VARGJET E POETIT MË FLASIN

Fation Pajo

Fation Pajo

 

FATJON PAJO

Esse

Prej disa kohësh jam endur mes dilemash brenda vehtes. Një pyetje e thjeshtë më vërtitet si akrepat e orës e s’më lenë të qetë të mund të formuloj një përgjigje konçize : “Kush është Dalan Luzaj ?!” Një emër realisht i panjohur për mua dikur,veç disa poezive të botuara në shtypin e përditshëm aty nga mesi i viteve 90-të.Kjo pyetje m’u përforcua sidomos pas mbritjes si shumë familje të tjera këtu në një prej gjigandëve qytet të botës,në Chicago. Dimërimi i gjatë (dhuratë e këtij vendi) më shpuri në labirinthet e vazhdimit të krijimtarisë letrare. Mes “kursimesh”kohe të çmuar gjeta sërish nëpër listat e internetit “Pantallonat e internimit” një ndër poezitë më mbresëlënëse të këtij poeti dhe thashë me vehte: Mbase do kem rastin ta takoj këtë njeri !
Një mbrëmje në lokalin luksoz “Diplomat West” zhvillohej promovimi i vëllimit poetik “Me mirënjohje për…” të mikut,poetit dhe ish aktorit korçar,Ilir Borovës. Mes të ftuarish të shumtë pata kënaqësinë të ndodhem në një tavolinë me poetin Dalan Luzaj,shkrimtarin e ri e të apasionuar,Ymer Çela,me të kudondodhurin njëkohësisht dhe inspiruesin e kësaj mbrëmjeje,aktorin e mirënjohur të teatrit Kombëtar,Pandi Sikun si dhe me miqtë e mi Ilir Numani e Thanas Hoda. Shihja ashtu paksa vjedhurazi nga atmosfera në të cilën ndodheshim këtë poet që sot po mbush plot 45-vjet nga paraqitja e parë e tij publikisht me poezinë interesante “Polic i dashur” të botuar në revistën “Nëntori” Nr.11 të vitit 1963 dhe përsërisja në heshtje ato vargje që për mua do ta rreshtonin përkrah “të mëdhenjve” të brezit të sotëm të penës:
“…Pantallonat e mia
të mbytura në andre
i lante Burbi
pa mundur t’ua hiqte dot vuajtjen…”
Duke qenë kaq pranë këtij mjeshtri të mendimit të thellë mundohesha të zhbiroja në sytë e tij të përqëndruar ç’përmasa ka në arterjet e këtij njeriu fjalëpak dhimbja,e shkuara,e sotmja,Kombi, kultura e deri tek muza poetike. Do të ishin jo vetëm 4 vëllimet poetike të botuara prej Tij,angazhimi modest në disa përmbledhje antologjike si dhe në Shoqatën e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë që nga themelimi më 2001-in dhe sot,Kryetar i saj që ky potencial i letrave të më “detyronte” të ulesha një mbrëmje Shkurti e të harrohesha në dhomën time duke përpirë njerin pas tjetrit të këtë “pasuri vlerash”. Si mund të shkëputesh nga vargje me aq ndjenjë si në poezitë : “Emigranti”; “pantallonat e internimit”, “Pa rrugë”;”Fjala” ;”Qyteti im jugor”;”Atdheu” ;”Plaget” ;”Nënës”:Kosova shtatzënë”;”Çamë ria”;”Katrina” ,etj vetvetiu ndjen detyrimin moral e njerëzor që para këtij poeti të dhimbjes duhet ngritur në këmbë e duhet të heqim kapelen. Ishin këto poezi e të tjera që më shtynë drejt një Hëne si ajo mbrëmje magjike arti të kërkoj të zbuloj ç’mistere fshihen në heshtjen e saj në rrugën e gjatë drejt së ardhmes. Vështroj këtë copëz lëndinë me trëndafila maji dhe tutem ta prek.Tutem dhe bëj mirë pasi kjo lëndinë i hap vetë krahët e miqësisë së ngrohtë e të çiltër. Tek unë s’janë sytë e mikut që më afrojnë qiejt e njohjes,janë vargjet e poetit që më flasin e më ngrohin shpirtin e trazuar.
