DHIMBJET E URAVE TË LASHTA

pirro loli

                    Pirro Loli

DHIMBJET E URAVE TË LASHTA

 

                                                                                                                           Ese

                                                                                                                     Pirro Loli

 

   Historia e etnosit shqiptar ka qenë gjithmonë në lëvizje. Që në epokat e prejhistorike të mitologjisë ballkanike, në mijëvjeçarë të shumtë, pellazgët dalloheshin si shumë të lëvizshëm, “të bredhur”. Edhe jashtë Ballkanit e Mesdheut. Faktikisht kombi i sotëm, shqiptar, jo më i madhi në Ballkan, ka diasporën më të madhe, shpërndarë gjithandej, kryq e tërthor Evropës dhe jashtë saj. Më të shumtët e më të hershmit pa dyshim, janë arvanitët, shqiptarët e Greqisë, që shumë studiues kanë thënë se përbëjnë ½ ose 1/3 e popullsisë greke. Shkaqet e këtyre lëvizjeve kanë qenë ekzistenciale. Në kërkim të vendeve të buta më pjellore kanë zbritur në Greqi popullata të mëdha pothuajse nga të gjitha hapësirat shqiptare që nga jugu në veri. Emigrimet kanë qenë edhe masive dhe të vogla por, historikisht me rrjedhje sistematike shtrirë që nga lashtësia deri sot. Flitet për dyndje të Arkideve të lashtë për në Poleponez e Azinë e Vogël si shkak i përmbytjeve të mëdha rreth liqenit të Ohrit e Prespës, flitet për dyndje të dardanëve të veriut kryesisht në këtë drejtim, por me përqendrime të mëdha në brigjet e Azisë së Vogël, ku do ndërtonin Trojën e famshme, flitet për braktisje të vendeve malore të Gadishullit veri-perëndimor dhe Epirit drejt tokave të lira e më pjellore. Shkak ikjesh të mëdha kanë qenë katastrofa natyrore, por edhe historike si ajo pas vdekjes së Skënderbeut, por dhe lëvizje si mercenarë, të thirrur ose jo nga vendasit.

Shqiptarët shumë herë në histori kanë dhënë prova force dhe dinjiteti kalorsiak dhe në disa raste historia ka provuar manifestime emocionale humanizmi dhe vetsakrifice siç është rasti i masakrimit të tyre të plotë të ishujve Psares, Mesologjit ose të rrethimit të Nikozisë. Raca jonë si racë që ka dhënë prova qëndrese dhe heroizmi, nuk i ka shpëtuar edhe dramave të mëdha dhe aventurës. Me kokat e tyre, në beteja të veçuara turqit kanë ngritur kështjella dhe ka ndodhur midis arvanitëve, që të rrethuarit, rrethuesit dhe forcat e treta që u vinin për ndihmë të parëve dhe të dytëve (së bashku me komandantët e të tria palëve) kanë qenë shqiptarë dhe gjuha e tyre shqipja.

Emigrimet masive në Greqinë Jugore kryesisht vinin nga Epiri (Shqipëria e Jugut), në Azinë e Vogël kryesisht nga Maqedonia, Kosova dhe Thraka.

Kalimi në Greqi ka qenë më i lehtë, kalim si në lagjet e poshtme të Gadishullit, natyrisht pa doganat e sotme, por jo përfundimtar e i suksesshëm. Gjithmonë do të kemi një emigrim të dytë nga Greqia drejt vendeve me pjellore të Azisë, Lindjes së Mesme, Afrikës dhe brigjeve të Europës Perëndimore.

