Sale!

Kercitje PDF- Dhori Thanasi

$29.99 $9.99

Kërcitje poetike
Të krijosh poezi do të thotë të jesh i mbushur plot shpirtërisht e ta lësh muzën të të çojë rrugëve të magjishme të vargjeve. Aty ndjen si zbrazet ujëvara e padukshme e ndjenjave, si merr udhë e konkretizohet në letër vetë filozofia dhe eksperienca e jetës. Është mahnitëse, e papërshkruar vlera e kësaj gjinie artistike të fjalës të cilen poeti e ushqen por edhe ushqehet pashtershmërisht prej saj. Poezitë e Theodhor Thanasit jetën e derdhin të plotë, me ritëm zemre dhe këngë shpirti. Herë gëzuar e herë trishtuar poeti merr frymë në çdo gërmë-fjalë jete e cila përgjithësohet e njëkohësisht individualizohet në mënyrë krejt të veçantë e të papërsëritshme. Na jep një poezi delikate e të fuqishme, plot kërcitje shpirtërore, që të hyn në zemër e të mban në zemër, në zemrën e ndjeshme e të dhimbsur të poetit.
Kërcitje filozofike
Poezia e Dhori Thanasit ështe poezi filozofike-meditative, frut i përvojës së udhës jetësore, ndërthurur me fjalë dhimbjesh e me kërcitje zgjimesh. Ai di të sjellë delikatesën e shpirtit, por edhe brengën e gjithë dgjen vlerat dhe antivlerat dhe pa druajtje shpreh qëndrimin e vet të pjekur filozofik.
Koncepte të pakonsumuara poetikisht si vlera e shpirtit, mëkati, adhurimi i Perëndisë, jeta e përjetshme, ëngjëjt, etj., e pasurojnë lexuesin që kërkon shtigje të reja a të vjetra, të humbura në vetvete. Poezia e Dhori Thanasit nuk është thjesht një shpërthim poetik. Rrënjët i ka të ushqyera thellë në
8
përvojën jetësore, mënçurinë e popullit, ne kërkimin e pashtershëm meditativ. Koncepte si ai i murit, luftës, natyrës, tokës, njeriut, njerëzimit, etj., janë tepër të veçanta, përgjithësuese dhe të thella, qoftë në rrafshin historik e shoqëror, qoftë në atë vetjak.
Poezisë i jep fuqi sinqeriteti, thjeshtësia dhe guximi i të shprehurit kur poeti përcepton rolin e prindit:“Të jesh prind/ është peshë që dhe malet me zor e mbajnë,” (Prind), apo humorin dhe mençurinë popullore në konceptin e jetës: “Jeta një dritare/ që hapet për pak,/ mbyllet pa të thënë/ si dinaku çark. (Vite) Një vështrim sa interesant, aq edhe i bukur është ai i vlerësimit dhe respektit ndaj fëmijëve dhe të rinjve, të cilët poeti i shikon si bashkudhëtarë të së njëjtës rrugë, para të cilëve ai përulet plot respekt. Fëmijët janë e ardhmja, të denjë të mbretërojnë me pafajësinë e tyre, ndoshta shansi i vetëm i shpëtimit të kësaj bote (Fëmijët). Poezia e Dhori Thanasit është e fuqishme pikërisht për ndërthurjen filozofiko-artistike të vetë shpirtit të tij. Aty e gjejmë botën dhe njerëzit me të mirat e të metat, në një balancë reale, thjesht por fuqishëm, shpalosur me një stil të veçantë.
Kërcitje jetësore
Poezia e Dhori Thanasit është poezi e jetës dhe e njeriut. Ka brenda meditimin, përvojën njerëzore. Në kërkim të vazhdueshëm të vetvetes poeti kërkon dhe gjen njeriun, gjen raportet tokësore e hyjnore.
Përceptimi i tokës, i popujve, i atdheut, historisë, etj., janë sa të guximshme, aq dhe të vërteta, me anë të të cilave autori shpalos vetë kredon dhe
9
botëkuptimin e vet: “Historia/ një libër i pa thënë/ që të vërtetën ka lënë ngrirë. / Një harresë e pafalshme/ që shpirtin burgos në errësirë.” (Historia)
Poezia merr jetë tek balada e lashtë e besës, sepse ashtu të sjell ta përjetosh edhe më fort dramën e mërgimtarit të sotëm, shfytyrimin shoqëror, fjalën e dhënë. Një vend me rëndësi zë në vëllim dhe përceptimi i pozicionit të mërgimtarit në jetën e tij të re e të parrënjtë në tokë të huaj, ku pesha e dhimbjes së mallit bëhet aq e rëndë sa të le pa frymë. Kështu malli shndërrohet e bëhet vetë vdekja e autorit (Mall). Dhimbjen njerëzore poeti nuk e shpreh me fjalë të dëgjuara, por e përshkruan me figura jetësore, apo ia vesh një sendi si tek poezia “Kitara”, kur ia kalon gjithë peshën shpirtërore mjetit muzikor, si të mos guxojë të prekë e të shprehë humbjen dhe mallin për njeriun e dashur me fjalë njerëzore.
Po poezia? Ç’vend ka poezia sot tek njerëzit? Poetët, këta kalorës mesjetarë të dashuruar pas poezisë nuk mund ta gjejnë dot veten në tregun e kësaj jete materiale, duke e mbajtur kështu lidhjen e tyre njeri-poezi më intime e më të rrallë: “Të shkretët poetë/ vetveten lexojnë,/ si gjumdimrorët dhjamveten tretojnë” (Poetpoezia). Poetët, poezia dhe arti i të shkruarit përbëjnë një pjesë jo të vogël të shqetësimit të poetit, të cilën ai di t’ia vari ne shpirt lexuesit e ta sensibilizojë për ta ndërgjegjësuar.

