MELODI NË SURDINË

pirro loli

pirro loli

MELODI NË SURDINË

ESE
PIRRO LOLI

(Mbi novelën e Primo Shllakut ”Muzikantët”, botuar në numrin e parë të antologjisë së prozës moderne, Tiranë, OMBRA, 2005)
Misteri i letërsisë moderne të shfaqet që në fillim. Është fjala. Mister gati i pakapërcyeshëm. Si do thuhen ato që nuk duhet të shprehen, si do maskohen dritat …ndërkohë ato, të padukshmet drita, duhet të hidhen si prozhektorë pas sendeve e dukurive për t’i rikrijuar ato. E pastaj me radhë e me mundim, deri te përcaktimi i formës, që siç ka treguar përvoja e letërsisë bashkwkohore, mbetet thelbësore e, lënda artistike quhet e tillë kur ka konkretizuar e skicuar fytyrat, siluetat, si një pallat ku është ndërtuar skeleti metalik në fillim në letër, e pastaj, në natyrë për tu mbushur plotësisht.

“Muzikantët”, me siguri ka ndjekur këtë rrugë. Të parën formën. E Shllaku, nga të rrallët për kohën e tij, vërteton tezën e letërsisë moderne se përmbajtja e veprës është më komplekse se subjekti .

Dekori:

E fillova këtej se rrëfimi zhvillohet në formën e një drame, me të gjitha karakteristikat që kërkon skena, vendin, kohën, dialogun, aksionin, , mizaskenën….

Jemi në Kafen e Madhe të qytetit. Në një cep të saj, darkë për darkë, nga ora 6-10, një orkestër me pesë vegla muzikore, që njëkohësisht janë dhe pesë personazhet e novelës, luan muzikë për njerëzit e lokalit. Jemi në vitet 80’.

Dekori shoqëror, tematika, ose mesazhet janë pothuajse të pashprehura: Diktatura nuk është vetëm dhunë, polic e burg, por dhe zakon, mënyrë jetese, zvetnim, iluzion, uniformitet, komandë. Një tren që ecën e ecën verbazi diku në një vend tepër të largët që ëndërron ta presin me flamurë. Pse jo dhe një orkestër, me këngët e veta masovike, rreptësisht të caktuara. Diktatura është dhe përditshmëri monotone, pa ngjarje, pa kërcitje. Është gjithashtu një jetë pa halle, sepse pa kundërshtime, pa protesta, shurdhmemec, sepse dhe gjuha dhe veshët janë të tepërt, madje të rrezikshëm. Skllavëri e lumtur.

Tek ne , ka munguar kultura e protestës. Të fundit qenë ato kundër fashizmit italian , të tjerat më pas, në të gjithë faqen e shekullit, qenë festivo-përkujtimore dhe kishin të bënin vetëm me duartrokitjet. Njeriu i orkestrës, njeriu- vegël, që na tregon P.Shllaku e që e gjenim në çdo cep të jetës socialiste, kurrsesi nuk është gati të kundërshtojë, të indinjohet, apo të protestojë. E shumta ai shkon deri te orari i punës, deri te një ngritje e muzikantit më këmbë, që gjithashtu është e ndaluar, ose deri te pëshpërima e violinës. Keta personazhe të depersonalizuar i dhëmbin shumë autorit. Janë nga një fis i lavdishëm, por të një populli që po jep shpirt në një lëngatë të gjatë. Me përshkrimin e gjendjes, ai do ta rilindi njeriun. Dhe simbolet e poetit janë tepër pjellorë. Në këtë novelë personazhet janë pesë: trompa, violina, kitara, tamburi dhe fizarmonika. Zëri i autorit mungon. Ai shpërndahet e lëviz në të gjitrha veglat që flasin në vetën e parë. Më saktë ata mendojnë, hamendësojë, supozojnë e, kështu, ndërtohen raporte të secilit me klientët dhe me sallën, por dhe me njeri tjetrin se ,natyrisht përbëjnë një orkestër e kanë nevojë për një farë hierarkie, komande e ritmi. Shumica e foljeve janë në vetën e parë, sepse mungon e ardhmja, sepse nuk pritet asgjë. Novelë pa fabul, pa ngjarje, pa veprim, pa karaktere. Një ajër i rëndë, kënetor që të merr frymën, me njerëz aq të zbetë, pa asnjë emër. Pesë personazhe nuk bëjnë dot asnjë të saktë me të drejtë analize, veçse të gjithë presin e presin se diçka do ndodhë, sa për të thënë se kaloi dhe një ditë, e ,sot na u këput asnjë tel, vallëzoi një çift simpatik, trompa u ngrit njëherë në këmbë, u deh një burrë, u fikën dritat, erdhi një lakuriq, ra shi etj. E, nëse këto, njeriu i civilizuar do t’i quante ngjarje, duhet të pranonim, se sapo kemi hedhur hapat e para të përshtatjes e dukemi si të porsadalë nga primitiviteti.

