shtrëngonte më si në fillim. Muskujt e saj ishin të paralizuara. Kjo u provua kur filloi të villte dhe as që mundi të shkonte tek lavamani: volli mbi tapet.
E keqja në të tilla raste është se deti kurrë nuk e njeh mërzitjen në përsëritjet që bën. Dallgë të mëdha na rrihnin pa mëshirë dhe ne rrinim të strukura në kabinë, duke dëgjuar zëra nga jashtë derës, të mbushur plot shqetësim.
Kaluan gati dy orë me atë det të egër që na detyronte të shtrëngoheshim nga frika. Ne nuk dinim se ç`bëhej në ambientet e anijes, po një gjë më dukej e sigurt…fundi qe pranë!
Ndërsa shtrëngoja nënën, dëgjova zërin e babait në radio që tha: – Të gjithë pasagjerët të veshin xhaketat e shpëtimit.
Aty fillova të lotoj! Ne po mbyteshim.
Nëna i mbante lotët, ndoshta që të mos më tmerronte mua, apo ajo turbullirë që kishte as të lotonte nuk i jepte leje.
Imagjinoja tani rrëmujën që po bëhej me pasagjerët nëpër katet e anijes dhe kabinat e tyre. Isha e sigurt që shumë prej tyre e kishin për herë të parë udhëtimin me anije. Kishte shumë fëmijë dhe pleq. Lajmi për xhaketat e shpëtimit ishte shenja më e keqe për tragjedinë që na priste. Kurrë nuk e kisha dëgjuar babanë të kishte folur rreth urdhrit të xhaketave të shpëtimit në anije. Ndoshta edhe për atë ishte hera e parë që mendonte për këtë urdhër, aq më tepër kur në bordin e anijes ishin rreth një mijë frymë.
Asgjë nuk ishte shaka.
Meqë ndihesha më mirë se nëna, sytë i mbaja nga dritarja e rrumbullakët dhe vëreja se ato varkat e shpëtimit që ishin jashtë, tani vetëm varka shpëtimi nuk ishin më: ato ishin të mbushura plot me ujë. Mbi të gjitha ishte e pamundur edhe ulja e tyre, sepse as marinarët që ishin të stërvitur nuk mund të qëndronin jashtë. Ai det i egërsuar edhe anijen “E kaltër” e trajtonte si një letër cingari. Kuptoja se jashtë ishte një erë me fuqi të atillë që vetëm deti mund ta prodhojë. Ishte një erë që po mposhtte anijen tonë gjigante.
Në atë rrëmujë pranë kullës së komandimit dëgjova zërin e trashë dhe të fuqishëm të marinarit të huaj me emrin Agron.
– Kapiten Veluda… po na bie spiranca e majtë…!
Zërat u shtuan dhe trembja gjithashtu. Trembje në kullën e komandimit do të thoshte se gjithçka kishte marrë fund. Për fat në ato mjedise nuk lejohej prania e pasagjerëve.
Nuk dëgjova sesi u përgjigj babai për spirancën, zhurmat dhe goditjet e ujit ma bënë të pa mundur.
Fillova të ndihmoj nënën që të vishte xhaketën e verdhë të shpëtimit. Më pas vesha dhe unë timen. E çfarë do të na bënte xhaketa e verdhë në atë det të nxirë nga zemërimi!?
Donim të iknim…, po ku të iknim ?
U hap dera e kabinës dhe ishte babai ku pas tij u shfaq koka e verdhë e një holandezeje që punonte si masazhatore.
Na pa me keqardhje, më përqafoi mua të parën dhe më pas nënën.
– Shkoni me zonjushën Bertildë,– na tha.
Për çudi, holandezja mbahej për bukuri. Nuk kishte atë ngjyrë prej të vdekuri që kishim ne, sidomos nëna. Ajo na mori duke e mbajtur nënën për krahu, kurse unë shtrëngoja dorën e nënës dhe ndërsa ecnim në korridorin e gjatë ktheva kokën nga babai. Ishte hera e parë që tek ai pashë atë vështrim të pa shpresë mbi mua dhe nënën. Mbahej në parmakun anësor të korridorit, me xhaketë të zbërthyer, nuk hiqte vështrimin nga ne. Ishte e vetmja mënyrë që shprehte sesi babai po na jepte lamtumirën.
Fillova të qaja dhe dorën e nënës nuk e lëshoja. Holandezja na printe dhe kur hapi derën e korridorit për të dalë jashtë ambienteve të kullës së komandimit dëgjova radistin që thirri.
– Kapiten ç`më urdhëron të bëj ?
Dera e korridorit ishte në mbyllje, po pata kohë të kap urdhrin përfundimtar të babait kur i tha:
– Jep sinjalin S.O.S.
Sinjali S.O.S… mendova dhe lotët m`u shtuan. Nëna ishte në gjendje shumë të keqe dhe nuk besoj se dëgjoi për sinjalin S.O.S.
Isha e vogël atëherë, doja ndihmë. Nëna qe bërë si e vdekur dhe nuk ishte e aftë të priste lotët e mia; nga ana tjetër, unë kisha frikë të qaja shumë në sy të saj sepse në gjendjen, ku kishte rënë ajo, tani isha unë nëna e saj.
U binda që ne do të vdisnim !
Duke ndjekur holandezen, zbritëm shkallët që të çonin në katin e poshtëm dhe më pas në katin e recepsionit, i cili ndodhej në mesin e anijes.
Po ç`të shikoja atje ?
Njerëzit ishin të shtrirë pa pikë fuqie dhe sikur luteshin që të vdisnin sa më shpejt pa e parë tmerrin e mbytjes me sy. Orkestrantët italianë, balerinat angleze, vajzat e recepsionit, kamerierët indianë, kryekëngëtarja italiane Adriana, që dihaste, marinarët indonezianë, të gjithë…, të gjithë ishin atje. Ata ishin pjesë e ekuipazhit dhe kabinat i kishin në fillimin e anijes, po ndenjtja në to ishte e pamundur me atë det të egërsuar. Ulje-ngritjet atje vërtet që ishin të tmerrshme.
Një erë e keqe vinte ngado prej të vjellave të njerëzve. Aty kishte dhe shumë pasagjerë, e gjithë salla e koncerteve ishte mbushur me fytyra gjysmë të vdekura dhe të pashpresa. Tani ishte deti që po shikonte koncert me ne. Indianët qanin, vajzat e tjera me fytyra të pashpresa kishin lot të tharë; nga vuajtja as të qanin nuk kishin forcë. Për doktorin e dija që ishte polak, po nuk e dija që ia kishte mbathur i pari për kushedi se ku; për të gjithë ata njerëz pa pikë fuqie nuk kishte kush të shërbente përveç infermieres gjermane, e megjithatë edhe ajo ishte gati si e vdekur.
