KËNDOJ TRUPIN ELEKTRIK

wollt witman

                                 wollt witman

 

Uollt Uitman

KËNDOJ TRUPIN ELEKTRIK

1.

Këndoj për trupin elektrik;

Ushtrit e atyre që dua më pushtojnë, dhe unë i pushtoj ato;

Nuk më lëshojnë, duan të vete me ta, t’u bindem atyre,

T’i bëj të dëlirë e t’i mbush me gjellën e Shpirtit.

Apo kujton ndokush se ata që pëgërin trupin e tyre mund të fshihen?

Dhe se ata që turpërojnë të gjallët s’janë aq të ligë sa ata që turpërojnë

të vdekurit?

Dhe se trupi ka më pak rëndësi se Shpirti?

Dhe se po të mos ish shpirti trupi, ç’është Shpirti?

 

 

2.

 

Dashuria për trupin e një burri a gruaje s’ka të sharë-trupi vetë

s’ka të sharë;

Trupi i mashkullit është i përsosur, dhe trupi i femrës është i përsosur.

Shprehja e fytyrës s’ka të sharë;

Po shprehja e një burri të rritur mirë nuk duket vetë në fytyrën e tij;

Duket edhe në gjymtyrët, në kyçet, sidomos në kyçet e kofshës e të llërës;

Duket në ecjen, në mbajtjen e qafës, në shkathësin e mesit,

të gjunjëve-petku nuk e fsheh dot;

Fuqia dhe elasticiteti i trupit, i përshkon rrobat;

Ta shohësh tek ecën, të pëlqen aq sa vjersha ime e mirë,

ndoshta më shumë;

Qëndron t’i shohësh kurrizin, zverkun, shpatullat.

Përpëlitjet e kolopuçve, gjiri dhe kryet e grave, kindat e fustaneve të tyre kur ecin udhës, vijat e trupit të tyre, nga koka gjer te këmbët,

Lëvizjet e notarit, që e shohim nëpër shkëlqimin e gjelbër transparent ose tek shtrihet në kurriz a rrotullohet qetësisht andej-këndej mbi valët,

Luhatjet e remtarit brenda lundrës, të kalorësit në kalë me shalë,

Vajza, nëna, amvisa në punëra shtëpiake,

Punëtorë togje-togje, duke ngrënë drekën, e gratë e tyre duke pritur,

Femra duke përkëdhelur foshnjën-bijë e bujkut në kopsht ose në quar;

Djali që prashit misrin, karrocieri që nget të gjashtë kuajt përmes turmës,

Shegertët, ende të vegjël, tek po munden, fshatarakë të shëndoshë, të gëzuar, ne shesh të zbrazur, jashtë, tek po ndeshen, pasi mbaruan

punën, në të ngrysur,

I kanë flakur përdhe xhaketat e shapkat dhe munden, matin

forcat, miqësisht,

Për mesi dhe për koke janë kapur, me flokët të rrëzuar përmbi ballë;

Vrap i zjarrfikësve në uniformë, lodër e muskujve mashkllorë nën petkun e ngjitur pas trupit, nën brezin,

Si kthehen ngadalë prej zjarrit, dhe ndalin, dhe mbajnë vesh, kur befas fillon sërish sirena t’ulërijë;

Qëndrimet e natyrshme të ndryshme, kryet përkulur, qafa krrusur, murmurima;

Të tilla gjëra më pëlqejnë-shpengohem, kaloj lirisht, jam në gji të nënës me foshnjëzën,

Bëj not me notarët, mundem me mundësit, marshoj në radhë me zjarrfikësit, qëndroj, dëgjoj, dhe numëroj sekondat.

 

 

3.

 

 

Njoh një burrë, bujk i thjeshtë baba i pesë bijve;

Dhe këta etër bijsh, dhe ata etër bijsh të tjerë;

Ky burrë kish pushtet e qetësi dhe bukuri trupore të mrekullueshme,

Trajta e kokës, ngjya e verdhë-e zbehtë dhe thinjat e flokëve dhe mjekra e   tij; dhe shprehja e thellë e syve të zinj-mënyrë e pasur dhe e gjerë e sjelljeve të tij,

Për të parë këto veti të tij vija ta vizitoja-qe dhe i urtë.

