DHORI QIRIAZI

In Memoriam

Dhori Qiriazi

Dhori Qiriazi

POETI I PËRVUAJTUR LIRIK – DHORI QIRIAZI

Nga Naum Prifti

Me Dhorin ishim bashkë në shkollën Unike të Ersekës. Për shkak të moshës, ai ishte një klasë më poshte se unë, por ne u miqësuam shpejt për hir të bashkëpunimit në gazetën e murit të shkollës. Ashtu si unë edhe ai vinte çdo ditë nga fshati dhe kthehej pasditeve në shtëpi, në Lëngëzë, nje emër krejt shqiptar, por një fshat aq i vogël aq i vogël, sa vështirë t’i gjeje shoqe tjetër në Kolonjë. Kishte vetëm tetë a nëntë shtëpi, anash Virkës, një përroi të thellë, ku ujët nuk shteronte kurrë. Shtëpitë ishin në anën veriore ku e rrihte dielli dhe po në atë faqe ndodheshin edhe pronat e tyre, livadhet, arat e kopshtet, pemët dhe kullotat.
Fshati im Rehova, ishte pak më afër se Lëngëza, gati njëzet minuta nga Erseka, ndërsa Lëngëza gjysmë ore, pra për ne vajtja në shkollë ishte si shëtitje, ndërsa disa nxënës të tjerë detyroheshin të vinin nga dy-tri orë larg çdo ditë, vetëm nga dëshira për të vazhduar shkollën. Qysh në fillim më la mbresë të veçantë shkrimi i Dhorit, një kaligrafi e përkryer, që rrëfente njëheresh kujdesin dhe karakterin e tij, dashurinë e tij për të bukurën. Doreshkrimet e tij dukeshin si qendisje, me shkronja të rregullta e të bukura, pak sipër vijës fundore, çka u jepte një hijeshi praruese.
Edhe pasi kreva shkollën unike, lidhjet me Dhorin i vazhdova me anë të letrave, po ashtu edhe kur ai shkoi në gjimnazin e Shkodrës. Ne u futëm të dy shpejt në letërsi në vitet 50, tok me plejaden e njohur, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Agim Shehu; natyrisht rrugën e nisën edhe plot të rinj të tjerë, por shumë prej tyre gajasën, mbetën rrugës.
Lirizmi i Dhorit ra në sy qysh në vëllimin e pare, “Kur zemra rreh së pari,” (1958). Edhe sot më kujtohen vargjet e një vjershe për trokitjen e vjeshtës në anët tona.

Fluturoi një varg me pata,
Mbi zabelet kodrinore,
Ah ju pata, ah ju pata,
Sollët erë prej dëbore…

