NJË VERË

NJË VERË

Nga ERIK KAMERON

Ndodh që ndonjë ditë të veçantë e shkuara kapërthehet me të tashmen. Ngjarje të harruara prej kohësh vërshojnë papritur në mendje me një qartësi dhe vendosmëri të tillë saqë të krijohet ndjesia sikur dikush po mundohet për t’ju kapur. Dhe e gjen vehten duke vështruar të pabesueshmen në tiparet dhe lëvizjet e çdo të panjohuri; objekte krejt të parëndësishme përftojnë ngjashmërira që të ngjallin nostalgji dhe shpërthejnë në kujtime therëse .
Sa herë që shoh një lule, petalet e së cilës kanë një nuancë blu, të veçantë e shumë delikate, tek unë fillon e lëvrin diçka, e atëhere në çast imazhi i saj noton në ndërgjegjen time, sikur të reflektohej në një pellg uji që vezullon në mes të një pylli.
Unë shoh përsëri atë fytyrë të qetë të nxirë nga dielli e të qarkuar nga ajo re e zezë flokësh … sytë e zes, të shdritshëm që përçonin atë çka ato buzë epshore nuk do të mundnin ta pëshpërisnin kurrë. Nuk mundem të bëj dot asgjë që do të më lehtësonte sado pak vuajtjen e pendimit, apo të fshijë hijen që mjergullon kujtesën. Gëzimi dhe hidhërimi për të enden si një fragment i ëmbël vuajtje në mozaikun e kujtimeve të jetës.
Vetëm një javë më parë, kur i vetmuar isha duke bërë një shetitje të shpejtë në një park të madh, një shikim i beftë mbi një fustan të kuq atje tej, nxiti shkëndinë brenda një fijeje shprese. Unë nxitova për të arriitur atë vajzë me trup të hollë e me flokë të zeza që ecte duke tundur me shkathtësi ijet e saj me forma aq të hijëshme .
Nuk ishte ajo, sigurisht. Sytë e saj në formë lajthie u takuan me sytë e mi duke mos më dhënë asnjë shenjë njohje dhe pa as më të voglin interesim. Kur e kuptova se edhe kësaj here imagjinata ime më kishte ngritur kurth, shpresa u mbyt dhe u braktis brutalisht. Në çdo rast ngjashmërie të imagjinuar unë kërkoja ta gjeja atë ashtu siç ishte kur e pashë për herë të fundit, të pandryshuar nga kalimi i viteve. Zhgënjehesha nga hollësira të sipërfaqëshme të veshjeve, të gjesteve, apo të tipareve që shikoja në kalim e sipër ….. profili i fytyrës së një gruaje që shkonte me autobus … . animi kokës së një vajze që vështronte pikturën në një muzeum . Këto ishin gjëra të vogla të cilat bëheshin të pakuptimta në çastin që përballesha me realitetin e një personi tjetër.
Vajza për të cilën dyshova se ishte ajo që kisha në mendje, duhet të jetë shqetësuar nga vështrimi im hetues dhe i ngulitur kur e kalova atë duke e parë disa herë radhazi me bisht të syrit . Kur ktheva kokën që ta shihja edhe një herë ajo kishte ndërruar drejtim dhe po ikte duke nxituar, mbase kishte shumë të ngjarë që ajo ishte e bindur se unë kisha në mendje t’i rrëmbeja çantën e dorës apo t’a tërhiqja mbrapa grumbullit të kaçubeve. U ula në stolin më të afërt që arrita dhe solla ndërmend atë që më kishte ndodhur .