Një tmerr i vërtetë ishte kudo, po vetëm unë e dija që sinjali S.O.S qe dhënë. Pra, aty ishte një tmerr i justifikuar.
Pothuajse që të gjithë i luteshin Zotit, secili në fenë e tij. Vetëm Ai ishte shpëtimtari.
Ai kapiteni, që bënte ligjin në det, kishte dhënë sinjalin e vdekjes, sepse tani ishte deti që po bënte ligjin me të. Vetëm një Zot mund të krijonte shkakun e shpëtimit në qoftë se ne, një mijë frymë mbi bord, duhej të jetonim.
Aty në atë vend llahtar egzistonte një vëllazërim i heshtur. Njerëzit mbyllnin sytë dhe luteshin, po nga sytë e mbyllur u dilnin lot. Të shumtë ishin ata që me zë të lartë luteshin duke thënë:
– O Zot na shpëto…, o Zot na shpëto…, na ndihmo o Zot !
Edhe njeriu më i keq, në ato çaste aq të tmerrshme, nuk kishte fjalë të tjera për të thënë. Nuk ekzistonte aty as egoizmi, as pasuria, as raca, as kombësia, as lakmia e asnjë paragjykim tjetër që njerëzit vetë i sajojnë në jetën e tyre me gazeta e libra apo mendime të marra hua.
Aty ishte vetëm një shprehje !
“Zoti na mëshiroftë”: dhe kaq !
Të gjithë ishim pjesëtarë të së njëjtës familje. Fatkeqësia që kishim përballë na kishte bërë një trup të vetëm. Ishim njerëz! Vdekja na kishte rrethuar nga të gjitha anët dhe nga çasti në çast ajo mund të hynte brënda dhe e sigurt që do të na merrte të gjithëve një herësh. Ishim bërë njerëz me të njëjtin qëllim. Që të gjithë e kishim bashkuar kohën tonë vetëm në një pikë… të lutjes ndaj Zotit. Çdo veti djallëzore a cinike, që egziston te njeriu kur ai është në gjendje sigurie, aty as që mendohej. Ndoshta këto anë negative janë të përkohshme dhe nuk kanë fuqinë të vinë me ne në rrugën e fundit. Vërtet qenkan të dëmshme, po, ja, që i kemi.
Nëna u shtri mbi tapet dhe nuk kishte fuqi të thoshte qoftë edhe një fjalë të vetme.
Nuk e di pse babai na çoi me zonjushën Bertildë? Ndoshta se vdekja në vetmi është shumë herë më e tmerrshme se vdekja me një grup njerëzish. Në të tilla raste njeriu kërkon sojin e tij dhe duke i dhënë zemër njëri-tjetrit secili i jep zemër vetes së vet.
Ndoshta këtë sekret babai e dinte mirë.
Një grua pasagjere shikonte fotografinë e fëmijës së saj dhe qante duke thënë në gjermanisht: – Unë kurrë nuk do ta shikoj më, – dhe, lotët i dilnin pa pushim. Kurse burri i qëndronte pranë dhe qante në heshtje duke parë fotografinë.
Një vajzë e re i thoshte në anglisht duke qarë të fejuarit të saj se e kishte tradhtuar, po se ajo vuante shumë për këtë gjë dhe urrente veten; gjithashtu, i lutej që ai ta falte.
E kam patur fajin unë, po i thoshte duke qarë një vëlla së motrës, për një ngjarje që kishte lidhje me babanë e tyre.
Shumë skena të tilla shikoja, fjalë nga më prekëset ishin aty, pendime e ngashërime, kërkesa për falje, mallëngjime e shumë të tjera. Të gjitha këto ndodhnin se çdo njëri prej nesh kuptonte se kishim kaluar në pikën e moskthimit. Pikërisht në atë sallë anijeje dhe në atë det shumë të egër, shpirti detyrohej të merrte formën e një drejtësie hyjnore. Ai dëshironte të pastrohej para se të largohej nga trupi. E gjithë kjo ndodhte duke mos qenë në vetëdijen e askujt. Ajo gjë bëhej në rrugë të mistershme, rrugë të cilat i zotëron vetëm shpirti kur është në fundin e tij.
Anija “E kaltër” dukej sikur rrotullohej në vend dhe nuk ecte. M`u kujtuan fjalët e marinarit për spirancën e majtë. Nuk kisha asnjë ide se ç`mund të bënte rënia e spirancës, po mënyra sesi ai i foli babait më jepte të kuptoja se rënia e spirancës ishte një rrezik i madh. Sidomos në atë det të tërbuar edhe rënia e spirancës na duhej dhe ne do të fundoseshim shumë shpejt.
Fillova të haja biskotat me pahir dhe pas pak iu ula nënës te veshi e i thashë:
– Do biskota ?
Ajo lëvizi kokën në shenjë mohimi.
– Po shkoj pak te babai dhe kthehem shpejt, – i thashë. Ajo përsëri lëvizi kokën në shenjë mohimi, po sytë i kishte të mbyllura. Vështrova rreth e rrotull për zonjushën Bertildë dhe e pashë që ishte me kurriz nga unë duke ndihmuar një çift të vjetër pasagjerësh. Menjëherë u çova dhe duke ecur si e dehur, u nisa për nga kulla e komandimit.
Nuk më hiqej nga mendja vështrimi i babait me uniformën të zbërthyer. Nuk doja që ajo mënyrë lamtumire të mbaronte në korridorin që të çonte në kullën e komandimit.
Ai ishte kapiteni, ishte dhe babai im dhe ne duhej të vdisnim bashkë. Unë, nëna dhe ai.

Gjatë asaj rruge të shkurtër, që e kisha bërë qindra herë, shpenzova më shumë se njëzet minuta për të mbërritur atje, ngaqë anija dridhej në çdo çast. Ashensorët ishin jashtë përdorimit, natyrisht me urdhër të babait.
Në kullën e komandimit, kur është natë, ndalohet të këtë dritë, përjashtuar atë të radarëve apo të instrumenatve të tjerë, kështu që, kur hyra brenda, askush nuk më pa. As babai.
Kulla e komandimit ishte e mbushur plot; qenë mbledhur të gjithë oficerët. Te tre nënkapitenët ishin aty, kapiteni i dytë, gjithashtu, nostromi, dy marinarët e timonit, njëri prej të cilëve ishte ai Agroni. Na ishte aty edhe kryekapiteni i kompanisë, ai që donte të shkonte shpejt në Gjenovë për arsyet e veta. Ndoshta prej tij anija jonë ishte vonuar në portin e Barcelonës, duke pritur që ai të hynte në anije.