***

Ç’është kjo prozë e gjatë pa veprim? Ç’do të thotë Shllaku me këtë orkestër? Është një autor që nuk eksperimenton xhaba, në poezi e në prozë. I ushqyer me qumështin mbretëror të letërsisë botërore, sidomos në orgjinalet e gjuhëve frëngjisht, gjermanisht, italisht e anglisht, me talentin e tij, ai lind megjithë mitër, ai e ka të bukurën nën lëkurë dhe e zotëron të gjithë tablonë e artit edhe kur zhytet si palombar thellësive, edhe kur noton si atlet në sipërfaqe. I kam ndjerë drithërimat e shpirtit të tij te novelat “Unaza”,”Pema e madhe në mes të sheshit”,”Loja”,”Nata e qenve”,”Artisti dhe studenti i tij”etj .Kam ndjerë aftësinë etij skenike te dramat “Një mbret pa mbretni”, “Aktorë pa kujtesë” “Banori i katit të sipërm”, dhe në qindra poezi, te “Lulet e natës”,”Drita e njelmët e hanës”,te “Edhe fjalët shkojnë në ferr”dhe gjithnjë, me modestinë e tij, gati vetvrastare, ai e di fort mirë ç’i mungon e nuk kënaqet kurrë me vetveten. Për të është e huaj mendjemadhësia dhe vitrina. Ai qendron shumë larg dhe distancohet nga bufonët e paditur, që bëjnë” kryevepra” dhe bredhin pasqyrave duke u krehur, bojatisur e pudrosur pellgjet e ndenjura, ose në sytë e dashamirsve të tyre që u luten të shprehen: ”pa shihmëni,o miq,a jam i bukur?”

***

“Muzikantët” e Shllakut më kujtojnë “Gostinë”e Xhojsit te “Njerëzit e Dublinit”, atë grup grash, që flasin e flasin pa pushim ,nga mëngjezi në darkë, për gjithçka e për asgjë e në bla-bla-në e tyre, mbarë e mbrapsh, nuk kupton ç’duan të thonë e ç’hall kanë. Në gostinë e Xhojsit askund nuk e ngul dot pirunin të hash diçka. Nga të parët në letërsinë narrative , ai theu kornizat kanunore të përmbajtjes e të formës dhe tregoi me kryevepra, se bukuria e artit “qëndron në të fshehtat e tij, në thembrën e Perëndisë”. E Xhojsi krijoi një galaktikë plot enigma, kaos e kotësi në këtë botë plot përmbajtje e optimizëm, (natyrisht) për shumicën e shkrimtarëve të radhës.

