UNË JAM NJË TJETËR

Artur Rembo

                           Artur Rembo

 

“UNË JAM NJË TJETËR” (ARTUR REMBO)         

                                                                                     ESE

                                                                            PIRRO LOLI

Tek unë kishin kaluar,( aq sa),   francezët e mëdhenj Sharl Bodler, Gijom Apolineri, Pol Eluari, Klod Rua, Rue Shar, Pol Melarme, Verleni etj. dhe kishin tronditur nga themelet njohuritë e mia estetike. Artur Rembo-ja, (1854-1891) sa herë që më shfaqej,  më largohej si një yll i largët i pakapshëm nga syri.    E ndërkohë më linte diçka nëpër duar. Dika si rreze hëne, një gjurmës, diçka si pluhurizë floriri që i bije mjeshtrit nga limimi i imët i floririt. Shprehja e tij: je est un autre (unë jam një tjetër), më tërhiqte gjithnjë e më shumë. Po vetëm kaq. Ai nuk shpjegohej. Sa më shumë e njihja aq më shumë më  qëndronte vertikalisht si thikë në trurin tim.        Jeta dhe poezia e tij.

Jeta e tij aq e shkurtër, aq e dhimbshme të trondit dhe të lë një dëshpërim të thellë. Dhe poezia e tij të lë një shqetësim të këndshëm,  kërkon ta rimarrësh si një kuriozitet torturues.

Kolosë të mëdhenj të poezisë  si Malarme, Verleni, , Letreamoni etj, e quanin Rembonë zotin e tyre, Zotin e poezisë së vërtetë.

Moris Blanshonë, poeti dhe teoricieni i madh i modernizmit francez kishte thënë: “Po ta dija se ç’është Remboja për mua, do ta dija ç’është poezia, dhe nuk do të kisha më përse të shkruaja…”. Kjo ishte shqetësuese për të gjithë poetët e botës. Nga ana tjetër, kjo të bënte të përpije çdo gjë që të binte në dorë nga Rembo-ja. Vrit veten, si Nervali, Verleni, Laforguee   etj, që kishin ikur në mesditën e jetës së tyre.; digje çke shkruar,  hesht,  ikë.(Nuk isha i zoti të bëja asgjë nga këto, d.m.th., nuk isha poet. Veçse në një kapitull të romanit tim “Rro-kje në kryq” kisha djegur të gjithë bibliotekën time, botimet e mia dhe qindra libra poetike pa vlerë. Dhe shkrumbin e tyre e shkela me këmbë…) Ma kishte thënë dhe Pesoa, “të shkruash dhe të mos jesh ti…” …

Po, imzot!

  *   *   *

Artur Rembo është  pozicioni i ri i poetit, një ndërgjegjësim tjetër, një dyzim që e bën personalitetin e poetit një mister; ai ishte antikonformist i pashoq, i lindur. Me “Anijen e dehur”, me “Zanoret”, me “Përndritjet” dhe “Stina e ferrit” ai këputi çdo lidhje  me traditën, “me vjetërsirat” dhe nis aventurën më të çuditshme, komunikimin metaforik midis subjektit anonim (vetes) me të pamundurën, të thellën, të errëtën, ndjesinë e brendshme, jo dukjen.

Poeti për të është njëfarë astrologu që krijon yje. Po, po, shikon me epidiaskop, zbulon dhe krijon planetë  yjorë përmes një çrregullimi të gjatë, kaotik e të pakufi. Në këtë zbulim poetik  marrin pjesë të gjitha shqisat. Atij, një fluturim, pëllumbash të kuq ia trandte mendimin. Vinte nga një fshat periferik, dhe megjithëse fëmijërinë e kishte të mjerë, ai prekej nga kujtimet, nga ai qielli i përkorë, dhe nga ecja me këpucë druri; fshati , edukim i fëlliqur i fëmijërisë , po ky, i pacenueshëm, virgjëror, kapricioz,(edhe me nënën dhe me mësuesit), aventurier dhe ego centrist, më vonë do pohonte: “koka ime e fortë më pengonte të  ngjitesha në lartësinë e shokëve”. Vrazhdësia e jetës, hidhërimi i kujtimeve të fëmijërisë, e trazonin në themel, e bënë skepticist, kontradiktor dhe krejt të përveçëm, sa thoshte “pres të bëhem një i çmendur …”. Liria e tij ishte vetëm poezia e tij,  trazimi i gjakut;  ishte jeta e pistë, ngritje krye ndaj vdekjes, e munguara,    metafizika e panjohur. Artur Rembo, poeti më i ndërgjegjshëm i vetvetes si kundërshtar i të gjithë botës . “Në çastin e fundit do sulmoj majtas dhe djathtas, atëherë , oh, i gjori shpirt i shtrenjtë, përjetësia ..”.,

