Kam shaluar kalin e kujtimeve

Nga Përparim Hysi

Kam shaluar kalin e kujtimeve

Kam shaluar kalin e kujtimeve
E kam shaluar dhe fshikullin s’ia ndaj
Aq fort jam kapur vegimeve
Sa kapur vegimesh ofshaj.

Ofshaj se zhytem në detin e kujtimeve
Zhytem dhe nuk mbushem me frymë
Zë tund kokën prej përdëllimeve
Dhe hiç nuk e mbaj nostalgjinë.

Së pari, zë e më shfaqet fëmijëria
Shpesh herë zbathur apo me opinga
Pa vijnë vërsnikët dhe varda çudia
Mes tyre, çamarrokëshe, ia bëj prima!

Dalim e lozim me ta kodrave
Se fshati ku linda, terrenin kish të thyer
Gëzoj e djersit aty mes lodrave
Eh, moj fëmijëri, sa më ke ngashëryer!

Pas fëmijërisë, zë shfaqet rinia
Rinia e asaj moshe kur lëshoja “lastar?!”
Qe mosha e bukur kur nuk doja t’ia dija
Qe ajo moshë e dashurisë së parë.

Kur dashurova, unë u bëra tjetër
Mbi flokët e ashpër një okë brillantinë
Më vjen të qesh tek vargjet i hedh në letër
Ku flitej atë kohë me mua “axhaminë?!”)

Kujtoja se qiellin kisha zënë me dorë
Si unë, të lumtur? Nuk gjeje. Nuk mund.
Por ajo dashuri shkriu si dëborë
Dhe unë katandisa veç buzë e hundë.

Po koha për plagën a nuk është ballsam
Unë,sërish, rashë në dashuri
Tash s’jam axhami, por jam burrë azgan
Dhe miken që gjeta, e kam dhe tani.

Mandej… u bëra prind dhe zura u argasa
Kulari i halleve qafën ma shtrëngoi
Më plaku më shumë lufta e klasave
Që si shpata e Damokleut mbi kokë më qëndroi.

Xhaxhanë ma pushkatuan dhe gjyshin kulak
Sa herë u shtrua pyetja:-Ta heqim nga arsimi!
Si doku në ujë u futa pak nga pak
Dhe u thinj,para kohe, s’do mend, Përparimi!

Punoja me ndërgjegje dhe me përkushtim
Regjimi s’më donte ( më shihte me smirë!)
Sa herë kolektivi më propozoi për dekorim
– Ai dekoratë? Pa të rrijë mirë?!!!

Dyzet e një vjet, ndoshta nuk janë pak
Fshatrave si “shterpari që s’i qaset stanit” *
Të gjitha këto privime më bënë dhe më plak
Ndaj , tek po shkruaj, ofshaj thellë prej xhanit.

* në thonjëza, varg i Naim Frashërit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
More in kalin e kujtimeve, perparim hysi
Meri Lalaj
Dy fjalë për vëllimin “Dënesa në qiell”

  Kur takohesh me poetë Dy fjalë për vëllimin "Dënesa në qiell” të Dhori Thanasit Nga Meri Lalaj Unë isha ulur...

Close