Ishte verë dhe unë i isha bashkuar një grupi që kërkonte burime ujore. Jetesa për katër muaj rresht larg mureve të shtëpisë i ngjante një pushimi të këndshëm. Fluturova nga godina duke parafyturuar festën kur të kapnim troftë të freskët dhe do të shijonim luleshtrydhet plot lëng, gjumin pranë zjarrit kërkëllitës të kampit nën qiellin e mbushur me yje, dhe ku dëgjohej e qara e vetmuar e ndonjë djali çamarrok që jehonte përmes liqenit të veshur nga mjegulla. Nuk e kisha parashikuar se javët e fundit të verës kanadeze do të ishin të ftohta dhe plot lagështi , se në moçalet e pyjeve të veriut kishte lukuni të tëra mizash të zeza dhe miliona mushkonja që te zinin frymën, se ushqimi i vazhdueshëm me troftë dhe me luleshtrydhe do të bëhej diçka tepër e mërzitshme .
Pas ditëve të para të lodhshme përmes pyjeve të dendura me bredh, moçalishteve dhe terrenit të thepisur e të mbuluar nga akulli, nën peshën e çantës dhe të paisjeve, trupi im sa vinte e kërrusej më shumë duke më bërë të pyesja vehten në se profesioni i inxhinierit kishte qënë zgjedhja ime më e mençme. Çapitja nëpër pyje me këmbët që më dhëmbnin nga flluskat, ishte mënyra më pak magjepsëse për të siguruar jetesën .
I vetmi ngushullim që mund të sillja ndër mend ishte se më kishin caktuar si ndihmës të Poli Merçendit, një inxhinier civil me trup të ngjeshur me sy të kaftë e shumë miqësor. Babai i tij ishte një francez i Kanadasë, nënën e kishte irlandeze dhe vet ai ishte një dygjuhësh i përkryer. Ai kishte një ndjenjë humori dhe me sa duket një fond të pashtershëm anekdotash zbavitëse të cilat ishin e vetmja larmi e mbrëmjeve kur unë mundohesha të qetësoja rrahjen e fortë të muskujve dhe dhimbjen e kockave në shtratin shplodhës prej degësh kedri që ndërtonte çdo mbrëmje Poli me shkathtësinë e një njeriu të lindur në pyll. Grupi ishte ndarë në disa skuadra e sejcila mbulonte një pjesë të caktuar të hapësirës, kështu që Poli dhe unë ishim në një skuadër. Me njohuritë e mia të mjegullta për busullën dhe mungesën e plotë të eksperiencës në pyje, shpesh vrisja mendjen se ç’mund të bëja në se shoku im do të kishte fatin e keq të thyente ndonjë këmbë apo të sëmurej papritur .
Një natë, Poli tregoi një histori të frikëshme për një gjahtar i cili shkeli mbi një çark të ndryshkur arinjësh që dikush e kishte vendosur në pyll. Burri që sapo e kishte ngritur kampin për të kaluar natën dhe me kosoren në dorë u nis për të prerë ca degë kedri, shkeli mbi çarkun e maskuar me një shtresë gjethesh të thata. Nofullat e ndryshkura u shkrehën dhe e kapën në kyçin e këmbës me një forcë të tillë sa që i thyen kockat. Vet çarkun e kishin siguruar duke e lidhur tek trungu i nje peme me një zinxhir po aq të ndryshkur. Burri arriti që ta zgjidhte zinxhirin por nuk që i zoti që të çlironte këmbën nga kapja e fuqishme e sustave të forta që mbanin të shtrënguara fortë nofullat e mëdha e të çelikta të çarkut. Tehu i kosores me të cilin sado që godiste fortë e me dëshpërim mekanizmin, i cili ishte ndërtuar për të përballuar tërbimin e një ariu që mund të peshonte më shumë se gjashtëqint paund, nuk i bëri punë. Gjahtari e dinte se ishte e pamundur të zvarritej për milje të tëra për të kërkuar ndihmë, duke tërhequr pas vehtes çarkun e rëndë, sepse edhe lëvizja më e vogël i shkaktonte dhimbje që i shkonin deri në kockë. Ashtu i raskapitur ai mundi të ecte disa jard për t’u afruar tek çanta e ushqimeve por ra në agoni.