Desha ta drejtoj vëmendjen e lexuesit te ORKESRTA e Shllakut , që me psherëtimën e violinës, me brushën e tamburit, fërkon e gërvish ritmikisht në kujtesën e kohës si në lëkurën e njeriut ose membranën e jetës, për të nxjerrë një zë, një melodi; për të vizatuar

“Njerëzit – vegla.” Ose mobilie që zënë një vend diku dhe u ndalohet të mendojnë. Njerëz, që mund te bëjnë muzikë, por …Njerëz të tredhur. Dhe shkrimtarë të vetëtredhur

SHKRETËTIRË OSE BAZORELIVI ZERO

Rrëfimi i shkrimtarit këtu nuk ka asnjë ngritje a ulje, asnjë nerv në evidencë, asnjë prononcim për mirë a për keq. Askund mal a kodër. Askund një përrua. Asnjë burim ku të krijohet një oaz gjelbërimi. Terren fushor .Myzeqe 1950, me nja dy plepa të zverdhur tutje në horizont. Bazoreliev egjyptian ose ,më saktë, një det sini, ku me zor mund të dëgjosh frymëmarrjen e tij nga ato valëza që venë e vinë, të imta si rrudhat e ballit e të heshtura si me qenë njw det i tërë i tredhur ose në surdinë. Shushurimë e suprinës. Si bisedat e veglave të orkestrës. Në buzë. Dhe më keq, në hamendje ,dmth, me vetveten. Pa tinguj nw buzw. Sidoqoftë dhe nga deti i keq, ose deti i dobët, diçka pritet, diçka do ndodhë.., ndoshta pritet era. Ja, në kafe hyri një flutur e zezë, një lakuriq nate. Kjo është ngjarja më e madhe. ”Nga kjo ngjarje diçka ka lëvizur, thotë autori-Alamet grash të veshuna e të ngrehuna që ulërinin e hidheshin barkas në prehnin e burrave të tyne,që gjuanin ajrin me duar dhe shëmtoheshin në fytyrë”…”Lakuriqi u shpall armik i përbashkët”. Një lakuriq, pra. E vetmja valëzë që preku bregun e lëshoi një bulçi shkume. S’dihet nga doli. ”Në fillim mu duk si dallandyshë”…”me bateri mund të shprehësh vetëm inatin…”Por si i bëhet? Ne nuk kemi asnjë inat. Ne pothuajse jemi të lumtur, pa kundërshtarë…”Ai që çohet më këmbë për të zotnue sallën me veglën dhe muzikën e vet, ai që don me këndue solo, pushohet” Autori ka të drejtë. E,pra kemi të bëjmë me një orkestër. Këtu duhet rregull. Këtu s’ka vend për solistë. Pse duhet të rrezikojmë? Edhe kur u fol se mund të vinte një këngetar pranë orkestres sonë, trompa na i sabotoi, ai e di. Ai është përgjegjësi, dmth, shteti. Po ndodhin ca gjëra që nuk i pëlqejë Trompës. Sot bie shi .U zgjatua një tel. Dje u këput një tel. Pati dhe vallzim jashtë orarit. Diçka e çuditshme dhe me telashe. ”Mandej ?”,pyet dikush. Mos pyet shumë .Për ta s’ka “mandej”. Ajo që supozohet nuk është. Pyetjet dhe kureshtjet, gjithashtu janë të palejueshme .Ose, të paktën, nuk i ka qejf Trompa. Dhe kjo është e mjaftueshme për dyshime. ”Sot një person, të jepte përshtypjen e qënies femër. Atij i fërkoheshin shalët..në këtë rast, kishte shumë randësi të ndihesha mashkull.”Ja, e shihni, njeriu duhet te ketë një farë identuiteti, apo jo? Sidoqoftë tw gjithw këta njerëz vallzojnë me muzikën që japim ata. E kjo “diku në thellësi na zgjon një epsh të errët komandimi” Ata, sidoqoftë janë disi. dikushi e ëndërrojnë. Por epshi është forcë, krijim. Epshi që nuk realizohet tregon të tjera gjëra.(Të paktën, tredhjen e personazheve dhe të shkrimtarëve, gjithashtu) Gjene, çka! Mendja vete dhe në të ndaluarën. ”Në fokus një femër me fustan të ngushtë.Kur ulet përballë,unë ia ndiej komplet kofshën e saj. Ajo më heton. Shqetësohet. ”Por dhe ky veprim i njerëzve të bukur e të guximshëm, s’është i qartë.” Gjunjët e saj nuk janë më të shndritshëm; mes meje e gjunjëve, një cipë e hollë çorapeje…”pastaj, trompa na tremb. Ai s’bahet kurrë njeni prej nesh. Pra, s’jemi pesë po 4+1.Keshtu është më mirë të quhet orkestra jonë 4+1, jo orkestra e Kafes së Madhe…”