Historia flet jo vetëm për lëvizje e dyndje kaotike për punë e luftëra, por dhe për krijime të qytetërimeve. Në Greqinë Jugore më i rëndësishmi ka qenë ai i Mikenës dhe Argosit, në Azinë e Vogël qytetërimi i dardanëve të Trojës. Dihet se trojanët dhe akejtë i përkisnin një grupi etnik, një gjuhe, një feje, dokeve dhe zakoneve të njëjta. Këtë ka pohuar jo vetëm homeri i lashtë por dhe gjetjet arkeologjike në Mikenë dhe në Trojë nga Shliman e të tjerë, por dhe nga albanologë të shumtë. Sipas Aristidh Kolës te vepra “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve”, 1983, kjo ishte një luftë e madhe pelazgjike, midis pellazgëve të veriut e të jugut. Molla e sherrit s’ka qënë grabitja e Helenës së bukur, siç thonë poetët por tokat pjellore të Trojës. Pas kësaj lufte në kufijtë e legjendës dhe historisë, me kalin e pabesë e Laokontin martir, pushteti ushtarak i Akejve ra dhe ata, megjithëse e pushtuan Trojën, qenë të mundurit e mëdhenj.  Kompleksi i kësaj lufte me egërsinë e akejve, pabesitë, ndëshkimet, pendesën, mallkimet që kishin nga Olimpi i Perëndive etj., me ato kode të rrepta ballkanike, lindi poemat dhe dramat e mëdha, të fondit të artë të letërsisë botërore.

Nuk dua t’u futem në hise historianëve, por mendoj se për ura historike midis popujve kemi rënë pre e dëshirave dhe sloganeve të shumta. Këto ura s’kanë qenë gjithmonë ura me brigje të qëndrueshme. Harqet e tyre janë shtrirë gjithandej në Ballkan e jashtë tij por kanë qenë njëkalimshe. Nga trojet tona ka pasur ikje të mëdha por jo kthime, madje as të vogla. Ndërsa kanë qenë ikje për ekzistencë, shqiptarët, edhe kur janë pasuruar, madje edhe me grada e lavdi, arvanitët janë ngulur më tepër në atdheun e ri, duke mbajtur vetëm një lidhje shpirtërore të origjinës, kryesisht gjuhën, zakonet, veshjen, folklorin etj, por kurrë s’kanë parë udhën e kthimit. Kthimet e mwdha kanw qene tw pamundura. Kjo dukuri në qindra vjet është përforcuar dhe Atdheu i tyre, Shqipëria është shtyrë tutje, gjithmonë në mjegull, deri në mungesë, në mosnjohje ose  mosqenie. Ata nuk mund të fajësohen për këtë. Bëhet fjalë për 600-700 vite të kaluara, pa futur lashtësinë, ku kufijtë e etnosit s’kanë qenë aspak të rëndësishme, bëhet fjalë për breza të tërë njerëzish, ku patjetër, çdo brez që ikën lë boshllëk të madh. Fijet që i lidhin këta breza me atdheun, edhe prej hekuri të ishin, do ishin ndryshkur e këputur.

Dukuria e sotme tek emigrantët shqiptarë, jo vetëm në Greqi ku fëmijët tanë nën dhjetë vjeç e kanë vështirë të flasin shqip, e bën stoicitetin e arvanitësve të vlerësohet si një akt i madh patriotik. Ata në shekuj kanë konservuar brenda tyre një atdhe shpirtëror, le ta quajmë një kombësi tingëllore duke nxjerrë në pah këtu veçanërisht gjuhën dhe folklorin. Shpesh, arvanitët i kanë marrë me vete dallgët e spontanitetit dhe të një ekzistence të vështirë por, të aftë veçanërisht në punët e bujqësisë e blegtorisë, e sidomos në punët e luftës, ata kanë siguruar me kohë një stad jetese të njëllojtë me vendasit, e pse jo, dhe më të mirë se ata.Është fort i pakundërshtueshëm fakti se nga Epiri dhe nga arvanitët kanë dalë personalitete të rendësishëm në të gjitha fushat që kanë ndikuar fuqishëm në jetën politike, sociale e kulturore të Greqisë.