Nën petkun e errësirës, një volverinë grabitqare i përlau çantën duke i gëlltitur edhe kafshatën fundit të ushqimeve. Kur zbardhi dita, gjahtari u përball me vendimin e tmerrshëm: të vdiste dalëngadalë në çark si një shtazë pylli apo të priste këmbën mbi kyç me thikën që e përdorte për të rrjepur lëkurë. Zgjodhi këtë të fundit dhe u mundua të gjente një rrugë për të dalë jashtë nga pylli para se ta pllakoste uria e t’i priteshin fuqitë.
Ditën tjetër, apo më vonë unë ecja i lodhur duke u lëkundur andej këndej kur një degë e thatë m’u thye nën këmbë, dhe nuk e vrava mendjen pse Poli Merçandi po qeshte me mua. Unë nuk frikësohesha aspak kur ai këmbëngulte se këtu kishte hapësira të zbrazëta moçalore të cilat lidheshin si në zinxhir nga kurrize toke të fortë por që edhe gjuetarët e vjetër nuk i dallonin dot. Pas një javë me shi të imët e të mërzitshëm, moti ndryshoi papritur.Në vend që të dridheshim nën rrobat e bëra qull, tani po na mbyste një nxehtësi e tillë saqë po kullonim në djersë. Qielli u shndërrua nga gri e plumbtë në një blu të ndezur e të ndritëshme që dukej i padepërtueshëm si një porcelan i zmaltuar. Nuk frynte asnjë puhizë sado e lehtë për të lëvizur degët e bredhit apo të bënte të fëshferinin gjethet e meshteknave. E ngaqë nuk frynte, insektet e etura suleshin mbi ne në kope. Na duhej të lyenim çdo pjesë të zbuluar të trupit me një solucion të fortë që na bënte të na digjnin sytë kur mbi ta kalonin rrëketë e djersës që zbriste nga balli.
Vonë, një mbasdite mbytëse, pas një përpjekjeje raskapitëse për t’ju shmangur një kënetë kundërmonjëse e pasi çamë rrugën përmes shkurreve të dendura, papritmas dhe të habitur pamë se dolëm në një lirishte. Poli tha se kjo do të qe ferma e ndonjë ardhacaku i cili po mundohej të zhvaste sadopak jetë prej tokës së virgjër e të ashpër.
Një shtëpizë e vogël, e ulët, e bërë me trungje katrorë dhe pak më tutje një kasolle akoma më e vogël, nguleshin në tokë me një pamje kokëforte. Nëpër sheshet me gropa kishte akoma trungje dhe gurë dhe i jepnin vendit përreth pamjen e shkretuar e të shpërthyer të një fushëbeteje të braktisur. Por ishte vendbanimi i parë që ne shihnim në më shumë se një javë dhe interesi im nxiti shpresën e të folurit me një qënie tjetër njerëzore.
Një qen i dremitur e kapi shpejte erën tonë dhe filloi të lehë dhe të hidhej në zinxhirin e tij të rëndë. Një vajzë këmbëzbathur, e veshur me fustan të kuq doli, na pa ne dhe u sul përsëri brënda shtëpizës.
Në kohën që ne po i binim përqark për t’ju shmangur qenit të zi e të egërsuar, tek pragu i derës së ulët të shtëpizës u duk një grua . Flokët e rëndë, të zes e të ndritshëm i kishte bërë me mjeshtëri gërshet dhe i kishte mbledhur mbrapa, edhe ajo gjithashtu këmbët i kishte të zbathura. Duartë, të cilat dukeshin se ishin të forta i kishte të lyera me miell deri tek kyçet dhe fytyra e saj me mollëzat paksa të ngritura ishte skuqur nga tendosja duke gatuar brumin për bukë .
Poli e përshëndeti gruan me përzemërsi por ajo nuk nxorri asnjë fjalë. Sytë e saj të mëdhenj, të zes e të hapur fortë kishin një vështrim pothuajse të zbrazët po ashtu edhe fytyra tregonte një boshësi solemne që të kujtonte statujat në kishat e fshatit.