Në çastin që unë hyra, askush nuk fliste, por edhe atje, mes gjithë atyre oficerëve profesionistë e të rrahur me detin, shpresat ishin të shuara: anija nuk do shpëtonte. Këtë gjë e kuptova nga fjalët e nostromit plak, kur me urrejtje iu drejtua kryekapitenit.
– Të mos ishe ti me ne, anija do ecte me kursin e saj të sigurt. Ti je një vrasës! Nuk vlen shpirti yt para shpirtrave të njëmijë njerëzve.
Askush nuk foli pas këtyre fjalëve megjithëse të gjithë i dëgjuan, as kryekapiteni. Përsëri m`u kujtuan fjalët e nënës. Pra, na kishte qenë urdhri i kryekapitenit që ne të ndiqnim një kurs jo të favorshëm, në një kohë që dihej se shërbimi sinoptik na ishte i qartë në informacionet e ditës.
Unë nuk e dija se ne kishim të bënim me të tmerrshmin… Gjiri i Lionit!
Rrija nga cepi i asaj hapësire të madhe dhe në atë errësirë askush nuk më shikonte. Bashi i anijes hynte nën ujë duke iu nënshtruar forcës së ujit, i cili e detyronte atë të zhytej me lehtësi. Dallgët si kodra të mëdha shpesh herë na mbulonin dhe unë e shikoja vdekjen me sy. Anija “E kaltër” vuante nën torturën e atij deti, po vazhdonte të rezistonte pa shpresë në atë egërsi të madhe. Ajo përsëri ngrihej dhe nga forca e madhe e ujit kjo bëhej me shpejtësi. Po të mos mbahesha fort, nga ngritja e vrullshme e anijes, do të godisja tavanin më kokë. Ideja që aty ishte babai im, më jepte pak guxim dhe nuk më lejonte që të ikja e tmerruar. Askush nuk fliste. Aty kishte vetëm klithma dhe frikë. Timonin e mbante Agroni. Anija ecte vetëm me dy milje në orë. Ndieja sikur zorrët më kishin ardhur pranë fytit, por e mbaja veten dhe nganjëherë haja ndonjë biskotë.
Vërtet sinjali S.OS. qe dhënë, po kush e kishte atë fuqi që të ndihmonte anijen “E kaltër”, e cila po vdiste në atë llahtarë ujore? Cila anije tjetër mund të afrohej në atë vorbull gjigante ujore? Anija “E kaltër” nuk ishte asgjë tjetër veçse një lëvozhgë arre.
Kur një dallgë sa një mal e mbuloi përsëri anijen dhe ajo u zhyt nën ujë, u dëgjua një uturimë e madhe dhe e kobshme, që vinte nga poshtë anijes.
“U ça!” mendova dhe sytë i mbaja nga babai që ta merrja e të iknim pranë nënës.
– Të poshtërit… – ulëriti hotel-menaxheri, – si paskan harruar të mbushin bombulat me oksigjen?
– Spiranca ka rënë mbi 50 metra kapiten, – tha nostromi, – po vazhdoi edhe pak, ne fundosemi me siguri.
Kuptova se dikush duhej të rregullonte spirancën nga jashtë.
Po cilin të caktonte babai për të bërë këtë riparim? Kujt mund t`i thoshte që të dilte jashtë tek bashi? Atje poshtë dallgët ishin si kodra gjigante. Spiranca ishte pengesë e madhe dhe mund të shërbente për përmbysjen e anijes. Dhe një goditje tjetër e ujit dhe spiranca do të shkonte më poshtë, gjë që do të thoshte se shtohej rreziku i mbytjes, ose do të ishte vetë mbytja.
– Mbaj timonin…, – bërtiti marinari Agron. Timonieri rezervë erdhi menjëherë pranë timonit.
Ai Agroni u nis pa vështruar nga askush, hapi derën me vrull dhe iku. Ndoshta ishte hera e parë që ai marinari i huaj nuk i mori leje babait. Ndoshta ishte hera e parë që babai nuk i dha urdhër atij marinari për punët e anijes.
Përsëri pasoi një qetësi. Largimi i Agronit la të kuptohej se çfarë qëllimi kishte ai, po nuk jepte asnjë siguri; dhe që të gjithë në kullën e komandimit nuk besonin në asgjë të mirë, pos disa përpjekjeve të kota.
Nënkapitenët morën secili nga një fener me dritë të fuqishme dhe që nga lartësia e kullës së komandimit, e drejtonin dritën përposhtë, në sipërfaqen e bashit të anijes.
Tani dihej qëllimi i marinarit të huaj.
Por anija nuk reshtte së zhyturi. Unë u afrova pranë dritareve që të shikoja poshtë në sipërfaqen e bashit.
Nuk vonoi shumë dhe nga ndriçimi i fuqishëm dallova marinarin shumë qartë; ky e kishte lidhur veten me një brez meshini të trashë dhe kishte një litar që i vinte nga pas e që duhej të ishte kapur dhe ai diku.
Duke u mbajtur sipas rastit, marinari iu drejtua timonit të madh të lyer me bojë të bardhë, i cili kishte lidhje me spirancën e majtë dhe do të bënte atje shkëputjen e plotë të saj për ta hedhur këtë në fund të detit. Po çlirimi i spirancës do të na jepte pak shpresë.
Sesi do ta bënte këtë punë, e dinte ai…!?
Ato pak metra, që nga dera e vogël e daljes e deri tek mekanizmi që do të shkëpuste spirancën, edhe për marinarin e stërvitur ishin të vështira. Ndoshta ato pak metra kishin gjatësinë e kilometrave tani, në atë det të tërbuar.
Kur ai iu afrua mekanizmit, një kodër e madhe uji e mbuloi të gjithë bashin dhe çdo njeri nga ne, që po shikonim, klithi në mënyrë të natyrshme. Unë harrova që përpiqesha të fshihesha, po në klithjen time askush nuk më vuri re.
Kur anija u ngrit përsëri, dritat e fuqishme që mbanin nënkapitenët u drejtuan sërisht poshtë, po… veçse atje nuk kishte më njeri !
Marinarin Agron e kishte përpirë deti i pamëshirshëm.