   Në Shqipërinë e pas Skënderbeut, në emigracionin e detyruar apo vullnetar, sidomos në Greqi, shqiptarët kanë pasur një status të dyfishtë nën perandorinë turke. Ata, edhe të privelegjuar edhe të nënshtruar, vazhdimisht një popull kryengritës por dhe shtypës për të tjerët e jo rrallë dhe ndaj racës së vet, i kanë gjetur të gjitha udhët e parasë, të tokave, të gradave dhe të lavdisë, të posteve më të larta në Turqi apo në Greqi, por gjithmonë e gjithmonë kanë humbur udhën e atdheut të tyre, të bashkimit të kombit drejt lirisë. Duhet pranuar se jo vetëm tek arvanitët por dhe brenda Shqipërisë ka munguar një ndërgjegje e organizuar kombëtare. Dhe sistematikisht koha ka vërtetuar se nuk mjafton vetëm guximi e heroizmi individual, s’mjafton vetëm ndjenja e sakrificës deri në flijim- me e ba vdekjen si me le – por shteti dhe qytetërimi kërkon dhe organizim, urtësi e mençuri, administratë shtetërore e institucione, ndërtim rrugësh e qytetesh, jetë kulturore e artistike, nivel jetese, qarkullim monedhe etj. Të gjitha këto, pasuritë dhe lavditë, shqiptari i ka kërkuar jashtë tokës së tij, shpesh deri në renegatizëm. Ndaj them se bregu i nisjes së këtyre urave ka qenë njëkalimsh, më tepër shteg ikjeje dhe largimi nga atdheu se urë e përhershme për kthim e aq më pak urë lidhëse konkrete midis popujve. Kjo e fundit ka mbetur vetëm një dëshirë e bregut shqiptar, që nuk është përgjigjur bregut tjetër. Dhe një urë pa të dyja brigjet nuk quhet urë. Vetwm  dhimbja qe dykalimshe.

Historia dhe propaganda jonë shpesh ka konstatuar se kontributi i shqiptarëve (dhe i arvanitëve) ka qenë kaq i madh, sa ne i kemi dhënë Greqisë, Romës, Turqisë, Rumanisë, Egjiptit mbretër e gjeneralë, vezirë e kryeministra deri perandorë Romës e Bizantit, dhe megjithkëtë, s’kemi bërë Shqipëri, dhe megjithatë urat me këta popuj gjithmonë kanë qenë nëmos të rrëzuara, problematike. Pyetjet këtu janë të shumta e  përgjigjet po ashtu. Unë dua ta kërkoj të vërtetën e këtyre shkaqeve në raportin që krijohet midis atdheut dhe qytetarit. Në psikologjinë ballkano shqiptare jemi mësuar që atdheun ta kemi mit, mit të paprekshëm. Atdheu për ne mbetet perëndi, dogmë, që jo vetëm s’gabon, por të gjithë qytetarët para tij duhet të ulin kokën. Atdheu edhe mund të të vrasë dhe ti s’ke të drejtë as ta gjykosh atë. E vendet e vogla karakterizohen nga patriotizmi  i madh. Kësisoj ne kemi arritur të ndërtojmë një atdhe brenda nesh me histori të lavdishme, legjendash e baladash, një atdhe heroik etj. Fakti se gjithmonë kemi pasur një fat tragjik e kemi rezultuar të fundit dhe në çlirimin nga perandoria osmane, edhe nga tirania komuniste dhe me sa duket, të fundit do të arrijmë në Evropën e Bashkuar, duhet të na bëjë të mendojmë më me realizëm. Ikjet e mëdha, emigrimet historike që nga lashtësia deri më sot, nuk janë bërë nga malli, por nga halli. Kështu fara, sado elitare që të jetë kërkon dhe kushte të tjera për të lulëzuar. Çikoret e malit janë të shijshme, por lartësia e tyre nuk  kalon një centimetër. Nëse kjo çikore kultivohet gjetkë ajo bëhet qindra herë më e lartë. Kështu ka ndodhur në të gjithë diasporën tonë në Greqi, Itali, Egjip, Amerikw e kudo. Fjala vjen: kush e njeh më mirë Kollokotronin, Greqia që e ka shpallur hero kombëtar dhe e ka mbushur vendin me monumente të tij, apo Shqipëri e origjinës (që s’e njeh fare).

