NAPOLONAT E HADER MUSAIT

Gazi Buxheli

Kopështi i Hadër Musait, gjendet në krahun e djathtë të shtëpisë së tij. Me një hapësirë të ngushtë, 90 këmbë i gjatë dhe po aq i gjerë, kopshti vjen si një zgjatim përdhesë i dyshemesë së asaj shtëpie të vogël, me një derë të ngusht dhe dy penxherëza, që hapen e mbyllen nga dy kanata drrasash të plasaritura, si rrudha të një moshe tejet të gjatë. Pranë disa parcela të vogla qepësh, spinaqi e fasulesh, papritur, shumë pranë derës së shtëpisë, Hadëri, teksa po dilte përjashta, vuri re një gropë të vogël. Pa i kushtuar asnjë vëmendje, iku për në punët e përditëshme. Në daljen e ditës tjetër pa se, fare pranë gropës së pare, ishte hapur një tjetër gropë, më madhësi dhe formë të njëjtë.
– Do të jetë ndonjë urith që e bënë këtë punë, pëshpëriti me vete, duke vazhduar rrugën. Por kur të njëjtën dukuri pa edhe në ditën tjetër, dyshimi e shtyu të kërkonte burimin.
– Kjo nuk është punë urithësh, por dorë njeriu! duhet ta ruaj për të gjetur shkakun! E ruajti një ditë e një natë, por gjatë asaj ruajtje, as pa gjë dhe as gropë tjetër nuk u hap. Porositi edhe të shoqen për të ruajtur. E përsëriti këtë disa herë, por, për çudinë e tij, sa herë që ruante e shoqia gropëzat të reja shtoheshin, kurse kur ruante ai, jo! Kurreshtja iu bë nervozuese.
……………………………………..
Ishte viti ‘922, kur babai i Hadërit, kish shkuar në kurbet, për t’i bërë ballë fukarallëkut që, si cergë e grisur, varej e tundej në çdo rrëzë, qoshe e tra, të asaj shtëpie. Kurbeti e kish hedhur larg, në Australi, ku edhe kish bërë një sasi lekësh të cilat i ktheu në napolona flori. U kthye me to në shtëpi, kur fuqitë e kishin lënë dhe fund jeta po i trokiste në derë. Thirri të birin, Hadërin: – merri këto lekë! I kam kthyer në napolona flori, pasi floriri rron gjat e nuk ndryshon edhe kur ndrrohen qeveritë. Mos i prish kot, por ruaji për të bërë shtëpi për djalin, kur ti vijë dita e martesës! Ligështimi Hadërit u kthye në dy rrëkeza loti: – mos fol kështu o baba! Ti do rrosh, dhe dasmën e shtëpinë bashk do t’i bëjmë!
Kur i jati i vdiq, me një nga ato napolona i bëri varrin.Të tjerat, porositi gruan ti vendoste në një vend të sigurt. Me to më vonë do të shpinte në vend porosinë e babait, për të bërë dasmën e djalit dhe një shtëpi për të.
……………………………
Kishin kaluar gati dhjetë ditë nga gropa e parë kur Hadëri gati e zbuloi të fshehtën e tyre: kthyer në shtëpi më herët se zakonisht, gjeti të shoqen duke duke hapur një gropë! I shtangur e pyeti :
– përse?! Heshtja e saj e nervozoi, por durimi synonte të gjënte të vërtetën :
– E mora vesh që gropat i bën ti, por arsyen nuk e di!
– Faji është i yti, ishte përgjigjia e pakuptimtë.
– Deri sa më fajson mua, duhet të më thuash edhe arsyen.
– Faji është i yti, përsëriti përgjigjen e shoqia dhe u largua duke marrë rrugën posht për nga fshati. I shoqi nuk e ndoqi, as i thirri të ndalonte.
– Do të kthehet , ska ku vete, pëshpëriti me vete. E shoqia nuk u kthye as në atë kohë dhe as në mbrëmje. E kërkuan dhe e gjetën, pranë derës së xhamisë, të mbledhur kruspull. Mjeku që e vizitoi, foli për një disekuilibër nervor, ardhur nga një tronditje e pazakontë. Këshilla e tij ishte se duhej lënë në qetësi, për disa kohë. Në se nuk përmirësohej të lajmërohej përsëri, për një rivizitm dhe kurë tjetër. Vizitat e shpeshta mjekësore, duvatë, kalimi në vrymën e Gurit të Shënjtë, lutjet e hoxhës. nuk sillnin asnjë përmirësim, ajo vazhdonte të vuante nga diçka që askush nuk dinte ta shpjegonte.
Sëmundja e së shoqes ishte ligështuese për Hadërin. Ajo i shpejtoi pleqërinë e i rëndoi shëndetin. Vdekja i erdhi në moshë akoma të re, në 65 vjeç. Thirri të birin, Jahon :
– Ki kujdes nënën! Kur ajo të jetë e kthjellët mundohu të llafosësh hallet e shtëpisë!
Varrin e të jatit, Jahua, e vendosi pranë atij të gjyshit. Nuk pati lekë t’ia bëntë të bukur, por u betua se këtë një ditë do ta bënte. Zbatoi porositë e të jatit: nusen e djalit e mori nga fshati, u kujdes për nënën, por kurrë nuk arriti ta gjente njëhërë të kthjellët, qoftë edhe për një bisedë të vetme. Vetëm një gjë nuk e bëri siç do të donte i jati: Ia shiti shtëpinë bashkëfshatarit të tij, Laze Sadushit, dhe u largua nga fshati, pa lënë as adresë, e as fjalë se ku do të shkonte.
…………………………
Dita, kur u zbulua se çdo të thoshte gruaja e Hadërit me fjalët “ fajin e ke ti “ , erdhi, por ajo erdhi atëhere kur Haderi kish ndrruar jetë dhe i biri kish ikur nga fshati. Teksa Laze Sadushi, po hapte themelet për të zgjeruar shtëpinë e blerë, poshtë shkallës së vjetër, hasi në një qyp të vogël, të vulosur me një qeramikë, anash të lyer me rrëshirë pishe e dyllë blete. Brënda në qyp ishin napolonat e kurbetit, të sjella nga babai i Hadërit. Si në një bisedë me veten, apo ndoshta me qypin e vogël, u dëgjua të thoshte:
– e ngrata grua e Hadër Musait, e ka groposur qypin këtu, si në një vend të sigurt, e pastaj ka harruar vendin, duke fajsuar të shoqin që ia kishte dhënën për t’i ruajtur! Ky qyp, gjynafqares, i mori edhe mëndjen e kokës.
Shpirti dhe vetdija e Laze Sadushit, u turbulluan. Fuqia dridhëruese e floririt groposi ndershmërinë: – tek e fundit këta florinjë për ta janë të humbur. A nuk thonë se humbet më shumë gjëja e fituar pa djersë? Edhe babai i Hadër Musait , do t’i ketë fituar pa djersë këto napolona, përndryshe s’kish pse t’i humbiste. Do t’i mbaj për vete!
Tre ditë, para tërmetit rrafshues, të vitit ‘932, Laze Sadushi, mbaroi ndërimin e shtëpisë se re, mbi themele e shtëpisë të Hadër Musait. Tre orë pas tërmetit, u pa të shkonte drejt xhamisë së rrënuar, me dy duartë ngritur drejt qiellit.

“FotjonArt”, 11 janar 2011

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
Read previous post:
Gazi Buxheli
NJE GROPEZ MISTERIOZE

Gazi Buxheli Qenin tim të dashur e kam varrosur, ( o zot, a mud te them për të e kam...

Close