“Oazi” i letërsisë për fëmijë

Ornela Musabelliu-Kici

Ornela Musabelliu-Kici

“Oazi” i letërsisë për fëmijë

Ornela Musabelliu – Kiçi

– Përsiatje për librin me studime “Profile letrare” të Milaim Nelajt –

Nëse do të hidhnim një vështrim të shpejtë në vitrinat e librarive, syri do të na shëtiste mbi qindra tituj librash të ndryshëm, të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Kjo panoramë na sjell ndër mend bukurinë e mendimit se shqiptarët lexojnë dhe i kushtojnë rëndësinë e duhur ushqimit shpirtëror dhe mendor. Dhe dua ta besoj vërtetë këtë. Por, si gjithmonë, çdo gjë ka dhe anën e errët të medaljes. Përse e them këtë? Sepse është për të ardhur keq që në këtë mal të madh titujsh dhe autorësh evidentohet lehtësisht mungesa e librave kritikë dhe studimorë, sidomos të atyre që trajtojnë letërsinë për fëmijë. Tek-tuk është botuar ndonjë shkrim në periodikët e shtypit, por vetëm kaq. Të krijohet përshtypja se “vulën” e letërsisë tashmë e mbajnë vetëm librat që trajtojnë tematika dhe histori për të rritur. Për “binjaken” e saj, letërsinë për fëmijë duket sikur nuk kujtohet më askush, ndonëse ajo konsiderohet si një ndër gjinitë më të lexuara. Në raport me letërsinë për të rritur ajo ka mbetur më pak e vlerësuar pa përjashtuar këtu edhe autoritet shtetërore. Është e pafalshme që prej shumë kohësh edhe studiuesit letrarë kanë davaritur dhe strukur vëmendjen ndaj kësaj letërsie në skutën më të errët të harresës.
Si për t’i bërë sfidë dhe rezistencë harrimit dhe si për të thyer akullin, në dorën e lexuesit vjen botimi “Profile letrare” i autorit Milaim Nelaj, me studime dhe kritikë letrare për disa nga figurat më të njohura dhe të spikatura të letërsisë për fëmijë. Mjafton të shfletojmë 158 faqet e këtij libri, hedhur për shtyp nga shtëpia botuese “OMSKA-1”, dhe në dispozicionin tonë vihen profilet letrare të njëzet shkrimtarëve, nga gjitha trojet shqiptare. Nelaj nuk ndalet vetëm te elementet kryesore të formës dhe te mesazhet kryesore të veprave, por ai nuk ngurron te kapë e të zbërthej detaje e imtësi shprehëse e domethënëse.
Si studiues dhe kritik letrar, Milaim Nelaj vihet në kërkim të gjurmëve të librave më të spikatur të autorëve dhe, për më tepër, theksin e studimeve të tij e vë në titujt që janë nderuar me çmime të ndryshme, si “Penda e argjendtë”, të konkurseve të Shoqatës Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj etj. Ai i analizon librat me kujdes e përgjegjësi, me saktësi terminologjike dhe përkushtim të lavdërueshëm, por, kur e sheh të nevojshme, nuk harron të përmendë dhe detaje rreth jetës së tyre. Me një gjuhë të thjeshtë, Nelaj ka gdhendur portretet e shumë prej autorëve që dhanë ndihmesë për zhvillimin dhe konsolidimin e letërsisë për fëmijë. Serioziteti dhe pjekuria e punës së tij të frytshme është vërtetë për t’u përgëzuar, pasi na sjell në vëmendje dukuritë letrare dhe vlerat e këtyre shkrimtarëve, por jo duke u bërë pre e elozheve apo lëvdatave tëkota. Nuk mungon në këtë libër edhe ndonjë “tërheqje veshi” për ndonjë “patetizëm” të hasur në emra të veçantë, por autori e trajton këtë dukuri si diçka të pashmangshme, sidomos ne librat me temë historike.
