TRIPTIK

NASE JANI

1.ËNDRA E FUNDIT

-Dëgjo bir, mbremë kam parë një ëndërr…

-Mirë mama, ëndrra është vazhdim i jetës. Unë shoh çdo natë, bile nga më të ndryshmet e më të çuditshmet. Pa ëndrra nuk e kuptoj dot se kam fjetur…
– Po unë ëndërr të tillë s’kam parë kurrë, u bëra 78 vjeç dhe jo, jo…
-Ke parë nënë Lekson? Edhe unë e kam parë një herë në ëndërr, sikur ishim ndënë çerçemin e kopështit para shtëpisë në fshat, së bashku me motrën…
-Ohuu, sa herë jam llafosur me mamanë time unë, sikur ta kisha këtu, por si kjo ëndërr s’kam parë kurrë…
-Mos ke parë babanë? Nga meraku mbase, se ke ikur nga qyteti tashti dhe nuk ka kush t’i vejë tek varri. Por unë i kam vajtur, jo më pak se dy herë në vit, ja pas dy muajsh do vete në Shqipëri dhe do ja ndez qirinjtë. I ndez edhe qiriun tënd…
-Paç uratën, more bir…-dhe heshti. U ngrit, veshi shapkat që ia kishte sjellë motra nga Vlora dhe doli nga dhoma.-Do pimë nga një kafe se dhe unë e dua…
Solli dy filxhanët me kafe Gjirokastre, u ul në kolltukun përballë meje dhe nisi të pinte kafen në heshtje…
-Mama, pse s’ma tregove ëndrrën e paparë kurrë?
-E, ç’e do, ëndërr ishte…
-Po mirë ma thuaj, ti e di që unë i shkruaj ëndrrat…
Heshti, sikur nuk e dëgjoi kërkesën time. Piu me qetësi kafen deri në fund, u ngrit nga kolltuku përballë dhe u ul pranë meje. Më morri dorën me pëllëmbën e saj të rreshkur dhe nisi të më tregonte:
-Mbremë pashë një ëndërr që nuk e kisha parë kurrë. Isha në fshatin tim, në Sheper. Nuk isha unë, por mamaja ime, por unë e pashë veten që isha dhe unë… Shtëpia ishte aty ku ka qenë: me dy kate, në krye të fshatit, tek Selishta… Vetëm unë e mamaja ishim në shtëpi. Unë s’isha akoma, por e pashë veten që isha me mamanë. Mamanë e zunë disa dhimbje barku të padurueshme. E shihja si përpëlitej, si zog, por s’kisha çfar të bëja… Dhe dy vëllezërit, që unë s’i njihja akoma, kishin vajtur nga dajko Çoti… Bëri, ç’bëri mamaja dhe ungrit deri tek dritarja, e i lëshojë një zë, kako Sorkës… kako Sorka sikur të fluturonte me krahë, e kaptoi përroin, kaloi ndënë sheshin e arrëve dhe u gjend tek shtëpia jonë…
-Moj mama, kështu “ëndrra” me fshat e me kako Sorkën e me Seve Ngjelën, e me Papadilajt, më ke treguar gjithmonë… Pse kjo është e pa para kurrë?!
Më përkëdheli flokët, pastaj fytyrën, si ato personazhet e tregimeve të Dhimitër Paskos, apo të Sotir Andonit dhe vazhdoi:
-Tashti është e pa para kurrë… Sa erdhi kako Sorka, me një degë lofate të çelur, mamaja ime lindi.
-Lindi? Po ti ku ishe?
-Unë isha fëmija që lindi mamaja ime, vajza e parë, pas dy djemve…
-Dhe ti pe veten se si ke lindur? Është me të vërtetë ëndrra më e paparë… Po unë kur do shoh një ëndërr të tillë?!
-Mbase nuk e sheh kurrë, biri im!…
Ishte 12 marsi i vitit 2002. Të nesërmen nëna iku nga jeta, hyri nëpër ëndrrat e patreguara…