Qe gjashtë këmbë i lartë, shkuar të tetëdhjetave, të bijt i kishte

shtatmëdhenj, të pasur, të hijshëm, me mjekër, fytyrat u qenë thekur prej diellit.

Të bijt e bijat e donin-kushdo që e shihte e donte;

Nuk e nderonin për zakon, po me gjithë zemër;

Pinte vetëm ujë- gjaku i shkëlqente kuqërreshëm nëpër lëkurën e

ndritshme të fytyrës;

Vinte për gjah dhe zinte peshq-vetë e drejtonte varkën-kishte një të bukur që ia dhuroi një anijendërtues-dhe një çifte që ia kishin falur dashamirësit;

Kur shkonte me të pesë bijt e të niprit e shumtë të gjuante ose të zinte

peshq shquante si më i bukuri dhe më i shëndoshi në mes të togës;

Të zinte malli të qëndroje me të për shumë e shumë kohë-të rrije pranë tij në lundrë, ta prekje e të të prekte.

 

 

4.

 

 

Kam vënë re se të jam me ata që më pëlqejnë, është kënaqësi,

Të rri në shoqëri me të tjerët mbrëmanet, është kënaqësi;

Të rrethohem prej mishit të bukur, me vesk e me të qeshura,

plot frymë, është kënaqësi;

T’eci me të tjerët, a të prek ndonjë, a të hedh sado lehtë krahun tim përqafe atij a asaj për një çast-mos është e pakët kjo?

S’kërkoj kënaqësi më të madhe-notoj në të si në det.

Të rrish pranë njerëzve, t’i shikosh, t’i prekësh e t’u ndjesh erën-është një gjë që të kënaq shpirtin shumë;

Gjithë gjërat të kënaqin shpirtin-po këto ta kënaqin shpirtin shumë.

 

 

5.

 

Ja trupi i femrës,

Një frymë hynore fryn rreth tij nga kryet gjer te këmbë;

Të josh me fuqi rrëmbenjëse!

Prej frymës së saj joshem sikur t’isha avull i pafuqishëm, çdo gjë shërndahet, mbetemi vetë ne të dy;

Libra, arti, feja, koha, toka e dukshme e ngurtë, atmosfera, retë, dhe kënaqësitë e parajsës e tmerret e ferrit u zhdukën;

Korrente, shkëndi të papërmbajtura vektojnë prej tij- dhe përgjigja e tyre është gjithashtu e papërmbajtur,

Flokët, gjiri, kofshët, vijat e këmbëve, duart e lëshuara pa kujdes, krejt të derdhura, të sajat e të miat janë shkrirë;

Zbatica e ngacmuar prej baticë, batica prej zbaticës-mish i dashurisë i fryer me dhimbje t’ëndshme;

Burimi i dashurisë, i pashterur, i kulluar, i nxehtë, lëng i dashurisë që ngjeth, lëng ngridhës ngjyë-bardhë,

Nata e martesës, që kalon me shpresë e siguri në agim të shtrirë,

Që futet valë-valë në ditën e bindur që tërhiqet,

E tretur në krahë mishëmbël të ditës që gdhin.

Ky është thelbi i gjithësisë-

Pas lindjes së foshnjës prej gruas, lind burri prej gruas;

Kjo është banja e lindjes-këtu kredhet e shkrihet e vogla dhe e madhja,

dhe përsëri rilind burimit.

Mos t’ju vijë turp, o gra-tagri juaj përmbledh gjithë jetën,

dhe është dalja e të gjithave;

Ju jeni portat e trupit, dhe ju jeni portat e shpirtit.

Femra ka gjithë cilësitë, dhe i zbut ato-është në vendin e saj e lëviz me harmoni të përsosur;

Është gjithësia e fshehur siç i ka hije-

është e zonja dhe të marrë dhe të japë;

Ajo ngjiz bija dhe bij, ajo ngjiz bij e bija.

Kur shoh shpirtin tim të paqyruar në natyrë,

Kur shoh nëpër mjegull ndokë të paisur me përsosuri, shëndet e

bukuri të rrallë,

Kur shoh kryet të lëshuar e krahët të kryqëzuar mbi kraharor-shoh femrën.

 

 

6.

