BUKA E HIDHUR TE “ ATDHE TJETËR”

pirro loli

pirro loli

 

 

Ese

Pirro LOLI

Nuk është ikja fundi i dilemës – ankthi zmadhohet edhe drejt mbërritjes. Është diagrama e një populli të tërë në lëvizje. Ethe ekzistenciale, stacione pikëllimi, nga mjegulla në mjegull. Të duhet të braktisësh statuja shpirtrash, objekte, njerëz, ndjenja nga më të dashurat që kanë emra shumë, që rrinë ngjitur me njëri-tjetrin: nënëbabë, vëllamotër, vatërvarret dhe… gurë e drurë e këngë e fëmijëri të kapura doradoras…
Mos pyesni pse iku Faruku, pse la atdheun, Tiranën, Selenicën, Itakën…As Naimin s’e kemi pyetur, as Çajupin, as… Po lexuesi ngul këmbë dhe unë Faruku a Pirrua përgjigjemi: Itaka na i dha udhëtimin e bukur, ajo na futi në udhën e madhe, dhe tjetër më s’ka ç’të na japë… E tha Kavafi para nesh, e kanë provuar të gjithë shqiptarët në qindra e qindra vjet; e kanë ndjerë shumë shkrimtarë të mëdhenj e të tjerë më të vegjël, që nga Eskili, Ovidi… deri te Faruku ynë.
As për shkaqet mos pyesni se janë ca gjëra të rënda mal e të rënda dhimbje të pakapërcyeshme nga vitet e nga shekujt: përmbytje, epidemi, luftëra, diktatura, gjakësi, varfëri – aq sa dhe fjala “katastrofë” nuk i mban dot të tëra.
E tillë qe Ikja jonë e viteve 90’… Këtu pemët kanë ngritur flamujt e erës/ e rënkojnë/ Nën barqe të lagura resh/ gjaku po u ftohet pak nga pak/ nën heshtje vetmie/ pa një zog, pa një fole/ Hardhitë nderin krahët/ me gishtërinjsh kockash/ të thata si pleq/ Qiparisi i zi/ me trupin prej shiu/ regjistron gurët e varreve/ që nisen në kurbet…

* * *
Kanë ndryshuar deri në mosnjohje konceptet për atdheun, kombin, mërgimin dhe patriotizmin. Ia ngritëm lapidarin Çajupit për vargun “ku më duket balta më e ëmbël se mjalta”. Por mjaft tani, kthjellohu, dhe ai qe i ikur, dhe ai kish ikur nga mjalta, dhe Naimi, dhe rilindësit të tërë, të gjithë dhe… O Faruk i dashur, do të ta them troç, atdheu, vendlindja në psikozën time, vërtet është dhimbje, nostalgji dhe e kam rrahur jo pak në poezi dhe në prozë, por i gjithë kompleksi racional dhe ndjesor më thonë se është iluzion, iluzion gjithëpërfshirës, vëlla, të mos them zhgënjim, disfatë, fatalitet nostalgjik, ndaj ta pranova romanin “Atdhe tjetër”, jo për Toronton që ke zgjedhur ti, as për Karolinën e Amerikës që kam zgjedhur unë, jo, jo! Për “Itakën brenda meje”(e brenda teje), poezitë e dhimbjes për atë hënën që mbush me ngjyrë floriri oborret e shtëpive tona.