Pasoi një plagosje te të gjithë, po që të gjithë e kaluan në heshtje. Tani edhe ato pak shpresa që kishin mbetur u zhdukën krejtësisht. Heshtja e të gjithëve dëshmonte frikën apo pritjen e vdekjes. Frika më e madhe ishte se mos gjiganti ynë mund të ndahej më dysh si pasojë e krijimit të vakuumit nën të dhe atëherë nuk do të kishte vdekje më të llahtarshme. Më doli parasysh skena në sallën e koncerteve. Njerëzit kishin humbur çdo shpresë. Edhe unë, gjithashtu. Nuk do të shkoja më në shkollë, as nënën e as babanë nuk do t’i kisha më pranë, do të bëhesha copë në fund të detit dhe kushedi se në ç`gojë peshkaqeni do të përfundoja.
Ndërsa po i jepja udhë pikëllimit tim, u dëgjua zëri i nostromit plak, që me të madhe ulëriti.
– Agroooooniii…!
Që të gjithë zgjatën kokat duke parë poshtë dhe nga pareti anësor i anijes u shfaq Agroni, i cili po ngjitej me vështirësi deri sa ra i shtrirë në pjesën e brendshme të bashit. U ngrit dhe përsëri u drejtua për nga mekanizmi. Tani ishte më ndryshe se herën e parë ai marinar trim. Fytyrën e kishte të kuqe dhe rrëke gjaku i rridhnin anës hundës deri në mjekër. Dukej sikur po luftonte me dragoin për të shpëtuar popullin. Ndoshta në këtë që thashë nuk ka asnjë figurë. Deti i egërsuar ishte dragoi ynë i keq, që kërkonte me ngulm vdekjen tonë.
Ai filloi të punonte te mekanizmi dhe e kuptoja që kishte shumë vështirësi. Pasoi një dallgë e lehtë, por e tillë mund të konsiderohej në krahasim me dallgët e mëparshme. Ajo ia lau gjakun e fytyrës, po përsëri fytyra e tij u riskuq. Në një çast anija u ngrit shumë lart dhe Agroni, i cili po punonte në mekanizëm, u gjend i pambajtur në ndonjë hekur a dorezë; dhe ajo dallgë e përplasi me forcë pas mureve të poshtme, mbi të cilat ngrihej kulla e komandimit. Kur u tërhoq uji, marinari i shtrirë u ngrit përsëri me tërbim. Filluan të më dilnin lot për atë vuajtje që po provonte në atë luftë; i vetëm me detin. Nuk e kuptoja mirë shkakun, por kisha shumë frikë për atë djalë dhe simpatia tani kishte kaluar në admirim. Ai po luftonte për të gjithë ne, po luftonte për mua.
Dritat që i hidhnin sipër nënkapitenët e tregonin qartë tërbimin e tij dhe në një çast kur po punonte te mekanizmi, vura re se ai ngriti kokën lart nga qielli dhe po thoshte disa fjalë. Ideja e çmendur se ai ishte i djersitur më kaloi nëpër tru, sepse, ndërsa fliste, shquaja një tendosje të tmerrshme në trupin e tij. Ai e kishte bërë trupin si hekurat me të cilat po punonte. teksa ia dalloja qartë gjakun, thashë me të qarë e me zë të ulët:
– Zot i madhërishëm…, ndihmoje Agronin të jetojë dhe të na shpëtojë ne.
Me përqendrimin tim mbi marinarin, mendoja se, duke mos e humbur nga sytë, i jepja njëfarë ndihme.
Po përsëri një mal uji e përfshiu anijen dhe bashi gati sa nuk u shkëput prej saj.
Anija u ngul si shigjetë në ujin e zi që na rrethonte. I gjithë ai veprim i tmerrshëm e i kobshëm u pasua me kundërveprimin e ngritjes së frikshme e të rrezikshme të bashit dhe të gjithë në kullën e komandimit klithën përsëri. Timonieri u rrëzua, por u çua shpejt. Pas kësaj goditjeje, të gjithë hodhën vështrimin poshtë për të parë se ç`bëhej me Agronin. Ai ishte kthyer në qëllimin e vetëm të të gjithëve në kullën e komandimit. Edhe në timin, gjithashtu.
Agroni nuk gjendej më tek mekanizmi. Ai kishte pësuar dy goditje të forta; të parën e dëshmonte gjaku që i rridhte nga plaga në kokë. E dyta ishte e brendshme: uji e kishte përplasur si një kukull pas mureve të poshtme. Kësaj here dëshpërimi i të gjithëve qe i plotë dhe nuk e luante as topi që Agroni tashmë nuk mund të kthehej edhe një herë te bashi. Kjo ishte hera e tretë dhe përplasja mund të kishte qenë më e fortë; kështu që, e llogaritur tok me dy të tjerat, e bënte të pa mundur kthimin e tij.
Anija hynte nën ato male uji si treni nëpër tunele. U dëgjua përsëri uturima e rënies së spirancës dhe të gjithë shikonin njëri-tjetrin me frikë. Edhe aq sa kishte rënë ajo spirancë, krijoheshin kushtet që një dallgë e madhe të na sillte katastrofën. Babai ishte shumë i kujdesshëm që hunda e anijes të qe përballe dallgëve dhe gjithmonë ia kujtonte timonierit kur e lypte nevoja. Po dallgët vinin nga të gjitha anët, kishte edhe goditje të poshtme. Për fat ende nuk na kishte ardhur një dallgë e madhe anësore dhe të gjithë do të përfundonim në fund të detit. Tani që edhe Agroni nuk po dukej për të çliruar spirancën përsëri, të gjithë i kaploi dëshpërimi i heshtur dhe vuajtja e frikës.
Dhe ky marinar i huaj ndoshta nuk ishte njeri, apo vetë Zoti e kishte caktuar në atë anije që të shpëtonte jetën e njerëzve.
Vetë Zoti e ndihmonte në tmerrin e asaj nate dhe të atij deti.
Ai copë hekur, ai marinari i pafjalë apo i jashtëligjshëm u duk përsëri në murin anësor të bashit dhe me mundim të madh u ngjit mbi të dhe u hodh në pjesën e brendshme si radhën e parë. Të gjithë po e shikonin, por asnjëri nuk po fliste më për rikthimin e tij. Të gjithë ishin të ngrirë e të përqendruar mbi të. Kësaj here i pashë gjak edhe në trup. M`u duk i lodhur, ndoshta nga goditjet që kishte marrë. U drejtua përsëri nga mekanizmi. I gjithë qëllimi i jetës për marinarin Agron tani ishte ai mekanizëm aty pranë, i cili po ndihmonte të afrohej vdekjen tonë. Me mundim të madh përsëri iu qas mekanizmit dhe sapo deshi të bënte diçka, një tjetër kodër ujore e mbuloi bashin aq sa na trembi përsëri, duke na sjellë në kujtesë mbytjen. Tani ishte e pamundur që marinari trim të rikthehej përsëri tek bashi. Le të ishte i lidhur; edhe ai njeri ishte dhe kjo goditje medoemos e kishte kthyer në të paaftë, ndoshta edhe për veten e tij. Me përgjërim vështronim poshtë për rikthimin e tij dhe kur uji u largua krejt nga bashi, pas ngritjes së radhës së anijes, një nga nënkapitenët ulëriti.