 “Ai kishte lindur i ditur dhe kur gjeti veten, kuptoi se dija e tij ishte e përmbytur  dhe padija dhe kozmosi.. Ishte i vetëdijshëm për veten. Dhe deklaronte “se ishte një shpikës me më shumë merita se paraardhësit e tij”… Ndërkohë, ç’ është hiçi im në krahasim me topitjen e njerëzimit? E kështu, në çdo hap te jetës dhe krijimtarisë së tij, plot dramacitet, Rembo pretendonte se “kam gjetur diç si çelësi i dashurisë.”…Ishte i ndërgjegjshëm për pushtetin e poetit “Unë tani di ta përshëndes të bukurën dhe kam nderur telat nga kambanorja në kambanore…zinxhirë të florinjtë nga ylli në yll e vallëzoj”…

Jeta e tij mund të quhet prologu më i çuditshëm dhe më i trishtuar i metafizikës njerëzore. I lavdisë, dhe i disfatës, përveçësi absolute, një e tashme e njeriut si burg i së ardhmes. Ai, jetoi dhe punoi vetëm katër vjet si poet, (nga 14 – deri 19 vjeç). Mbaroi kryeveprën e tij dhe në lulen e jetës iku, iku  siç  ikin gjenitë. Jeta e tij, e vërteta zgjati vetëm  4 vjet. Pastaj iku pa e ditur ku. U nis më këmbë nëpër Evropë, brodhi nëpër shtete afrikane, shkon ushtar në Holandë, dezerton pas tri javësh; provoi të punonte si ndërtues, si tregtar armësh e kafeje, fotograf; ëndërrimtar dhe eksplorues, bohem bukurosh, gjithmonë majë kalit të aventurës, i mbytur në borxhe; i etur për dije dhe poliglot i çuditshëm; ai mësoi te gjitha gjuhët e vendeve ku qëndronte përkohësisht. Sëmuret rëndë nga një tumor, i pritet këmba. Franca s’gjeti dot një protezë për poetin  gjenial të saj. Pranë i qëndron vetëm e motra, Isabelë. Vdiq i vetmuar.  Dhe duket sikur ky njeri kish lindur vetëm për ato katër vjetët e poezisë e pastaj vetëm për të ecur drejt një caku, vdekjes.

Verleni, miku i tij, pas ca ditësh shkroi: “kujtimi i tij është një diell që flakëron brenda meje  dhe nuk shuhet” Ndërsa biografi më i afërt, poeti i madh Rene Char i tha : “bërë mirë që ike Artur Rembo!”…Ti nuk mund ta duroje zukamën e bletëve shterpa….”.

   Katër vjetët e poezisë së tij unë do t’i quaj katër vjetët e dehjes. Poema e tij madhore “Anija e dehur” është vetëm dehja e një viti, ama, kryevepra që e shkroi në moshën 18 vjeçare, por,  në fakt, e gjithë poezia e tij …… është një agoni koherente nga më interesantet në poezinë botërore. Është një poezi që nuk e përligj analiza, që u largohet kuptimeve dhe domethënieve. Ajo është vetvetja, e shpjegohet vetëm me ekzistencën e saj. Ajo që të mbetet në ndjesitë e tua, është diçka e largët si dritë ylli, provokim iluzor, diçka si vezullim, herë herë të fshik si një rreze e zbetë, herë vjen si pëshpëritje, heshtje me sy të trishtuar; je futur në një copë nate dhe diçka ke parë por nuk e thua dot. Mos është boshllëku i një dashurie të pabërë, farfuritje e brendshme,  a mos një ëndërr që vjen e ikën si ëndërritje me sy hapur? Sidoqoftë ti po provon disa pulsime, një dhimbje të lehtë që nuk e kuptohet ku t’ia vësh gishtin. As kohën kur ke ndjerë diçka. Mos pyet kur, as ku ke qenë, as kur u ktheve? Dikush tha se koha e tanishme e  kësaj  copë nate që po provon të ëndërrosh, është çoroditëse, e pa matshme; dikush tha se e thella e pëlqen maskën; është më mirë të pranosh një farë torture që të pëlqen të vazhdojë, ; një agoni flladitëse, në një dhomë paraburgimi për të shpëtuar të ardhmen tënde, brezat që vinë a  njerëzimin mbarë… Për të ardhmen, pra! Për të përhershmen – e , për të, Artur Rembo vjen e ikën si një rrotë diellore në një agoni e  pafund para përplasjes fatale të planetëve..