Që nga lashtësia, mesjeta e vjetër dhe e re, pra në të gjitha kohët e deri më sot, organizimi shoqëror shqiptar nuk e ka tejkaluar farën. Fara jonë elitare, dardane apo epirote, kjo racë e bukur dhe vitale ilire, ka lulëzuar nëpër dhera të huaj dhe mëmëdheu nuk i ka parë frutat e pritura. Prej dherash të huaja shpesh atdheut i kanë ardhur sinjale e kumte të fuqishme jo vetëm të kulturës, artit, letërsisë, por edhe të rilindjes, çlirimit, pavarësisë dhe lirisë. Larg atdheut shpesh distancat, janë shkurtuar dhe objektet duken më të qarta. Shembujt janë me qindra e me mijëra e ka ndodhur që inteligjenca jonë e vjetër dhe e re, ajo elitarja, që vërtet ka krijuar dhe për të tjerët, por nuk i ka larguar sytë nga atdheu, ka bërë histori, dhe është bërë pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare. Të tjera fara elitare që i kanë këputur fijet me origjinën, kanë shkuar deri në nënvleftësim, mohim, madje dhe kundërvënie. Është detyrë e atdheut që t’i njohë më mirë ku i ka vlerat e veta edhe në diasporë, të vjetrat dhe të rejat. Historia jonë ka nevojë të ribëhet dhe të çlirohet nga pozat romantike, euforia dhe urrejtja. Historinë nuk e bëjnë masat amorfe, qoftë brenda vendit apo në diasporë, por njerëzit e saj të shquar, të cilët kurrë nuk i kanë munguar kombit shqiptar. Unë mendoj se dhe urat që dëshirojmë të ndërtojmë midis popujve, sidomos në Ballkan, mund të ndërtohen vetëm duke u projektuar nga mendjet e ndritura e të urta, në rrugë demokratike, nga inteligjenca së cilës i dhimbet kombi i vet.

Sa për ilustrim: Po të kisha në dorë unë do kërkoja që liberalizimi i vizave tona të kërkohej së bashku me të Kosovës, që hyrja në NATO dhe në BE të konceptohej si hyrje si komb (Kosovë-Shqipëri). Ne, fatkeqwsisht,  do  të hyjmë në BE si në fillim të shekullit XX, tw ndarw, të përçarë nw tre katër pjesw , rrjedhimisht tw fundit…

Shqiptarët kudo që venë kanë aftësinë e përshtatjes dhe të integrimit të shpejtë, plus një ndjenjë egoiste, pa përjashtuar dhe aventurën, synojnë të zënë dhe të ndikojnë fuqishëm deri në majat e një atdheu tjetër. Kjo është çshytëzuar fort mirë nga të tjerët, por jo si duhet nga atdheu i tyre. Diaspora shqiptare në Greqi mendoj se ka specifika të varura edhe nga bregu pritës. Tashmë është fakt i njohur se struktura e shoqërisë helene, që pas dorëve apo qytet-shtetet, i ka rrënjët në fara elite të ardhura nga pjesët e lartme të Ballkanit pra nga etnosi Ilir. U nisa nga dorët sepse ata përbëjnë një dyndje të madhe nga veriu, kryesisht nga Epiri, që do të shkatërronin regjimet akeike, në të gjitha pushtetet, madje jo vetëm Greqisë. Ata, pasardhës të Herakliut që armët filluan t’i bëjnë prej hekuri, në bashkëpunim me fise të tjera të etnosit ilir më në veri, paçka se më të vonët në Greqinë Jugore, do përbënin dorën e fortë e do t’u kujtonin akejve një mënyrë të vjetër të të menduarit dhe të jetuarit tradicional, duke ruajtur zakonet e djepit fillestar dhe, interesante është se nuk konsideroheshin të huaj.