2.FOTJONI, ERI ETJ…

Pas një telefonate takova Dhori Joanin, shokun dhe mikun e ngushtë të Dhori Thanasit. Dhori Joani është nga fshatrat minoritarë të Sarandës, por më tepër është qytetar i Tepelenës dhe Memaliajt, ku ka qenë mësues matematike. Më dha librin e ri me poezi të Dhori Thanasit: “Kërcitje”. U gëzova që miku im, dhe drejtuesi I Degës së Klubit “Drita” në Detroit,veç të tjerash, më kishte dërguar librin e vet. Sa hapa në faqen e pare lexova:
“Bijve të mi, Fotjonit dhe Orsinit, … dy ëngjëjve: njërit në Parajsë në atë botë, tjetrit, Parajsa ime në këtë tokë.”
-Si ta kuptoj këtë kushtim?-pyeta Dhori Joanin.
-E dija që do të më pyesje, por atë që nuk ta ka thenë miku im i mirë, s’kam si të ta them unë…
-Mes shokësh e miqsh thuhen gjërat siç janë…
-Fotjoni, ose Toni, siç i flasin, është djali i madh i Dhori Thanasit. Me Dhorin kemi punuar së bashku mësues në Memaliaj. Është njeri shumë i mirë, që të ngjall respekt. Së bashku me gruan e dy djemtë, nga Greqia mërgoi tutje në SHBA. Toni është djali i madh i Dhori Thanasit, një djalë i talentuar, që bënte këngë e luante në kitarë, aq bukur… Që shkruante poezi e pikturonte aq bukur!…
-E di, kam shkruar edhe një shkrim tek “Tribuna” para një viti, sipas të dhënave që më dërgoi i jati i tij. Ka qenë një nga studentët më të mirë të Universitetit…
-Ndër më të mirët, në 205 Universitetet e SHBA-ve. Njeri i rrallë… Si muzikant, ka qenë i shquar qysh në Shqipëri… Ja, këtu Dhori ka një poezi: “Kitara e tim biri”. Më shumë se ç’mund të të tregoj unë, flet poezia e babait për të birin-ëngjëll…

Kitara ka kohë që s’po flet
telatvena të saj s’po marrin ushqim
nuk rënkon me rënkimë njeriu,
veç qan me heshtjen e saj papushim.

***
E vetme, e shurdhët, pa zemër e memece
çakërqefja e melodive të dikurshme magjike,
dergjet në zjarrmin e etheve pik të sikletit
Kërkon prekjen e duarve të tua engjëjike.

-Mirë ka bërë miku ynë I përbashkët Dhori Thanasi, që nuk ka treguar më shumë… Djali i tij i madh, Fotjoni, e nisi jetën në Memaliaj në vitin 1982… Pas tij u lind Orsini… Vitet do të ikin… Dhe në gjithë vitet, djali i madh i Familjes Thanasi do të jetë 23 vjeçari, studenti i shkëlqyer, artisti i ngjyrës së penelit dhe tingullit të kitarës, poeti Fotjon Thanasi!…

***
Kur humbet Njeriun më të dashur dhe koha s’ ecën. Dhimbja të pllakos shpirtin dhe mendimi të gozhdohet tek ai çast tragjik, i pamenduar e i pa kërkuar kurrë! Kështu ndodhi edhe me një nënë me emrin Julika, me një gjyshe me emrin Rina dhe një gjysh me emrin Naum Prifti… dhe gjithë njerëzit që kanë zemër e tru njeriu; për ikjen nga jeta të një djaloshi 23 vjeçar me emrin Eri Tare.
Nuk di nëse Fjala NGUSHËLLIM është aq e fuqishme sa të mbajë dhimbjen, në një fatkeqësi të tillë?! Por mendoj se aty ku shfaqet dashuria e njeriut për njeriun, Ngushëllimi bëhet i vërtetë! Ç’t’i bësh jetës?! Jeta është misteri më i pazbuluar i njeriut. Brenda Jetës jeton edhe vdekja. Por vdekja nuk ka fytyrë. Vetëm Njeriu, në çdo moment të jetës, ka emrin e vet, “fytyrën” e vet, portretin e vet! Edhe Eri, do të ketë gjithë vitet, Fytyrën e bukur të një 23 vjeçari, tek prindërit, tek gjyshi dhe gjyshja, tek gjithë të dashurit që do e mbajnë në kujtesë…
I dashur, miku ynë shkrimtar, Naum Prifti, Duke respektuar Jetën dhe të vërtetën e fjalës “Ngushëllim”, jua dërgojmë shpirtërisht, nga Athina, për T’ju shërbyer sadopak në lehtësimin e dhimbjes suaj të madhe!