T’i qasesh Rembosë për t’i vënë një emër është marrëzi. Sapo mendon se ke arritur të shohësh brenda tij një breg a një ishull drite, dielli fiket, anija e tij të përmbys, ëndërritja të largohet e frikshme, ti pa kuptuar, ke pirë, e ajo afshi i dehjes së plotë  që të ofrohet si dëshmitar, është poezia që të afrohet si frymë e fton të harrohesh, i zhytur në thellësitë e lirisë. Ka një nerv rebel thelbit të poezisë së tij , një nerv zbulimi  që lëviz, një  lindje, një hop, një akt besimi. Sy të ndritshëm përtej teje. Ndoshta është  zbulim, zbulim që ndriçohet  nga një përndritje sipërane, pluhurizë drite që vjen që nga Apoloni a Plutoni. Ky nerv nuk ka përkufizim, nuk duket, nuk rroket, nuk kodohet veçse , pak më tej, pak më vonë pret të të përqafojë me intimitet… Ai të shënjon, të prek, të trishton, ai lë gjurmë në qiell e befas të nxit të ëndërrosh… “Oh, oh! Të ndjesh në deje një rrëke freskie. … shpirtin ta prek një rrëke dashurie…, i lumtur si të isha me një grua.”  Artur Remboja është i pakapshëm, i rrëshqitshëm, ai e rikrijon vetveten ndryshe; në çdo poezi bëhet eseist i vargut, provon forma e luan me fjalën si në fillim dhe në fund të botës poetike. (kujtojmë që ai 40 vjet para Apolinerit nuk përdori shenja pikësimi). “Fjalët e tij tek “Një stinë në ferr”, duken sikur janë mbrujtur me lavë  dhe zjarr”(Andre Maurois). Te “Ndiçimet” (Illuminations), vetëm titulli pretendon për dritë, po brenda ka terr. Dhe tha i zoti “Kur e shkrova më kishe verbuar ti…”. Gjuha e tij rri pezull e çliruar nga lidhjet logjike; para se të gjejë fjalën  ai heton shkronjat, zanoret ashtu si kompozitori që para se të fillojë këngën, do akordojë telat e  kitarës. Zbulimi tjetër: Zanoret nëpër vargjet e tij i shërbenin jo vetëm për ritmin dhe muzikalitetin e vargut, por edhe si kolor, simbole,  fantazma misterioze ngjyrash të ndryshme të një ligjërimi të ri të paparë askund më parë. “A-ja e zezë- krose e zezë me push mizash vezulluese…deri te O-ja , omega, rrezja ngjyrë vjollce e syve të saj…” Poezia e tij të mëson leximin alegorik të tekstit, fjala në letër është vetëm shenjë, dukje, maja e ajsbergut, Remboja është thellë,  shkëmbi i nënujshëm me themel deri te fundi i detit ku gjallojnë  e ndriçojnë të gjitha çudirat.

Poetë të mëdhenj, sidomos francezë, panë brenda Rembosë një trishtim të përhershëm vrastar – se “bota është një fyl..”.Por brenda poezisë së tij konstatuan zbulimin tjetër të madh: – “jeta e vërtetë, kolosi i pakundërshtueshëm krijohet vetëm në mitrën e poezisë.”. Poezia e Rembosë në këtë jetë është një e tashme e errët ku njeriu dhe atdheu zvogëlohen e  atij i mbetet të përftojë vetëm disa  çaste të rrufeshme që u ngjajnë orgazmave, e pra, vini re: këto çaste janë gjendja e ardhme e poezisë, parashikimi; Artur Remboja , kështu është një  qytetërim i paardhur; e njeriu duhet të kuptojë se koha do të jetë gjysmë pemëtore e gjysmë shkretëtirë…Është profeti dhe poeti, orakulli dhe filozofi, intelekti i tipave të përafërt, ku përqafohen e përplasen brenda skenave të një teatri absurd, akoma i paperceptueshëm poshtë nga platea. Poezia e tij, është shprehje e   thelbit të mosqenies. Ashtu si Narvali ëndrrat i shihte kur qe zgjuar. E të vërtetat e tij poetike shkojnë përtej së vërtetës, Poeti u trembet zbulime por ndërgjegjësimi i tij, gati hyjnor, e çliron nga  materia dhe ai është gati të humbasë. Me  dredhitë e tij poetike, ku asnjëra nuk ngjan me tjetrën, ku dhe natyra bëhet bashkudhëtare  dhe  hiri i poezisë, na jep realitete  në hapësira imagjinare a biblike që e përligjin rrezikun dhe e goditën të zotin në trup e në shpirt.