Ne i shihnim patat që fluturonin nga fillimi i nëntorit në formë këndi nga veriu drejt jugut dhe e dinim se stina dimrit po trokiste dhe majat e Gramozit shpejt do vinin kësulën e bardhë të dëborës, por askush nuk i kishte vizatuar me aq hijeshi. Këto vargje i futa edhe në dramën time fatkeqe “Rrethimi i Bardhë,” e cila pati jetë shkurtër për shkak të goditjes direkte nga Enver Hoxha, i cili e mori si kritikë personale që la në mëshirën e fatit punëtorët e izoluar nga dëbora.
Sapo u diplomua nga fakulteti i Gjuhës dhe Letërsisë në Tiranë, u emërua mësues në gjimnazin e Ersekës. Sigurisht Dhori u gëzua, se do të ishte pranë mamasë, qe mezi e priste se e kishte djalë të vetëm dhe do të jepte mësime po në atë shkollë ku ishte edukuar. Shkolla 8-vjeçare tani qe graduar gjimnaz dhe titulli profesor qe joshës. Por unë besoj se në çdo cep te atdheut ta kishin hedhur, nuk do të vuante aq shumë sa në vendlindjen e tij. Edhe pse ishte mësues gjimnazi Dhorit ia refuzuan strehimin në qytet, në bazë të një udhëzimi idiot, se atyre që jetonin në një rreze 5 kilometra nga qyteti nuk u takonte strehim. Ata duhet të vejevinin nga fshatrat e tyre në Ersekë, ndërkohë që shoferëve të zyrtarëve u jepej menjëherë strehim se shefat i donin pranë, në gatishmëri, sa herë u duhej makina. U deshën shumë vjet që Dhorit t’i jepnin një garsonierë ku jetoi tok me nënën e tij, deri sa u largua për në Tiranë në mesin e viteve ’90. Edhe pse i takonin ligjërisht dy dhoma e një guzhinë, strehimi nuk ia dha, madje Komiteti kurrë nuk ia njohu të drejtën të gëzonte një dhomë si shkrimtar i njohur, si poet, si gjithë artistët e tjerë. Kolonja, djepi i Rindjes Kombëtare me plot figura të shquara, që nga Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi, Shahin Kolonja, Themistokli e Telemak Germenji, Sali Butka, Zalo Prodani e plot të tjerë, tani qeverisej nga njerëz mendjengushtë , për të cilët kultura ishte e huaj. Shefat e Kolonjës s’kishin pikë dashurie për artin e respektivisht edhe për artistët. Dhorin kujtoheshin ta thërrisnin vetëm kur afronte Festivali Folkloristik i Gjirokastrës, se atëherë duhet të redaktonte tekstet dhe disa herë të shkruante vargje popullore pa emër, sikurse qe traditë.
Dhori ishte poet lirik I lindur, i dashuruar me natyrën, me lulet, me zogjtë, me çdo gjë të bukur e njerëzore, por prirja e tij asaj kohe binte pak ndesh me frymën e poezisë luftarake të kohës, prandaj dashamirët e këshilluan ta ndryshonte paksa drejtimin. Kështu Dhori shkrojti poemën “Ushtari,” po edhe aty ai i mbeti besnik natyrës së tij. Ushtari i tij është aq njerëzor me ndjenja e mendime, një shpirt njeriu që i do të tjerët me thjeshtësi e sinqeritet. Për fat poemën e pëlqyen dhe atij i ranë veshët rehat për disa kohë.
Taksiratet e tij filluan nga një rast fatkeq për të cilin kurrsesi nuk mund të fajësohej. Shumë vonë e mora vesh shkakun pse autoritetet e rrethit e luftonin Dhorin, e mënjanonin, e përçmonin. Në vitet e parë të çlirimit daiu i tij vrau për motive të ulta një bashkëfshatar dhe për t’ i shpëtuar dënimit, u arratis në Greqi. Refreni: “ka një dajë të arratisur,” u bë shkak që Dhorin ta shihnin shtrember, si të prekur, si të deklasuar, pavarësisht se një çunak 12-13 vjeçar dhe as mund ta nxiste dajën, as mund ta pengonte për krimin. I ati i Dhorit kishte emigruar në Australi, që para lufte, më 1938, duke e lënë 5-vjeçar, por kjo nuk qe ndonjë mëkat, sikurse besojnë disa shokë të tij, se kurbeti qe krejt i zakonshëm për shumë familje kolonjare. Shtetet më të preferuara pas viteve ’20 qenë Amerika, Argjentina dhe Australia dhe babai i tij shkoi në Australi pas ndonjë miku a të njohuri që i pagoi rrugën dhe i siguroi punë.