“Ngjarjet”, si valëzat, hapen e humbasin e treten te njera tjetra e, njekohesisht,

të tilla si rrudhat, fillojnë përsëri të nesërmen, nga ora 6-10. E lexuesi me të drejtë mund të pyesë, ç’është ky tregim? Ç’do të thotë shkrimtari me këto biseda kaq të parëndësishme veglash muzikore? Autori vërtet i ka shtrirë në sipërfaqe, por i ka qëndisë të gjitha, pa zhurmë, pa ngjyra, e bardhë mbi të bardhë me penj të bardhë që mezi duken si në qindismat e holla ; vogëlima që shtyjnë njera tjetrën valë valë ,llaf-lluf si gratë e Xhojsit ,dhe se ku do të dalë ,këtë s’e marrim vesh. Edhe Xhojsi s’ka gatuar gjë, le të jetë Xhojs, por… lexuesi i ditur e di fort mirë se pas lumit e gurgullimave, vërtiten mokrat e rënda e monotone, e, brenda godinës aq të thjeshtë të mullirit, diku në qendër, bie mielli. Ashtu hollë hollë rrëshqet poshtë në një lugë të ndritshme, ku rrinë mbërthyer sytë e mjeshtrit që, duke fërkuar miellin në dy gishta, mat cilësinë. S’ka rëndësi mobilieria, pra!

U ndala pak këtu për ta treguar si karakteristikë themelore të krijimtarisë së Primo Shllakut pikërrisht enigmën, misterin. të pa thënën që thotë krijimtaria e tij. Ai që rrjedh nga një familje oxhakditur, buzë liqenit e Bunës, ku trusnitë e egra ,gati e kanë shpwrfytyruar Shkodrën deri në palcë, ose deri në kulturë, Shllaku me të tijtë mbetet një triumf i veçuar që meriton vëmendje.

MELODI NË SURDINË

Tregimi i Shllakut nuk mbaron ku vihet pika e fundit. Pikërisht atëhere fillon “të krijojë” lexuesi. Nëse syri i tij ka parë përtej sendeve, nëse mendja e tij e kapërcen valën e detit e gjen dallgën, nëse veshi i dëgjon muzikën në surdinë, jemi afër thelbit, ose në trojet e artit në poezi e në prozë. Për ilustrim, do marr shkas nga një fikje dritash në kafenenë e Primos. Ç’efekte mund të ketë gjysmëerrësira në një lokal? Klientët në këtë gjysmë errësirë “shijojnë më tepër muzikën, afërsinë, ndoshta dhe heshtjen. ”Çiftet afrojnë faqen,diçka duan të thonë pranë veshit, ndoshta fjalë të ndaluara në dritë,psh.”të dua”,ose”je shumë e bukur”. Pa shih, njeri ia afroi nofullat te gusha vajzës së tij e si padashje dora i rrëshqiti në inje e ,përsëri si pa dashje, i a hodhi vitheve. Violina entusiaste, gati po thërret: ”Sot dua të bëj qejfin tim. Nesër do të ketë drita të forta, drita tamam për kamarierë që i bajnë llogaritë e tyne në kambë” Dhe të gjithë sikur futen te vetvetja e sikur luten që difekti i dritavë të mos rregullohet. Violina më poshtë: ”Pse në një orë të caktueme në këtë lokal ,të mos ulen qëllimisht dritat e kjo të jetë e përnatëshmë?” Paska nevojë , i ziu njeri të mbetet me atë që do. Dhe, kur ai ,e ndien më mirë veten në errësirë, atëhere dyshimet të mëdha bien mbi dritën, jo mbi terrin. Po violina? Po artisti ?Artisti ka nevojë dhe të ulërijë në vetmi, të drejtojë veglën, apo gojën e shpirtit nga qielli e të këndojë ,e të qajë, të qajë…”me drita të uluna, thotë Shllaku, asht ma mirë. Duart e njerëzve (atyre që vallzojnë) s’janë ma çengela të hedhuna në tokë të thatë. E ne u biem veglave gati për vete. ”Diçka e ndaluar, apo jo? Rretherrotullsia zyrtare shqetësohet. Kryekamarjeri , i alarmuar në telefon: ”Asht djeg një fazë”. Po atëherë ç’është drita. Lind nevoja e përkufizimit ,apo jo? Dale, prisni! Jemi akoma para erës së re. S’ka rënë muri i Berlinit. Jemi në Kafen e madhe të shtetit. Dhe shteti ëshe orkestër. Që ka nevojë për rregull, disiplinë, komandë. Ka nevojë për një trompë sinjalizuese. ”ç’bahet me një orkestër kur nuk ujdisin pjestarët e saj? ”Fajin e kanë ata që stonojnë, natyrisht. E shteti-dritë i sheh të tëra. Jashtw derws ka dhe burg pwr ndonjw vegwl”qw stonon”