‘Duhet të jetë e shurdhët’ i pëshpërita Polit.
Kur ai tregoi me gisht veshët e tij dhe i tundi kokën, edhe gruaja bëri të njëjtën gjë dhe buzëqeshi e turpëruar, pothuajse duke kërkuar ndjesë.
Vajza, e cila ishte rreth të tëtëmbëdhjetave, rrinte në pritje mbrapa saj. Kur ajo u afrua shumë pranë pragut , gruaja nxorri thellë nga thellësia e grykës një bëritmë të sertë paralajmëruese.
‘Ajo as nuk folka ,’ tha Poli
Ai u buzëqeshi atyre miqësisht dhe ngrohtësia e kësaj buzëqeshje u duk se e shkriu atë frikë instiktive që me sa duket kishin për të huajt. Ishte e lehtë të kuptoje se ato kalonin javë të tëra, ndoshta edhe muaj pa u parë me ndonjë fqinjë. Sipas hartës topografike ajo hapësirë ishte e pabanuar, kështu që këta do ta kenë ngritur vendbanimin në këtë pyll të virgjër pasi është bërë harta. Shtëpizat ishin ndërtuar mbi një ngritje të lehtë dheu dhe rreth e qark tyre disa akra toke të pastruara dukeshin si plagë të xhvokshura në hapësirën e paanë të pyllit të gjelbër që valëzonte për milje të tëra si një oqean gjethnaje.
Gruaja i bëri një shenjë të lehtë vajzës, duke i dhënë asaj leje për të dalë. Unë mbajta frymën. Ajo ishte e hollë, me flokët të zëza korb, me zy të zinj, të mëdhenj e vezullues që kishin një vështrim të përhershëm pyetës. Sytë e saj mbi mollëzat e ngritura të faqeve kishin një pjerrje të lehtë e unë po vrisja mendjen në se tek gjyshrit e saj mund të kishte gjurmë të gjakut Indian.
Poli i foli vajzës butësisht dhe ajo u kthye në drejtim të zërit të tij me një shprehjë kureshtare. Por ndërkohë që mund të dëgjonte, nuk dukej aspak se kuptonte, bile edhe pasi Poli i foli në frëngjisht. Atëhere nëna përdori shënja për të na thënë se edhe vajza ishte gjithashtu memece .
Me anën e shenjave, Poli arriti t’u spjegonte se ne donim diçka për të ngrënë. Ditë me radhë isha zgjuar me vizionin e vezëve të freskëta, të proshutës dhe në të vërtetë më duhej të kënaqëesha me peshk, me bukë të pjekur në tigan dhe çaj të fortë.
Gruaja buzëqeshi, tundi kokën dhe na ftoi të hynim në banesën me dy dhoma, të ndërtuar me lëndë druri të latuara me dorë dhe boshllëqet i kishin mbushur me argjil. Kutërbimi i ajërit të ndenjur të zinte frymën .Dritaret shumë të vogla e të mbyllura fortë gëlonin nga mizat gjysëm të përgjumura. Si dysheme shërbente dheu i ngjeshur dhe një palë duar mjeshtërore u kishin dhënë formë orendive të forta e primitive. I vetmi zbukurim ishte një kryq i rëndomtë i varur në mur .
Kur në fillim pashë pirgun e brumit mbi tavolinë mendova se ishte përgatitur për bukë me stafidhe …….. sepse ‘stafidhet’ fryheshin ashtu. Gruaja fshikulloi mizat nga brumi dhe ne pamë se si ajo me të bijën e ndanë atë dhe i dhanë formë në disa tava të vogla që të bënte ardhjen e fundit .
Flokët e gjatë të vajzës qarkonin një fytyrë ovale që kishte hijeshin e brishtë të Madonës së epokës së rilindjes.Gishtat e hollë e delikat ishin të kuq e të ashpërsuar nga puna dhe krahët ishin të mbuluar nga kafshimet e insekteve, por ajo lëvizte me lehtësinë dhe elegancën e një balerine. Çfarë vendi kishte gjetur për të lulëzuar kjo lule e bukur dhe e egër, mendoja unë duke e përfytyruar vehten bashkë me të në një festë mes shokësh.