Kërcitje artistike

Në qoftë se me kërcitje do kuptonim atë zhurmë të vogël por që jehon gjatë në pasqyrat e
10
kujtesës sonë, si përshembull ajo gjethja e tharë e vjeshtës që kur e shtrëngojmë na fal kërcitje energjish jetësore-mijëra kujtime të bukura e të trishta stinore, atëherë Dhori Thanasi na ka falur plot një vëllim të tillë mbresash.
Poeti është fjalëpak. Fjalët i zgjedh me kujdes dhe ato përmbajnë një nocion të veçantë kuptimor e simbolik. Personifikimet e fuqishme dhe krahasimet e pashprehura krijojnë figura të gjalla e të papërsëritshme. Shprehjet e ngjeshura e të kursyera i japin poezisë largpamësi, e pasurojnë me vlera filozofike dhe herë-herë e ngjyrosin me një tis humori të hollë. Dhori Thanasi me poezinë e tij nuk kërkon asgjë, nuk imponohet, vetëm sa pikturon skena dhe imazhe. E lë të lirë lexuesin të marrë pjesë në meditim, të gjykojë a të veprojë.
Poetit i pëlqen ta ushqejë muzën tek burimi popullor, gjë që është e dukshme gjatë gjithë vëllimit. Si e tillë poezia shquhet për vlera të mirëfillta folklorike, një freski dhe interes të veçantë, sidomos tek poezia “Dhëndërri”, “Bilbilenjtë”, “Bukuria”, etj.
Dhori Thanasi në vëllimin poetik “Kërcitje” ka zbuluar rrugë të reja të shprehuri nëpërmjet krijimit të fjalëve të përbëra, duke i dhuruar gjuhës kuptime të reja: vegjëlivitet, poetpoezia, gjakstatuja, shpirtmbretër, mielljetë, jetëvdekje, etj. Po ashtu ai eksperimenton me guxim edhe me mbiemra të foljezuar, emra të përbërë të foljezuar, apo edhe folje me kuptim të ri si: njerëzfishon, bërtitojnë, qorrsokakemi, etj., të cilat i kanë dhënë poezisë më tepër fuqi shprehëse.
11
Tek lexon poezitë e vëllimit “Kërcitje” të Dhori Thanasit nuk ke si t’i shpëtosh meditimit vetjak, shikimit në pasqyrën e vetes, ku jeta sikur zë vend më ndryshe, më drejtë e më saktë.
Jeta e njeriut paskësh qenë si gjethet e pemës: toka i ushqen, dielli i dashurisë u jep jetë e i rrit, era e kohës herë i përkedhel, herë i shkund, shiu i pastron… Vjen vjeshta e shkojnë të florinjta, mbushur me gjithë ngjyrat e jetës të prehen në kërcitjen e ëmbël të dimrit, për t’ia lënë vendin të rejave gjethe të pranverës së ardhshme. Ne vijmë të mësojme, të marrim e të japim. Shtyjmë e tërheqim njeri-tjetrin në një balance të hollë. Ashtu si gjethet e pemës që s’ia zënë dritën gjetheve të tjera, ashtu dhe ne gjejmë në këtë botë vendin tonë. Por era e historisë i shpërndau pa zhurmë larg atdheut poetët-gjethe njomë e rrënjëshkulur dhe ata ashtu pa zhurmë e pa zë, thahen shpirtërisht në një stinë që s’sheh të ikë… Kjo është brenga e poetit Theodhor Thanasi, ofshama dhe trazimi poetik i së cilit e ngjyros këtë vëllim. Por edhe pse larg atdheut-rrënjë, poeti me poezitë e vëllimit “Kërcitje” na tregon se pa dhimbje nuk ka jetë dhe se pa dhimbje nuk ka poezi. Ndaj ti lexues që udha të solli në këto fletë, ulu një çast e udhëto bashkë me shpirtin e dhimbsur të poetit.
Ejvis Maria Xhajanka
Albany, Georgia, SHBA
12

Category:

Reviews

There are no reviews yet.

Be the first to review “Kercitje PDF- Dhori Thanasi”

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.