Njeriu është i prirur ta shpallë e ta shijojë notën kundër, qoftë dhe në mendim. Në heshtje ai ka dëshirën për të qene ndryshe. I duket sikur kjo ia lehtëson peshën e qënies. Atij i pëlqën të jetë zot, të pakën i jetës së tij. Ndërkohë s’ka asgjë në dorë për këtë realizim se ai ka firmosur kontratën dhe se vetë jeta është marrveshje, ose orkestër. E këtu shkrimtari, i kalon kufijtë e një regjimi. Ai i shmanget kohës konkrete direkte e, duke qenë plotësisht brenda saj, mundohet të ruajë paanësinë. Kështu ,mjeshtërisht, ai i ikën bashkëkohësisë e udhëton drejt njeriut si ekzistencë, në shumëkohësinë e të gjithëve, atje ku drita ,errësira, apo syri janë kudo njëlloj.

“ Tingulli trandës nuk po i shkon errësirës së fëshferitjes së brushave të mia, psherëtimës së violinës”…Diçka stonon.Të gjitha stonojnë në këtë botë.” Ndërkohë ia vë syrin një gruaje që vallzon. Ajo e kupton dhe dikujt i buzëqesh nga jashtë. Shoh andej. Askush. Vetëm xhamet, rruga ,pemët dhe nata. ”Ose qetësi shoqërore, e rëndë. Për artistët akoma më rëndë, natyrisht. Përditshmëria është monotone, monomelodike.Tmerrësisht monotone. E, ndërsa bashkëkohësia është e shpëlarë me dritën e diellit ndiçues e me fasada që kuqëlojnë, për artistët e vërtetë s’ka vend. Diku, njeri thotë:”Per t’i rënë veglës duhet të kesh një hall. ”Artistët duhet të kenë ethe, temperaturë, dhijmbje. Arti është luks e qejf për ata qe ë konsumojn, jo për ata që e bëjnë. Mbushur dhimbjesh për njeriun, për kombin e kulturën, Shllaku i ikën dritës së kohës e struket si murg ,jo vetëm shpirtërisht. Të gjitha lulet e zakonshme i hap drita, ndërsa atë (nga specia dhe rrethanat, lule iqindie), drita e vret ,e mban të mbyllur, të mbërthyer, të zhubravitur. ”Kjo zhubravitje quhet ginxhe. Tamam si sy. Drita ia mbyll qepallat, dhe meqë, ajo, as ashtu s’e pret furinë e dritës, qepalla rrudhet, zhubravitet.”

Atëhere murgu ,i mbyllur në shpellën e vet, ndriçohet perbrenda. ”Atë e hap nata, errësira, qetësia. Çiklamini i saj zgjatet drejt errësirës.”Në vetmi.Vetëm për vete”.

