PETER PRIFTI

Nga Kozeta  ZYLO

Peter Prifti

Peter Prifti

PETER PRIFTI

Prof. Peter Prifti është një nga figurat më të shquara të Diasporës shqiptare në Amerikë, është shkrimtari, studjuesi dhe bashkëpunëtori i imzot Fan Nolit, qe i kanë dhënë aq shumë Kombit shqiptar.
Puna e tij studimore dhe akademike ka filluar pikërisht me botimin e studimit: “Kosova në Tronditje”, qysh në vitin 1969, që bëri përshtypje ndër intelektualët e Amerikës. Në bashkëpunimin me Nolin ai shkruan: …Gjatë intervistës Noli tha se ai e konsideronte anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (më 1920) si fitoren më të madhe në veprimtarinë e tij kombëtare, ndërsa trishtimi i tij më i madh ishte largimi nga Shqipëria (më 1924), sepse – sikundër u shpreh ai – “ajo i dha fund punës sime në Atdhe”.

Kur keni ardhur në Amerikë dhe si e përjetuat ndarjen me Atdheun?

Unë erdha në Amerikë më 1940 për të banuar me atin tim dhe vëllanë e madh në Philadelphia, Pennsylvania. Unë isha atëhere 15 vjeç, një moshë delikate, dhe ndarja nga familja dhe të afërmit, si gjithmonë në raste të tillë, ishte e dhimbshme.

Cili ka qënë bashkëpunimi juaj me Imzot Fan Nolin dhe Vatrën?

Me Imzot Fan Nolin unë u njoha pasi ika nga Philadelphia dhe u vendosa në Boston, për të punuar në zyrën e Vatrës si sekretar i federatës dhe si bashkë-redaktor i gazetës “Dielli” me Qerim Panaritin (G. M. Panarity). Ishte viti 1958. Noli në atë kohë ishte Kryetar Nderi i Vatrës, dhe ishte në komunikim të përhershëm me zyrën e Vatrës.
Pata fatin të ndodhesha në praninë e Nolit shumë herë, qoftë në lidhje me punët e Vatrës, qoftë në Kryekishën Shën Gjergji ku ai meshonte nga koha në kohë, po ashtu dhe në mbledhjet që bënin shqiptarët e Bostonit me rrethet, për të festuar ditë të shënuara të Kombit shqiptar, si Ditën e Flamurit, etj. Takimet me Nolin u dendësuan sidomos në vitin 1959, kur Vatra përgatitej për të festuar 50-vjetorin e “Diellit” dhe Noli ftohej në mbledhjet që bëmë atë vit për t’u këshilluar me të, si dhe për të stimuluar bashkatdhetarët që të merrnin pjesë në ngjarjet e përvjetorit që kishim planifikuar.
Mbaj mend sidomos dy takime që pata me Imzot Nolin: Herën e parë, kur vajta në shtëpinë e tij, në vjeshtën e vitit 1958, për të marrë një intervistë me të (apo “audiencë”, siç e quajta unë). Ishte shumë interesante, jo vetëm për shkak të intervistës, por edhe sepse pata rastin të njihesha personalisht me banesën e Nolit, me mobiljet e shtëpisë, me bibliotekën e tij, me mjedisin. Gjatë intervistës Noli tha se ai e konsideronte anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (më 1920) si fitoren më të madhe në veprimtarinë e tij kombëtare, ndërsa trishtimi i tij më i madh ishte largimi nga Shqipëria (më 1924), sepse – sikundër u shpreh ai – “ajo i dha fund punës sime në atdhe”. Këto fjalë të Nolit më bënë përshtypje më shumë se çdo gjë tjetër nga intervista. Herën e dytë e takova në shtëpi i shoqëruar nga një shoku im, Peter Vangel. Ishte viti 1960 dhe unë, si sekretar i Vatrës, isha duke organizuar Seminarin e Parë të Studimeve Shqiptare në historinë e Federatës. Peter dhe unë shkuam te Noli për ta ftuar që të merrte pjesë në seminarin si folës mbi ndonjë temë shkencore, sipas dëshirës së tij. Noli erdhi në seminarin dhe e bëri për vete gjendjen me fjalimin që mbajti për Skënderbeun.

