POEMË E KRYER ME SHPIRT

Faruk Myrtaj

Faruk Myrtaj

POEMË E KRYER ME SHPIRT…

Nga Faruk MYRTAJ

Poema “Epiri pasthirrmë Jugu” është krijimi më i ri poetik i Pirro Lolit. Është, padyshim, poemë e kryer me shpirt, me dhimbje, me art fjale dhe me dëshirë për të Urdhëruar Paqe e Dashuri…
Bariu i Coelho-s është Zoti, gjithnjë duke kërkuar prej Njeriut të gjejë Veten, përmes dashurisë, njohjes, pranimit, udhëtimit, arritjes për atje ku do duhej të shkonte medoemos në kërkim të një legjende: fatit të tij… Ka shkretëtirë udha, ka luftëra, por kur nisesh, gjithë bota të ndihmon të realizosh vetveten!
Atje ku Loli është thjesht Unë – Vetja – Individi, poema është si lumi i vizatuar në të; arti rrjedh e tingëllon natyrshëm, edhe më i bukur e përtej-kufitar është atje ku thirren në ndihmë Paqëtues – individë të tjerë prej fqinjëve: dashuria bëhet e plotë, e vërtetë, siç e kërkon vetë uni poetik në poemë dhe Loli shfaqet PIRRO, krahas Elitit, Ricosit etj. Ballkani bëhet ballkon i Europës… Ai Ballkan që, realisht, pas këtyre gjendjeve, fare lehtë mund të vështrohej si Gadishulli i mëvetësishëm, si pjesa që i ka shkaktuar probleme deri edhe “Zotit që gjithnjë vinte vonë, duke çaluar…” Mrekullueshëm! Një varg që i thotë të tëra por, sidosi, të tërë do të donim t’i këputnim prangat e pafuqisë së shprehjes e të shtonim diçka nga vetja jonë…
Por, mu këtu, mbase duke e ditur sesi do ta lexojë këtë poemë poeti tjetër, shkrimtari, bashkatdhetari a shqipot e tjerë, afër ose larg tokës epirote, atëbotë kur Loli e shmang Pirron dhe kërkon ta bëjë e ta mbrojë e ta zbukurojë e ngadhënjejë Atdheun, me historinë, me kohën e kufijtë dikur… mu atëherë pra, pa e marrë vesh, ne ngjajmë me fqinjët, natyrisht jo në atë përmasë, por fqinjë të fqinjëve mbetemi…!
Ndaj, në ndonjë fjalë a varg, në ndonjë pjesë a copëz, nuk do të duhej aq shumë histori e drejtpërdrejtë, se kam droje se ajo e lodh ndjesinë emocionale dhe estetike. Figurat e mrekullueshme letrare, simbolet e krijuara nga artisti ndodh të bëhen edhe më të bukura se ato kombëtare, afrimi që sjell arti mund të zëvendësojë menjëherë nevojën e mbledhjes së parlamenteve për të hequr ligjin e luftës… Dhe një keqardhje me kockat, eshtrat, do ta bënte të panevojshme mbjelljen e tyre për të tjera pasoja më pas…
Kur shkruaj kështu, kam parasysh veten, absolutisht veten: kështu ndodh edhe me mua: më fiksohet Dikush, shtiranak, për shembull, aspak disident, dhe nuk i iki që s’i iki dot Hijes së tij! Më duket se francezët, të gjithë dhe në të gjitha kohët, ia kanë me hile shqiptarëve, kur kjo natyrisht që s’është as e drejtë, as e vërtetë, por edhe sikur të jetë, askujt nuk i hyn në punë…!

Nga lufta s’pati fitimtarëVeç Troja dhe Epiri djegurDhe lisa të lartë
prerë nga të dyja anët…