* * *
Atdheu ynë ishte mugëtirë e panjohur, ikje e në ikje si dallgë deti, donim të ishim pjesë e bregut, detit e mbrëmjes dhe kudo kishim çati për vete e atdhe për të gjithë. Ishim të papërsosur, dorëlëshuar dhe nuk e kemi parë qartë kupën e qiellit as kur na ngrinte as kur na rrëzonte… Kokëkrisja, papërsosmëria, mospërfillja e vdekjes dhe rrezikshmëria kanë qenë alfabeti ynë që është zmadhuar e zvogëluar si hija e një reje në një kodër muzgu. Shqiptarët kanë mërguar që në mëngjeset e tyre, ikanakë të lashtë e të rinj; popull lëvizës, i aftë për t’u afruar drejt dijes, pasurisë e lavdisë, të urtë për të siguruar një jetë më të mirë, por dhe aventurierë drejt gradave dhe lavdisë; plot vitalitet për të sakrifikuar e krenarë e egoistë pastaj, për t’u kthyer me pasuri e lavdi e për të qenë gjithnjë të parët mes bashkatdhetarëve…
E vërteta jonë historike, shtrirë gjithandej nëpër botë, ka pasur një marrëzi të urtë blete, atë marrëzinë e bukur fatale – t’i mbushnim krahët me mjaltë, pa le të vdisnim në ajër.

* * *
Shkrimtari dhe njeriu Faruk Myrtaj e ka në mendje dhe sfidën e kthimit, por s’e ka provuar. Kjo ëndërr ankthi plekset dhe me dilemat e moskthimit. Ai fton që sfidën e kthimit ta vazhdojë lexuesi duke e shtuar subjektin e “Atdhe tjetër”…
Romani i Farukut ngërthen një realitet tronditës që, megjithëse i njohur, të trishton; të duket se të gjithëve na ka zënë një flamë epidemike që nuk po na lë të qetë – asnjërin – në të gjitha trajtat që merr atdheu tjetër. Lexuesi gjen vetveten, kujton, vizaton, përfytyron, këndon me vete për mallin zhuritës, i mbushen sytë me lot. Jetë dhe histori njerëzore të ngjashme, gati të njëjta deri në detaje. Këta autorë që lexohen kështu janë me fat, ata kanë dhe lexues dhe një pjesë e tyre i bëhen bashkautorë; ata vazhdojnë ta shkruajnë “Atdhe tjetër”. Shkrimtari ftillon veten dhe lexuesin. Të dy palët janë qenie të pazëna vend. Në lëvizje. Gati të patrajtshëm. Ky realizëm gati magjik, ka edhe rrezikshmërinë e vet. Të harmonizosh fate të njëjta, rrezikon të biesh në të zakonshmen, – pa dyshim përbën një kurth në krijimtari, brenda kurthit të madh që mbart vetë realizmi. Prania e shumë pyetjeve e bën lexuesin të shndërrohet në subjekt të veprës e cila kështu, pa kuptuar, shndërrohet në ”vitaminë” për të ndërtuar vetveten. Kur tronditet vetëdija atëherë ajo verifikohet e kjo ndodh kur autori provokon shije e ndjesi të veçanta pa kërkuar logjikën dhe domethënien. Libri i fuqishëm të përball dhe me asgjënë që ti dhe unë të gjejmë vetveten pa e përkufizuar, pa pikëpyetje: Edhe unë si lexues detyrohem të rrëfej e të shtoj sadopak faqet e romanit. Jemi larg artit negativ të mospranimit; autori të mund me kthjelltësinë e mendimit, me një stil poetik që, vende-vende, të duket se nuk përdor penën por filigran të hollë argjendi: qëndis pamje, ndodhi, episode, dilema, portrete, copa ëndrrash që shikon njeriu me sy hapur, i hutuar. Të gjitha, pjesë e një filmi bardhezi, gjithsesi të trishtuara. Se njeriu ka nevojë edhe të qajë, edhe t’i merret fryma e të rënkojë.
Atdheu është dashuri që dhemb. E jeta ka raste që e barazon me vetveten, janë rrënjët thellë thellë palcës së tokës, është zemra që u jep gjak të gjitha indeve jetësore, po janë dhe degët e mia që zgjaten ndaj tjetrit, tjetrit si kërkim e verifikim i vetvetes, tjetri si mirëqenie…e kështu dhe atdheu tjetër i Farukut vjen e zgjerohet gjithandej me hapësira që mbushin shpirtin njeriun.

