Poetë shqiptaro-amerikanë mblidhen në një antologji

 

Qazim D. Shehu

Qazim D. Shehu

Poetë shqiptaro-amerikanë mblidhen në një antologji

QAZIM D. SHEHU

Poetë shqiptaro-amerikanë mblidhen në një antologji
Marrja në dorë e një libri poetik gjithnjë është një gëzim, po ky gëzim shtohet
veçanërisht kur ky libër udhëton nga larg për të ardhur në duart e lexuesit shqiptar. Dhe s
është një libër dosido, po një libër i ardhur nga poetë shqiptaro-amerikanë, të cilët, duket
se e dërgojnë poezinë si ca letra malli për të afërmit e tyre.

Mërgimtarët e mëdhenj

Emrat e mëdhenj, Noli e Konica, jo vetëm që përbëjnë një krenari të letrave shqipe, por
edhe kur flitet për lëvizjet kulturore të shqiptarëve në Amerikë, kjo s mund të kuptohet
për ta. Autori Dhori Thanasi dhe redaktorja Ilirjana Sulkuqi, i vendos këta emra me
poezitë e tyre në kapitullin e parë të librit, jo vetëm si renditje kohore, por edhe si
prelude, si një hyrje e bukur, madhësia e së cilës duket sikur i shtrin krahët në të gjithë
librin. Mund të quhet e tepërt të flasësh për këto dy figura, aq sa quhet edhe e nevojshme
rikthimi
Por vëmendjen, veçanërisht ma tërheq një tjetër mërgimtar – i syrgjynosur, i madh, Bilal
Xhaferri. Ai shkruan: “Shqipëri, vend i vogël/, kohë e vogël/ rracion i vogël/ errësirë e
madhe/ mjerim i madh/ rrugëve të Atdheut/ si kukuvajka nën hënë/ leh dhe ulërin/ gazi
69”. Ndoshta gaboj, por në poezinë shqipe nuk ka vargje më realiste, më sintetike, të cilat
të japin aq plotshëm e njëkohësisht aq të zhveshur portretin e Shqipërisë hoxhiste.
Ndoshta ishte kjo Shqipëri, që i detyroi mjaft emigrantë të iknin nga Atdheu, të kalonin
natën me mjete rrethanore të pabesueshme, kapërcenin tela me gjëmba. Dikush edhe nuk
mundte, sepse diku nën hënë atë e gllabëroi me gojën e tij “Gazi 69”.

Poezia si letër malli

Në kapitullin e dytë: “Zëra nga burime të freskëta”, që është kapitulli më i gjatë, më
dominues për nga sasia, por jo nga cilësia, lexuesi shfleton poezitë e autorëve, të cilët u
larguan nga Shqipëria pas viteve 90. Janë 62 poetë, të cilët përfshihen me nga 4-5 poezi
secili. Ndonjëri nuk ka shkruar më parë dhe e nisi poezinë, ndoshta sapo zbriti prej
avionit, ndërsa ka edhe poetë të cilët u larguan nga Shqipëria me libra të botuar, dhe u
profilizuan dhe fituan një emër poetik këtu. Njeriu nga natyra lind artist, thotë Gorki, por
veçanërisht nevojë për t u vetshprehur bëhet më përvëluese, duke qenë larg gjërave të
dashura. Kështu poezitë e tyre vijnë si një tufë me lule të freskëta, me aromën e mallit për
Atdheun, njerëzit. Tema kryesore është tema e Atdheut jo si retorikë, por si një motiv
malli, ndarje, si peng, si gur i rëndë përvëlues që të rëndon në zemër. Redaktorja e librit
Ilirjana Sulkuqi, thotë se iu desh një punë e madhe të kontaktonte me poetët shqiptarë në
Amerikë, për shkak të mungesës së informacionit, vendndodhjes, por falë mjeteve të
sotme të komunikimit, kjo u arrit deri në botimin e librit. Ajo është e bindur dhe ka një
merak, sepse kanë mbetur pa u botuar në antologji edhe poetë të tjerë të panjohur.
Sidoqoftë, dalja e këtij libri, adresa, do të jetë një pikë orientimi, pas publikimit të tij për
ata poetë, të cilët pas një iniciative të dytë do ta shohin veten të përfaqësuar në një libër