Ku ka më bukur se kaq, konak me poetët e mëdhenj fqinjë, çdo lexues Bote do prekej nga kjo, qoftë dhe duke gjetur analogët e tyre, se kudo Ballkan është, mëton të na thotë poeti Pirro, tjetër se si Epiri i Tij zor se gjen në këtë dynja! Por edhe grekët janë dakord me këtë, duan s’duan, edhe kur s’janë dakord me historinë e sotme… dhe mbase ky është misioni i madh dhe i përjetshëm i artit: sa më shumë dashuri mes njerëzish…
Po ku, ku janë /Falltarët, profetët e poetët e Eladhës…
Artistikisht dhimbshëm, dhe menjëherë pas kësaj vjen natyrshëm “po ti e fshehe…”! S’ka akuzë më të rëndë, por është lufta mes Tyre, jo e jotja me Ta… Poeti ynë është në anën e poetëve të tyre, sepse ata kanë qenë në krah të njeriut… Këtu është Pirro Loli i Madh, dhe Epiri bëhet i tij, edhe sikur ata të Kryeministrisë, dje dhe sot dhe nesër-dej të belbëzojnë e të përulen!
E më tej:
Ju e braktisët demokracinë e Platonit, luksi u joshÇ’e doni mbushur kasafortën e shtetit
Më madhështore ajo duket bosh!
[Nuk isha aspak dakord me Ismailin, (Kadarenë) kur refuzoi vajtjen në Athinë para një a dy vjetësh. Pse, për ca deklarime të politikanëve, në mos gaboj! Po ti je shkrimtar Bote, o njeri, shko atje dhe fol, thuaji ato gjëra që mbeten pa thënë… po refuzove vajtjen…!]
Në djall vafshin Legjendat, kur e lënë njeriun e thjeshtë me sy nga kufiri! E çfarë është kufiri, kur brenda apo jashtë tij, njerëzit ndjehen në burg? Dhe mendo pastaj kur fqinjët i kanë poetët e këngën sa më të përbashkët, kur rënia e Greqisë ju dhemb edhe lexuesve e sivëllezërve shqiptarë të Elitisit e Seferisit…! Është edhe bukuri, edhe mëmëdhetarizëm, edhe fqinjësi që vetëm të këqija nuk sjell…
Në një poemë–pasthirrmë si kjo, poeti vë klithmën e Epirit në vargje, pak të thuash, të mrekullueshme:
Kërkova drejtësi dhe e gjeta vetëm Te vesa e barit, te bimët…
dhe diku tjetër, po aq mahnitshëm, si poet i plotëruar:
Ylli i çlirimit tënd jam unë, nga kthetrat e asaj ëndrre të ligë
Një kokërr mollë ka ngelur/ Një kokërr mollë në degën e tharë
Çlirohu nga unë.
apo edhe me botërisht, me art të perceptueshëm prej kujtdo që di historinë dhe artin antik dhe beson se Olimpi sillte paqe:
Përsëri përmendësh do ta mësojmë Iliadën…
Nuk ka shumë vargje kaq unikalë, të fuqishëm, dashurorë me jetën, të fisnikëruar me predikimin për humanizëm e art të përjetshëm. Prandaj nuk besoj se i shtojmë gjë artit, kur rrëfejmë patriotin e mëmëdhetarin mes vargjesh… E çfarë se e demaskuam Mavi-në e mavijtë dhe kujtuam varret e kokat e prera të viktimave, – ndër më të pafajshmit dhe të mbetur në hije – të çamëve të Bilal Xhaferit, të cilin, edhe pse u duhej ta sillnin nga Amerika ku e vranë, e nisën drejtpërdrejt për në Sarandë, në provincë, sipas tyre – se ata nuk e menduan se ai atje donte, vajtjen në Jug!
Kur mendon këto gjëra, të pacipa, s’ka sesi të mos e bërtasim patriotin, dhe sugjerimet për “thjesht art” janë… një fjalë goje, e di!
Prej këndej, ku jam degdisur, e shtoj ndonjë koment në shkrimet e gazetave shqiptare, për varret e kujat e Trojës e allishverishet e pulitikajve pa portokalle… se ky është njeriu, këta jemi ne…
Por unë e kam fjalën për Pirron, atë që ngjeth mishrat e shpirtrat me fjalën e qëmtuar për mozaikun e Epirit shqiptar:
Më lodhi heroi, historia dhe legjenda/O zot, besomë/Unë jam zvogëluar, zvogëluar shumë
dhe nuk dal në mes të rrugës për role makbethiane/megjithëse tragjeditë i kam më të mëdha…
Ja, këto gjendje – dhe ngjyrat, të gjitha ngjyrat, që janë kudo në poemën “Epiri, pasthirrmë Jugu” – më bëjnë ta pëlqej e ta shpërndaj në miq të tjerë… Por edhe sikur vetëm tek një njeri i vetëm të arrijë kjo përkorje fjale e ndjenje poeti Pirro Loli është në rregull me Babazotin e poeteve:
Homeri e mori në krah statujën/U ul këmbëkryq para portës së Trojës/dhe qau me lot të verbër.

Toronto, Kanada

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
Read previous post:
Albert Zholi
PIRRO LOLI SHKRIMTARI DHE POETI I HESHTUR I VLERAVE LETRARE

Bisedoi Albert Zholi Shkrimtari dhe poeti i mirënjohur Pirro Loli gjithmonë e më tepër po tërheq vëmendjen e kritikes dhe...

Close