   Gjatë periudhës së natës osmane. shqiptarët ishin faktori popullor më luftarak i perandorisë, shpërndarë në krejt Bllkanin, në Azinë e Vogël, Itali, Lindjen e Mesme, Egjipt etj., pikërisht si stërgjyshët e tyre mijëvjeçarë. Në shumë nga këto shtete, fara jonë ka qenë jo vetëm inisiatore por dhe faktor vendimtar i pavarësisë e i çlirimit të tyre. Në Rumani prej shekujsh qeverisnin shqiptarët, që nga Jani Gjika,  e me radhë Duka, Suçi etj. Në Egjipt që nga ptolemejtë e lashtë e deri te Muhamet Aliu i krijimit të shtetit të ri. Në Greqi, historia jonë ka faktuar kontribut vendimtar të shqiptarëve (arvanitëve) në Revolucionin Grek 1821, më shumë kryeministra e komandantë, luftëtarë e heronj si vëllezërit Kundurioti, Koraisi dhe Andruco, Rigas, Fereos, Kolloktroni, Bubulina, Miauli, Kanari, Kariaskaqi, Kapedanët e Sulit, Boçarët e Xavellat etj,, këto fara elite shqiptare janë kultivuar në kopshtin grek duke qenë një krenari e dyfishtë për të dy popujt tanë, më të vjetrit në gadishullin Ballkanik. Është kjo një histori e njerëzve të shquar që ka bërë ferk në bregun tjetër. Ata kanë luftuar e punuar e janë vrarë për Greqinë, duke lartësuar edhe origjinën e tyre e duke i parë kufijtë e lirisë gjithëpërfshirëse. Kam konstatuar se të gjitha ata nuk i shikonin të ndarë të dy shtetet dhe përpjekjet për t’i bashkuar nuk kanë munguar. Që nga viti 1789 deri në 1899 janë bërë 12 tentativa për një shtet unik e tolerant e të gjitha kanë dështuar sepse të dy vendet tona, për shumë arsye, kanë parë interesat e brigjeve përkatëse jo të urës lidhëse. Në marrëdhëniet e mira greko-shqiptare, politikanët tanë nuk duhet tw pajtohen me qwndrime inferiore e nwnshtruese, pwrkundrazi, tw jenw të jenë më të kthjellët, mw nacionalistw e të zgjidhin sa më parë një nyje absurde, të ashtuquajturin “ligj lufte”, një absurd vërtet formal e protokollar, por që vërteton “në mënyrë arvanite” kokëfortësinë e bregut i cili prej kohësh bën pjesë në Europën e Bashkuar.