3.BIBLA, POEZIA E GRIGORIT DHE NËNA QË S’IKËN KURRË

“Zoti nuk mund të jetë gjithkund, prandaj ai bëri nënat”-thotë urtësia e fjalëve.

Nëna është te gëzimet dhe dhimbjet e jetës… Njeriu vjen në jetë se ka nënë. Rritet në jetë se ka nënë… Nëna është kurdoherë: dhe kur na jep qumësht gjiri, dhe kur na nis për në shkollë, dhe kur na vesh dhëndër e nuse, dhe kur ninullon niprit e mbesat, dhe kur na vë buzët mbi ballë të na heqë dhimbjet… Nëna është edhe kur nuk është para syve, edhe kur ikën me merakun e jetës për fëmijët… nëna nuk ikën kurrë…
Dhe Grigor Jovani shkruan:
“E ndjej se nënës
i detyrohem më shumë,
e lodha një jetë,
ajo manare”…

Afrodhiti Jovani, nëna e Katerinës dhe e Grigorit. E dashur si nëna! E urtë si nëna! E mallur si nëna!… U lind në Jorgucat të Dropullit, aty u rinua, u martua e u bë nënë. Jetoi 74 vjet. Sa pak për të dashur fëmijtë e vet! Sa pak për ta dashur fëmijtë e vetë! Aty, në një varr me të shoqin Ilia, që i iku para nëntë vjetësh. Aty, ku e njeh dhe kënga e zogjve, dhe fëshfërima e barit, dhe krahët e bletës, dhe qarja e një qeni. Aty ku e njeh pragu i shtëpisë, kambana e kishës,… siç e njohin të gjithë fshatarët.
Dhe djali i saj poet shkruan:

Vdekja
(Te koka e nënës)

E ndjejmë kaq pranë ndonjëherë,
aq sa pushon së qeni fjalë,
bëhet një term i prekshëm.
Mbrëmë zura veten sa herë,
tek bisedonim,
si të njohur të hershëm.
Edhe pse ishim fare pranë
kaq netë
dhe kaq ditë,
nuk arrita kurrë
t’ia shihja sytë.

Nëna është minierë dashurie. Dashuria e nënës del nga fundi i detit e zbret nga mbiqiejt… Nga gjithë adshuritë është më fisnikja, më jetëprurësja, më e heshtura…
Dhe poeti Grigor Jovani e njeh heshtjen e nënës, siç njeh dashurinë e saj të madhe, që e rriti burrë, e bëri baba me një vajzë të mirë me emrin Afrodhiti:

Heshtja e nënës

Mësohem të bisedoj me heshtjen tënde,
të dëgjoj fjalët që nuk thua,
ku ligjërojnë zogj të vërtetë.

Mësohem të bisedoj me heshtjen tënde,
që nesër,
çliruar nga meraku i fjalëve,

të nisesh e qetë.

(Prevezë, janar 2007)

“Nëna, ju e keni në dorë shpëtimin e botës!”-ka shkruar Tolstoi! Sa bukur! Sa pak ka thenë Tolstoi!
“Një nënë fal kurdoherë, për këtë ka ardhur në botë!” Sa bukur e ka thenë Aleksandër Dyma! Sa pak ka thenë Aleksandër Dyma!.
Të gjitha nënat kanë një të përbashkët, që askurrë nuk mund të mbarojë së treguari e së shkruari: Janë nëna!
Sa herë të çelë dielli mbi Malin e Lunxhërisë, aty mbi fshatin tim Stegopul, le të marrë dhe vrapin e fëmijërisë sime e të çojë një degë trendeline në Dropull, mbi varrin e nënë Afrodhitit… Ka folezemrash aty, ka mallnënash!

Athinë, 28 shkurt 2007

“FotjonArt”, 15 Mars 2007

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
More in dhori, fotjon, jani, Nase
Nase Jani
13 TETORI-DITA E POETËVE

13 TETORI-DITA E POETËVE NASE JANI Kushtuar Poetëve Millosh Gjergj Nikolla dhe Dritëro Agolli Siç mund të quhet tetori Muaj...

Close