tjetër. Çdo libër ka disa fjalë kode, fjalë kyçe, nëpër të cilat zbërthehet gjithë ngrehina e
shqetësimeve dhe përjetimeve. Këto fjalë përbëjnë disa bërthama rrezatuese, përmes të
cilave gatuat bukën e poezisë. Këto bërthama rrezatuese, eksploruese, përmbajnë
thagmën e trysnisë poetike, ndiesore. Atdheu, kulla, fshati, mali, fusha, një vajzë e
mbetur diku, figurat e ndritura të historisë, kalaja e Rozafës, plagët ende të freskëta të
Kosovës, trëndafilat e Tiranës, nëna, ulliri i lotëve etj., janë pikërisht këto fjalë kode që
na projektohen në libër përmes një tisi të hollë të imagjinatës krijuese dhe na sjellin me
figura origjinale e me një ritëm të lirë mallin, dashurinë, nevojën për identitet e qartësi,
në Perëndimin e largët.
Në këto poezi, shohim një individ që vuan, që ka lënë pas diçka, e cila ka shkuar pas atij
në formën e vuajtjes shpirtërore e nuk e lë të qetë dhe nga mungesa e qetësisë lind poezia
si shami lamtumire, ose si lotë malli.
Duke lexuar librin, përmes rreshtave, ndjejmë dorën e stërvitur të poetëve të kultivuar,
që kanë mësuar edhe nga poezia moderne amerikane që kanë kohë në ushtrimin e fjalës
poetike e kanë pasur merakun për ta lëmuar vargun, duke qenë vetredaktorë. Por, aty-
këtu, mund të ndeshësh edhe vargje të dobta (mundësi përzgjedhjeje-e drejtë për të
ndërhyrë), rapsodikë, mbushur me deklarata e retorikë boshe.
Zakonisht karakteri festiv tribunal, deri në tone bërtitëse i vargjeve, duhej të ishte më i
natyrshëm ose të shmangej. Megjithatë, një antologji me një numër të tillë faqesh, rreth
400, i duron edhe poetët e vargjet e dobta, dhe në tërësi libri është i mirë, i lexueshëm dhe
e ndjen nevojën që herë pas here t i rikthehesh.
Poezia e këti libri është e tillë që të të krijojë lehtësinë e të lexuarit, dëshirën për ta
rilexuar, në pjesë e autorë të veçantë. E radhitur me kriterin e alfabetit të emrave dhe jo
të vlerave, as të moshës, kjo poezi thuret natyrshëm për vëmendje ndaj këtyre poetëve
e njerëzve tanë, të cilët ikën nëpër botë, këta “zogj të shqipes” siç thotë ky poet në
antologji. Vëmendje për të kuptuar përmasën e intelektit shqiptar, mundësitë e mëdha
të fjalës shqipe, aftësitë e saj shprehëse dhe intonuese. Në pamundësi për të përmendur
62 emrat, do të veçoja disa poetë si: Rozi Theohari, Ramiz Gjini, Nexhip Ejupi, Vahid
Hyzoti, Roland Musta, Dhori Thanasi e të tjerë, të cilët me poezitë e tyre, por edhe të
shokëve të tjerë poetë, dërgojnë për në Shqipëri letra malli për poetët shqiptarë këtu.
Duke qënë se kanë ikur në Amerikë tani, ata ende – sipas poezisë së tyre nuk i ka
tehuajzuar realiteti thithës, globalist i Perëndimit. Po kjo s do të thotë se ata nuk po bëhen
pjesë integrale e tij..

Përfaqësimi

Në këtë vëllim gjejmë poetë nga Tirana, Shkodra, Korça, Tuzi, Saranda e Gjakova,
Gostivari e Kuçova, Tepelena, Elbasani, Pogdorica e Memaliaj, nga të gjitha trevat
shqiptare. Ky përfaqësim krahinor sjell jo vetëm motive nga këto krahina, parë në një
largësi e lartësi kohore-përmes trajektores së mallit, po motivet, ulliri e kulla, krenaria e
historisë e ngjyrat e Jonit, përzihen bashkë duke krijuar një ylberim të këndshëm, përmes
një lënde shqiptare që ngjizet e formëzohet bukur në interaktivitetin e vrullshëm të një
boteshpalimi poetik.

Një brengë dhe një lehtësim

Duke lexuar biografitë e shkurtra në hyrjen e secilit cikël, për çdo poet, shoqëruar edhe
me fotografi, të bie në sy fakti i mirë dhe jo pak i trishtuar, se të gjithë këta poetë janë
përgatitur në Universitetin e Tiranës e universitetet e tjera shqiptare. Shumica e tyre
janë për nga profesioni mësues, inxhinierë, mjekë, juristë, ish-aviatorë mekanikë, etj.
Duke menduar se sa intelektualë kanë ikur nga Shqipëria e kush e di vetvetiu të krijohet
brenga, se Shqipëria sot më shumë se kurrë ka nevojë për elita. Por këta djem e vajza
u integruan shumë shpejt në jetën perëndimore. Ata, sot në Amerikë nuk bëjnë punë
të rëndomta, por janë botues, (Dhori Thanasi), pedagogë në universitetet amerikane,
kanë tituj shkencorë, nxjerrin revista e botojnë libra. Duke krijuar një lobing kulturor,
poetët shqiptarë të Amerikës kanë pse të krenohen, jo vetëm me traditën e dishepujve të
mëdhenj Nol e Konicë, por edhe me atë lëndë të begatë të traditës së poezisë shqipe e
mbi të gjitha të kulturës shqiptare në tërësi. Iniciativa të tilla janë për t u përshëndetur dhe
krijojnë mundësinë për t i ndjekur, se mbase në të ardhemn do të kemi antologji për poetë
shqiptaro-italianë, shqiptaro-anglezë, gjermanë e të tjerë. Marrja e informacionit përbën
një krenari për vitalitetin e genit tonë shqiptar.

Ky artikull është publikuar: 26/10/2006 në Tirane tek gazeta “Ballkan”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
Read previous post:
pirro loli
PËRFAQËSUESI

  PËRFAQËSUESI PIRRO LOLI ESE…*** “Jepni Cezarit atë që i takon Cezarit”, kjo shprehje klasike latine kërkon peshoren e farmacisë,...

Close