PORTRETI ME THIKA

girl portrait

             girl portrait

 

PORTRETI ME THIKA

Nga Inez Dullas

Daullet ranë. Trumpeta klithi. Në çastin kur perdet prej kadifeje të kuqe u hapën, ajo vrapoi me hap të lehtë për në qëndër të skenës të shtruar me tallash. Fytyra të errësuara e rrethonin nga të katër anët dhe një gjëmim duartrokitjesh i shugulluan veshët. Apo ishin të rrahurat e zemrës së saj? Ajo u përkul për të përshëndetur. Nga veshja e saj prej sateni të bardhë e të stolisur me xhingla, shkreptinin drita, zjarre vezullues në miliona shkëndia. U kthye dhe eci drejtë siluetës së zezë gjigande prej druri të bërë në formën e njeriut e cila qëndronte pas saj. Përballë kishte shikuesit, i përshëndeti përsëri, u dërgoi të puthura. Pastaj eci mbapsht derisa preku siluetën, u ngjesh përballë saj, ngriti krahët anash dhe hapi këmbët fortë.
Një tjetër goditje daullesh. Një tjetër fanfarë. U hap një tjetër perde për t’u çfaqur Punjabi, trupmadh, i pashëm, i veshur me lëkurë tigri, me byzylykë lëkure në të dy kyçet e duarve. Kur ecte, muskujt i valëzonin poshtë mishit të kofshëve. Edhe njëherë duartrokitjet u dëgjuan fortë e pastaj u mekën ngadalë ndërkohë që ai u bashkua me gruan e cila qëndronte sikur do të kryqëzohej. Ai buzëqeshi, përshëndeti turmën që po priste, pastaj partneren e tij. Hyri një punëtor i cirkut duke shtyrë një tryezë me rrota ku sipër së cilës ishin vendosur thikat. Duke marrë njërën, hedhësi trupmadh i thikave, i provoi majën me gisht. Ngriti krahun, mori shenjë me kujdes, llogariti distancën me sy, pastaj gjuajti. Thika përshkoi një hark të përkryer, pastaj u ngul duke u dridhur, pesë centimetra mbi shpatullën e majtë të gruas. Ajo nuk luajti nga vendi.
Artisti i thikave vazhdoi të skiconte portretin e zonjushës me një rresht thikash çeliku të mprehura, me maja të ngulura, me dorezat që konturonin formën e modelit të bardhë me krahë e këmbë të shtrira. Ajo dukej si një yll deti egzotik, që vezullon përkundrejt një errësire të zymtë, një specie e bukur nënujore që e kanë nxjerrë me rrjetë nga thellësitë e detit. Më në fund portreti u kompletua. Një gjëmim shumëgrykor shpërtheu nga turma që priste me ankth , ajo admironte si artistin e thikave ashtu edhe modelen e këndëshme. Ajo u shkëput nga thikat që e rrethonin, buzëqeshi, i bëri nojma partnerit të saj dhe u përkul për të falnderuar për nderin që po i bëhej. Ndihmësi filloi të shkulte thikat, duke i vendosur në tavolinën e tyre me rrota.
Sytë e saj u fundosën brenda atij oqeani fytyrash. Po, ja ku ishte ai, në rreshtin e parë. Në shkallët e veshura me pellush të kuq ku ai ishte ulur për shtatë net me radhë. Kur kapi vështrimin e saj ai lëshoi një britmë të ngjirur: “Shabash”! (bravo!). A do ta mbante ai premtimin? A do ta priste atë aty jashtë tendës së saj pas këtij akti? Jeta e rehatshme e cila e kishte joshur gjithmonë, më në fund iu duk se e arriti. Ajo nuk e çante kokën fare për atë që ai ishte një banina (tregtar) pak i thyer në moshë, me flokë të rëna, i shëmtuar si edhe i martuar. Ai ishte i pasur, i