E kisha vizituar disa herë garsonierën e tij dhe e dija sa ngushtë ishte, por Dhori shpirtmadh e duronte me përvujtni denigrimin, duke e qetësuar veten se edhe kështu kishte mundësi të shkruante poezi e të përkthente. Disa here edhe unë e ftova për drekë në Rehovë dhe pas buke delnin të dy nga zalli i Ramjes. Më kujtohet se Dhori e pëlqente veçanërisht pllajën e Gramozit, të cilën e krahasonte me një ballkon prej nga soditej bukuria e perëndimit të diellit në malet e Radomit, që mbyllnin luginën nga ana perëndimore. Pë Dhorin që jetonte në një gropë pa horizont, kjo pamje qe shlodhëse e frymëzuese. Kishim ndenjur disa herë bashkë duke soditur diellin e duke biseduar lirisht për çdo temë, për letërsi e politikë pa patur druajtje nga shoshoqi. Poeti më i preferuar i Dhorit qe Bërnsi, të cilin e pëlqente veçanërisht, prandaj iu fut me passion përkthimit të poezive të tij. Gjente diçka të përbashkët midis Skocisë dhe Shqipërisë. Më 1998 botoi librin “Poezi” nga Robert Bërnsi. Për fat u gjetën kritikë të huaj që e çmuan punën e tij, ndaj qyteti Irvin (Skoci) e nderoi duke e zgjedhur në vitin 2003 anëtar të përjetshëm të “Irvine Burns Club,” nder që e meriton plotësisht.
Dhori përktheu disa kryevepra nga letërsia botërore. Ai zotëronte mjaft mirë rusishten të cilën e kishte mësuar në fakultet, ndërsa anglishten e mësoi nga etja të zgjeronte kulturën e tij. Do të sjell vetëm një shembull për të treguar sa e urrenin Dhorin autoritetet lokale dhe sa keq e trajtonin. Për ta larguar nga qyteti, se pamja e tij u vriste sytë, poetin e njohur e transferojnë mësues në fshat, në një shkollë tetëvjeçare. Ishte një goditje e rëndë për prestigjin e tij dhe autoritetin e tij nga profesor gjimnazi, mesues fshati. Dhori e duroi, nuk kishte ç’të bënte. Por skifterët e Degës së Brendshme nuk u mjaftuan vetëm me transferimin e tij në fshat. Ata mtonin ta fusnin në burg, ndaj organizuan një skandal të shëmtuar. Mësuesi i urtë, shembull i sjelljes korrekte dhe i urtësisë, u akuzua se kishte goditur një nxënës në klasë, sa atij i kishte kulluar gjaku çurg. Skandali u përhap menjëherë dhe vazhdonte histerizmi për ta denoncuar, gjykuar e për ta dënuar. Mirëpo ata qe e njihnin karakterin e Dhorit, sapo e dëgjonin “lajmin” rrudhnin buzët, madje hapur pohonin se ajo qe intrigë e kurdisur keq kundër tij. Dhori nuk vriste një mizë, jo të godiste nxënësit me grushte. Skandali u shua pak nga pak si një re që davaritet në qiell pa lënë gjurmë. Dhori qe shpirt njeriu me nxënësit e tij, madje dhe me ata me korrespondencë që i shihte njëherë në vit, vetëm kur vinin për konsultime a jepnin provime. Njeherë, -ishte muaji maj a qershor-më tha të shkonin bashkë në gjimnaz se dikush kishte për të dhënë provim. Gjimnazi qe shumë afër dhe unë e shoqërova me dëshirë. U futëm në klasë, pasi regjistroi emrin e nxënësit, një oficer i ri, Dhori e luti të merte një pyetje nga letrat që hapi mbi tryezë. Oficeri mori tezën dhe u hoq mënjanë të përgatitej. Dhori më tha të delnim jashtë dhe ne dolën jashtë ndërtesës, në oborr. Oficeri mbeti vetëm, çka qe kundër rregullores. I kujtova Dhorit se tani oficeri mund të kopjonte dhe ai ma ktheu: “Po unë prandaj dola, ta lë të lirë të kopjojë sa të dojë, se dhe ashtu nuk e di a mund të kalojë.”
Një rast tjetër flagrant i shkeljes së të drejtave të tij më elementare. Dhori i kërkoi të atit t’ i dërgonte një makinë shkrimi që të mos mundohej nëpër zyra duke iu lutur të tjerëve të daktilografonte krijimet e tij. Dhe i ati, pasi zgjodhi një makinë shkrimi të mirë, ia dërgoi nga Australia. Pakoja arriti në Ersekë, por ngjalli zilinë e autoriteteve të rrethit. Në mënyrën më të paskrupullt i thanë se nuk mund t’ia jepnin mbasi qe mjet propagande. Dhori paraqiti argumente se shteti u kishte falur shkrimtarëve makina shkrimi si mjete pune, herë si shpërblime nëpër konkurset e herë me çmime modeste. Ai u tha se qe gati ta paguante doganën, sa të ishte, veç ta merrte dhuratën nga babai. Nuk e dëgjuan. Makina e shkrimit u rekuizua paturpësisht dhe as dihet ku përfundoi dhe kush e përvetësoi. Dhori as nuk mori mundimin të ankohej, se e dinte që ishte e kotë.
Sa herë vija në Ersekë me sherbim ose me lejë, Dhori do të më ftonte te shtëpia e tij. Mamaja e tij na i sillte ushqimet me tabaka në studion e Dhorit, që shërbente njëkohësisht edhe si dhomë gjumi. Sa herë e përfytyroj, më del përpara një grua e qeshur, e dashur, shpirtmirë, gjithmonë buzëgaz. Me sa duket asaj i ngjante Dhori nga karakteri. Ajo zuri punë në repartin e qilimave, ashtu si shumë gra e vajza të tjera. Të djelave dhe ditëve të pushimit në behar shkonte mblidhte sherbelë dhe gollogunga, (kokrra dëllinjash) në pllajat e Kolonjës, të cilat pasi i thante, ia shiste repartit të bimëve mjekësore. Dhori e qortonte të mos mundohej se nuk kishin mbetur për ato pak të holla, por ajo s’e dëgjonte. “Po pse, kur venë shoqet e mia, pse të mos vete dhe unë? Edhe në fshat unë prashisja, korrja, vaditja, mbaja lopën dhëntë…”
