Një libër si album dashurie

 

Luan Çipi

                        Luan Çipi

 

Një libër si album dashurie

        “Porosi për diellin” nga Luan  Çipi

                (ese)

Nga Përparim  Hysi

E kam në dorë, se sapo e kam mbaruar librin me poezi të Luan Çipit “Porosi për diellin”. Pak simbolik ky titull, por poetët, ndër krijuesit, janë nga më të çudtishëm. Pse janë të tillë dhe  për poetët gjen epitete pa fund. Diku quhen “profetë”, diku të “dërguar nga Zoti” dhe në gjithë këtë  mori, edhe si pak qiellorë. Por le t’ i lëmë veças hamendësitë dhe të ndalem tek objekti i  shkrimit tim. Librin e kam quajtur” Album dashurie” dhe them se nuk kam gabuar. Në një album, zakonisht, vendosen fotografi dhe libri është me poezi(për çudi dhe poezitë shoqërohe me fotografi). Tentoni ta shfletoni: që nga faqa e parë e deri në fund vetëm dashuri. Një dashuri njerëzore si një aortë që përcjell në zemër vetëm gjak  të pastër.

Kur e shoh librin   në tërësi, më vjen ndërmend një poet latin që thotë: “Kush ka kujtesë, e ka të lehtë të kujtojë. Kush ka një zemër, e ka të vështirë që të harrojë”. Kapur pas kësaj thënieje, them unë: – Luan Çipi ka një kujtesë- brisk dhe një zemër të madhe-oqean. Pse, i plotëson këto dy kushte, pa na ka dhënë një libër”album”.
*      *     *

Libri hapet me poezi ku ravijzohen figura historike që janë në Panteon të Kombit.

Këto figura, sado të largëta në kohë, poeti na i sjell afër me poezitë e tij. Aty, në”album” ka poezi për Skënderbeun, për Ali Pashë  Tepelenën, për Naim Frashërin, Ismail Qemalin, Fan Nolin dhe pak nga pak, lehtë e lehtë, si pakuptuar, dhe personalitete të ditëve tona, si: Profesor Shaban Demiraj, Ismail Kadare, Xhevahir Spahiu… dhe lista është e gjatë.

Luan Çipi ka kohë që i  ka kaluar tetë dekada. Në jetë nuk ka qenë si ujë i ndënjur, por i tillë që mund të merret, pa frikë, si një pikë e bukur referimi. I shkëlqyer në shkollë, sportist e muzikant, ekonomist ekselent ( qysh sa mbaroi shkollën e mesme, e mbajtën mësues po në atë shkollë dhe kaq nuk është pak), por, sidoqoftë, “vallen e krijuesit” e filloi vonë. E filloi vonë, jo se i mungonte muza apo aftësia, por e pengonte biografia. Ishte me “pleurit” jo se mori pushkën dhe u bashkua me pushtuesit, por vetëm pse i ati, Kaman Çipi, qe “pakëz amerikan”; pastaj qe “pakëz i pasur” dhe kaq mjaftonte që këtë ekonomist kaq ekselent ta çonin sa në një ndërmarrje në tjetrën. Por fara elite di të çajë gurin dhe jo vetëm mbin, por dhe çon lastarë të gjelbër e jetësor. Asnjëherë nuk  u bë qaraman, por jo vetëm shkoi, por u bë i suksesshëm.

Jo më kot e lakoi  këtë degëdisje të Luanit nga një ndërmarrje në  tjetrën. Çudia qëndron në faktin shumë domethënës: jo vetëm mbolli dashuri, por dhe”voli” dashuri. Tek i shoh disa nga poezitë e tij, them se të gjithë ata që kanë punuar me  Luan Çipin, kanë qenë me fat. Nuk ka lënë as edhe njërin pa e “klonuar”. I ka sjellë të gjallë ata që kanë ikur nga kjo botë dhe u ka ngritur “përmendore” atyre që janë gjallë. Nuk ka bërë dallime: partiak apo ballist; inxhinier apo mekanik; drejtor apo dhe punëtor. Dhe këtë  nuk e ka bërë kush deri tani veç Luan Çipit. Kur them kështu, e kam fjalën për një fermë si Llakatundi; për një ndërmarrje si ajo e Çimetos; për kombinatin  konservave dhe kudo. Nuk besoj që t’i ketë shpëtuar syrit të tij ndonjë njeri që ia vlen për të shkruar dhe mos  jetë në vargjet e tij.
*     *    *  