– Eshtë aty…!
Tek timoni i madh dhe i bardhë i mekanizmit, Agroni ishte kapur me këmbë e me duar dhe qe bërë njësh me të.
Si kishte arritur ta mbante aq mirë frymën kur kodra ujore e mbuloi të tërin!? Ç`forcë kishte përdorur që t`i rrezistonte atij masivi ujor!?
Sapo iku uji, ai menjëherë çliroi duart e veta dhe filloi të punonte sërisht te mekanizmi. M`u duk sikur fliste, sikur luftonte me ujin edhe me fjalë. Duart i lëvizte me shpejtësi dhe pas pak ne dëgjuam një uturimë të ngjashme me të parat, po që ishte e vazhdueshme. Zgjatjen e saj të gjithë e prisnin me përgjërim. Ndalesa e saj do të ishte si një ndalesë zemre…, do të ishte gati vdekje.
Për disa sekonda të gjithë qëndruan me zemër të ngrirë, duke pritur që spiranca të shkonte në fund të detit dhe të mos kishte më lidhje me anijen. Ajo spirancë e madhe disa tonëshe bashkë me zinxhirin e trashë, shumë të trashë, shkonte drejt thellësisë së detit duke marrë me vete dhe një pjesë të frikës sonë.
Në çastet që spiranca vazhdonte të ulej, marinari nuk lëvizte nga vendi dhe diku ishte kapur fort me ato duart e tij të fuqishme, nga frika se mos ajo ngecte përsëri. Rrinte aty dhe priste zhytjen e saj. Kodrat e ujit e mbuluan përsëri, por ai qe bërë njësh me hekurat, ndoshta atë qëllim i kishte vënë vetes…, të ngjitej me anijen, të bëhej edhe ai hekur. Apo diçka më shumë…, të komandonte hekurat.
Kur uturima e zinxhirit të trashë mbaroi, të gjithë morën frymë me lehtësi dhe njëkohësisht të gjithë iu kthyen edhe një herë frikës së detit të egër, po tani larg rrezikut të spirancës, e cila kishte rënë në fund të ujit.
Marinari trim, pasi gjeti një çast kur nuk kishte ujë mbi bashin, u drejtua për nga dera e vogël. Nuk e di se kush e hapi atë derë, por ajo që më bëri të marr fryme thellë ishte se ai arriti të hyjë brënda.
Marinarin trim, menjëherë e çuan në ambulancën e anijes.
Nata e 4 nëntorit të vitit 1994 është nata me e tmerrshme e jetës sime.
Gjiri i Lionit, në ndërgjegjen time është një emër i frikshëm, është një emër që kërkonte vdekjen e një mijë njerëzve.
Anija “E kaltër” luftoi shumë ashpër, shpesh herë me dëshpërim, por arriti të fitonte mbi atë det aq të egër dhe të frikshëm.
Kur anija e kaloi rrezikun, njerëzit ishin të heshtur. Nuk mund t`i thonin njëri-tjetrit atë që secili e kishte parë vetë. Përsëri vura re lot në sytë e njerëzve, po tani ishin lotët e shpëtimit. Njerëzit sikur thërrisnin kujtesën dhe tmerri në sytë e tyre dukej qartë. Po ashtu edhe tek unë.
Kur së largu pamë brigjet mikpritëse të Gjenovës, atëherë jeta rierdhi përsëri në sytë e njerëzve, po heshtja vazhdonte.
Ajo që më habiti shumë ishte se, kur qemë fare pranë bregut për t`u ankoruar, populli i Gjenovës kishte dalë jashtë, rrinte i mbledhur pranë portit dhe brohoriste. Me këtë pamje, lotët, sidomos të pasagjerëve, rridhnin pa pushim dhe përqafonin këdo që kishin pranë.
Lufta qe kurorëzuar me sukses!
Sapo anija u lidh në port, me shpejtësi të madhe disa mjekë hynë me rrëmbim në anije dhe brenda pak minutave dolën me barrelën e tyre. Mbi të ishte Agroni.
Nga larg, shqova babanë, që i mori dorën marinarit dhe po i thoshte disa fjalë. Sakaq mjekët e futën në makinë dhe me sirenën alarmuese ambulanca u largua.
Ajo ishte hera e fundit që pashë marinarin Agron në anijen tonë.
Më pas i gjithë ekuipazhi u mblodh në sallën e kinemasë. Këtu qe dhe kryekapiteni i kompanisë. Te tavolina përballë karrigeve të sallës qëndronte babai dhe kapiteni i dytë.
Kryekapiteni filloi të fliste, kur pa se salla qe mbushur plot.
– Heroizmi ynë në këtë ngjarje kaq të tmerrshme ishte i madh, po kompania jonë ka anije të fuqishme dhe të sigurta. Në një det si ai që ne pamë, çdo anije tjetër do të ishte mbytur, po kompania jonë ka menduar mirë për sigurimin e njerëzve…!
Vura re holandezen, zonjushën Bertildë, që u ngrit nga vendi i saj dhe u drejtua për nga tavolina, ku po fliste kryekapiteni. Të gjithë u përqendruan. Ajo ndaloi përballë kryekapitenit dhe pas një apo dy sekondash, me një lëvizje të shpejtë të dorës, i dha atij një shpullë të fortë. Pastaj u kthye nga ne dhe tha:
– Anija është e lidhur. Me veprimin që bëra, mua nuk më kapin ligjet e detit.Tani pres pushimin nga puna. Lamtumirë të dashur miq. Po shkoj të bëj gati valixhet. Po të dojë, kryekapiteni le të thërrasë policinë e portit…, unë do të jem në kabinën time.
Dhe u nis për nga dalja.
E çuditshme ishte për mua që i gjithë ekuipazhi e dinte të vërtetën se përse ne i kishim rënë mes më mes Gjirit të Lionit në një kohë që dihej se sa ballë do të kishte deti.
Kryekapiteni nuk foli më, por i zemëruar dhe ai u largua.
Ekuipazhi filloi të brohoriste babanë. Ata nuk donin fjalime. Donin që ta nxirrnin me anë të brohoritjes jashtë vetes të gjithë atë tmerr që kishin parë me sytë e tyre. Ishin gati 350 vetë si ekuipazh dhe brohoritjet qenë të fuqishme:
“Rroftë kapiteni!”, apo “Rroftë kapiten Veluda!”, “Kapiteni ynë është një hero!” etj., etj. si këto. Përplasnin duart me furi dhe nuk pushonin.