Kjo, ndoshta, është metafora më e saktë e Primo Shllakut, për të mos thënë edhe deviza e veprws sw tij. Dhe ai e shpall çastin.”këtë orë e dua dhe e pres” Ky çast zgjat pak. I ngjan epshit ose krijimit, asaj çete të vogël profetësh që zbukurohen duke e dashuruar vdekjen.

Si poezia dhe proza e Shllakut është ndryshe. Ajo ka “të meta” të mëdha të mjaftueshme për objekt akuze. Proza e tij s’ka subjekt, s’ka epizëm e i mungon krejtësisht gjymtyra më e fuqishme e letërsisë sonë, heroizmi. Ajo bije ndesh me letërsinë e mbushur me ngjarje, vrasje, tradhëtira, sharra që presin duar a këmbë, hakmarrje klasore, njerëz që u ka mbirë dyfeku në qafë, vëllavrasje, fshatarë me topa, komisarë e plot e plot ideale të ndezura për ta ndryshuar botën. Si i tillë Shllaku nuk duhej të shfaqej e letërsinë e tij duhet ta ruante si kanguri të voglin e vet, në një xhep, në bark .Jo vetëm në këtë tregim, por e gjithë krijimtaria e tij, në prozë e poezi, përbën një disidencë të veçantë

e plotësisht të merituar, në kundërshtim me ata të kreit e të presidiumeve, që, socrealistë nga koka në këmbë ,tani duan të marrin dëshmi disidence.

Duke shkruar për vete ai e ruajti veten si krijues më mirë se ata që mbushnin gazetat e botonin nga dy libra në vit. Nuk e di si do ishte shoqëria, kultura apo letërsia jonë, nëse artistët do ta gjenin veten larg dritës, te murgëzimi, mosshfaqja, ose te pritja e gjatë, deri tek një budizëm pa cak. Sidoqotë ai mbeti solo, dmth, në kot. Lule qindi. Dhe vazhdimisht me jetë murgu i veçuar, kaq shumë sa dhe sot, mua më duket se nuk don ta flakë surdinën nga veglat e tij muzikore ,jo vetëm si metaforë. Por dhe si diagnozë ,thashw pak me lart. Ai e di se produkti letrar është krejtësisht vetanak, mall i bukur për të zezën e të zotit.

Askënd nuk habit disidenca e Shllakut në kohën e totalitarizmit. Pozicioni i sotshëm ndaj kulturës e mendësisë shqiptare , ka më tepër disidencë e kjo, jo vetëm që kërkon diskutime të tjera, por ashiqare tregon se ai është një krijues vazhdimisht i papajtueshëm me botën, sepse i gatshëm të sakrifikojë për artin me vullnetin e asketit permanent.

Por…”trompa dukej si lule, si lule që nxjerr za.”…“Shpërthej në gaz e s’di të justifikohem. Asht turp të qeshësh solo. Ti qesh, por dukesh si idiot.” Simptomë e memecërisë ,ose e tredhjes. Tek personazhi dhe tek i zoti …Kjo frikë ose autoçensurë e ka ndihmuar autorin të kapërcejë shtegun e vlerave brenda kohës e tregimi të ruajë vetveten në kohën në numrin shumës.

ANKTHI I PRITJES

Muzikantët është vepër për njeriun inaktiv, një farë derrkuci që duket i kënaqur, që ka rënë në ujdi me statusin e vet. Të lumtur në mjerim. Në fakt, me një ngopje në boshllëk. Është kriza e njeriut pa veprim. Duke gjykuar se boshllëku, vaniteti, moskokëçarja “ku rafsha mos u vrafsha”, janë

cilësi jo vetëm e njerëzve të pasur, tingëllojnë në tërësinë e tregimit si dukuri universale.