Në lëmin shumëngjyrësh të studimeve, trajtohet me kujdes e mjeshtëri “kopshti i bukur” i vjershave dhe përrallave të Adelina Mamaqit, një ndër emrat e parë femërorë, por shumë të talentuar të letërsisë për fëmijë. Adelina Mamaqi i ka lëvruar pothuajse të gjitha zhanret e letërsisë për fëmijë dhe në fondin e saj krijues tashmë numërohen mbi 30 libra, disa prej të cilëve janë vlerësuar me çmime në konkurset letrare kombëtare për fëmijë. Nga krijimtaria e gjerë dhe e bukur e Mamaqit, autori Nelaj një rëndësi të veçantë i kushton përmbledhjes me vjersha “Mësoi Adi shkronjën “A””, që është një ribotim i vitit 2001. Ai e cilëson si një nga përmbledhjet më të goditura të autores, pasi aty janë shpalosur shumë nga vjershat më të mira ndër vite, të shkruara me dashuri dhe ngrohtësi për fëmijët e vegjël. Ai i cilëson si poezi të thjeshta, me vargje që rimojnë e tingëllojnë bukur, duke përcjellë kështu një kënaqësi të veçantë estetike te lexuesit e vegjël. Nelaj veçon edhe rrëfimin në përrallat e Mamaqit, të cilat janë me subjekte të thjeshta dhe interesante, dallohen për nivelin artistik, moralin dhe mesazhin që përcjellin, si dhe për vlerat didaktike dhe edukative që bartin.
Pokështu, nga oazi i letërsisë fëminore autori i librit shkëput vlerat e krijimtarisë së pasur letrare të Agim Devës, autorit të mirënjohur kosovar, i cili u nda nga jeta vetëm pak ditë më parë. Ai la pas vetes një galeri të madhe veprash dhe personazhesh, disa prej të cilave kanë qenë dhe objekt studimi për Nelajn. Në skicimin e portretit artistik të Devës, studiuesi vlerëson mjaft stilin e veçantë, tematikën që ka zgjedhur, problematikën, pasurinë gjuhësore, që për të shkrijnë kufijtë kulturorë. Zanafilla e krijimtarisë së Devës shënjon fundin e viteve ’60-të, kur ai boton librin e parë “Trumbeta e artë”. Nelaj shkëput ndër të tjera edhe librin e fundit “Shitet babai im”, të cilin e cilëson si sintezën e një pune mjaft serioze, mishërim të pjekurisë artistike, që ka nxjerrë në pah një vepër poetike të bukur, të plotë, tërheqëse dhe mjaft emocionale. Në poezitë e Agim Devës pasqyrohet bota e fëmijëve të Kosovës, por nuk mungojnë edhe himnet për shumë heronj të shqipes, që dhanë jetën për një Kosovë të lirë e të pavarur. Këto janë shprehur mjaft bukur nëpërmjet një ngarkese emocionale, e cila përcillet prej notave epike dhe dramatike të shumë prej veprave të tij. Gjithashtu, Nelaj veçon strofat klasike, tradicionale: dy, tre, katër dhe gjashtëvargëshe, me rimë, ritëm e intonacion tingëllues, po ku spikatin dhe figurat letrare, si: metaforat, krahasimet, epitetet, simbolet, apostrofat etj., të cilat, të ndërthurura mjeshtërisht me intuitën e hollë të autorit, janë vënë në shërbim të idesë e motivit që trajtohet. Të gjitha këto elemente kanë sjellë një poezi të bukur dhe tërheqëse për fëmijët.
Format e reja artistike në romanet e Astrit Bishqemit, autori i përcjell nëpërmjet studimit të tij serioz. Në krijimtarinë e pasur dhe të larmishme letrare, gati 40-vjeçare, të shkrimtarit elbasanlli, evidentohet pasioni, prirja dhe talenti për të shkruar kryesisht prozë, por pa veçuar edhe elementin poetik që përshkruan disa prej veprave të tij. Vlen të përmendet karakteri fantastiko-shkencor i shumë prej librave të autorit, të cilat zënë një vend të padiskutueshëm në fondin e letërsisë për fëmijë. Kozmosi, bota e nënujit, dukuritë e ndryshme natyrore e shoqërore janë më së shumti ato që mbizotërojnë në penën e shkrimtarit Astrit Bishqemi. Harrohet të përmendet gjatë këtij studimi se mbi emrin e Bishqemit lakohen mbi 200 tregime e rrëfenja, ndër të cilat spikasin edhe 35 tituj, vëllime letrare, si ato me tregime, novela e romane, pa përmendur këtu mbi 12 shqipërime të shkrimtarëve të mëdhenj botëror për fëmijë, si Xhani Rodari, Leit Saueruein, Maria-Helene Derval, Maria Markone, Zhak Derval e të tjerë. Shkrimtari Astrit Bishqemi është fitues i disa çmimeve kombëtare në letërsinë për fëmijë.