Nëpër kohë të ndryshme grekët nuk i kanë parë arvanitët si të huaj, por as primarë. Midis tyre ka shembuj të mrekullueshëm marrëdhëniesh deri në pirje gjaku vëllamërie, jo vetëm midis orthodhoksve por edhe midis myslimanëve shqiptarë me grekë. Megjithatë dukuria e përgjithshme e këtij mozaiku është fakti se shqiptarët trazohen me të tjerët, por nuk bashkohen. Arvanitët janë kombësi e fortë, tepër e qëndrueshme, që konservon origjinën e vet si asnjë popull tjetër. Mendimi vulgar, por tepër masiv në Greqi se arvanitët nuk janë shqiptarë dhe gjuha arvanite nuk është shqipe, nuk ia vlen të merret fare në konsideratë. Me vitalitetin e tyre shqiptar dhe me aftësinë e riprodhimit të bollshëm, bukuri e forcë, këngë, valle e vegla muzikore, zakone e veshje të mrekullueshme, pa të cilat raca dhe kultura greke do të kishin shumë ftohtë e boshllëk të madh. Duke pasur parasysh se fiset e tjera si avavër, sllavët ose pakicat e ndryshme nga Egjypti, Lindja e Mesme e Azia e Vogël janë asimiluar dhe helenizuar krejt, raca jonë atje ka mbijetuar me dinjitet nëpër shekuj, sepse në çdo kohë, pavarësisht nga stërgjyshë të lashtë të përbashkët, kanë bashkëekzistuar me grekët si dy popullsi të dallueshme. Arvanitët, sipas Pukevillit, dallohen për “pastëri gjaku”, burra të hijshëm flokëverdhë ose brunë, krenarë e të zotë. Sipas albanologut Hahn te “Studime shqiptare” AIH (dosja III A), “shqiptarët në Greqi, në shekullin e XIV, shkallë- shkallë u shtrinë në të gjitha krahinat e Greqisë. Në dhjetëra fshatra e ishuj deri para1820, asnjë grua arvanitase nuk kuptonte e nuk fliste greqisht”. Ndërsa Sami Frashëri te Camus’ul Alam (vëll 6. f.4824) pohon se arvanitët kanë vajtur në Greqi këtu e 6-700 vjet më parë, pra para pushtimit osman, të dëbuar nga hunët dhe fise të tjera barbare. Autorë të ndryshëm theksojnë se popullsia e Atikës, përplot me shqiptarë, në kohën e Revolucionit Grek 1821 fliste vetëm shqip. Po kështu në shumë vende të Moresë, ()Peloponezit) Beoti e ishuj flisnin masivisht shqip e komandantët e tyre ishin të gatshëm të ngrinin me dhjetëra mijë luftëtarë në çdo kohë. Të tillë ishin edhe shqiptarët e Hidrës, Species, Poros-it, të zbritur nga Shqipëria e Mesme dhe e Jugut, që e kanë ruajtur dialektin tosk dhe sot e kësaj dite si dhe të tjerët në Korinth, Megara, Atikë, Beoti, Lokride, Andros, Salaminë etj., për të cilët ka bërë studime me vlerë Follmeraiver “Historia e Helenizmit” vëll.1 Selanik 1964.

Është fakt se nëpër kohë të ndryshme arvanitët janë thirrur edhe si mbrojtës e historia njeh komandantë të tillës si Gjin Petro Losha, Shpata, Qurka, Simatri etj, që komandonin forca të pastra shqiptare dhe tentonin të ndërtonin fshatra e zona si Krye Kuq, Kundura, Dervenohor, Paramikos etj., me popullsi kompakte shqiptare si bujq dhe luftëtarë. Një nga shkaqet e mosasimilimit të tyre është kompaktësia dhe fakti se me cilësitë dhe aftësitë e tyre arvanitët nuk kanë qenë bujkrobër por fshatarë të lirë. Shqiptarët në Greqi kurrë nuk kanë bërë bastisje dhe kanë meritën edhe të ndërtimit dhe të mbrojtjes së qyteteve të tilla si Korinthi, Argosi e Athina. Megjithëse jo të shkolluar sa duhej ata kanë qenë mbrojtës të monumenteve të kulturës me vlera unikale kryqe tërthor Greqisë.

(Është prekës të përmend një fakt kur një tabor grash arvanite kërkuan takim me pashanë turk në Akropol. Ato kishin mbushur përparset e tyre me gëzhoja fishekësh gjetur nëpër gërmadha dhe ja japin pashait si dhuratë për t’i ribërë plumba. Merri pasha, i thanë, por urdhëro që ushtarët e tu të mos i prishin monumentet e lashta. Na vrit me plumba pasha, por jo me monumente. Sepse ushtarët i shembnin monumentet që t’u merrnin shtyllat metalike me të cilat qwndronin, për t’i derdhur plumba.)

Ndërsa të gjithë të tjerët, që nga lashtësia e mesjeta, barbarë nga vendet gjermanike, Azia e Vogël, Persia etj., kanë bërë barbarizma katastrofike në truallin helen, krejt e kundërta ka ndodhur me arvanitët.