pasur, dhe këtu ishte e gjithë puna. Ai i kishte premtuar se do t’i jepte një apartament të vogël, të mobiluar që ta kishte të vetin, një veturë dhe veshje – shumë veshje. Pas kësaj çfaqje ai do ta merrte me makinë e do ta çonte larg, do ta shkëpuste nga kjo torturë nervash. Do ta çonte në mes të rehatit dhe luksit të cilin ajo se kishte njohur kurrë. E gjitha çfarë duhet të bënte tani, ishte të priste të mbaronte edhe skeçi i fundit e ajo pastaj do të ishte e lirë.
Daullet kumbuan. Mbi amfiteatrin e madh ra heshtje. Ajo mori pozën e saj të kryqëzimit. Artisti zgjidhi nga brezi një shall mëndafshi të kuq dhe më të lidhi fortë sytë e tij. Ndihmësi i vuri në kokë një kapuç të zi. Tani ai duket si ekzekutor, mendoi gruaja, veçse, të çarën, në vend ta kishte tek sytë, e kishte tek goja, për të marrë frymë. A mos vallë kështu ndjehej edhe preja e kohëve të lashta kur e rrethonin nga tw katwr anët. Me thika apo me sopata –ç’ndryshim kishte?
Akti filloi. Ngadalë burri mori shenjë me thikën e parë, mënjanoi pakëz kokën, sikur në vend të pamjes, t’a maste distancën me anë të zërit. Një lëvizje e beftë dhe thika u shkëput nga gishtat e tij duke lënë pas një parabolë vezulluese, për t’u ngulur me majë sipër shpatullës së saj të majtë. Amfiteatri u duk sikur ndaloi frymën.
Rreshti i thikave rreth saj sa vinte e zgjaej. E çoi mendjen tek të mirat që e prisnin, pasi të shpëtonte nga kjo skenë e shtruar me tallash, pastaj tek artisti i thikave. A do të gjente ai një partnere tjetër për t’a zëvendësuar atë në këtë akt ku ai gjuante me sy mbyllur? Ajo nuk kishte guxuar t’i thoshte se ajo do të largohej nga kjo skenë – temperamenti i tij ishte shumë i vrazhdë dhe veprimet i kishte të paparashikueshme. Përveç kësaj ai kujtonte se ajo i kishte atij një mal me borxhe për që e kishte nxjerrë nga varfëria e tejskajshme, atje në qytetin Kalkutës, pa asnjë të afërm. Ah! mendoi ajo me hidhërim – do të preferonte më mirë vdekjen nga uria se sa këtë torturë të përditshme, këtë vdekje për së gjalli. Ajo çdo natë, e terrorizuar tërsësisht, përjetonte një vdekje të re, e ngrirë nga një tmerr i pashmangshëm ndërkohë që portreti i saj gdhendej nga goditjet e befta të atyre thikave.
Një vit më parë, pasi kishte ardhur si refugjate nga Pakistani Lindor, ajo endej rrugëve të Kalkutës. Këtu e kishte gjetur ai ndërsa një mbrëmje dilte nga një restorant në një nga rrugët e Bombeit gjatë ndalesës treditore që kishte bërë cirku në këtë qytet. Ai e kishte marrë në tendën e vet sepse i duhej një partnere në aktin e tij, sepse ajo kishte mbetur trokë, sepse askush tjetër nuk do të mund të pozonte që ai t’i bënte portretin me sytë të mbyllur. Një ishmundës nga qyteti i Sindit, kariera e të cilit kishte përfunduar për shkak të një dëmtimi në këmbë, kishte filluar të perfeksiononte një aftësi të re – atë të hedhjes së thikave. Askush nga partnerët e tij nuk qëndronte gjatë, ca nga gjuajtjet e tij të pamëshirshme e ca nga stërvitja e sforcuar që zgjaste me orë të tëra (duke mos përmendur këtu plagët dhe çpuarjet e lehta). Ankthin e urisë e kishtë zëvendësuar ankthi i frikës dhe pas tre muaj stërvitje rigoroze e kishin bërë atë një modele të zonjë, megjithëse këtë punë e bënte pa kurrfarë dëshire.