‘Përsë jetojnë në një vend si ky ?’ pyeta unë Polin.
‘Sepse janë nga ata lloj njerëzish që janë të etur për të patur një tokë të tyre.’ spjegoi ai.’ Në fillim ata marrin një ndihmë nga qeveria për shumë akra të tilla, pastaj harxhojnë vite duke thyer kurrizin këndej – shumë shpesh edhe zemrën – duke u munduar që nga gjithë kjo egërsi ,të xhvasin një fermë të vogël. Vajza dukej sikur nuk dëgjonte kur ne bisedonim, por unë e pashë atë se si mblidhte lehtë vetullat gjatë tingëllimit të asaj gjuhe të panjohur për të. Sa herë ndodhte që sytë tanë takoheshin, unë mendoja se zbulova një vështrim të zjarrtë e të përmallshëm nëpërmjët të të cilit sikur më thoshte se dëshironte të merrte pjesë në bisedë.
Ajo po zbukuronte tavolinën me copëza të ndryshme fajance kur dera u errësua dhe një burrë shpatullgjerë e me qafë si të demit hyri brenda. Ai shtangu kur na pa neve dhe me shpejtësi kërkoi sytë e gruas së tij. Ajo i buzëqeshi duke e qetësuar dhe gishtat e tyre filluan të valviten në një shkëmbim të shpejtë shenjash gjuhësore. Poli i foli burrit, por ai ishte duke vështruar duartë e gruas së tij dhe nuk i kushtoi asnjë vëmendje .
‘Ata janë të dy shurdh-memec.’ thashë unë. ‘Ndoshta kjo e spjegon pse vajza e tyre nuk mund të flasё edhe pse ajo dëgjon. Askush nuk ka mundur t’i mësoj qoftë edhe një fjalë të vetme .
Burri u kthye nga ne me një buzëqeshje ngurruese dhe me ngathtësi na zgjati dorën me kallo që të shtrëngonte si një çark arinjësh. Flokët e tij të rrallë vijëzoheshin nga thinjat dhe fytyra e ashpër e një njeriu që rri më shumë jashtë ishte një rrjetë rrudhash të imta që i ngjasonte më shumë një dorashke të përdorur pa kursim. Shpatullat e tij dukeshin të lodhura nga mundimi për të shkulur trungjet kokëfortë nga dheu i ngjeshur, nga përkulja për të sharruar pjerrtazi, nga mbartja e hunjëve të gardhit dhe nga hapja e vrimave për t’i ngulur, ato sikur kishin marrë një formë kërrusje të përherëshme. Ai me shumë mirësjellje na bëri shenjë të uleshim pranë tavolinës, pas kësaj duke përkulur kokat falnderuan pa zë gruan për ushqimin që kishtë gatuar ……Ne hëngrëm në qetësi … bathë të zjera që notonin në yndyrë në një poçe të madhe prej balte, fleta proshute të dhjamura, copa të trasha buke me kore të trashë të bërë vetë e pas gjithë këtyre si për t’i shplarë, pimë kupa me çaj të fortë i cili ishte i zi e i trashë si melasë ku ne fusnim bukën për t’u ëmbëlsuar .
Familja merrej vesh me anën e një gjuhe të ngatërruar duke përdorur lëvizjet e duarve dhe shprehjet e fytyrës.Herë pas here sytë e mi takoheshin me të vajzës e ajo buzëqeshte lehtë, aspak e lumtur, gjithë trishtim, si një çfajësim i heshtur. Tragjedia e një jete të mbështjellë me heshtje, e mohuar nga mrekullia e muzikës, nga tingujt e zërave njerëzor, ushtronin një ndjenjë therëse mbi mua. Unë isha i sigurtë se vajza njihte vetëm tingujt e egërsirave dhe vrisja mendjen se si ajo do të reagonte me zhurmat që shkakton qyteti.