Kjo amulli e kënaqshme e përtjashton ngjarjen dhe pritjen që, gjithashtu janë dukuri universale të lëvizjes dhe të njeriut që do të ndryshojë. Duke i vizatur njerëzit- vegla të grupit të parë, Shllaku ndërkohë na ka vizatuar harten e pritjes ose të ankthit, natyrisht, në relativitetin e njerëzve të amullt e inaktivë. Ata lëvizin vetëm gishtat, buzën, apo këmbën që u duhet për të bërë muzikë. Nga ora 6-10 kështu. Ah, po çoku bëjnë ndonjë pushim të vogël, pinë ndonjë kafe e natyrisht marrin frymë, ushqehen, urinojnë e përsëri kështu të nesërmen. Ndoshta që nga lindja në vdekje, kështu. Megjithëkëtë njeriu është i prirur ta dojë atë që i mungon. Ose ta presë në nje farë mënyre. Ata presin një gjë të vogël fare, sa me thanë, që, ja na ndodhi diçka dhe sonte e s’e kaluam keq.

Kjo jetë plotësisht e zbrazët, ata nuk mund t’i bëjë protaganistë, por , e shumta pjesmarrës. Ata janë vëzhgues pasivë e nuk u takon ajo që vjen. Kjo kategori(trembem t’i them tipike), nuk mund të bëjë histori, e shumta është pësonjëse e historisë ose rezultante pasive e dallgëve dhe e forcave jashtë saj. Dhe kur ndodh diçka , këta njerëz ,nuk e honepsin rezultatin. Kur në lokal hyri lakuriqi i natës, e sulmuan të gjithë, nga të gjitha anët derisa e vranë. Vini re një detaj: fizarmonika i shoqëron lëvizjet dhe përpëlitjet e tij me muzikë, gati si një marrëveshje e brendëshme që bën njeriu me një send të panjohur. Kjo është përpjekja e njeriut për tu bashkuar me ngjarjen. (Kush të dojë mund të heqë paralele me dëshirën e njerëzve për të krijuar partira, shoqata e veprimtari të ndryshme, ndesh me një status, ose në ndihmë të tij). Simboli i lakuriqit në rrëfim, ta çon mendimin edhe në skaje të tjera. Si ngjarje, ajo nuk është e tyre, as e fizarmonikës që dukej sikur e kish lëshuar nga barku i saj. As ti s’je ai që e pret të jesh. Prandaj dhe ti nuk mund të realizohesh.Ti nuk bëre asgjë për ta pritur, ai erdhi vetë, madje, ti e prite në mënyrë armiqësore. Deri sa e vrave.(Ata që duan të hamendësojnë mesazhe a idera e kanë të plotë materialin) Dashur padashur, ti ndërtove një raport me të, fjala vjen si me partitë e reja demokratike postdiktatoriale, të cilave nuk mund tu shmangeshe, sepse jeta i imponojë ato si nevojë, dhe ti, që të ndjesh në nje farë mënyre aventurën e ekzistencës tënde, i kundërshtove ato. (kujtojmë se partitë e reja që iu kundërvunë diktaturës dhe liderët e tyre, me dhe pa të drejtë, u mbuluan nga shumica me lloj lloj epitetesh pejorative, mallkime e kundërshtime, edhe për forcë zakoni e për të mos pranuar të renë kjo kategori, nuk ha gozhdë edhe para argumenteve). Këta njerëz bardhë e zi, që presin në përgjithësi, pa e ditur e pa e kuptuar atë që vjen, presin përsëri të dështojnë; janë njerëzit- vegla, pa pikë referimi, njerëz bosh, njerëz në këllëf, si personazhet e Çehovit. E jeta e tyre ikën e ikën pa lënë gjurmë, kalon mbi qënie biologjike, jo mbi ekzistenca aktive e subjekte që identifikohen me lëvizjen dhe progresin. Në Kafen e Madhe sfida e tyre është sahati i varur në mur që ikën e ikën e ata i lë pas, diçka si sendet që duan të bëhen ngjarje. Ata, s’kanë të ardhme, sepse janë pa të shkuar, sepse barka pa vela, anije pa busull, e, për ta brigjet janë të paarritshëm. Për ta e reja s’ka fytyrë dhe është gjithsesi e panjohur, e frikshme, ndoshta si lakuriqi i natës, shpend dhe gjitar, me sy e veshë si të miut, neveritës e pra, s’mund ta presin ,veçse si ngjarje armiqësore.