Ashtu si në ëndërr, tani ajo dëgjonte thikat që nguleshin në dërrasë me intervale të rregullta, duke konfiguruar portretin e saj me majat e tyre të mprehta. Ndërsa qëllonin fortë në dru, ato dridheshin për një çast për tu varur pastaj të palëvizëshme rreth saj. Një hall i madh ja çvendosi mendimet nga thikat që fluturonin mbi kokën e saj, të paktën për pak çaste. A e kishte vënë re ai atë fytyrën e buhavitur që qeshte e vetkënaqur aty në rreshtin e parë? Për shtatë net me radhë, me atë turbanin e kuq rreth kokës, ajo kishte kullotur sytë aty lartë. Natën e fundit, partneri i skenës kishte hyrë në tendën e saj pikërisht para se të fillonte çfaqja e tyre dhe kishte gjetur aty një buqet të madhe me trendafila të kuq të lidhur me një shirit varaku. Ai i kishte hedhur një sy kartolinës me nënshkrimin “Seth Bogiral,” dhe kishte dalë nga tenda pa i thënë asaj asnjë fjalë. A mos kishte dyshuar për qëllimin e saj të mundshëm? Ai e kishte dëgjuar atë të çjerrurën “Shabash!” dhe sytë e tij kishin ndjekur drejtimin nga erdhi zwri.
Papritmas ajo u bë e vetdijshme se të gjitha zhurmat kishin pushuar. Ngulja e thikave nuk po i kumbonte më në vesh. Vëmendja e saj ishte përqëndruar dhimbshëm tek njeriu me kapuç para saj. E kuptoi se portreti i saj pothuajse kishte përfunduar. Kulmi dramatik i aktit të tij kishte mbritur – çasti kur ai do të hidhte thikën e fundit pikërisht mbi kokën e saj.
As edhe një tingull nuk po e thyente atë heshtje therëse – qoftë edhe një psherëtim nervoze. Ajo vështroi partnerin që ngriti thikën e fundit, e peshoi në gishtat e tij, i preku qetësisht majën me gishtin tregues të dorës së majtë. Dinte gjë ai? Një “Shabash!” e vetkënaqur, mburravece, grisi qetësinë e magjepsur. Ajo u mbërthye nga tmerri dhe frika. Koka me kapuç u rrotullua, u përkul drejtë rreshtit të parë. Ai nuk e sheh dot atë, ngushëlloi ajo vehten, ai nuk mund të shoh nëpërmjet atij kapuçi të trash. Por shënja je ti, e mblodhi ajo mendjen me një trazim të egër.
Ndërsa krahu me thikën në dorë u ngrit, ajo ja nguli sytë e shtangur, e tmerruar, e llahtarisur. Ai vështronte si mpirë e filloi të hepet para mbapa ashtu siç bën kobra para se të turret me helmin e saj vdekjeprurës. E çoi krahun fort mbrapa, bëri një pauz, kjo ishte hedhja e fundit
“Ndalo! Ndalo! ulëriti ajo duke i dhënë trupit përpara, por ndërkohë thika fluturoi nga dora e tij. Një çast më vonë, u dëgjua një klithmë e shkurtër agonie, vetëm një klithmë, dhe ajo u rrëzua. Thika tashmë qëndronte e ngulur thellë në mes të ballit të saj.
Audienca e elektrizuar u ngrit në këmbë, zhurma shpërtheu. Burri hoqi kapuçin nga koka dhe zgjidhi shallin nga sytë. Vrapoi për tek trupi i rrëzuar. ‘Po pse e bëri këtë ajo? Pse? Pse? Unë e dashuroja atë. Unë nuk munda t’i prekja kurrë as edhe fijen e flokut!’

Përktheu R. Totaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.