KATËR STINA KATËR ÇAPA

ALI ASLLANI
I
Vjeshta…
Nëpër hije s’ka më shije,
lot’ i par dhe më i thjeshtë
është flet’ e gjor’ që bije!

Nëpër dega, nëpër gjethe
dor’ e erës po trokit:
me rëngjethje si në ethe
fillon pema psherëtit!

Sosi kënga në fole,
hyri reja në kufirë,
dallandyshja ler’ e le
ja nis këngës lamtumirë!

Dallandyshja ime, hej!
do më lër e do më shuaj,
ku do shkeli këmb’ e saj,
loti im do jet’ i huaj!

II

Shkoi vjeshta me sa pati…
vargje vargje varet reja,
zbriti drer’ i madh nga shtrati
po andej nga zbret rrufeja!

Bota mbytet nga një mjegull,
dita thyhet, nata rritet,
në oborr e shkreta pjergull
sa po vete po ronitet!

Qielli ulet, ulet, ulet
rreth e rrotull tym e ujë,
reja vjen, mbi supe ngulet,
er’ e egër bën rrëmujë;

era vjen me duf si plumbi
dhe nuk le fole në vënd,
dallandyshja ime humbi
edhe un’ i humba mënd!

III

Kalon koha dal nga dal
nata thyhet, dita rritet,
djell’ i dimrit rrall për mall
si sorkath me çap vërtitet!

Mbi një deg’ o mbi një tjegull
nunurit një zog i gjor’,
në oborr e shkreta pjergull
merr një hov paraveror!

Ja dhe shkurti shkurtabiq
s’le dy gurë në një qoshe,
po vesh trupin lakuriq
të bajames bukuroshe!

Mars o mars me huqe shumë,
një rremall e një nopran,
aty vaj e aty shkumë
aty qesh e aty qan!

Ësht’ i gjër’ sa ësht’ një botë
edhe na vjen me ca rrëmbime,
ësht’ i thell’ sa ësht’ një lotë,
po i holl’ si zemra ime!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
Read previous post:
Ali Asllani
VAJZA SHQIPTARE

ALI ASLLANI Kush të ka dërguar, hëna apo djelli? Pa më thuaj të lutem, sa pate ka qjelli? Nëpër ata...

Close