* * *
Në formë të parë romani duket fragmentar, nuk ka linjë të unifikuar rrëfimi… Kemi të bëjmë me një magmë të shpërndarë, pikë-pikë, këtu e atje, fragmente që synojnë mozaikun, ose harmonizimin e një gjendjeje kaotike, vogëlima plot ngjyra me gurë të çmuar që synojnë kompozimin e patrajtë. Është bota e ndjeshmëria e njeriut shqiptar hedhur shkujdesur në mes të rrugëve të botës së madhe, ose në mes të rrugëve të varfërisë sonë, mu në mes të shtjellës, të atij kaosi ekzistencial, ku ikja nga një status i rëndë të bëhet domosdoshmëri. Tek “Atdhe tjetër” lexuesi i vëmendshëm priret të gjykojë për pjesëzat, detajet, guriçka xhevahiresh që duke qene të bukur në vetvete, pak nga pak rriten e i japin shkëlqim të butë tërësisë së tablosë, pa vijën mbyllëse kompozicionale, ashtu siç pikturohen dilemat.
Po, shkrimtar, po filozof, ti ke të drejtë, atdheu tjetër, ai që ke lënë, unë e di që të del në ëndërr e të çmend. Ky atdhe, që në logjikë të ftohtë, nuk bëhet kurrë “tjetër”, mbi të gjitha është kujtesë. Kur humbet kjo, atëherë shkulet rrapi i madh, rrokulliset guri dhe rrokullima nuk ka më kthim. Romancieri këtu shtjellon vetveten besnikërisht në të gjitha atdhetë… Por ndezur rrinë dritat e tij, ditë e natë, për atë që ka lënë, për atë ish-in socialist-o-komunistin, që si kujtesë mban ndezur të gjitha dramat. Dyzimi nostalgjik midis dy atdheve, falë fjalës së zhdërvjellët te Faruku, ajo fjala andej e këndej, pa rrënjë as andej e as këndej, krijon një gjendje pasigurie, mjegullore, gati-gati, sa i ziu shqiptar ngrihet si somnambul, pa e ditur se ç’kërkon. Ngado që të vërtitesh në mjediset e romanit përplasesh me epitetin dramatik “tjetër”, me ankthin, pasigurinë, por dhe me njeriun me vitalitet, në lëvizje, që guxon të ndryshojë. Ekzistenca piqet dhe lë shenje –thotë Papa Gjoni- Duhet të plagosesh që t’i bësh vend lidhjes, të pikojëjeta, duhet të plagosesh, duhet të hapemi… Autori personazh, e ka mbledhur fort në grusht dramën e njeriut sikur të shtrëngonte një sustë që mezi pret të hapet… Ai ngre para nesh sfidën e identitetit, fatin tonë deri në fatalitet e kjo i ka dhënë dorë që të shprehet edhe për gjëra pak të ditura ose të trajtuara si tabu, a më e pakta, të zbutë pikëvështrimet filozofike e morale e të mbetet vetëm tek thelbet, si plak i urtë.