                   Sot, para se të krenohemi për racën dhe historinë e diasporës sonë brenda dhe jashtë Ballkanit mendoj se duhet ta shohim realitetin drejt në sy. Arvanitët më të shumtët në numër dhe histori, sot u ngjajnë prusheve të ndezura që po shuhen ngadalë të mbuluar nën hi. Nga brezi në brez, nga viti në vit, ata humbasin firojnë e sot para se të kërkojmë ura lidhëse me popujt e Ballkanit, mendoj të ndërtohen ura lidhëse të forta dhe të qëndrueshme midis shqiptarëve; shpërndarë gjithë andej në gadishull e jashtë tij. Këtë e lehtëson edhe emigracioni i ri në Greqi, Itali që vetëm me një punë intelektuale të vërtetë mund dhe duhet të gjenden ata, prushet e pashuara në shekuj. Shembujt nuk mungojnë. Shoqata krijuesish e intelektualësh, apo individë të tipit Aristidh Kolës e At Belushit duhet të nderohen e të ndihmohen nga shteti dhe shoqëria civile intelektuale shqiptare me të gjitha mundësitë që kanë ministritë e kulturës, universitetet, institutet shkencore, akademitë etj. Sot nuk duhet të ngopemi me lugën e zbrazur të sloganeve rreth minoriteteve, të cilat në Ballkanin tonë të trazuar kanë qenë dhe janë më tepër mollë sherri sesa ura lidhëse midis popujve. Duke mbrojtur dhe respektuar të drejtat e tyre të qytetarit pa dallim kombësie, ( si shembulli i Shqipwrisw) vetvetiu sigurohet bashkëjetesa demokratike me ta dhe marrëdhëniet paqësore korrekte me shtetet përkatëse. (Greqia – megjithëse ka minoritete qartwsisht tw pwrcaktuara -, nuk njeh asnjw?!…Dhe wshtw anwtar i BE..?!)

                    Sot intelekti shqiptar duhet të kuptojë se gjuha shqipe s’mund t’i lihet më spontanitetit dhe në diasporë, sidomos në Greqi e Itali. Gjuha e madhërishme shqipe, kështjella me solide që nuk ra në mijëravjeçarë brenda kombit shqiptar, s’mund të lihet e fosilizuar lart e poshtë Ballkanit e më gjerë si relikë e rrallë e një gjuhe që ka qenë dikur. Në se u deshën mijëra vjet që pellazgjishtja të perceptonte në krijimin e gjuhëve të kulturës, greqisht, latinisht apo në gjuhët e reja neo latine, në mijra vjet ajo për hisen tonë mbeti shqip, prapë shqip. Nuk mjafton të themi se ajo u dha gjuhëve të tjera lëndë të bollshme nga  vetvetja dhe struktura të pranueshme fonike, morfologjike e sintaktike; nuk mjafton të themi, madje, se “është gjuhë perëndie”.

                      Historia, trishtueshëm vërteton se e shkruara mbetet, e thëna harrohet. Në diasporën tonë të vjetër ajo mbijeton si e thënë prandaj diagrama e saj shkon teposhtë drejt fosilizimit dhe harrimit. Është fjala për thesarin e kombit shqiptar, atë të florinjtin, që kudo që gjendet në diasporë, edhe i vogël si unaza e gishtit, apo pikw rubini  nw  vatn e  veshit, është prej floriri; kjo është fjala shqipe mbetur si e vetmja pasaportë e përjetshme dhe e pandryshueshme e identitetit kombëtar. Thonë se humbi nëpër male ajo malit i dha majë, thonë  e përpiu deti , ajo detit i dha dallgë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
More in dhimbjet, lashta, loli, pirri
Artur Rembo
UNË JAM NJË TJETËR

  “UNË JAM NJË TJETËR” (ARTUR REMBO)                                                                                               ESE                                                                             PIRRO LOLI Tek unë kishin kaluar,( aq sa),   francezët e mëdhenj...

Close