Arturi ishte organizëm i hidhëruar dhe nga kjo “jallane “ jetë nuk u kënaq me asgjë, një jetë me gjemba therës.;  Kështu , jeta e tij e shkurtoi vrapin. Me dhimbje dhe vuajtje aq mëdha. Hidhur ike, vëlla! Pikëllueshëm. E, fatalisht , do thoshte Rene Shar: “nëna e tij e ashpër e kishte lindur në një djep të lartë, të rrethuar me nepërkëza të etura nga vapa. Ato e kishin mbërthyer aq fort saqë e shoqëruan deri në fund duke mos iu ndarë deri te dheu i varrit të tij të” Jetë me dy caqe ekstreme fëmijëria dhe ferri.  Një njësi. Lindjevdekjengjitur.   E, i këtillë,  në këtë skenë tragjike, ai jetoi vetëm  katër vjet. Dhe iku..  “ Shpirtrat e shenjtë janë të dënuar të ecin drejt vdekjes dhe lavdisë duke lënë pas rrënojat e tyre”. (Bodleri). Gjenia e këtij poeti ngjason me Maxartin që kompozoi që në moshën katër vjeç.

Koha e tij kritike shigjeton kohën dhe bashkëkohësinë e çdo shoqërie, që duhet të çlirohet, të dalë nga paraburgimi drejt  së ardhmes që e  ka vuajtur dënimin…Braktise kullën  e fildishtë, dil në liri…!   “ Shndërroi lulet në flakë”(Apolineri)

 Mallarmeja, poeti i finesës tingëllore,  do thoshte “A. Rmbo është një aventurë lirike”.

Jeta e tij është një udhëtim i shkurtër në “Anijen e dehur”. Vargjet te “Anija…” ngjajnë  si ujë i rrëmbyeshëm që zbret nga malet. Duket sikur e gjithë vepra e tij poetike ka qenë një udhëtim i shkurtër(lundrim) drejt agimeve të pikëlluara. Ai të merr prej krahu në anijen e tij dhe të thotë të njohësh dhe të shikosh ato që shihte ai me sytë e mendjes. Ato, siç jam shprehur, nuk analizohen dhe s’i pranojnë kuptimet. Sidoqoftë,  syri nuk i ngjan syrit. Dhe shikimet e shumëfishojnë botën …Zgjimet e tij në det ia bekon shtrëngata, ai të  zhyt në poemën e detit të rreptë që trazuar  është me yje e dritë qumështore;  njohu qiej të çarë, vërshime furtunash e ndonjëherë edhe agimin e ngazëlluar që i ngjante me një plim pëllumbash; pa edhe diellin  me njolla tmerresh mistike, net të gjelbra me borë; …dhe nuk i  shkonte në mendje se këmbët e Maries mund tua ulnin  turirin oqeaneve që gulçonin nga shkuma; poeti shikonte lule të përziera me sy panterash.  A thua ishte kjo  e tashmja metaforike ?…Akuj, diej argjendi , valë sedefi, qiej të prushtë , anije të  ngecura në fund të gjireve të errët. Shih përballë detit!: – gadishulli(toka) a bashkëkohësia  që përplas bordet e prej andej të njëjtët zëra monotonë, grindje dhe glasa zogjsh llafazanë  me sy verdhashë, likene dielli , moçale të errët, ura  kaltërsie të mbledhura qyshkur, në qiell pështyma gri. Dhe rend e larg Evropës me murishte të vjetër, ”me sandale ere”; shihni si qan ylli me lot të trëndafiltë..” Deti sajoi perla të kuqe në sisët e tua ngjyrë alle/ tek ikja jote sovrane burri pikon gjak të zi”

 Pa miliona zogjsh të artë, arkipelagë yjesh, ishuj të papërfillshëm mbi tallaze. ..

E topiti, e dehu dashuria e vrerosur dhe u zhyt pingul mbi detin e thellë…Agimet sjellin pikëllim të pasosur. Mizore i dukej çdo hënë. I hidhur çdo diell.

Vërtet qava shumë. Lamtumirë!

Dhe iku. Ishte për kohë tjetër.

Je est un autre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
More in artur, esse, loli, pirro
PESË GURË PLUS NJË

PESË GURË PLUS NJË Nga Pirro Loli Më kapën në turmë kur po largohesha drejt jugut. Kishin armë të shkurtra...

Close