RRETHI I DHJETË

RRETHI I DHJETË
ESE
PIRRO LOLI

pirro loli

pirro loli

…Faji kish nisur që te Homeri. Një personazh i tij kishte klithur në gjumë , dhe kish trazuar shpirtrat për enigmat e nënëdheut kur kish bërtitur: “ Në ferr do të zbres të shndrit veç për të vdekurit…”.
Babazoti i poetëve nxiti Danten në fillim të zbriste në atë gropë terri, pas tij, me shpirt të trazuar, të tjerë poetë, provuan të zbrisnin në Ferr. Udhëtimi në botën e përtejme u bë një grishje e madhe misterioze, dhe pavarësisht që mbetën shumë të rrallë ata që krijuan ferrin e tyre, nxitja u bë një kërshëri universale. Ishte një mallkim i cuditshëm që thith vazhdimisht fantazinë e poetëve.
Ky (urim)mallkim ka tunduar disa herë shkrimtarin tonë, I. Kadare, deri sa arriti tek një nga kryeveprat e letërsisë shqipe, “Pallati i ëndrrave”.
Në ferrin e Dantes të vdekurit janë dënuar me mosvdekje, në ferrin e Kadaresë(“Pallati i ëndrrave”), të gjallët janë të dënuar me mosngjallje. E që këtu, mendoj se Kadare fillon të shkëputet nga ustai i tij i madh. Megjithëse të dy lëndën e marrin nga realiteti(aktual) i Firences dhe i Tiranës, Kadareja ngre ferrin e të gjallëve në përmasa danteske shtatë shekuj më vonë. Kadareja udhëton si Dantja, por për këtejvarri. Asnjeri nuk e shmang dot historinë dhe politikën. Te ustai mëkatarët vuajnë mëkatet e trupit, te ciraku mëkatet e shpirtit. Kadare e tejkalon rrafshinën e ferrit me mëkatet në rrafshinën komuniste. Misioni i të parit: udhëtimi midis të vdekurve, i të dytit, vizita midis të gjallëve brenda një arkmorti kombëtar. Epiqendra poshtë dhe lart. Firencja dhe Tirana. Të dy kundër diktaturave. Ka skena te të gjallët e Kadaresë që i tejkalojnë të vdekurit e Dantes. Të vdekurit që vdisnin në duart e Kadaresë, nëse nuk kishin plotësuar vitet e burgut , nuk mund të varroseshin si të tjerët, por duhet të plotësonin vitet në varrezat e thella të burgjeve… ndërsa për të pushkatuarit ishte dhe më keq. Ata nuk kishin fare varre… Të paktën në ferrin e Dantes mbin një fije shprese se kozmosi dantesk ka edhe purgatorin edhe parajsën. Përfytyroje si të duash ferrin e “Pallatit…”, por dhe mendjet më të mefshta do kërkojnë me tmerr nëpër arkivat e Ministrisë së Punëve të Brendëshme, dosjerët e KQ, sirtaret plot e përplot me ëndrra të Institutit ML, dhe papërjashtim ato miliona denoncime nga qytetet dhe provincat më të largëta ku grumbulloheshin të gjitha spiunllëqet nga Degët e Brendëshme e pastaj niseshin lart për në Tebir Saraj. Nëpër të gjitha këto ankthe pa fund projektoheshin ndëshkime danteske. As Dantja nuk kish menduar ndëshkime hipotetike. Njeriu ynë te Kadareja do përgjohej edhe në gjumë, edhe në ëndrra, të cilat do t’i nënshtoheshin një hetimi e përpunimi të imët pa përjashtuar askënd që ndoshta kish menduar se …Edhe në ferrin e Dantes ka fajtorë pa faj si Farinata, Kavalkanti, Uliksi, Kolombi, Paulo e Franceska që vuajnë mallin, dashurinë, largësinë pritjen. Te Kadare të gjithë ndëshkohen sipas rrezikshmërisë së ëndrrës që u është fanepsur në gjumë. Ndoshta me këtë lloj të paparë ndëshkimi, shkrimtari ynë tentoi të krijonte rrethin e nëntë të Ferrit dantesk. Atje ka dyer që kuisin me kujë, klithma rënqethëse, ëndrra tmerri, gjarpërinj helmues, arkëmorte, koka të prera, masakrime me thika, me zjarr me.. “.Rrethi i dhjetë’i Kadaresë ka dhe galerinë e vet origjinale me të dënuar tjetërsoj, krejtësisht të pafaj : ata që dinin shumë, ata që kishin shkëlqyer nëpër universitetet më të mëdha të Evropës, ata që donin lirinë, atdheun, gjuhën, dhe kombin, ata që mendonin…ata që guxonin të të … të shihnin ëndrra. Këto ndëshkime nuk ishin parë as në kohën e inkuizicioneve të mëdha mesjetare. Por ka edhe më përtej Luciferit: Tabiri i fshehtë merrej edhe me dënimin e atyre ëndrrave që ti nuk i ke parë, por dyshohet se mund t’i kesh parë. Akuza mund të të ngrihet dhe pse nuk i ke parë. Një mëkat si mundësi e së ardhmes. Ndëshkimi dantesk nuk kish një rreth të tillë. Ndoshta ky është ankthi më i tmerrshëm i frikës që bren diktaturat. E pra, për të gjitha ëndrrat që sheh apo mund të shohë qytetari Mark Aleni ka një brengë të patregueshme. Ai ka gabuar. Ai ka tentuar të mohojë vetveten ose Tabir Sarajin…