Fatmirësisht jetojmë pranë njeri-tjetrit e nga ajo mbrëmje njohja mes nesh mori të tjera përmasa,falë aftësisë së këtij njeriu shpirtgjerë. I heshtur në rrugën e gjatë të jetës plot stacione të rrezikshme e të “largëta”,i kursyer ne ndërtimin e piramidës së tij poetike,i ngrohtë në komunikimin shoqëror të çdo lloj tipi e shtrese,shpërthyes në pikat kulmore të situatave nëpër të cilat kalon kombi ynë i shumëvuajtur, inkurajues për ne më të rinjtë drejt përsosmërisë së artit të bukur e të vështirë të poezisë,ky është retushimi im në skalitjen e portretit të tij.
Endja nëpër vite ku nuk e shpuri fizikisht e padrejtësisht të urtin e të të thjeshtin Dalan. Por për të “thembra e Akilit” DINJITETI NJERËZOR,është një medalje në gjoks që jo çdokush e meriton. Ndërsa mbrëmjeve bulevardet do prisnin mysafirët e përhershëm në apelin ritualitik zbrazur nga makthet e ditëve shterpë,Dalani e një brez i tërë do të “xhironin” në tjetër bulevard,pa drita neonësh,pa përshëndetje miqsh pa ëndra të “bukura” e megjithatë nën kor gjinkallash Ai si “Blloshmët”,” Lekat” e “Xhaferët” me shokë,në fletoren me kapakë të zhubrosur do ngrinte zërin e tij:
“…Heshtëm,
po s’u bindëm,
u prehëm,
pa u qetësuar asnjëherë,
me zbrazëtinë u grindëm,
Shkonim stinët
e mbyllur çdo derë..
në poezinë aq tronditëse dhe kuptimplote “dyer të mbyllura”
Dalan Luzaj si dhjetra e mijëra bashkëvuajtës të një regjimi nga më monstruozët luftoi e mbijetoi pikërisht pse në ideal e në shpirt nuk kish “pallate ëndrash” njëngjyrësh e me netë të zbrazëta. Ai kish Keopse dhimbjesh ndërtuar ditë pas ditësh me gurë smeraldësh zemre “Realitete jetësore” dhe në horizont një zgjim projeksional që e priste.
Sot tek pijmë kafenë së bashku në sytë e heshtur të tij lexoj thënien kapitale të poetit të mirënjohur,Akademiku t Xh. Spahiut :
“Shpitin e tij të ndritshëm poetik deshën ta përdhosnin me baltën e urrejtjes,ta shfytyronin, por s’mundën. Shoku im i vuajtur mbeti deri në fund NJERI”
Ajo e shkuar e hidhur për mikun tim tashmë (sikundër dhe e shoh) është shndëruar në një “Monument kulture” skutave të trurit të cilin e hap sa herë dallgët e detit “muzë poetike” do të përplasen brigjeve të molit “kujtesë” për të na rrëfyer ne sa e dhimbshme është të rinisësh jetën atëherë kur të tjerët ndoshta kanë kapërcyer male sfidash. I tillë paraqitet ky poet kurajoz sidomos me poezinë “Plagët”:
“… Erdhi jeta e më gjeti vetëm
të dal prej vetmisë s’kam se si
Nuk më rinon as i gjithë Kontinent
Plagët,kur vrenjtet,më therrin në gji…”
Nuk është thjesht një poezi kjo dhe me kaq mbyllet një cikël,një hapësirë kohore. Jo,është një tharm brenda kontureve të një njeriu që thellësisht di të falë “xhelatin” sistem edhe pse i pamëshirshëm ndaj këtij shtrati të gjerë lumi që sa herë niste prurjet u vinte prita vetëm e vetëm që “fara ” e fushës të mbetej e djerrë. Si një pjesë përbërëse e mekanizmit të vajisur nga kulisat e një superseriali horror “Diktaturë e Proletarjatit” kudhra e farkëtarit “Shtet socialist” do të rrihte ende