Dhjetë faqe të librit të tij studimor, autori ia kushton krijimtarisë së gjerë dhe të shumanshme të shkrimtarit Gaqo Bushaka, krijimtari mbi të cilën, shprehet autori, duhet të bëhet një studim monografik. Nelaj trajton prozën fantastike dhe humoristike të “babait” të Çufos dhe Bubit kaçurrel, të cilat karakterizohen nga një humor i hollë, i këndshëm, që më së shumti vërehet te triologjia “Aventurat e Çufos”. Vlerësohet fakti që humori i Bushakës është sa frymëzues, aq edhe edukues. Veçori dalluese e veprave të tij është përqasja dhe kalimi tangjent që i bëhet rrëfimit të bukur të pasuruar me figura letrare e përshkrime artistike dhe dialogut. Kjo duket se është një pikë e fortë e përrallave dhe rrëfimeve të tij, të cilat e joshin më tepër lexuesin e vogël dhe e bëjnë atë më këmbëngulës ndaj shfletimit të librit deri në faqen e fundit.
Trajtohet gjerësisht në këtë libër edhe bota letrare dhe tregimet realiste të Isuf Nelajt, individualiteti krijues dhe i spikatur i Odhise Grillos, profili letrar dhe romani historik i Sazan Golikut, dashuria që u dhurua nëpërmjet librave nga shkrimtari Rifat Kukaj, temat bashkëkohore në prozën për fëmijë dhe të rinj të Viktor Canosinaj, humori dhe vlerat edukative të Skënder Haskos, zëri i veçantë në krijimtarinë e Sokol Jakovës, metafora e Shkëlzen Zallit, vlerat dhe veprat e autorit nga Drenica, Ymer Elshani etj.
Nuk harrohet të përmenden edhe detaje të bukura ose të dhimbshme nga jeta e autorëve, emri i të cilëve tashmë është skicuarfortnëfondin e artë të letërsisë për fëmijë. Kështu, për shembull, autori na rrëfen fatin tragjik të Ymer Elshanit, birit të Kosovës, të cilit, pasi paramilitarët serbë i masakruan gruan dhe katër fëmijët, e vranë edhe atë vetë, duke ia ndërprerë në mes krijimtarinë dhe jetën. Një ditë më pas, njëqind metra larg shtëpisë, i vrasin dhe nënën, e cila nuk kishte dijeni për masakrën që i kishte ndodhur familjes së të birit. Kjo tragjedi këputi fillin e zëshëm të krijimtarisë së atdhetarit kosovar, i cili për gati tri dekada u lakua gjerë e gjatë në shtypin e kohës. Ai kultivoi me kujdes dhe sukses prozën e shkurtër, pa lënë mënjanë edhe romanin, të cilat si veçori dalluese të tyre kishin elementin intrigues dhe shpirtin e aventurës. Elshani njihet si mjeshtër i gërshetimit të portretit të jashtëm me botën shpirtërore të personazheve, të cilët përshkruhen bukur mes epitetesh dhe metaforash të goditura. Tematika e librave të tij është e larmishme dhe kanë zgjuar gjithmonë kureshtjen dhe kënaqësinë te lexuesit. Ky emër i madh do t’i mungojë shumë pasurimit të mëtejshëm të odeonit të letërsisë për fëmijë.
Autori Milaim Nelaj, pas disa tentativave që ka bërë në shtypin e kohës me shkrime studimore për ndërgjegjësimin e vëmendjes ndaj letërsisë për fëmijë, me këtë libër ka sjellë ndihmesë të vlefshme qe duhet përgëzuar. Duke pasur parasysh edhe aspektin pedagogjik në shtjellimin e lëndes, autori jo vetëm pasuron bibliotekën e studimeve letrare shqiptare, por mund të përdoret fare mirë nga shkollat 9-vjeçare në ndihmë të procesit të mësimdhënies.
Shkrimtarët që analizohen në këtë libër janë kryesisht veteranët e letërsisë për fëmijë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Mendoj se në një libër të dytë ai duhet të trajtojë veprat e krijuesve të shquar të letërsisë së re për fëmijë, siç janë: Qamil Guranjaku, Mark Krasniqi, Spiro Çomora, Teofik Gjyli, Moisi Zaloshnja, Qamil Batalli, Naum Prifti, por edhe të tjerë, të cilët janë shquar në vitet e mëvonshme në lëvrimin e kësaj letërsie, si: Vehbi Kikaj, Bekim Harxhi, Ali Hurgulica, Bardhyl Xhama, Fejzi Bojku, Ramadan Pasmaçiu, Hamdi Meçaj, Ferit Lama etj.
“FotjonArt” 23 prill 2009

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
Read previous post:
Naum Prifti
O. HENRI – TREGIMTAR ME TIPARE ORIGJINALE

O. HENRI - TREGIMTAR ME TIPARE ORIGJINALE Naum Prifti Shkrimtari amerikan O. Henri hyri në letërsi nëpërmjet tregimit të shkurtër...

Close