A keni pasur lidhje të tjera me intelektualë shqiptarë dhe veçanërisht me gratë intelektuale, ku një ndër to është dhe Prof. Safete Juka?

Po. Unë e kam për nder të them se kam patur lidhje me intelektualë si Arshi Pipa, Sami Repishti, Nicholas Pano, Stavro Skendi, Elez Biberaj, Gjon Sinishta, si dhe me Prof. Safete Juka. Më vonë, hyra në marrëdhënie shkencore ose letrare me bashkatdhetarë të tjerë që emigruan në Amerikë, sidomos me shkrimtarin e njohur Naum Prifti. Ai më ka dhënë një ndihmë të veçantë në lidhje me përgatitjen e dorëshkrimeve të librave që kam botuar gjatë 10 – 12 viteve të fundit. Me të gjithë këta kam patur korrespondencë dhe kam bashkëpunuar në fusha të ndryshme, nga të cilat kryesore ishin çështja e Kosovës, demokratizimi i qeverisë shqiptare, dhe studime për historinë dhe letërsinë shqiptare.
Me Prof. S. Juka u takova në Konferencën Ndërkombtare për Kosovën (“International Conference on Kosova”), që u mbajt në City University of New York, më 6 nëntor 1982. Ajo bëri studime origjinale për të sqaruar problemin e Kosovës para opinionit publik ndërkombëtar. Më vonë unë botova një recensim të librit të saj, The Albanians in Yugoslavia in Light of Historical Documents.
Mund të them se kam përfituar shumë nga intelektualët e diasporës shqiptare në Amerikë. Marrëdhëniet e ngushta me ta kanë qënë ndihmë e frymëzim për mua.

Ju keni mbaruar studimet per bakaloreatën në Penn State University, një ndër universitetet e njohur në Amerikë. Çfarë kujtoni nga ky universitet në Pennsylvania?

Kujtimet e mia për Penn State University janë mjaft të lashta , pas gati 60 vjetëve, qëkur u diplomova në degën “Arts & Letters” më 1949. Një nga kujtimet më të bukura është ai i peisazhit rreth e përqark “kampusit”, që është shumë tërheqës me panorama madhështore të natyrës, dhe me një mjedis ekologjik të pastër. Më kujtohet gjithashtu se universiteti ishte shumë i fortë nga ana sportive, sidomos me ekipin e futbollit. Por mbi të gjitha, unë ruaj kujtime të veçanta për profesorët e mi, jo vetëm si pedagogë, por edhe si njerëz, si individë me tiparet e ndryshme të karakterit që kishin.
Ka të ngjarë që unë të kem qënë i pari shqiptar që u regjistrova dhe u diplomova nga Penn State. Sidoqoftë, për ata që nuk e dinë, dëshiroj të vë në dukje se sot gjendet atje një zonjushe shqiptare e quajtur Valbona, bija e Qemal Zylos me banesë në New York. Valbona jep mësime si profesore, dhe njëkohësisht ndjek studimet për doktoraturën. Domethënë, ajo ka shkuar nja dy-tre hapa më larg se unë, kur isha student në Penn State.

Në kërkimet e mia në Google, në Internet, për t’i dhënë publikut shqiptar dhe më gjerë një intervistë sa më të plotë për portretin tuaj, gjeta një sërë librash të publikuara në Amazon.com. Cilin libër keni më shumë për zemër?

Në të vërtetë, unë kam për zemër tre nga librat që kam botuar, por për arsye të ndryshme: Socialist Albania Since 1944 (1978), sepse ky është libri im i parë; Confrontation in Kosova: The Albanian-Serb Struggle, 1969-1999 (1999), sepse ky ka të bëjë me një çështje jetike për kombin shqiptar; pra, me përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për të fituar lirinë dhe pavarësinë e tyre nga Serbia; dhe libri i tretë, Mozaik shqiptar (2003), nga që ky është i vetmi libër që kam botuar në gjuhën amtare, dhe si i tillë zë një vend të veçantë në krijimtarinë time.