Babai i dëgjoi paksa dhe, më në fund, ngriti dorën si shenjë që të mbanin pak qetësi dhe tha:
– Miq të dashur! Ne jemi një familje këtu në anije. Të gjithë e pamë se çfarë na ndodhi në këtë udhëtim. Vërtet anija jonë e ka një hero…, – në këtë çast të tërë u ngritën në këmbë, duke brohoritur më shumë për babanë dhe thërrisnin: “kapiteni…, kapiteni…, kapiteni”.
Babai tundte kokën në shenjë mohimi dhe pasi i la që ta mbaronin edhe këtë furi brohoritjesh foli përsëri.
– Ai hero… nuk është kapiteni i juaj.
Pasoi një heshtje pyetëse te të gjithë.
– Ju i keni të gjitha të drejtat të dini se heroi në anijen tonë është… marinari Agron.
Babai filloi të fliste më gjatë për marinarin trim. Foli për defektin e spirancës, e cila nuk mund të ngrihej lart në atë det të çmendur dhe sesi marinari Agron e kishte çliruar atë duke dalë jashtë e duke luftuar me tërbimin e detit. Ai tha se anija rrezikonte të bënte një kthesë Williamson me pahir, e detyruar nga deti i furishëm, gjë e cila do të shtonte shumë mundësinë e mbytjes. Pas lëshimit të spirancës, që marinari i stërvitur dhe trim kishte bërë, ne kishim patur pesë goditje anësore, saktësonte im atë, shumë të fuqishme nga e djathta; dhe mundësia e mbytjes do të ishte skajshëm e madhe. Anime majtas e djathtas ne patëm me qindra, vijoi të shpjegonte babai, po pesë lëkundjet e fuqishme, kur ne u anuam nga e djathta në të majtë, që dhe ju i ndjetë, e çdo kush që ishte në anije i pa mirë me sy, do të kishin qenë vdekjeprurëse, në qoftë se spiranca nuk do të lëshohej në ujë.
Rreth një orë babai foli për Agronin, duke treguar me imtësi atë që edhe unë e kisha parë.
Kur të gjithë dolën nga salla e kinemasë, e vetmja bisedë vërtitej rreth Agronit…, heroit. Nënkapitenët e tregonin me cilindo atë që kishin parë dhe rifreskimi i emocioneve vërtet risillite frikën, por ai risillte edhe fitoren. Çdo dëshmitar që kishte qenë në kullën e komandimit thoshte atë që kishte parë; dhe sot, në moshë të madhore, unë mendoj se sa herë që u kujtohet ajo ditë, ata kthehen po aty. Po ashtu edhe pasagjerët, që qenë nga vende të ndryshme, 4 nëntorin e vitit 1994 nuk do ta harrojnë kurrë.
Sinjali S.O.S., që u dha nga anija “E kaltër”, kishte vajtur deri në Indi.
Këto hollësi unë i mora vesh më vonë.
Kurrë nuk e pyeta babanë nëse lejohej ajo mënyrë të foluri që ai bëri me ekuipazhin për të vërtetën e mbytjes së anijes. Ndoshta rreziku i madh, që të gjithë përjetuan, dhe heroizmi i Agronit, bëri që babai të hidhte tej anën zyrtare dhe të mos fliste si kapiten burokrat, po si mik e vëlla me të gjithë, sepse që të gjithë ishim në të njëjtin nivel fatkeqësie.
Kaluan vite dhe unë u rrita. Që nga ajo natë do të kalonin edhe gjashtë vjet të tjerë që babai im, kapiten Veluda ta linte këtë jetë. Babai im, luani i deteve dhe i oqeaneve më mësoi se çfar është njeriu. Ajo anë që ai e vleresonte aq shumë më fliste shpesh edhe pas vdekjes së tij.
Për marinar Agronin, ai kujtohej gjithmonë dhe me një respekt të thellë. Po kurrë nuk degjova nga ai se ku ishte tashmë marinar Agroni. Asnjëherë nuk e pyeta se nga cili vend ishte ai marinar i huaj. Babai e dinte se një ndjenjë adhurimi fluturonte tek unë ndaj këtij të huaji, ndaj dhe kisha njëfarë turpi t`ia bëja këtë pyetje. Sa herë që ai fliste, e kuptonte shumë mirë përqendrimin tim në lidhje me marinarin. Një herë pyeta nënën se ku ishte marinari trim, ai, veprën e të cilit, shpëtimin tonë, të neve të gjithëve, e kisha parë me sytë e mi.
– Nuk e di,– më tha ajo.
Nëna nuk kishte parë atë që kisha parë unë.
Me miket e mia gjithmonë kam folur për atë djalë trim, që nuk i trembej vdekjes. Ai djali pa shumë fjalë që u përplas nga uji me tërbim të madh…, na kishte shpëtuar jetën, neve, një mijë njerëzve.
Shpresat për ta parë përsëri marinarin trim humbën, por ai hyri në shpirtin tim me kurorën e një heroi për të mos dalë më prej tij.
Një herë kisha dëgjuar babanë të thoshte: çdo trup ka një zemër brënda, e cila nuk duket.
Eshtë e vërtetë!
Erdhi koha dhe unë hyra në universitet. Në vitin e katërt, nuk e di se e kujt ishte ideja që të bënim një udhëtim një javor me anije kroçiere. Unë isha nga të parat që pranova. Tani nuk isha më bija e kapitenit, por isha e rrahura me detet.
ë gjithë shokët e mi e dinin se detin e njihja mirë. Kisha rastin që ngjarjen e 4 nëntorit të vitit 1994 t’ua tregoja më nga pranë dhe t’u flisja për marinarin Agron, i cili na shpëtoi.Zgjodhëm një program për në ishujt e Spanjës, Egjipt dhe Tunizi, pastaj do të lëviznim në Qipro dhe më pas në Napoli të Italisë; dhe në Venecien e mrekullueshme…, apo qytetin e të dashuruarve. Ishim një grup të rinjsh me ëndrra të bukura dhe dëshira për të patur ngjarje e kujtime me njëri-tjetrin.
Kur lamë pas Qipron, bëmë një ndalesë disaorëshe në Maltë dhe u nisëm për në Napolin e vjetër dhe romantik. Anija, me të cilën udhëtonim, natyrisht, ishte e të njëjtit stil si anija “E kaltër”, e bukur dhe madhështore. Vallëzonim e kërcenim hareshëm, me shakara e qeshje të pashtershme. Nuk harrova t`u flisja miqve të mi për atë natë të tmerrshme, megjithëse ata e njihnin, po kësaj here u shtoja edhe krahasimet me detin që kishim përballë, nga çdo anë, dhe me lëkundjet e anijes.
