VAJE

A.Z. Cajupi

A.Z. Cajupi

 

A. Z. ÇAJUPI

VAJE

I

Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë,

Lotët që kam derdhur s’më janë dhe tharë!

Shumë vjet u bënë, sot u mbushnë dhjetë,

Që kur më ke lënë dhe s’të shoh në jetë!

Në ç’kopshte me lule ke qëndruar vallë?

S’të vjen keq për mua? S’të vjen mall për djalë?

O ëngjëll i bukur, mos mëno në botë,

Kthehu të të shomë, të na mbeten lotë.

S’rrojmë dot pa tynë, ti si rron pa neve?

Motëmot që rrojtëm bashkë, s’më urreve.

Atje tek rri janë qipariz’ e varre…

Kthehu të të shomë, mos na le për fare!

Mos na le të gjorë, me zëmër të ngrirë,

Kthehu të gëzohesh kur të shoç tët birë;

E ke lënë foshnjë, tani u bë burrë,

S’arrite ta rritje, s’të ka parë kurrë!

Për ty shumë herë çoç do të më thotë.

Po s’mund t’i përgjigjem, se më mbytin lotë!

Kthej kokën mënjanë dhe vështroj përpjetë,

Duke psherëtitur te zot’ i vërtetë.

O zot i vërtetë, s’t’erdhi keq për djalë,

Kur i more mëmën dhe më le të gjallë?

Të më keshe marrë do të qe më mirë

Dhe të rronte mëma të rriste të birë.

Me se rrojnë foshnjat? Ç’i rrit çilimitë?

Dashuri e mëmës dhe përkëdhelitë.

O zot, të jam falë, mos më le të mjerë,

Dërgom’ Evgjeninë ta shoh dhe një herë!

“Pse s’kuvendon mirë, more punëbardhë,

cili vdiq njëherë dhe prapë ka ardhë?

Gjith’ humbasën gruan, mëmën a babanë,

Po ata që mbeten si ti nukë qanë:

Të vdekurin lotët s’e bien në jetë,

Po lutu dhe falu të rriç djalën vetë.”

Doje drit, o qiell, more dritën time

Dhe më mbushe jetën plot me hidhërime!

Tani rroj pa shpresë, ndaj s’dua të rroj,

Se dhe perëndinë tani s’e besoj!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.