NJË DITË NË TREGUN E TË FLORINJTAVE

Theodhor Thanasi

Tiranë, 22 gusht 1999 / ATSH / – Të florinjtat dhe bizhuteritë në kryeqytetin shqiptar nuk shiten vetëm në tregtoret e floririt, por edhe në pika të veçanta në natyrë, nga individë pa licencë, pa peshoreza, të cilët i mbajnë zbukurueset prej floriri në duar, xhepa, këmbë dhe qafë, në sasira të mëdha.
Zakonisht, “tregtarët” e këtyre sendeve i gjen pranë personave që merren me shkëmbimin e valutave, shumë pranë me institucione të ndryshme si Banka Kombëtare dhe Posta Qendrore. Çdo pyetje për orgjinën e tyre, ose nuk merr përgjigje, ose nuk bëhet fare, si një marrëveshje e heshtur përfituese dypalëshe midis shitësit dhe blerësit.
Këta tregtarë, të rrallë në krahasim me shkëmbyesit e monedhave të huaja dhe atë vendase, të servirin unaza të llojeve e përnasave të ndryshme floriri me një e tre ngjyra, si dhe të shoqëruar me gurë të çmuar dhe falso. Vendi ku ata shesin dhe të thënat e shitësve duket se të “bindin” se ata “shkëmbejnë” floririn me valut ose lek. Por jo monedha floriri, por sende të florinjta. Çmimi i tyre, sipas shitësve, ndryshon sipas kursit të këmbimit ditor të floririt në botë. Ndërsa këta shitës kryejnë qetësisht punën e tyre rutinë, aty pranë objekteve patrullojnë po qetësisht edhe policët.
Në se je një klient, ose paraqitesh si i tillë, tregtarët bëjnë be e rrufe se sendet e florinjta vijnë nga jashtë Shqipërisë dhe si për të të prishur mendjen, miqësisht me zë të ulët, të thonë se ato i kanë përdorur njerëz shumë të pasur dhe se vlera e tyre është shumë herë më e madhe se çmimi që ata servirin. Kjo ndonjerin e bën të nxjerri shpejt paratë dhe të largohet si vjedhurazi sa më parë, si mëkatar.
Në të vërtetë mëkati është më i gjerë se kaq. Në këtë lloj tregtie thënia: “Jo çdo gjë që ndrin është ar” plotëson drejtpërdrejtë kuptimin e saj ndhe për më tej e kalon edhe figurativisht.
Sipas specialistëve të policisë së kryeqytetit, furnizuesit kryesorë të këtij tregu janë grupe adoleshentësh që grabisin bizhuteri floriri, kryesisht nga femrat, në çdo cep të Tiranës. Ata “patrullojnë” në grupe dhe në çaste të favorshme, por edhe në publik, ndërmarrin “aksione” të shpejta, rrëmbejnë me force të florinjtat dhe largohen me aq vrap, saqë është zor t’i kapësh. Jo se nuk mund t’i arrish, por se ndihmuesit e grupit, duke u hequr si qytetarë të rastit, të pengojnë me lloj-lloj mënyrash t’ia arrish qëllimit.
Policia arrestoi në flagrance katër shtetas të shtunë, të cilët i kishin grabitur një shtetaseje varësen e floririt nga qafa në rrugën “Ferit Xhajko”. Të katër të arrestuarit kanë kryer të njëjtën vepër më parë në rrugën e Elbasanit, tek stacioni i trenit dhe tregu i veshmbathjeve. Po t’i referohesh moshës, dy prej tyre janë adoleshentë dhe dy në prag të rinisë. Këto mosha, nga të dhënat e policisë, janë më të përshtatshmet për realizimin e këtyre “aksioneve”që jo rrallë përfundojnë me trauma jo të lehta për viktimat.
Personat e grabitur thonë se s’është gjë humbja materiale para dhimbjes që shkakton zinxhiri i hequr forcërisht. Deri sa ai të këputet, të mbyt qafën dhe lë një vijë gjaku në të që do kohë të rigjenerohet. |Nga ana tjetër, kjo “humbje” të brengos e të shkëput një lidhje simbolike të jetës si, fejese, martese, ditëlindje etj, si dhe të shqetëson deri në pasiguri…Kjo duhet të jetë e vërtetë, pavarsisht se viktimat që tregojnë këto qajnë dhe janë femra.

Femrat “trime” dhe …të mbash apo të mos mbash bizhuteri floriri?

Floriri i mbajtur në gishta, veshë, qafë e deri në këmbë, me forma e pesha të shumllojshme, që tradicionalisht ka treguar orgjinën dhe fuqinë fisnore, i rrallë në përdorim në vitet e komunizmit, tashmë është pothuaj masiv edhe në Shqipëri. Dhuratat e florinjta kanë marrë “qytetari” në raste pagëzimesh, festash, festash të mëdha familjare dhe intime. Por kohët e fundit, makutëria e rrëmbimit të të florinjtave në rrugë ka shtruar, veçanrisht për femrat, pyetjen: t’i mbash apo të mos i mbash ato?
Në bisedat në familje, burrat i këshillojnë grate, baballarët vajzat, se në se nuk janë të shoqëruara nga ta, duhet të dalin të “zhveshura” (pa të florinjta). Në rrugë një femër e vetme me zbukuruese floriri shihet rrallë dhe “etiketohet” “trime” dhe nuk i mungojnë këshillat e denduar nga të njohurit që të ketë kujdes, se ndonjë ditë edhe ajo do të pësojë “fatin” e modes së rrëmbimit. Por, ndryshe të dëgjosh se i ndodh dikujt e ndryshe ta pësosh vetë. E mira është të besosh se në momente të caktuara edhe disa thënie proverbiale ndryshojnë kryefjalë dhe bëhen si kjo: “ E keqja vonon por s’harron”.
Ndonëse herëpashere policia ka kapur persona dhe grupe personash që “gjuajnë” floririn në trupat e femrave, fenomeni mund të jetë zbutur por nuk është shuar.. Femrat janë bërë me “hije”. Je e vetme, ke varëse, unazë apo vathë floriri, atëhere kij kujde dhe shtatë pale sy, thotë kryeqytetasja F. Ruçi.
Natyrisht që kam të florinjta, tha një tjetër, por nuk i mbaj kur udhëtoj vetëm, më mirë të “flenë” në sirtar deri në një kohë tjetër…
“Zilia” qarkullon tek femrat për ato që janë “trime” dhe i mbajnë, por me sa duket, megjithëse u takon femrave tradicionalisht, të florinjtat në kryeqytetin shqiptar po bëhen privilegj vetëm i meshkujve, ndonëse burimet nga policia thonë se në disa raste edhe atyre u ka ngjarë ajo që femrave u ndodh dendur.