Kur u ngritëm nga tavolina, Poli vendosi ca para në anë të pjatës së tij. Kur i pa, burri ngrysi vetullat, ndërsa e shoqja shqeu sytë e gati sa nuk iu zu fryma. Pastaj ai tundi kokën, buzëqeshi dhe bëri me shenjë për të treguar se ne ishim miqtë e tyre dhe nuk ishte i nevojshëm asnjë lloj shpërblimi. Duke mos dashur t’i ofendonte, Poli me gjysëm zemre i mori paratë mbrapsht .
Sytë e gruas befas u mbushën me lot, të hidhur por të përmbajtur, dhe unë kuptova se ky fat i papritur e sado i vogël, për të donte të thoshte shumë – ndoshta ca metra cohë për të bërë një fustan për vehte e për vajzën. Ajo u largua e filloi të lante pjatat ndërsa vajza pastroi tavolinën. Ajo më dha me mëdyshje një tjetër buzëqeshje tinëzare, siç ta japin zakonisht fëmijët në shenjë miqësie ..
Shkova jashtë pas burrave, ku u ulëm mbi një trung të gjatë peme që ishtë bërë gati për tu çarë për dru zjarri. Në ajrin shtypës të mbrëmjes ndihej afrimi i bubullimave dhe në jug po grumbulloheshin retë. Heshtja po bëhej pothuajse ogurzezë ndërkohë që muzgu dendësohej dhe xixëllonjat filluan të ndriçojnë atje poshtë tek moçali ku edhe legjeonet e bretkosave kishin nisur korin e tyre të natës. Nga pylli i errët u dëgjua klithja e një kukuvajke dhe një tjetër iu përgjigj nga ana e kënetës ku rëra e pabesë thithëse e bëntë udhëtimin të rrëzikshëm edhe në mes të ditës .
Gruaja rrinte në një stol të ulët tek pragu i derës duke qepur një çorape, ndërsa vajza shkoi me një kovë në dorë të mbushte ujë të ftohtë tek një pellg i vogël që uhqehej nga një burim i nëndheshëm. Burri po gdhendëte një copë dru me një thikë të vogël xhepi, duartë e tij të mëdha lëviznin me një shkathtësi të habitëshme saqë më mahniste. Para se të zbehej drita, në duartë e tij mori formë një kastor në miniaturë rreth tre inç i gjatë. Kur unë po e shikoja gdhendjen me admirim, ai ma ngjeshi atë në dorë dhe më mbylli gishta, për t’më treguar se tani ajo më përkiste mua .
Atëhere gruaja solli aty jashtë një arkë të vogël druri me madhësinë e një kutie këpucësh, kapaku dhe anët e së cilës ishin zbukuruar me lule të gdhendura, zogj dhe insekte. Ajo ndezi një qiri, hapi kutinë ku u çfaqën disa kafshë të vogla të gdhendura në dru, të cilat ngjanin si të gjalla saqë po të lëviznin unë nuk do të habitesha.
‘Në vënd që të thyejë kurrizin këtu nëpër shkurre,’ i thashë Polit , ‘ai mund të shesë këto gdhendje në qytet, në dyqanet e dhuratave. Turistët në të vërtetë rendin pas punëve të artizanatit vendas.
Poli mblodhi supet. ‘E ke gabim nëse mendon se këta njerëz nuk janë të lumtur këtu. Ata bëjnë një jetë të rëndë por të thjeshtë, dhe gjithmonë shpresojnë për ditë më të mira. Në qytet, njerëzit me pak pasuri janë gjithmonë përballë atyre që kanë shumë, kështu që tek ata nxjerr krye me lehtësi pakënaqësia dhe trishtimi .’