* * *

I lutem lexuesit të mos më gjykojë keq për një përvojë thjesht personale jo vetëm si krijues. Rastisa “të jem” pak nën hijen e ferrit të Dantes e pak në fantazinë e Kadaresë, por më tepër një Mark Alen. Autor dhe personazh. Kam punuar tetë muaj në Tabir Saraj. Në seleksionimin e ëndrrave në fillim. Pastaj në interpretim. Punoja si gomari Beniamin te “Ferma e kafshëve”. por nuk e arrita as muajin e lindjes, të nëntin. Në “seleksionim”, ndalohej plotësisht ëndrra ose vetvetja. M’u duk i bukur seleksionimi ditët e para, por netëve sec më ngriheshin tri dhelpra të bardha mbi kullën e sahatit dhe macja e shtëpisë sime , Verdha që mbante hënën e përgjakur në dhëmbë… Kulla e sahatit të qytetit duhet të qe ngritje në detyrë. Më pëlqente kjo ëndërr. Më pëlqente karjera. Më pëlqenin iluzionet. Se si e përfytyroja veten afër atij që duhet të merrte në dorë Bashëndërrën që, të përcaktonte pastaj rrugët e perandorisë dhe projektet e luftës së jashtme e të brendshme…Bashëndrra ishte një profeci djallëzore që cdo tremujor shkaktonte tronditje të forta – vrasje të armikut të brendëshëm, burgje politike, internime masive…
Një ditë unë autori dhe personazhi, Pirro Loli, alias Mark Aleni, pashë një ëndërr që më drithëroi zemrën në gjumë. Sipas kuranit të besnikërisë kadarejane (lexo, sulltaniane, staliniane, enveriane), duhet ta dorëzoja ëndrrën në sektorin përkatës për seleksionim e gjykim. Unë, pa më dalë akoma ëndrra, si nëpër një gjumë somnabul, e dërgova për botim në gazetën “Drita”. Ishte (ëndrra)tregimi “Rruga për te njerëzit”, tregim i gabuar revizionist sipas Juri Nagibinit, sipas shefave te Tabir Sarajit, që pastaj në shumë mbledhje e forume u torr e u stëtorr e në bazë atje në vilajetin tim arriti të formulohej deri në kopjime të materialeve të Byrosë së PK BRSS. Ëndrrën time ia dërguan për gjykim edhe një qenieje të cuditshme me emrin “Bisha”. Vigjilenca revolucionare e bëri punën e vet. Letra ankimesh nga oficerë, redaktorë, shkrimtarë. Miq dhe kundërshtarë. Deri te madhëria. Një letër ishte 11 faqe , dyfishi i tregimit tim, ku argumentohej se tregimi rrezikonte themelet e shtetit. Sulltanesha e Tabir Sarajit, pasi pa letrën dhe firmën e kryetarit të LSHA, besnikut të saj të vendosur, Dritero Agolli, kokë më kokë me Ramizin dhe me Bishën, shpejt e shpejt vendosi ndëshkimin. Paskesha gabuar rëndë. Rrezikohej të rrëzohej shteti…
Nuk arrita të qendroja atje as muajin e nëntë, të lindjes. Prej këtij momenti, për pesëmbëdhjetë vjet rresht, do fillonte ankthi i një ëndrre të frikshme, ankthi i rënies me pasoja dramatike.
… Kujtoj si ika nga sytë këmbët. Dola gjallë. Fantazmë. Gardisti pranë derës më tha pse je kaq i verdhë. Të tjerët rreshtuar shkallëve më shumë se zakonisht po më shihnin me sy të çuditshëm. Jashtë portës së ferrit lëviznin njerëz si fantazma. Ose mobilje. Më dukej se rrugës për në shtëpi më ndiqnin pas ndëshkimet e zgjedhura nga Dantja dhe të përzgjedhura nga Kadareja: hijena, dema të egërsuar, ulërima, dragonj, gjarpërinj, gorgona…