* * *
Letërsia është jetë, por jo çdo jetë është letërsi. Unë e veçoj me bindje Faruk Myrtajn për aftësinë e tij krijuese për ta seleksionuar realitetin; ky autor e sit jetën (objektin jetësor) imët e imët; e kullon lumin deri sa t’i mbeten nëpër gishta çikëzat e floririt e me to ndërton atë, që i themi, të qenësishmen (thelbin) artistik. Kjo aftësi mendoj se e zëvendëson dhe metaforën e thekshme që i mungon këtu, por i shkon prozës së tij. Ajo copë jetë që zgjedh Faruku është kaq e veçantë, kaq realiste, kaq e (pa) besueshme sa e bën realitetin artistik surreal. Kujto, për shembull, tregimin “Dritat e Italisë”. Personazhin e dënojnë se admironte perëndimin e diellit në det, andej nga ishin dhe dritat e Italisë… Ky “dezertor”(!?) zë burgun e kur mendojmë se është dhe i afërmi i autorit atëherë ndjesia bëhet tepër e brishtë, therëse, ta shkoq shpirtin ty që e lexon. Ky realizëm, për mendimin tim, është edhe meritë dhe risk e kurth. Diktatura që kaluam është e përmbytur me absurde, është magmë e pasur për letërsi, ajo të tërheq dhe të josh, ajo pushton turmën e vonuar antikomuniste. Bukur do thotë dikush, por, mik i dashur, unë e kam frikë antikomunizmin letrar, ky “anti” ka shekuj që e ka eksploruar deri në skamje realizmin ideologjik. Të mos harrojmë se romanet (poemat e mëdha), të parat e letërsisë “Iljada dhe Odiseja” ose “Komedia hyjnore” janë edhe sot më realistet e të besueshmet, pikërisht sepse nuk janë reale.
Proza e “Atdhe tjetër” ka një prekje të psiqikës së njeriut shqiptar në një tranzicion të ndërlikuar, është e mbushur me limfë jete, me shumë mirazhe, ide e kumte, që, edhe pse jo me ndonjë subjekt unik, të mbush me të shkuarën, sidomos me atë të kuqen që kaluam, por dhe për të sotmen e informacioneve elektronike; edhe e ardhmja është e pranishme: ajo mbart “nën lëkurë” sfidën e kthimit. Shkurt, “Atdhe tjetër” nuk dihet kur ka filluar e kur do mbarojë. Është një status shoqëror historik në vijimësi. Do dëshiroja që të ishte roman tranzit (për nga lënda) por jo, kthim të madh nuk do të ketë. Njeriu shqiptar do jetë gjithmonë nëpër stacionet e botës me baule në krah e kjo, ndoshta do jetë mënyrë e zakonshme jetese pa streset e vizave e të kufizimeve të kohës.

* * *
Diku thashë që kapitujt e romanit janë disi të veçuar nga njëri-tjetri, megjithëse zemberekun e sahatit e mban autori. Libri është i mbushur me mesazhe, disa prej të cilëve, nga konteksti përkatës, më tingëllojnë si risi. Andaj më duhet ta ndrydh riskun e madh që mbartin moralet dhe mesazhet, sepse autori, si të gjithë krijuesit, di t’i kapërcejë kurthet që i ngre vetvetes. në rastin në fjalë, personazhi që ve në lëvizje motorin e veprës (Fabiani) nuk është emigrant i zakonshëm, është poeti e kjo i ndryshon mendësitë dhe kërkesat; ai habitet se gjen Kafkën në Amerikë, ai flet për poetët tanë me K. e me P. ai zhytet në lexime e në gjuhë dhe duke i bërë për vete fatet e krijuesve largohet nga e zakonshmja. Ai është i përveçuari, i ndërgjegjshmi, ai nuk tregon thjesht ku e si, as për të shkuarën e atdheut të tij, as për të tashmen e atdheut tjetër; ai ka ndërtuar atdheun e vet, atë prej fjale e prej fryme, atë dramatikun e nostalgjikun, atë hallemadhin e romantikun, atë që na tremb e na nervozon si çarçafi i kuq i demit në arenë, atë që na çmend ngase nuk bëjmë dot pa të, atë pra, që na thith e na gllabëron të tërë që nga mëngjesi deri në ëndërr. Ai nuk iku, si i thonë, për bukën e gojës, për të jetesa e tij dhe e familjes është e zakonshme si domosdoshmëri e elementare, por jo, jo. Si vëzhgues i hollë autori kap substancën e detajeve. Në prozën e tij fine, ai dallohet që vjen nga poezia. Fabiani është shkrimtari, ai, “Atje”, lufton dhe për bukën e romanit, atë të hidhurën, pronën artistike “atdheun tjetër”. Edhe kur e sheh në tërësi krijimtarinë e tij në prozë, duket se u thotë, ashtu i heshtur (pa marrë poza), shkrimtarëve më të mirë shqiptare: – jam dhe unë, – e krahasuar me ata të presidiumeve të përhershme… vetë ai duhet të bëjë ca zë-ve-ndë-si-me të domosdoshme…