Qafë 20-mijë lekëshe…

Kjo paska 10-mijë lekë në qafë…qafë 20-mijë lekëshe, vesh 15-mijëshe, 25-mijë në dorë, 30-mijë në gishta…
Ky është zhargoni i rëndomtë i adoleshentëve florigrabitësa kur shohin femra me të florinjta dhe mandej vijon menjëherë plani aksion. Planaksioni kryhet rrufeshëm në hyrje-daljet e autobusave urban, në tregje të ndryshme të Tiranës, kur individët që posedojnë floririn e kanë vëmendjen të shpërqëndruar dhe s’mund të reagojnë. Por këto aksione janë prezente në çdo cep të Tiranës kur kalimtarët me sende floriri janë të vetmuar në ecje ose qrkullojnë në mbrëmje gjatë pamjes së kufizuar.
Sipas specialstëvetë policies, mbështetur në hetimet e kryera, adoleshentët grabitës janë hallka e pare e këtij krimi. Pas tyre qëndrojnë të rinj dhe të rritur që janë pranë aksioneve dhe kujdesen si mbështetës në to, të cilët furnizojnë shitësit që i tregtojnë ato qetësisht në vendet e përshkrauara.
Ndërsa adoleshentët përfitojnë për një asortiment të florinjtë të grabitur “një cope bukë”, pjesën e luanit e marrin dy “skalionet” e tjera të prapaskenës. Kësisoj, ata, adoleshentët, duhet të grabisin sa më shumë për të “ngopur” vetveten. Hyrja e tyre në këtë valle është rekrutim nga të rriturit, e para, për shkathtësi veprimi dhe e dyta, se, në rast kapjeje, ligji me ta, si minoren, është i butë.
Po me të riturit ç’ndodh? Ata i fshihen mirë policies. Në rastet kur në vendet që ata tregtojnë shihen patrullime të afërta policore, këta tregtarë e fshehin lehtësisht “mallin” në rrobat e tyre dhe bëjnë kalimtarin apo të pranishmin e rastësishëm. Kjo me sa duket e vështirëson zbulimin e tyre dhe më tepër policia është marrë me adoleshentët e kapur në flagrance gjatë grabitjes apo që kanë patur me vete sende të grabitura. Por që të shkosh tek këta “tregtarë” si klient, është shumë e lehtë qofsg edhe agjent policie pa uniformë…

“Bisnes” pa investim dhe me fitim

Një pronar dyani floriri, i pyetur për fenomenin, me buzë të mbledhura fillimisht, i shqetësuar për tregun e zi të sendeve të florinjta, thotë se ky “bisnes” është pa investime dhe me fitim të madh, por i pandershëm. “Ne të liçencuarit që paguajmë qera lokali dhe të gjitha dettyrimet shtetërore, para tregut tjetër, në se ai do të lihet të vazhdojë ende, jemi të humbur”, vazhdoi ai.
Nga ana tjetër, thotë i njëjti pronar, me të vërtetë që klientët fillimisht mund të joshen nga çmimet disi të lira të tregut të zi të floririt, por më vonë do t’i brejë ndërgjegja që ato dikur kanë qenë të një personi tjetër. Dhe kjo s’mbaron këtu. Mes floririt të vërtetë, ata shesin edhe bizhuteri falso, sepse nuk mbajnë asnjë përgjegjësi, pasi pas një shitje të tillë nuk i gjen më në të njejtin vend dhe bëjnë të “humburin”.
Pronari tregon një rast, si ky duhet të ketë edhe të tjerë, që nga mënyra e punimit dhe inicialet, një kliente e tij e kishte njohur varësen e saj të varur në qafën e tjetrës, por ajo e kisht blerë atë dhe s’kishte ç’ti bënte se shitësi nuk gjendej më…Po ashtu, nënvizoi ai, disa vetë kanë ardhur të verifikojnë bizhuteritë të blear në tregun e zi, të cilat nuk ishin prej floriri.
Ndërsa shitësit e floririt të vjedhur e grabitur, si të vinin nga një planet tjetër, ishin mospërfillës dhe në vend të përgjigjes ose të shikonin me inat, ose të kërcënonin sikur të kishin kapur në kopshtin e tyre “me presh në dorë”, ndonëse duart i kishin të mbushura me “presh” të vjedhura në kopshtet e të tjerëve…
/A.KE/ 221851 GUS 99 NNNN

“FotjonArt”, 3 gusht 2009

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
Read previous post:
Dhori Thanasi
MORINA-DY ORE PRANË DHE LARG LUFTËS

DHORI THANASI KUKES, 26 Maj 1998, /ATSH/- Kedo qe do te takoje ne qytetin verilindor te Kukesit, te njohur dhe...

Close