Kohë pas kohe merrnin edhe ndonjë ndihmë nga mërgimtari i largët, por me që regjimi e mbante artificialisht ulët vlerën e dollarit amerikan, ndërsa atë të dollarit australian akoma dhe më ulët, të hollat që dërgonte s’kishin duk dhe treteshin shumë shpejt.
Më 1957 im atë u riatdhesua nga Amerika, për shkak se mjeku e këshilloi të kthehej në vendlindje. Mendohej se klima e vendlindjes qe regjenuruesi më i mirë për shëndetin e të mërguarve. Më kujtohet sa u gëzua mamaja e Dhorit kur e mësoi lajmin. Ajo më tha: “Bëri mirë yt atë që u kthye pranë familjes… Edhe ai imi kot rri atje tani.” Mirëpo fati s’deshi që ajo ta shihte sërish bashkëshortin e saj dhe as Dhori babain e tij. Ai e mblodhi mendjen të kthehej në atdhe, për shkak të mallit për familjen dhe të moshës, sikurse u shkruante në letër. E prisnin me ngazëllim, por kur po gatitej të nisej, e zuri një sëmundje e rëndë dhe vdiq në spital. Ikën dhe kursimet e pakta që kishte mbledhur gjatë viteve. As që dihet kush e si i përvetësoi. U përfol se te hollat shkuan për mjekime e për shpenzime funerali. Dhimbja e tyre nuk qe për paratë, por u mbeti merak që s’mundën të çmalleshin e ta shihnin edhe njëherë. Ismail Kadareja dhe Dritëroi qenë shokët e tij më të ngushtë dhe ata e donin. Disa herë ata ndërhynë pranë autoriteteve, sikurse dëshmohet edhe nga një letër e Ismailit, dërguar Hekuran Isait, që ta lejonte Dhorin të vizitonte babain në Australi, me shpenzimet e tij, mirëpo nuk i dëgjonte kush. Mur i pakapërxyeshëm qenë zyrtarët e Kolonjës.
Dhori u fejua me një arsimtare nga Kolonja dhe për dasmën e tij ftoi plot shokë e miq, shkrimtarë e artistë nga Tirana dhe qytete të tjera. Në dasmën e tij shkoi Ismail Kadareja, Helena, e shoqja e tij dhe unë me makinën që na dha Lidhja e Shkrimtarëve. Gëzimi i Dhorit s’kishte kufi. Vizita jonë e nderonte në sy të miqve dhe të kundërshtarëve. Dasma u bë sipas ritit tradicional, me valle e këngë e dolli. E joshur nga vallet e bukura kolonjare, Helena u ngrit dhe u fut në valle. Disi e habitur me veten e saj që ia doli mbanë me sukses, se kurrë s’kishte hedhur popullore, tha se ndihej e lumtur. Dhori na mbeti mirënjohës për jetë për nderin që i bëmë. Ndofta do të kishin ardhur edhe më shumë kolegë, por për çudi rruga e Kolonjës u dukej tepër e gjatë, e lodhshme, e mërzitshme, edhe pse ishte vetëm 45 km. larg nga Korça, pra vetëm një orë e gjysmë me makinë.
Pas rënies së dikataturës Dhori shkroi disa artikuj te “Zëri i Popullit” per probleme kulture e arti. Më erdhi inat sa isha gati ta qortoja, por pastaj e kuptova veprimin e tij. Ai donte t’u thoshte partiakeve se kot e kishin luftuar, mënjanuar, goditur, mbasi ai ishte ashtu si kishte qenë, njeri punëtor dhe i ndershëm që e donte punën me shpirt.
Goditjen e fundit e mori nga Kolonja kur u shpërngul në Tiranë, pranë fëmijëve që vazhdonin shkollat e larta. Dikush ia okupoi shtëpinë duke e shqyer derën dhe iu deshën gjithë ato përpjekje, gjyqe pas gjyqesh, para për avokatët, që të rifitonte të drejtën e tij ligjore.
Dhori ishte natyrë e qetë, po njeri me energji te pashterura dhe punëtor i madh. Ai gjithë jetën punoi në heshtje, pa u merakosur për çmime, nderime e shpërblime. Perditë shkonte ne sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare dhe atje punonte me ngulm për veprat e tij origjinale, përkthime, ose studime. Dhori i fali letërsisë shqipe disa kryevepra të letërsisë botërore si dramën “Kufoma e gjallë,” të Tolstoit, poezi nga Bërnsi, “Gjauri” dhe “I burgosuri i Shilonit” nga Bajroni, “Libri i Kengëve nga Petrarka, “Sheshi i Shatrivanit” nga S. Kuazimodo, poemën e Nekrasosvit “Kush jeton mirë në Rusi,” e cila më dukej si aluzion për gjendjen në Shqipëri, e midis të tjerash edhe një libër studimor për përhapjen e Krishterimit në Shqipëri. Ai punoi gjithë jetën me përkushtim, duke lënë pas kujtime të mira dhe krijimtari të pasur, të cilat janë kurorat e luleve të varrimit, kurora që nuk vyshken.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.