Ndërsa Poli fliste me qetësi, gjithëçka që kishte lidhje me jetën e tyre të vështirë më linte të kuptoja se tek këta njerëz, puna raskapitëse dhe e pamëshirshme zinte më shumë vend se shpresat dhe lumturia .
‘Lumturia është diçka personale,’ vazhdoi ai, ‘Unë e mendoj atë si diçka të ndritëshme që të del përpara në rrugë, si një copë argjendi, dhe ti do që ta arrish shpejtë,ta kapësh e ta ngresh lartë, t’i gëzohesh asaj, por ajo largohet e largohet dhe ti se arrin dot asnjëherë..’
Vajza u kthye nga burimi dhe në flokët e saj kishte vendosur një lule të egër ngjyrë blu dhe kova me ujë i anonte shpatullën. Këtu ndodhi që unë dëshirova më shumë se kurrë të isha artist në vend të inxhinierit të mjedisit, e të kisha mundësinë që me një laps e një letër të mund të kapja ato linja të mrekullueshme të qafës e të krahëve të saj .
Ajo më hodhi një shikim të çuditshëm e ngulmues që më ndolli një dallgë të zjarrtë për të ditur se çfarë po mendonte ajo. Në këtë çast ajo më dukej po aq misterioze sa edhe hijet që po na rrethonin, ato hije të gjata që hidhnin drurët mbrapa shtëpizes dhe kasolles. Në mënyrë të rrufeshme u bëra i vetëdijshëm për ndodhjen e saj kaq pranë meje e ndërkohë ajo më ofroi një kupë druri të gdhendur të mbushur me ujë të pastër, të ftohtë. Unë e piva në praninë e saj dhe diçka e papritur dhe e pa spjegueshme më përshkoi tej e tej dhe pamundësia për të mos depërtuar dot në velin që na ndante, më bënte të vuaja. Atë natë Poli dhe unë fjetëm në kasolle …. ishte një natë gjatë së cilës bubullimat buçisnin, vetëtimat kërcisnin dhe shiu trokiste mbi çati. I shtrirë mbi kashtën erëmirë, dëgjoja frymëmarrjen e rëndë të Polit, lëvizjet e e ngathta të lopës e të kalit në stallë dhe mendoja për atë vajzë. Rënkimet e gjëmimeve u larguan tutje dhe vendin e tyre e zuri era. I nanurisur nga uji që kullonin çatitë, rashë në gjumë të thellë.
Ishte ende errësirë kur papritur u zgjova ngaqë pranë meje ndjeva një si zhurmë. Në fillim më shkoi mendja tek ndonjë ari endacak. U ngrita me zemrën që më rrihte mbyturazi. Pastaj një dorë më preku në fytyrë e unë u zgjata dhe në fillim ndjeva diçka të fortë, pastaj të butë , pastaj diçka si të mëndafshtë, dhe këta ishin flokët e saj të gjatë.
Ajo u ul në gjunjë pranë meje dhe kur unë me butësi preka me majën e gishtave fytyrën e saj, kuptova se ajo ishte e lagur nga lotët . Vrisja mendjen në se kjo ndodhte ngaqë ajo ishte e vetmuar apo se ishte e trishtuar nga heshtja e padepërtueshme midis nesh. Por fjalët qenë të panevojshme për të spjeguar pse ishte aty. Ajo kishte ardhur sepse donte të zbulonte arësyen e të qënit grua ; Ato që nuk mundi t’i thoshte dot me flalë, ajo ja doli t’i përçojë nxehtësisht me trupin e saj të zhdërvjellët e të fortë. Dhe sapo në qiell errësira filloi të shkrinte, ajo u largua po aq e pandjerë sa edhe siç kishte ardhur .
Kur Poli dhe unë po mblidhnim çantat e shpinës dhe veglat e tjera në kasolle, ai gjeti lulen e egër blu që pati rënë nga flokët e saj. Unë mblodha supet duke bërë gjoja se nuk po e kuptoja atë shkëlqim domethënës të syve të tij. Me mospërfillje të dukëshme unë e hodha lulen tutje pa kujdes. Por kur ai doli përjashta unë e mora nxitimthi dhe e fsheha midis faqeve të një fletoreje shënimesh inxhinierike në çantën time të shpinës .