Në vitin 1978 keni publikuar librin Socialist Albania Since 1944 (Shqipëria Socialiste që nga viti 1944). Si është pritur nga publiku amerikan ky libër dhe cilat ishin reagimet nga shteti shqiptar?

Ky libër u prit mirë si nga lexuesit e thjeshtë, ashtu dhe nga specialistët apo ekspertët në lëmin e shkencës politike. Reagimet ishin pozitive pothuaj pa përjashtim. Arsyeja kryesore ishte se deri atëhere, librat që ishin botuar për Shqipërinë Socialiste, si nga të huajt ashtu dhe nga shqiptarët, nuk mbanin qëndrim vërtet shkencor. Në përgjithësi, ata mbanin qëndrim të prerë, ose në favor, ose kundër Shqipërisë komuniste; pra ishin të njëanshëm, dhe kjo u ra në sy lexuesve dhe recensistëve amerikanë. Ndërsa në librin tim, unë u përpoqa të nxirja në shesh si anët pozitive, ashtu dhe anët negative të regjimit të Enver Hoxhës. Dhe pikërisht ky qëndrim asnjanas, neutral si me thënë, tërhoqi vëmendjen e lexuesve. Si pasojë, më të shumtët e komplimentave që mora nga lexuesit, bënin fjalë pikërisht për këtë aspekt të librit.
Nga ana tjetër, qëndrimi im objektiv nuk u prit mirë nga shteti i kuq shqiptar. Tirana zyrtare u zemërua kur pa se libri im kishte kritika ndaj regjimit. Ata donin vetëm lëvdata për sistemin e tyre, dhe një vërejtje negative mjaftonte që të hyje në listën e kundërshtarëve ose njerëzve të dyshimtë, nga kendvështrimi i regjimit.

Në vitin 1969 ju keni shkruar studimin Kosovo in Ferment (Kosova në tronditje). Si u prit ai studim nga Perëndimi dhe nga Diaspora shqiptare?

Përgjigjja është “shumë mirë”. Ai ishte studimi im i parë serioz në botën akademike, dhe pati jehonë ndër shtresat intelektuale të Amerikës. Në atë kohë unë punoja në Institutin Teknologjik të Masaçusets (M.I.T.). Me botimin e monografisë, fillova të njihesha nëpër universitetet dhe qendrat shkencore të vendit që interesoheshin për problemin e Kosovës dhe për Shqipërinë.
Monografia u prit mirë dhe nga Diaspora shqiptare. Ai shënoi fillimin e njohjes sime dalëngadalë me intelektualët shqiptarë më të dëgjuar në Amerikë. Ishte pikënisja e një faze të re për mua si shkrimtar dhe si studiues në fushën e studimeve shqiptare.

Libri juaj i fundit që lexova në Amazon.com ka qënë Unfinished Portrait of a Country. Si e keni pasqyruar kulturën shqiptare në këtë libër?

Unë mendoj se kultura shqiptare paraqitet mjaft e pasur në këtë libër. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e lëndës së librit i përket kulturës shqiptare. Ajo pasqyrohet aty me shkrime për figurën e Nolit, midis tyre dhe intervista që mora nga ai kur isha redaktor i Diellit. Aty ka një seksion të tërë me studime dhe kritika letrare, përfshirë dhe një përmbledhje të historisë së letërsisë shqiptare. Mandej, ka disa recensione librash që kanë për temë kulturën shqiptare, si dhe material për besimet popullore të arbëreshëve dhe botën para-kristiane të ilirëve.
Por ndofta lënda më e pasur e librit në lëmin e kulturës janë përkthimet në anglisht nga poezia dhe proza shqipe, përkthime këta që janë botuar faqe-për-faqe me tekstet origjinalë. Është fjala për poema të Naim Frashërit, Nënë Terezës, etj., dhe pjesë nga proza klasike e letërsisë shqipe.