 

Mashkulli që është gjithashtu shpirt-dhe ai në vendin e tij,

Dhe në të janë gjithë cilësitë-janë veprimi dhe fuqia;

Në të është lulja e rruzullimit të njohur;

I ka hije zemërimi, i ka hije dhe dashuria dhe urrejtja;

I kanë hije dëshirat më të vrullshme e më të zjarrtat, lumturia më e gjerë, pikëllimi më i gjërë i kanë hije shumë,

krenaria është pjesa e karakterit të tij.

Krenaria e burrit, si veti, të gëzon e të qetëson shpirtin;

Dituria i ka hije-i pëlqen gjithnjë-në çdo gjë

Burri provon masën e dijës së tij në të gjitha.

Në çfarëdo fushë, në çdo det e lundër, vetëm këtu hedh plumbçin pingul për të gjetur tokë;

(E ku ta hesh plumbçin pingul, veç këtu?)

Trupi i burrit është i shenjtë, dhe trup’ i gruas është i shenjtë;

I kujtdo qoftë, trupi është i shenjtë.

Qoftë i ndonjë robi, qoftë i ndonjë nga ata emigrantët e hutuar që sapo kanë zbritu në skelë;

Cilido ka një vend këtu a kudo qoftë, siç e kanë ata që janë mirë,

ashtu si je ti,

Kushdo ka vendin e vet në paradë.

(Jeta është paradë;

Gjithësia është paradë, me lëvizje ritmike të bukura).

Mos ditke vetë aq shumë sa ta quash malok skllavin, a budallë emigrantin?

A pandeh se ke të drejtë ti të shohësh diçka të bukur nga tribunë e lartë dhe ai tjetri a ajo tjetra s’paska të drejtë ta shohë?

Apo beson se materia nga ret’ e lëvizshme u mpiks prej kohësh të stërmoçme e toka qëndron e ngurosur në sipërfaqe dhe ujrat

rrjedhin e pemët mbijnë e çelin.

Vetëm pë ty dhe jo për atë tjetrin a atë tjetrën?

 

 

7.

 

Trupin e burrit e kanë nxjerrë në ankand!

(Se para luftës vija shpesh në treg të skllevërve dhe shikoja si i blinin e i shisnin tregtarët).

I ndihmoj shitësit se loçkoja as zanatin e tij s’e di mirë.

Zotërinj, shikoni këtë mrekulli!

Çdo çmim të jepë blërësi për këtë, gjene pak është.

Që ta përgatiste këtë, lëmshi dheut ndenji kuintiljonë vjet

pa një kafshë e pemë;

Për ta pjellë këtë, botërat jetike u rrotulluan papushim e me përpikmëri.

Në këtë kokë ka fronin truri që i pushton të gjitha,

Në të dhe nën të, lindin heronjtë.

Pa këqyrini këto gjymtyra, të kuqe, të zeza, të bardha, sa mjeshtërisht janë mbërthyer me deje e rrëmba;

Do ta zhveshim lakuriq, që t’ia shikoni më mirë;

Shqisa nga më të zgjedhurat, sytë të ndezur me zjarrin e jetës, trimëria dhe

vullneti për liri,

Petët e kraharorit, shtylla e kurrizit, qafa e përkulshme, mishi tendosur, krahët e shalët e drejta,

Dhe përbrenda ka çudira edhe më të mëdha

Përbrenda rrjedh gjaku,

Po ai gjak jetik!

Po ai gjak që rrjedh i kuq, i kuq!

Aty mbushet e rreh një zemër-aty zijenë gjithë epshet, dëshirat, përpjekjet e qëllimet;

Ky burrë s’është vetë një-është babi-

i atyre që do të bëhen etër kur t’u vijë radha,

Në këtë është fillimi i shteteve me popullsi të madhe e i republikave të pasura;

Prej tij, sa e sa jetë të amshuara, në trupa e gëzime të panumërta,

Si mund ta dish ti se kush do të lindë nga pinjolli i stërnipit të tij nëpër shekuj?

Dhe kë do të gjeje për katërgjyshin tënd, po ta gjurmoje dot praptazi

nëpër shekuj.

 

 

8.

 

 

Trupin e gruas e kanë nxjerrë në ankand!

As ajo nuk është vetëm një-është nëna pjellore e nënave;

Ajo është barsa e atyre, të cilët, kur të rritën, do të bëhen shokë të nënave.