* * *
Dikush thotë se personazhet e romanit janë të paplotë. Unë nuk e quaj vërejtje këtë, e para se nuk mund të ketë plotësim karakteresh e individësh në ekzistenca të përkohshme; e dyta se në atë strukturim që ka preferuar autori, kur kapitujt kanë shtrirje lineare, çdo kush nga ne do ta kish të vështirë të rimerrte personazhet për t’i parë në një fokus më të imët; e treta vërejtja nuk është e saktë edhe sepse me ata që jep e merr autori i romanit, Pepe, Kliti, Tina (veçanërisht), Gegu, Paulina që nuk ekziston më, janë personazhe me shenja dalluese. Mua më duket se po t’i takoj diku në Toronto, a Vlorë, a Tiranë do t’i pyes “Ku jemi parë?!) Ata janë njerëz në lëvizje, episodikë dhe të përhershëm që të bëhen të njohur e të afërt, nëpër stacione të ndryshme në udhëtimin e gjatë.

***
Romani i Myrtajt më nxit të them dy fjalë për një tabu që kultura shqiptare në të gjitha kohët e ka trajtuar jo pa spekulime. Shkurt: Jemi mburrur tej mase për personalitete të shquara, (në të gjitha fushat) të racës sonë në vende të tjera (në atdheun tjetër!) dhe ne i kemi mëshuar krenarisë së origjinës. Ka ardhur koha të kthjellohemi pak, për të qenë më realistë në sindromën e prejardhjes… Fara e bimës mund të jetë bio-elitare, por kjo nuk mjafton. Fara jonë më e mirë, më vitalja (intelektualja) ashtu hedhur në erë, “ka mbirë” gjetkë, është rritur e ka lulëzuar gjetkë e i ka lidhur frutat për të tjerë, atje në atdhera të tjerë më të mirë se yni.

***
Shkrimtari na siguron se mund të ikësh nga gjithkush e nga gjithçka, dhe nga nëna dhe nga atdheu… Ikja nuk do të thotë humbje e identitetit, përkundrazi është një lloj identiteti, por do më lejojë që këtij identiteti, unë, t’i shtoj epitetin “tjetër” Identitet tjetër që presupozon edhe humbjen, siç ndodh te atdheu tjetër. Ai ka të drejtë kur thotë se nga vetja nuk mund të ikësh… As ai, pasardhësi, nuk i iku dot vetvetes, diktatorit, megjithëse dallohej nga lëkura dhe zëri i hollë picurr…
Unë pajtohem me autorin, jam me të, me atdheun artistik, me atë që krijoj vetë, të keqin, të mirin, hyjnorin, vrasësin dhe shenjtorin, komunistin e demokratin, vandalin dhe dashnorin, me atë që na mban të lidhur me miliona fije, shtrënguar fort pas gryke, që na do fort si vdekja, që iluzionet tona na i vyshk e na i lulon, e ja, kështu, përmes ndjesive iluzore poetit shqiptar si Faruku i duken dhe malet e luginat, bari dhe pema e lumi e deti shqiptar më të bukurat në botë… Ndaj i braktisëm, do thonë me të drejtë ironikët.
Po ai na thotë se dhe martesa, familja, shoqëria, miqësia, emigrimi… – lloje të ndryshme atdheu janë, ndaj dhe mund të na mungojnë… Dhe unë shtoj – ndaj dhe mund të tradhtohen, siç e ka provuar jeta. Kështu duhet të pranojmë edhe identitete të tjera, të rreme e të urryera se të gjitha i kemi brenda vetes. Nuk harrohen lehtë tradhtarët, nipat, hamzatë, ballabanët, esatët, ata, “zgaq të përbuzshëm që Shqipëria i volli…”; e pse jo, dhe ata qindra shqiptarë, luftëtarë të mëdhenj të revolucionit grek, egjiptian, turk a rumun, që u vranë e u bënë heronj, kryeministra e presidentë, po për atdheun tjetër ama, jo për mëmëdheun. Dhe kështu ikja bëhet identitet. Dhe koncepti i atdheut tenton përhapje globale duke zvogëluar vetveten.
Mendoj se mërgimi të tkurr si njeri po të rrit si poet. Mungesa është ëndërr dhe në ëndërr krijuesi i zgjeron kufijtë e lirisë dhe të metaforës. Krijimtaria në ekzil, për të gjitha kohët e vendet, shenjohet nga emra të mëdhenj si Dante, Asturias, Alberti, Bajroni, Bukovski, Eliti… e më tutje e më thellë nga Eskili e Ovidi… Për të mos përmendur të gjithë rilindësit tanë të shquar e jo pak shkrimtarë të sotshëm shqiptarë, që kanë bërë emër në Itali, Greqi, Amerikë, Gjermani, Zvicër, deri në Toronton e largët të Farukut…