Më duket se  Marksi sikur ka  thënë në një nga intervistat e tij, kur e pyetën:- Cila është deviza juaj? Dhe ai u përgjigj:- Asgjë njerëzore nuk  është e huaj për mua.

Dhe nuk gaboj, po të them se kjo “devizë” është kostumi që i rri mbi shtat Luan Çipit. Asgjë njerëzore nuk është e huaj për të. Pse është i tillë dhe në”album” do gjeni një mori njerëzish që i njihin dhe ju, si: Kujtim Beqirin atë”armikun që varën në litar” për kënetën e Maliqit. Artistin shumëplanesh, të ndjerin Skënder Sallakun, të ndjerin tjetër aq me peshë,Ali Kastratin; kampion në shtangë si, Veap Xhindole apo Faruk Kalleshi. Por ç’them kështu? Lista e poezive është e gjatë dhe dashuria është si një lumë që nuk  di të shterë.
*    *    *   

E pyetën dikur Çurçillin se nga fillonte dashuria dhe ai, pa e vrarë mendjen, u përgjigj: së pari, nga atdheu dhe, mandej, nga familja. Dhe ky “album” ka disa poezi për atdheun, si “Bukuritë e natyrës shqiptare”,”Gjiri i Vlorës”,”Gryka e Këlcyrës”, “Flakëron Vlora” dhe disa të tjera. Kur është fjala për dashurinë për Atdhe, bëhet patetik dhe tak, ndalon dhe reciton një varg me poezi. I mahnitur nga një perëndim dielli, shkroi enkas “Porosi për diellin” dhe  stampoi mbi kopertinë të librit.

Sidoqoftë, në gjithë këtë “album dashurie” nuk  mund të lë pa lakuar disa poezi për bashkëshokët e tij moshatarë dhe, pa tjetër, ato për familjen tij.

Po, kur vjen puna për familjen e tij, më kujton pak Cezarin e Romës së lashtë. Ditën që kishin përgatitur atë puçin e madh, tregon njëri nga historianët, doli dikush nga turma dhe bërtiti:- Cezar, kjo letër është për ty.  Cezari e mori letrën, por nuk e hapi. Tha:- Cezari probemet e tij, i shikon në fund. Në fund, por puçistët nuk e lanë për në fund. Historianët thonë, sikur Cezari ta kish hapur letrën ku e informonin për puçin, historia do ishte zhvilluar ndryshe. Sidoqoftë, këto janë hamendësime dhe aq. Ajo që e afron mikun tim me Cezarin, është vetëm fakti se”albumi i dashurisë” familjen e ka lënë andej nga fundi. Sikur të kesh mundësi që t’i çashë barkun Luan Çipit, aty do të gjesh të ulur pazgjidhmërisht, gjithë  pjesëtarët e familjes së tij: babai, nëna, motra, vëllezërit, çupat, djali, nipër e mbesa. Dhe Kryedashuria e tij, bashkëshortja, fisnikja Hanëme. Pse ka qëlluar aq fisnike kjo zonjë (Luani me të drejtë i këndon me superlativa), pa e ka dhe aq të lehtë Luan Çipi që ta kthejë shtëpinë në një “makinë” të vërtetë që prodhon sa prozë, aq dhe poezi. Por qoftë në prozë, qoftë dhe në poezi vetëm mbjellë dashuri! Me të tjera, or mik aq alturist!

                   Tiranë, 16 mars 2016

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
More in cipi, hysi, luan
Lasgush Poradeci
Për Lasgushin

  Kanë thënë për Lasgushin…   Dhe ai ka thënë… Lasgushi qe enigmë...ishte një mister brenda një misteri.   John...

Close