Zbritëm në Napoli; kishim vendosur të shikonim Qendrën Historike të qytetit. Në të dalë të portit, pyetëm policin e shërbimit portal se cilën rrugë duhej të ndiqnim për të shkuar në Qendrën Historike.
Polici italian ishte një djalë i dobët dhe shumë brun, me një fytyrë të hollë dhe hundë te mprehtë. Me pak fjalë, ai na tregoi rrugën që duhej të ndiqnim duke e mbaruar të folurit me fjalët: rruga tjetër në të djathtë, pas marinarit të çmendur, të çon fill e në Qendrën Historike.
– Aha…, e di unë, – tha një shoqja ime me të shpejtë dhe na u drejtua neve, – kam qenë dhe një herë tjetër këtu.
Falënderuam dhe u nisëm.
Siç dihet, nëpër porte ka shumë legjenda dhe sidomos në portet e vjetra, siç është ai i Napolit. Në to nuk mungojnë kurrë tregimet dhe historitë. Polici na foli sikur ne të ishim vendas. Për sheshin “Marinari i çmendur” duhej të pyesnim ndokënd.
Gjatë rrugës kishim kujdesin se mos gabonim dhe duke kujtuar fjalët e policit ecnim sipas shenjave që ai na kishte dhënë.
Pasi kthyem nja dy herë, mikja ime pati frikë se mos gabonte rrugën, po pas pak ajo u kujtua duke thënë:
– Atje është “Marinari i çmendur” dhe më pas kemi rrugën që na duhet.
U nisëm të sigurt që tani ishim në drejtimin e duhur. Pasi të kalonim sheshin me emrin “Marinari i çmendur”, do të shkonim në Qendrën Historike. Hidhja sytë në tabelat që tregonin emrat e rrugëve, po shoqja ime tha pas njëfare kohe.
– Ky është “Marinari i çmendur”
– Ku është ky vend këtu? – thanë dhe të tjerë.
– Nuk e shikoni?
– Po këtu nuk ka shesh, – thashë unë, – ai shatërvani i vogël nuk mund të quhet shesh. Mos vallë kemi gabuar rrugën?
– E çfarë sheshi kërkoni ju? Nuk e shikoni atë atje?
– Çfarë të shikojmë? – Pyetën po thuaj të gjithë njëherësh.
– Atë burrin aty. Ai është marinari i çmendur.
Kthyem kokat dhe vërtet që pamë një burrë me mjekër e me flokë të gjatë, që kishte vënë një enë të bardhë pranë vetes për lëmoshat e kalimtarëve. Meqë fliste me veten, natyrisht që kishte marrë edhe emërtimin “i çmendur”; apo mos ndoshta ishte vërtet i tillë, ngaqë kështu kishte thënë edhe polici.
Por unë vetë isha një bijë detari dhe ato fjalë nuk i kaloja me indiferencë. U përqendrova me keqardhje nga marinari i çmendur. Ne patjetër do të kalonim pranë tij dhe vendosa që edhe unë t`i hidhja dy solda, sepse edhe ai na kishte qënë një punëtor i detit, ashtu si im atë.
Kur u afruam, të gjithë po e kundronim “marinarin e çmendur”. Ai i mbante sytë e ulura dhe diçka thoshte nën zë sikur këndonte; dukej sikur te qenia e tij kishte hedhur rrënjë një këngë prehistorike apo një baladë e vjetër.
Unë i hodha disa solda, edhe të tjerët po ashtu; dhe u larguam ngadalë. Ndoshta pikërisht hedhja e atyre soldave nga njerëzit e bënin atë burrë ta ngrinte pak zërin dhe të këndonte baladën e tij të vjetër. Qesha pak me vete dhe vazhdova ecjen e ngadaltë.
Po, në një çast u drodha. M`u duk se dëgjova prej tij fjalën “e kaltër” në gjuhën time. U ktheva pak si e trembur nga ai dhe iu afrova që ta dëgjoja mirë se çfarë thoshte. Kur isha më pranë tij, një zotëri i hodhi disa solda. Marinari i çmendur tha: gracie, dhe përsëri ngriti zërin duke thënë vargje të rimuara:
Deti i egër e i tërbuar, duket sikur e poshtëron
Anije e bukur, anije e kaltër, anija jonë fluturon
Dallgë e madhe s’e mbyt dot, ndaj dhe ajo qan
Anije e kaltër, anije e bukur, ajo vetëm perpara çan.
Deti i egër e i tërbuar…
U ktheva mbrapsht!
U ula në gjunjë e trembur dhe ia largova pak flokët e gjatë, që i kishin rënë mbi ballë. Një palë sy të njohur ato flokë kishin mbuluar. Nuk e di në jam zverdhur a skuqur. Aq shumë e lëshova veten sa as në natën e 4 Nëntorit nuk e kam provuar atë lloj gjendjeje, që nuk di sesi ta quaj.
Çdo gjë doli jashtë kontrollit. Unë nuk isha më unë.
Dhashë një ulërimë të fortë duke ngritur kokën nga qielli.
– Babaaaaa…..! – dhe shikoja lart në qiell, atje ku qëndrojnë shpirtrat e të vdekurve, – babaaaaaaa…, babaaaaaaa…, babaaaaaa…, – dhe lotët më dilnin vrullshëm.
Ia kërkoja qiellit babanë e vdekur. Ia kërkoja qiellit kapitenin e anijes “E kaltër”, që të shikonte se ku kishte përfunduar marinari i tij, i cili na shpëtoi atë natë. Ia kërkoja qiellit babanë…, të shihte se çfarë kishin bërë zyrtarët e kryekapitenët e kompanisë.
Shokët e mi u trembën nga ajo gjëndje ku më panë dhe më erdhën pranë. Shumë shpejt dy makina të vogla policie u afruan me nxitim, me sirena alarmuese dhe me dritat e ndezura dhe verbuese.
– Çfarë të bëri ai? – më pyesnin shokët e mi.
Nuk kisha forcë që t’u thoja se ai nuk më kishte bërë gjë, por ishim ne, që i kishim bërë atij.
– Babaaaaaa…, – ulërija si e çmendur, – ku je babaaaaaa…? – Dhe në gjunjë, siç isha, i bija tokës me grushta. Urreja veten, urreja gjithçka dhe vetëm ulërija duke thënë: baba…!
Dy policë u afruan te heroi i 4 nëntorit, e ngritën për krahësh, ndërsa ai vetë i zgjati duart policit të tretë, që t`i vinte prangat.