…isha në jerm kish ndalur koha më dukej se kisha humbur të parët dhe të dëgjuarit kur arrita në shtëpi gruaja ime e dashur m’i pa rrathët e syve dhe, pa një pa dy, më tha “ erdhe, të kam parë ëndërr”, dorëzoje shpejt atje- m’u duk se i thashë si në jerm “ç’të dorëzoj”; atë që pe, ajo mblodhi supet e në sy i pashë një tmerr të dyshimtë se unë ruajna o Zot duhet të kisha lëvizur nga mentë… “u tremba shumë tha ajo ti kishe hipur në një pemë të lartë buzë greminës dhe befas u vais pema dhe re dhe unë ulërita në gjumë e zgjata dorën të të kapja” ka dhe më keq i thashë unë macja e shtëpisë, Verdha kishte kapur në gojë hënën dhe po vraponte e tmerruar nga turma gjatë rrugës nga ikte dukeshin gjurmët e hënës së plagosur. Konti Ugolin si panterë e zezë ngul dhëmbët në kafkën e kryepeshkop Ruxherit.. ë ? Fole gjë? Hëna është simboli i flamurit të perandorisë, e di ti ç’do te thotë që flamuri të kullojë gjak nga kthetrat e maces sonë, ë ? Ndërsa nëna më tha erdhe biro të kam parë sëkëlldisur – erdha i thashë përgjithnjë, jo jo në fakt zbrita nuk erdha mos ke sharë madhërinë jo mos i ke dalë i pabesë mundet i thashë por s’ka dhe ashtu dhe kështu gjërat janë copa që duken nuk e di ti se ai ka gjithmonë të drejtë po nuk dije këtë, kot u ngjite sipër, po më mirë që zbrite kam tetë muaj që s’të kam parë dhe djemtë pyesin gjithnjë ku ka humbur babi nuk dajandis fisi ynë më të përpjeta o bir se nuk pranon ta shkelin, jo se kemi hundë jo jo, ë ?! U rrëzua kulla e qytetit mëmë, nuk e di ti … po atje kishte shumë gropa moj mëmë kishte zgarrva prushana zjarre dhe hi dhe qentë që ruanin binin erë të rëndë po Kont Ugolinin e ke njohur ti mëmë, ah ta dije po ti nuk mallkon njeri jo, as atë korbin që mallkon racën tonë…
– O zot ç’është kjo natë murmuriste tha nëna as korb as rob gjëkundi
– Çfarë?, – tha Mark Aleni
– Mos kij frikë, nuk mallkoj jo, thashë vetëm, ç’është kjo korbëri
– E di ti historinë e Kont Ugolinit.
Jo jo unë njoh mallkimin e zi të vendit tonë si xhins e si katandi. Korb krrau- krrau mbi cati korb që ndjell vdekje.
Nuk di kush fliste unë apo ajo
Pse heshte tha nëna.
…ta shtrish hanxharin e shtetit deri te ëndrra e njeriut, moj mëmë ë e kupton? Deri te gjumi. Njëlloj si para shtatë shekujsh. Dosje, dosje, dosje mbushur me njerëz, firma, pseudonime, urdhra. Kufoma. Firma gjaku dhe firma poetësh për të vrarë poetë. Unë e kam parë dosjen time. Ka shumë firma po atje nuk jam unë, moj mëmë më beson…
A ka dalje. Jo, jo mos kërko. O perëndi rënkova në agoni si harrova derën e daljes. Si Dantja në fund me Virgjilin. Atje ku kish zbritur Odiseja për më të poshtë , në Had… në botën e tmerrit, në Tabir Saraj… për të gjetur rrugën si, si mund të shkonte në Itakë….vetëm nëna e Odisesë guxoi dhe vrau veten se ajo e dinte forcën e qumështit të saj, vetëm ashtu e vdekur bëri që të shkrinin yjet e vetëm vdekja e saj e shkuli nga gjiri i Kalipsosë. Të lutem nënë, vdis për mua që të kuptoj ku jam. Ose më vrit, më vrit nuk po kuptoj, kam shumë frikë nuk kam zë veçse e pashë me sy si u përmbys kulla e sahatit…
Pastaj sikur u përmenda dhe si nëpër mjegull dëgjova: “ më mirë që zbrite biro, se djemtë i ka marrë malli shumë…” Vetëm atëherë m’u duk se u zgjova, o Zot, ku kam qenë kështu, ku ?!
Dhe ndjeva se nata m’u ca nëpër duar e tutje, tutje shkëmbit të kuq, mbi shtëpinë time në fshat, flatroi një rreze dielli…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.