Vajzën nuk e pashë më as kur hëngrëm mëngjes së bashku me burrin dhe gruan as edhe kur u ndamë me ta duke i falnderuar për mikpritjen e tyre. Para se të ikte, Poli fshehurazi futi ca para poshtë një pjate mbi tavolinë.
Vonë, thellë në pyll kur ne mundoheshim t’u shmangeshim zgjatimeve të tokës baltovinë të cilst shtriheshin brënda pyllit si gishtat e një dore gjigande, m’u duk sikur m’u çfaq fustani i kuq i asaj vajze. Por më zuri frika, sepse Poli mund t’më ngacmonte rreth saj, në se unë do të mbetesha mbrapa tyre. Dhe unë u mundova ta bindja vehten se ajo shkrepëtimë flakëruese ndoshta do të kishte qënë çfaqja e ndonjë zogu flatër – kuq që fluturoi përmes shkurreve. Kur mbrapa nesh u dëgjuan disa të kërcitura degësh të thyera, Poli tha se kishte shumë të ngjarë të ishte ndonjë dre që kishte pritur sa të kalonim ne para se të na ndeshte në rugë .
Gjatë muajve të fundit të univesitetit kishte ditë kur më përvëlonte dëshira të ndjeja edhe njëherë të vetme atë butësinë e mëndafshtë të flokëve të saj mbi faqet dhe buzët e mia, në fillim dëshira ishte mëdyshëse, pastaj e etur dhe ngulmuese. Mora një vendim të prerë që të kthehesha në lirishtën e egër sa më shpejtë që të mundja.
Kësaj të diele, kur po sistemoja një raft me libra të vjetër në çardak, lulja e egër, e tharë, fluturoi lehtë –lehtë në dysheme dhe kur unë u përpoqa ta ngrija ajo u thërrmua çika-çika. Kjo ndodhi trokiti në arsyen e fshehtë të trishtimit që vrudullon thellë brënda sejcilit nga ne, dhe doja që dita të zgjatej pambarim me të gjitha kujtimet e saj të pacënuara … kujtime të përhumbura që rrëshqisnin si rruazat në gishtrinjtë e një pendestari.
Puna e parë që gjeta pas diplomimit më pati penguar të shkoja për të parë edhe njëherë atë vajzë. Dy vjet pas kësaj takova Poli Merçandin. Duke pirë një kafe ai më tregoi se në fillim të kësaj vere kishte kaluar andej nga ferma e vogël. Burri e kishte çuar tek një çeltinë ngushtë pranë burimit, ku me krenari të dukëshme i kishte treguar një kryq të bukur druri që e kishte gdhendur për të bijën. Nga gjestet e tij Poli kishte kuptuar se atë ditë që ne u larguam, vajza nuk ishte kthyer më në shtëpi. Prindërit kërkuan për dy ditë dhe më në fund e zbuluan atje ku rëra thithëse e kishte zënë si në kurth dhe e kishte mbytur përfund saj pa mëshirë. Një copë nga fustani i kuq që kishte mbetur në një degë të thyer gjatë përpjekjeve të saj për të shpëtuar, ishte kapur nga sytë e mprehtë të të atit. Por atë ditë askush nuk qe ndodhur afër saj për ta shpëtuar, përveç….A mos kishte ndodhur kur ajo vinte pas nesh ? Sa herë mendoja për të, më dilte para syve ajo flakërimë e kuqe përmes hijeve të drurëve atë mëngjes herët….. ajo kërcitje degësh të thyera që Poli kishte thënë se ishte ndonjë dre.
Ai nuk harroi të përmendte se varrin e saj e kishin mbuluar lule të egra blu që sapo kishin çelur.

Përktheu Ruzhdi Totaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.