* * *
Njeriu ekzistuaka dhe atje ku mungon. Madje, mungesën dhe heshtjen, poeti i ka troje të dashura. Kush e kundërshton atë kafen e vogël me tjetër shije me miqtë atje në një tryezë të thjeshtë, një gotë raki vendi, një lajm pikëllimtar, një thashethem… Kush nuk u mallëngjye nga këngët e vendlindjes atje, atje ku ne nuk habitemi kur na thonë se lulja mbin në gur… se ai gur ka një dritëz përbrenda, që ndriçon ëndrrat tona edhe kur ndodhemi mijëra kilometra larg. Kënga është shpirti i gurit ose i shqiptarit: ashpërsia dhe elegjia e tij; ne jemi të lidhur me një kokëfortësi shpirtërore. (Kur më merrte malli për nënën, mbështesja ballin në xham dhe tretja shikimin në qiell. Pa kuptuar flisja me vete e belbëzimet më dilnin si këngë, si këngë vaji. Pastaj ngrija zërin dhe ia merrja këngës në vetmi e çmallesha e çuditërisht më kujtoheshin një për një, të gjitha. Kur u ktheva në atdhe, i harrova këngët se nëna më kish ikur; ajo nëna që ka përshkruar Faruku mbetet e pavdekshme. Ajo shkruante letra pa pushim dhe nuk i postonte.. t’i lexojë kur të vijë, mendonte… Dhe nëse nëna do të ketë ikur ajo… pa t’i lexojmë, ç’thotë nëna ?!. Sidoqoftë, në të gjitha rastet, nëna mbetet prani e përhershme.)
Të marrësh një pllakë guri në dorë andej nga anët e mia dhe të Farukut, dëgjon rënkimet e këngës labe, të dëgjosh një copë këngë, prek tingujt e përzishëm të gurit e të rrënjës e të trungut e të duket se shpirti të zhytet në një simfoni të heshtur e madhështore. Nuk gaboj nëse them se mërgimtari e prek atdheun më lehtë me krahë kënge. Si plagë që nuk zë kore. Është identiteti i tij. Malli. Dhe dhimbja. Dhe krenaria e të qenit.
Vendet e vogla karakterizohen nga patriotizmi i madh. Koha po provon se ne, shqiptarët, duhet ta duam atdheun, jo se e kemi të madh e të lavdishëm, por se e kemi të vogël e të rrezikuar, sepse e kemi akoma të copëtuar, se atdheu nuk mund të qëndrojë si mit abstrakt jashtë jetës e lumturisë së qytetarit e aq më pak në antagonizëm me të. Kjo kohë, madje, po vërteton se slogani “atdhe”, jo rrallë bëhet strehë e politikanëve të këqij, pse jo dhe i maskarenjve. Poetët shqiptarë – të talentuarit – dhe në mos u kthefshin, me veprën e tyre, e bëjnë atdheun të pranishëm brenda dhe jashtë dhe bëhen model atdhedashurie.

Tiranë, maj 2013
pirololi@hotmail.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
Read previous post:
Aferdita Laci
KANARINA E KËNGËS SHQIPTARE

Pierre P. SIMSIA Shumëkush e kanë quajtur kanarina e këngës shqiptare, shumëkush e quajnë zëbilbili, shumëkush e quan... Dhe ajo...

Close