I shtyva si të ishin kukulla shokët e mi, të cilët më kishin rrethuar, djem të shëndetshëm e të fuqishëm, kur pashë se po e arrestonin, se… na kishte dëmtuar zonjushën e bukur turiste.
– Mos e prekniiiii…, – ulërita në italisht, – mjaft e kanë dëmtuar, përsëri doni ta dëmtoni atë…!
U mblodhën shumë njerëz, pothuajse të gjithë pyesnin se çfarë kishte ndodhur, por asnjëri nuk e dinte, asnjëri nuk mund ta dinte.
Unë e dija !
Policët ishin në mëdyshje për arrestimin dhe u shkova pranë duke u folur me turfullim.
– …Mos e prekni…, lëreni, mos e ngisni!
Iu afrova dhe e përqafova marinarin trim, i cili nuk më mbante mend dhe nuk po kuptonte sesi qëndronte puna. E shtrëngova fort dhe nisa të qaja. Tani e dija që ai kishte humbur kujtesën. Por a e dinte ai se sa fëmijë të vegjël qeshnin sot me gëzim në jetën e tyre, falë heroizmit të tij?
Ai nuk e dinte !
Por unë e dija !
Me sytë e përlotura i flisja që t`i vinte kujtesa.
– Agron, të kujtohet nata e 4 nëntorit? Të kujtohet Gjiri i Lionit? Të kujtohet anija “E kaltër”? Të kujtohet kapiten Veluda? Të kujtohet Katerina? Agron…, jam unë…, Katerina…, jam bija e kapitenit…, të kujtohet!?
Dhe i qaja para fytyrës, duke qenë e mjeruar që ai nuk po më njihte e nuk mbante mend asgjë.
Heroi i asaj nate të tmerrshme, më vështronte me frikë dhe nganjëherë kthente kokën nga policët; edhe ata i vështronte me frikë. Dënesjet e mia nuk arritën që t`ia kthenin kujtesën delfinit të natës së 4 nëntorit. Përsëri e përqafova duke qarë.
Nga pyetjet, që i bëja Agronit, shokët dhe shoqet kuptuan se cili ishte ai dhe filluan të sqaronin policët. Pasi gjendja u duk më normale, policët më tërhoqën mënjanë dhe më kërkuan sqarime në lidhje me “marinarin e çmendur”, siç e njihnin rëndom të gjithë. Më pyetën për emrin dhe unë ua thashë. Më pyetën për mbiemrin dhe unë u thashë se nuk ia dija. Më pyetën për kombësinë, përsëri u thashë se as këtë nuk e dija. Pastaj më pyetën për rrethanat e njohjes. U thashë se gjithçka ishte në kompaninë Festival dhe, u dhashë adresën dhe numrat e telefonit. U thashë tjetër se njeriu që kishim pranë ka qenë anëtar i ekuipazhit të anijes “ E kaltër”
Policët më thanë se kishin kohë që e njihnin, po nuk dinin se nga ishte ai i huaj; ndaj dhe nuk mund ta ekstradonin. Po që kishte qenë marinar – këtë dinin.
Pas këtyre pyetjeve, ata më lutën që t`i shoqëroja në polici dhe të firmosja për të gjitha të dhënat e kompanisë.
Pas një jave, unë telefonova në policinë e Napolit, për të mësuar rreth Agronit. Vëllezërit e tij kishin ardhur dhe e kishin marrë. Tani ai është pranë familjes së vet. Shefin e policisë, që më mbante mend shumë mirë, unë nuk e pyeta se ç`kombësi na kishte ai Agroni. Nuk desha të pyes. Njeriu ka vetëm një kombësi…, njerëzoren qiellore.
Nuk pata më tej nevojë të vizitoja Napolin. Tani e kisha parë Qendrën Historike.
Pasagjerët e asaj nate të tmerrshme tani janë në gëzimet e tyre, me familjet e me fëmijët e tyre. Secili në jetën e tij, bashkohen me miq e shokë nëpër festa e ditëlindje, trokasin gotat dhe… as që e dinë se një djalë marinar ishte ai që luftoi me një det të tmerrshëm dhe fitoi mbi të. Ata janë të shpërndarë në të gjithë Evropën; dhe atë natë thjesht e kujtojnë si diçka të jashtëzakonshme. Nuk kanë ndonjë faj! Ata nuk e panë marinarin trim dhe nuk e dinë që ai luftoi dhe fitoi mbi detin, gjithashtu, nuk e dinë se marinari u ka falur veten atyre dhe familjeve të tyre. Ia fali veten atij çiftit gjerman, që qante mbi fotografinë e fëmijës nga frika se nuk do ta shikonte më. Por, ende më keq, ata nuk e dinë që lufta e atij trimi kaloi me indiferencë të paturpshme nga kompania e miliona dollarëve, duke e hedhur në rrugë pa as më të voglën mirënjohje. Dhe ai, me kujtesë të humbur që prej asaj nate…, lypte nëpër rrugët e Italisë. Nuk kuptonte dot më se cili ishte e nga e kishte familjen.
Vallë ky qenka shpërblimi njerëzor? Nuk e besoj !
Pasagjerët, në qoftë se do ta dinin, vetëm revolta do të bënin ndaj asaj kompanie anijesh, e cila ishte e mbushur me zyrtarë të ndyrë si ai kryekapiteni mediokër, përfaqësuesi i kompanisë Festival.
E mallkova atë kompani dhe në emrin tim dhe në emrin e babait të vdekur.
Rreth vitit 2003 ajo kompani mori për poshtë, derisa falimentoi.
Kur e mësova këtë, me një ndienjë që nuk e kisha provuar kurrë më parë, thashë: “Më fal Agron!”
Nuk e di pse i shqiptova në njëjës këto fjalë. Ndoshta në emër të të gjithë pasagjerëve të panjohur, ndoshta se vetëm unë tani dija të vërtetën, që askush prej tyre nuk e dinte. I kërkova falje në emër të njeriut të zakonshëm, siç isha unë…, siç ishin pasagjerët.
Pikërisht ai marinari i huaj në natën e 4 nëtorit më mësoi sesi luftohet për njerëzit, sesi të sakrifikojmë për njeriun!
Për këtë arsye urrejtja ime vazhdon për kompaninë Festival; edhe tani, kur ajo ka vdekur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
Read previous post:
Roland Musta
CURRICULUM VITAE

ROLAND MUSTA Nuk e mbaj mend vitlindjen Kujtoj vetëm tre fëmije plot ëndrra dhe të ndrojtur si unë. Ndonjë libër...

Close