pa u nxehur mirë lingota të tëra,kush dilte a shfaqej jashtë profilit të tipit “Siamezë” të verbërt.duke trokitur gotat e “madhështisë” mbi gjokset e lotët e dhimbjes së të pafajshmëve. Të tillë goditje pësoi dhe familja e Profesorit të filozofisë e zotëruesit të mbi tetë gjuhëve të huaja,z Isuf Luzaj,pjesë e së cilës është padyshim dhe poeti Dalan Luzaj,një ndër dëshmitarët okularë të këtij “Ndëshkimi”. Nga fjalorët mjerisht e për disa dekada u hoqën për Të fjalët e bukura shqip “mik”;”shok” ;”koleg” etj, dhe çuditërisht u zëvendësuan me të tjera si:”vetmi”;” përbuzje”; “shpifje” ;”sarkazëm” etj e ky njeri-poet diti të falë. Përse ?!…Për kë ?! Ai fal se i tillë është shpirti i një njeriu me zemër të madhe. Ai fal pse ndër deje ka po atë gjak si i gjithë fisi i Luzajve i njohur në gjithë shqipërinë e jugut. Me dinjitet Ai mundi t’i bashkohej trenit të të mbijetuarve nga ajo dhunë barbare e për hir të së ardhmes veshi kostumin e kohës dhe me pantallonat e internimit në sepetën e vjetër nisi tjetër jetë. Vërtetë s’e lanë të shëtiste botën reale me tren Orjent-express e të shndërohej në një rabeckë që zgjim e perëndim të fluturonte brenda kafazesh e t’i bënte iso të vetmit refren “hymn” që s’e përtypte dot. Pse ?! Sepse shpirti i tij kish të tjera nota,notat e plorit të Dheut me lotë dhimbjeje vaditur. Sepse si atëherë dhe sot ka për kryefjalë çka Ati i tij porositte :
-Punoni sa më shumë për atë Komb…për Vendlindjen e për gjuhën tonë amtare…!
Shfletoj një ndër vëllimet dhe s’kam si të mos lexoj me zë të lartë vargjet e poezisë ;”Kthim në Atdhe”
“…Barka shtynteHënën nëpër det
Deti shtynte barkën për tek Ti
E pafund udha kur të pret
Gjysmatjetër, që mungon në gji…”
Këto vargje si dhe poezitë :”Kosova shtatzanë”,”Çamë ria” etj, janë brumi që gatuan bukëpjekësi poet e njëkohësisht detyrimit njerëzor i Tij për të jetuar sa më pranë sfidave të kohës që kalon vendi ynë.
Me vargjet e Tij ku nuk ka shkelur e ku nuk ka “vizituar” dhe ecjes se qetë e me vështrim të mprehtë i është hapur udha për t’u shtruar në sofrën e madhe poetike denjësisht përkrah penave më në zë të kohës. Ashtu sikundër e përcakton dhe poeti i njohur Agim Shehu:
“…Edhe kur jetonte në vuajtje,dhe kur këndon në liri Dalan Luzaj mbetet poet fisnik. Mendimin metaforik e ka njerëzor…”
Pasi kam shijuar kafenë me këtë mik të nderuar për mbarë Komunitetin Shqiptar të Chicago-s e jemi ndarë nuk munda të qëndroja.Ajo pyetje e fillimit u bë në shpirtin tim një lajtmotiv për të hedhur këto rreshta duke larguar kështu hamendësimet e dikurëshmetë në formulimin e përgjigjes së pyetjes që më trokiste shpesh në konturet e memorjes.
E nesërmja do të sjellë padyshim të tjera emocione e të tjera trokitje tek unë sepse të tilla do të jenë vargjet e këtij poeti-model të kohës që jetojmë.
Chicago,Gusht 2008

“FotjonArt”, 9 Shtator 2008

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
Read previous post:
Përparim Hysi
BOTA E MADHE E DASHURISË

  Nga Përparim Hysi (esse për Shën Valentinin) 14 shkurti është Dita e Shën Valentinit. Dita e dashurisë. Dashuria,a nuk...

Close