Një nga përkthimet tuaja që më ka lënë mbresa më shumë dhe që personalisht e kam më të lehtë për t’jua dhënë kolegëve amerikanë si lexim për kulturën shqiptare, është poema e Vaso Pashës “O Moj Shqypni”. Kur e keni përkthyer dhe pse?

Vjershën e Vaso Pashës e përktheva në vitin 1980. E përktheva sepse ajo ka vlera të shquara historike dhe letrare. Ajo u hartua dhe u botua më 1878; pra, në vitin që u themelua Lidhja e Prizrenit, pikënisja e lëvizjes për pavarësinë e Shqipërisë nga Turqia.

Veç kësaj, vjersha është ndërtuar bukur, si një dramë e vogël me disa akte, dhe duke e lexuar të prek dhe të frymëzon, sidomos përfundimi që ka karakterin e një vepre epike. Ajo është nga ato vjersha që nuk harrohen.

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë me poetin e mirënjohur, President Z. Gjekë Marinaj, ka nderin që t’ju ketë anëtar të saj. Si ndiheni midis shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë?

Fare mirë. Shoqata ka mbledhur në gjirin e saj shkrimtarë të vjetër e të rinj. Mua më kujtohet veçanërisht konferenca e shoqatës që u mbajt në Dallas, Teksas më 2005. Ajo më dha rast të takohesha dhe të bisedoja me shkrimtarë të cilët deri atëhere unë i dija vetëm me emër. Njohja nga afër me ta ishte kënaqësi dhe nder për mua.
Shtoj këtu se me themeluesin e shoqatës, z. Gjekë Marinaj, unë u njoha dhe u miqësova më se dhjetë vjet të shkuar, kur ai banonte në San Diego, dhe që atëhere kemi mbajtur lidhje të ngushta me njeri tjetrin.

Çfarë mendime keni në lidhje me disidencën e letërsisë shqiptare?

Disidentët janë pjellë e natyrshme e realitetit politik të diktaturës në Shqipëri. Unë kam simpati për disidentët e sinqertë që u bënë viktima të monizmit, dhe tash reklamojnë vuajtjet e tyre nëpërmjet shtypit, librave dhe me mënyra të tjera. Ata kanë plot të drejtë të kërkojnë nga shteti shqiptar që të marrë masat e duhura për të gjykuar dhe dënuar njerëzit që u bënë vegla të diktaturës për të shtypur bashkatdhetarët e tyre të pafajshëm.
Shkrimtarët disidentë meritojnë jo vetëm simpatinë, por edhe solidaritetin e komunitetit shqiptar në Amerikë, në përpjekjet e tyre për të bindur udhëheqësit e Shqipërisë se e kanë për detyrë të tunden e të shkunden për të mbyllur sa më shpejt këtë faqe të zezë në historinë e kombit shqiptar.
Për mendimin tim, simboli i dramës së disidentëve në Amerikë sot është Dr. Sami Repishti, pedagog, shkrimtar dhe aktivist i respektuar në fushën e të drejtave njerëzore; madje dhe viktim e regjimit monist. Puna e tij disa-vjeçare, si dhe ajo e kolegëve dhe shokëve të tij, për rigjenerimin shpirtëror të shtetit dhe shoqërisë shqiptare, meriton përkrahjen e plotë të diasporës sonë. Zgjidhja me nder e drejtësi i këtij problemi, si rezultat i angazhimit të shqiptarëve të Amerikës, do të jetë një fitore e shkëlqyer për ta, si dhe një fitore historike për Shqipërinë.

Ju falemnderit për intervistën!

San Diego, Kalifornia

Dhjetor, 2007

FotjonArt”, 23 Janar 2008

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
More in amerike, diaspore, kozeta, kozeta zylo, peter, Peter prifti, prifti, shqiptare
Aferdita Laci
KANARINA E KËNGËS SHQIPTARE

Pierre P. SIMSIA Shumëkush e kanë quajtur kanarina e këngës shqiptare, shumëkush e quajnë zëbilbili, shumëkush e quan... Dhe ajo...

Close