A ke dashur ndonjëherë trupin e një gruaje?

A ke dashur trupin e një burri?

Yt atë-ku është yt atë?

Jot ëmë-a e ke gjallë? A ke rrojtur shumë kohë me të?

dhe a ka qenë ajo me ty për shumë kohë?

A s’e sheh se prindët janë njësoj për të gjithë, në gjithë popujt e

në gjithë botën?

Ndë ka gjë të shejtë, trupi i njeriut është i shejtë,

Lavdia dhe ëmbëlsia e një burri qëndrojnë në burrërinë e panjollë;

Për burrin e gruan, trupi i pastër, i shëndoshë, me nerva të forta është i bukur sa dhe fytyra më e bukur;

A ke njohur ndonjë budalla që fëlliqi trupin e tij të gjallë a budallaqe që fëlliqi trupin e saj të gjallë?

Të tillët nuk fshihen dhe nuk mund të fshihen.

 

 

9.

 

O trupi im! nuk guxoj të përçmoj shëmbëllesën tënde në burra e gra të tjera, asnjë pjesëzë të shëmbëllesës sate.

Besoj që shëmbëllesa jote qëndron e rrëzohet me shëmbëllesën e shpirtit (dhe që është Shpirti);

Besoj se shëmbëllesa jote qëndron ose rrëzohet në poemat e mia, dhe që poemat e mia e përbëjn atë,

Poemat e burrit, të gruas, të foshnjës, të rinis, të shoqës, të shoqit, të nënës, të babait, të djalit të çupës;

Krye, qafë, leshra, veshë, kërmillzat, daullet e veshëve;

Sy, qerpikë, guaskë e syrit, vetulla, qepalla, të zgjuarit, të fjeturit,

Gojë, gjuhë, buzë, dhëmbë, bulç, nofullat e rëzat e nofullave;

Hundë, vrimat e flegrat e hundës,

Faqe, tëmble, ballë, mjekër, gushë, zverk, fytyrë;

Supet e fortë, mjekra burrnore, shpatulla, dhe pllakar e gjoksit,

Krahë, sqetulla, bërryla, llërë, kocka dhe muskujt e krahut, kyçet e nyjet e dorës, duar, pëllëmbë, gishtërinj, i madhi, tregonjësi, thonjtë,

Kraharor i gjerë, kaçurrelat e gjoksit, qelizë e gjoksit, hijet,

Brinjë, bark, boshti i kurrizit, unazat e tij,

Kofshë, çapokë, fuqi e çapokëve, bole e rrënja mashkullore,

Pulpat e forta, shtyllat e trungut

Gjunjët, kup e gjurit, kërcinjtë, shputë e këmbës,

Syr’ i këmbës, kurriz i këmbës, sholla, gishtat, thembra,

Gjithë shtati me qëndrimin e tij, gjithë pjesët e trupit tim a tëndit, a të kujtdo, mashkull a femër,

Mushkëritë, lukthi, zorrët, të buta dhe të pastra,

Truri në palosjet e tij brenda kufës së kafkës,

Simpatitë, kapakët e zemrës, ngridhjet, amësia,

Gruaja e ç’është e gruas dhe e burrit që lind prej gruas,

Ëma, sisët, qumështi, lot, të qeshur të qarë, vështrim dashurie, shqetësimi   me dallgët e tij,

Zëri, belbëzimi, gjuha, murmuritja, të thirrurat më fort,

Ushqim e pije, oreks e djersë e gjumë, t’ecur, not,

Luhatje e trupit kur qëndron, kërcim, të shtrirë, përgëzime e shtrëngime,

Ndryshim i përhershëm rreth buzëve e syve

Lëkurë, ngjyrë e saj, e thekur, qimet, prenkat,

Ëndë e çuditshme që ndjen kur prek me dorë mishin e trupit të zhveshur,

Lumenjt e gjaktë që qarkullojnë, fryma dhe firoma,

Bukuri e mesit, e hijeve e më poshtë gjer te gjuri,

Lëngu i kuq në ty dhe mua, kockat dhe palca në kockat,

Kënaqësia që ndjen kur ke shëndet të mirë;

Po them se këto janë pjesët e vjershat jo vetë të Trupit, po të Shpirtit,

O po them se këto janë vetë Shpirti!

Perktheu,  Skender Luarasi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.