Këto të nxit vetëm një prozë pretenduese. Kjo e Shllakut duket si e lirë, hedhur me dorë të shkujdesur, disi çoroditëse mbajtur në detaje ,në dukje të parëndësishme. Ashtu e shkapërhedhur qëllimisht si një gjë që ndryshon formë…,pikërisht këto e bëjnë rrëfimin perfekt. Ai parapëlqen tonet e ulëta, jo megafonët, dhimbjen e zakonshme, të brendëshmen njerëzore, jo klithmën e dramave të Brehtit.

FUNDI SI FILLIM

Tregimi nuk ka fund.Sepse nuk pati as fillim.Veçse mendja vazhdon të të punojë rreth e rrotull, ndoshta dhe të dështimi yt, dështimi si vlerë. Keta njerëz –vegla (si shumica prej nesh), në një minimum hapësire, kërkojnë një maksimum përditshmërie, ose boshllëku. Ky dështim permanent, ata i mbush. Ky është epshi i tyre, status quo- ja, pritja e imagjinuar, seksi që nuk realizohet. Iku dhe nje ditë e ata do vinë përsëri nesër, në orën gjashtë. Ndoshta nesër do ketë ndonjë gjë për të thënë, ta shtyjnë dhe një ditë me diçka. Ky udhëtim pritës e përsëritës, qoftë dhe i imagjinuar drejt një enigme, ka një farë talenti dhe zotësie. Dhe nuk duhet të harrojmë: Ata janë njerëz që bëjnë muzikë. Ata, sidoqoftë janë shumë të ndjeshëm. Një zë nga salla, nga ai çifti i bukur ata i shtang:

“ -Dëshëroj të vallëzoj me ty kështu…

– …

-Deri në dritë…Dhe përderisa drita je ti, unë dëshiroj të vallzoj deri në ty.”

Tani erdhi koha të ikin me radhë , me veglat në sjetull, duke i ruajtur nga shiu. Po fiken dritat. Lokali po mbyllet. ”Pse s’e mbyll fisarmonikën, pyes. -Tashti është koha ime ç’ka të lypet ty ?! ”Vini re këtë detaj. Ai tani e ka qejfin të bëjë muzikë, pas mbylljes së lokalit, të këndojë në vetmi, ashtu si do ai, ashtu si bëhet muzika e vërtetë. Por…lokali u mbyll. Sahati tringëlloi. Dhe veglat ikën. Dhe koha. Kështu ikën dhe individualiteti. Dhe talenti. Ose arti i vërtetë.

Diçka i ka humbur fisarmonikës. “Kam idenë se ajo që humbet sot ,nuk gjëndet as nesër.” Si jeta që na ikën, pa lënë asgjë mbi ne.”Fizarmonika është e kuqe e ndezur dhe shkëlqen me njw dritë të sajën”…”Megjithë ato kangë që di, megjithë ata tingjuj që ka në bark, vegla ime tashti më duket si send i kotë”. Kjo frazë e fundit mund të ishte dhe si fillim e, ata që duan domosdo të përkufizojnë një mesazh a ide, mund ta identifikojnë atë me kotësinë, me kotësinë e njeriut dhe të botës.

Prandaj, o njeri, nëse dhe ti qenien tënde të bukur, e ke të mbushur me këngë e tingujt, por meloditë të përhumbin në buzë pa e kënduar dot këngën që do, fortmirë, mund të quhesh “send i kotë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
More in loli, melodi, muzikantet, ombra, pirro, primo, shllaku
Albert Zholi
PIRRO LOLI SHKRIMTARI DHE POETI I HESHTUR I VLERAVE LETRARE

Bisedoi Albert Zholi Shkrimtari dhe poeti i mirënjohur Pirro Loli gjithmonë e më tepër po tërheq vëmendjen e kritikes dhe...

Close